Re: Fate!
Personazh
Rikthimi i shkurtër në Tiranë i këngëtares dhe aktores, Nertila Koka. Vendimi i saj për t'u marrë më shumë me dramë sesa me këngë
Nertila Koka: "Aventurat" e mia nëpër botë
Jeta dhe karriera e re e këngëtares dhe aktores së viteve '80, Nertila Kokës
Belina Budini
Është endur për më shumë se 10 vjet mes Suedisë, Japonisë, Turqisë e Australisë. Ku ta gjesh Nertila Kokën pas gjithë këtyre "aventurave" nëpër botë? Por një mesditë gushti, këngëtaren dhe aktoren shqiptare të viteve '80, e gjetëm në Tiranë, në shtëpinë e saj të lindjes. Itinerari i "rrugëtimeve" të saj nuk ka përfunduar në kryeqytetin shqiptar. Ajo është kalimthi në Tiranë, edhe kësaj radhe. Me grilat mbyllur, kujdeset që drita e diellit të fortë të Tiranës, të mos ia trazojë gjumin më të voglës së saj, Anit. Në këtë mugëtirë "fshihet" ajo sa herë vjen në shtëpinë e saj, në Tiranë. Kështu ndodh që vetëm fqinjët mezi marrin vesh për kthimin e saj të radhës. Nuk pranon as ftesat e producentëve e regjisorëve për pjesëmarrje në spektaklet dhe festivalet shqiptare, as pyetësorët e gazetarëve. Kështu ndodh që ajo vjen e ikën çdo verë, pa e shuar deri në fund kureshtjen e njerëzve për jetën dhe karrierën e saj të re. Në pritje për të nisur një karrierë brilante në teatrin e madh të "Goteborgut", në Suedi, ndoshta edhe në pritje të ndonjë oferte speciale nga Teatri Kombëtar në Tiranë, Nertila Koka e sheh veten ende mes familjes dhe karrierës, ku përparësi ka ajo e para. Cila është jeta e saj e re, që ka ndërtuar larg Tiranës? Ç'projekte thur ajo? Nertila Koka rrëfen për "Shekullin" këtë "aventurë" të pandërprerë nëpër botë, por dhe dëshirën e madhe për t'u kthyer një ditë përgjithmonë në Shqipëri.
Mes familjes dhe karrierës
Vajza e saj e madhe është 13 vjeç, e vogla sapo ka mbushur 21 muaj. Me fëmijët ende të parritur, ajo është e dyzuar mes familjes dhe karrierës. Dilema anon për kah familjes. "Vajza e vogël, Ani, është fare e vogël dhe ka shumë nevojë të më ketë pranë. Aq më tepër që tani unë nuk mund të kuptohem më pa familjen time, të cilën e adhuroj", - pohon Nertila. Por përtej këtyre angazhimeve prej nëne, Nertila Koka nuk ka hequr dorë nga të kënduarit dhe profesioni i saj, aktrimi. Madje ka punuar edhe si pedagoge kantoje dhe pantonimi (dramë) në universitetin "Çukurova", në Turqi. As të kënduarit nuk e ka harruar, pavarësisht se ka kaq vjet larg festivaleve. Këngën më të fundit e ka regjistruar një vit më parë në Tiranë. Flitet për një ripunim të këngës së vjetër të Valentin Veizit, kur e ka shoqëruar në piano Genc Çukiqi. "Kënga titullohet "Më prit" dhe e kam kënduar për herë të parë kur ndaheshin çmimet për kinemanë, në një mbrëmje speciale, shumë vjet më parë. Kasetën e saporegjistruar e kam në duar, por nuk e kam transmetuar asgjëkundi. Jam në pritje të momentit më të volitshëm për ta përcjellë këtë këngë tek publiku", - tregon Nertila. Veç kësaj eksperience muzikore, Nertila, padyshim, nuk le pa përfituar nga çdo festë familjare a takim me miqtë për të kënduar këngët e saj të preferuara. Por, kur ishte në Japoni ka mundur të realizojë edhe dy koncerte, pikërisht në Tokio. "Ishte para festave të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri. Atëherë u krijua një mundësi për të dhënë një koncert të shkurtër, prej gjysmë ore, me këngë të muzikës popullore shqiptare. Nuk e mendoja se do të gjenim një mundësi të tillë në Tokio, aty ku publik shqiptar nuk kishte fare. Por gjithçka u bë e realizueshme, atëherë kur një pianist japonez, që kurrë më parë nuk kishte dëgjuar muzikë shqiptare, filloi të mësonte partiturat e mia dhe ia arriti. Bëri muzikë shqiptare, ndërkohë që unë këndoja pjesë nga repertori popullor. Për rreth gjysmë ore një publik, kryesisht i përbërë nga gra japoneze, ndoqi muzikën shqiptare dhe mbetën vërtet të kënaqur edhe pse nuk dinin asnjë fjalë shqip e nuk kishin dëgjuar kurrë më parë muzikë shqiptare, aq më pak popullore. Thjesht u gëzoheshin tingujve dhe melodive", - tregon Nertila këtë eksperiencë vërtet të veçantë japoneze. Pas kësaj përvoje kënge, Nertila do të hidhej në Turqi, aty ku edhe ajo, edhe bashkëshorti i saj Sokoli, ishin më pranë Shqipërisë, por edhe ku kishin oferta të mira pune, që të dy. Do të punësoheshin që të dy në universitetin e "Çukurovës" ku Nertila dha mësim për rreth dy vjet në degën e pantonimës për dramë dhe kanto. "Ndërkohë, bashkëshorti, Sokoli më ka mbështetur gjatë gjithë kohës në karrierën time", -shton ajo. Dhe nuk mbaron gjithçka këtu. Nertila kujton se në Suedi, ku jeton edhe aktualisht prej katër vjetësh, ka patur mundësi që për emigrantët e paktë shqiptarë të atjeshëm të çelë kurse të gjuhës shqipe. Flitet për shqiptarë të Maqedonisë e të Kosovës, prindërit e të cilëve kanë neglizhuar paksa me gjuhën e tyre dhe fëmijët nuk dinë të flasin shqip. Por mënyra me të cilën Nertila ka vendosur t'u mësojë gjuhën shqipe është krejt origjinale. "U mësoj atyre pjesë të shkurtra teatrale, që t'i thonë përmendësh, t'i riprodhojnë me të folur e me të shkruar. Është një mënyrë jolodhëse dhe shumë e përshtatshme për ta. Fillimisht, m'u dukën fëmijë shumë të vështirë. Por më pas, ata nisën të mësonin më mirë", - tregon ajo rreth kësaj eksperience ndryshe që ka patur në Suedi. Pikërisht aty pret të nisë një karrierë të re në teatrin e njohur të "Goteborgut". Por, Nertila thotë se mirëpret edhe ofertat nga Teatri Kombëtar shqiptar, e vendosur se këtej e tutje karriera e saj do të jetë e lidhur më tepër me dramaturgjinë (për të cilën është diplomuar në vitin 1989) sesa me këngën.
"Rrugët e mia"
Ka veshur edhe "kimononë" japoneze (veshja tradicionale), ka "shaluar" një gamilje kur ishte në Turqi, ka mësuar zakone të vendeve të ndryshme deri edhe të gatuajë gjellë nga më të veçantat. Të gjitha këto ndërsa udhëtonte dhe jetonte njëkohësisht nga Suedia në Japoni për në Turqi, duke u ndaluar për pak kohë në Australi, për të përfunduar në pikën e nisjes, në Suedi. Itinerari i udhëtimeve të saj nis kështu me Suedinë, qyteti ku bashkëshorti i saj ka studiuar për gjashtë vjet, para se ata të njiheshin një ditë plazhi, në Shqipëri, për t'u martuar vetëm pak kohë më vonë, në një kohë kur Nertila ishte ende studente në vitin e katërt për dramë, në Akademinë e Arteve. Ishte viti 1991 kur Nertila la për herë të parë Shqipërinë. Por do të kthehej edhe një herë në vitin 1993, këtë radhë sërish në një festival. "Aty e kuptova se kishin ndryshuar shumë gjëra në një kohë kaq të shkurtër dhe festivalet shqiptare nuk ishin më për mua. Hoqa dorë kështu nga skena e atyre festivaleve që më kishin falur aq emocione ato vite, do të thosha një rrufe emocionesh", - shprehet Nertila. Mandej, ajo do të vazhdojë të kthehet çdo verë në Tiranë, për dy javë ose një muaj pranë prindërve e të afërmve, por kurrë më në skenë, as në film, as në teatër. Ndërkohë që kishte nisur "aventurat" e saj nëpër botë. Bashkë me vajzën e madhe, Erën, tani 13 vjeçe, dhe bashkëshortin Sokolin, morën rrugët e karrierës dhe jetës nëpër botë. Eksperienca të reja, emocione të reja dhe shumë gjuhë të mësuara. Ndërkohë që vajza e saj e madhe, Sara, njeh mirë anglishten, suedishten, turqishten, japonishten dhe së fundi i është vënë edhe frëngjishtes, ndërsa bashkëshorti i saj është njohës i gjashtë gjuhëve të huaja. Por në një familje të tillë, duket sikur të gjithë kanë shansin të bëhen poliglotë. Aq më tepër fëmijët, që siç tregon ajo vetë kanë treguar se mund të mësojnë sa hap e mbyll sytë gjithçka të re. Më e zellshmja është padyshim Sara, e cila shkëlqen jo vetëm me gjuhët e huaja, por edhe në lëndët e tjera. Megjithëse është një valltare e shkëlqyer, ajo ka zgjedhur që tani një tjetër rrugë për veten e saj. Larg pasioneve të mamit të vet, Sara është e apasionuar pas astrologjisë dhe shkencave, duke marrë kështu më shumë nga babi. Ndërsa Ani, vetëm 21 muajshe, është ende e vogël. Madje, për këtë shkak, Nertila është ende me "pushimet e mamasë", siç i pëlqen asaj të thotë dhe vetëm pasi të çojë vajzën në kopsht, në Suedi, do të ndihet e qetë për të nisur përçapje më serioze për karrierën e saj në Suedi. Udhëtimet e saj kanë përfunduar pikërisht aty, ku ajo së bashku me familjen e saj është vendosur prej katër vjetësh. "Është vendi më i volitshëm për mua. Ca më afër me Shqipërinë sesa Australia, më e ftohtë dhe më e mbyllur se kjo e fundit, por më e përshtatshme për ne, fundja është në Evropë, paçka se në skaj të saj", - thotë Nertila.
Pasaportë
Viti i lindjes- 1966
Vendlindja-Tiranë
Ngjyra e syve- jeshile
Plus
Profesioni- aktore, këngëtare
Shenja - Akrepi
Hobi - Gatimi
Kënga
Në moshën 17 -vjeçare merr pjesë në festivalin e Interpretuesve
Një vit më vonë merr çmim të parë në këngën "Çel si gonxhe dashuria" në një duet me Gëzim Çelën.
Çmim tjetër i parë me këngën "Dy gëzime në një ditë"
Që nga kohë merr pjesë në të gjitha festivalet deri në atë të 1993-it
Aktrimi
Mbaron Akademinë e Arteve, dega dramë, në vitin 1989
Luan rolin e Nertilës në filmin "Apasionata"
Interpreton Borën tek filmi "Duaje emrin tënd"
Ka një rol në filmin "Tre njerëz me guna"
Luan edhe në filmin "Telefoni i një mëngjesi"
Hobet
Buka me djathë është gjëja që i pëlqen më shumë Nertilës këtu. Bukë si e Tiranës dhe djathë vendi. Megjithëse librat e saj të kuzhinës janë të pafundmë dhe recetat e saj të regjistruara në video nuk numërohen, ajo preferon këtë ushqim të thjeshtë shqiptar më tepër nga gjithçka. Ka dobësi edhe kuzhinën kineze, disa sekrete të së cilës ka arritur t'i mësojë tashmë. Por nuk lë dot pa përmendur gatimet turke, tepër pikante, por me shumë shije. "Por nuk ka si buka me djathë. Jo bukë si atjeshmja, as djathë i atillë. Më pëlqen buka dhe djathi siç i kemi ne këtu", - thotë ajo. Por nuk është i vetmi hob i Nertilës. Asaj i pëlqen edhe të vrapojë, sidomos në pranverë, kur pylli që ka pranë shtëpisë në Suedi, bëhet për të një mrekulli e stinës. Tepër në formë dhe elegante, ajo megjithatë i trembet ushqimit në Tiranë si edhe dritës së bollshme të diellit. Ka bërë fare pak plazh. Një dëshirë tjetër e madhe e saj është të qëndrojë në shtëpi, pranë familjes, motrës së saj Dorit, por edhe pranë Zanës e Yllkës. Dhe këto ditë do të niset sërish për në Suedi, aty ku e presin miqtë dhe shtëpia e saj.