Fashizmi i përjetshem serb

thumbnail.php
“Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga Kosova”, ky është refreni i ish-presidentit Boris Tadiç, i cili krijoi momentumin psikologjik që një xhandar-poet të shkruante ato vargje fashiste...
...Kurse një elitë politike fashiste u përkujdes t’i fuste ato vargje në shtet… Betimi i xhandarmërisë serbe si fashizëm i përjetshëm është shpallje lufte permanente shqiptarëve kosovarë, luftë për “Nanën Kosovë”, pa të cilën “Serbia nuk ekziston”. Nëse për zyrtarët e Brukselit, të zgjedhurit e popullit serb janë legjitimë (Nikoliç & Daçiç), atëherë surrati i Slobodan Milosheviçit pas hyrjes së Serbisë në BE mund të na shfaqet në monedhat euro…
Kur kolegët kosovarë Gjeraqina Tuhina dhe Augustin Palokaj po ia përkujtonin një zyrtari të BE-së në Bruksel se mandatari për krijimin e qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiç, ka qenë pjesë e regjimit të Milosheviçit, sikur ka qenë edhe presidenti i tashëm i Serbisë, Tomislav Nikoliç, ai jo vetëm që u mbajti ligjëratë atyre, por u çart krejt. “Jo, jo. Nuk do ta pranojmë lojën tuaj për t’u kthyer nga e kaluara. Duhet të shikoni nga e ardhmja. Lërini emocionet, sepse kjo nuk do të na çojë askund. Nëse shikojmë nga e kaluara, atëherë për secilin mund të shohim se ka qenë pjesë e diçkaje… Nikoliçin e kanë zgjedhur qytetarët e Serbisë dhe pikë”.
Ndokush do të thotë se nuk mund të bëhet një paralele midis diktaturës naziste (që prodhoi Holokaustin) dhe asaj të regjimit milosheviçian (që krijoi hapësira të tilla për jetë të zhveshur), por esenca është e njëjtë. Pse? Atë që Giorgio Agamben e cilëson “hapësirë për jetë të zhveshur” nuk varet nga brutaliteti, por nga pikëpamja e së drejtës, si paradigmë dhe nomos i planetit tonë. Pra, nga ky këndvështrim krimet janë të barabarta dhe kriminelët janë të njëjtë, pa marrë parasysh numrat ose brutalitetin. Në këtë kontekst, nëse themi se Stalini ka vrarë 1 milion, Enveri po e zëmë vetëm disa mijëra, Sloba rreth 300 mijë, Pol Poti dyfish, e Hitleri 6 milionë, prandaj ky i fundit është më kriminel se të parët, ky relativizim i krimit ruan thellë në vete nomos-in biopolitik, se ideja e Holokaustit nuk vdes dhe se shoqëria njerëzore është e gatshme ta pranojë krimin për hir të do farë mitesh të të drejtave të shumicës, kombit, klasës etj. Relativizimi i krimit, këtu qëndron gabimi në zanafillë.
Fashizmi konsensual është rikthyer në Serbi, pas një pauze, që supozohej se ishte prelud në një mendësi të re, europiane të Serbisë. Por Tadiç u përkujdes që në Serbi të rilindë Ur-Fashizmi ose fashizmi eternal (i përjetshëm), siç e definon Umberto Eco fashizmin e përjetshëm, që themelet i ka te teoria e “gjakut dhe truallit”, që në thelb është tradicionalizëm kundër modernizmit; nacionalizëm kundër liberalizmit; frustrim dhe paranojë kolektive kundër çlirimit nga frika. “Sot e tërë Gjermania është Hitler”. Ky është titull i gazetave nga 4 gushti i vitit 1934, shpreh ndërrimin themeltar të pushtetit që po ndodhte. Dy ditë më përpara, në ditën e vdekjes së Paul Vohn Hindenburg-ut, kryetarit të Rajhut, Hitleri pa vonesë e suprimoi vendin e kryetarit dhe e ndërroi betimin ushtarak – nga atëherë, ushtarët i betoheshin atij personalisht, “si udhëheqës i Rajhut dhe popullit gjerman”, do t’i jenë besnik pa kusht.
Që këtu Adolf Hitleri është shef i shtetit dhe komandant suprem i Forcave të Armatosura, si dhe shef qeverie dhe i Partisë monopoliste Nacional-Socialiste të Gjermanisë. Në Ditën e Vidovdanit 1989 në Beograd, Serbia festonte “unifikimin”, shtypi profashist i Beogradit shkruante: “Sot e tërë Serbia është me Slobodan Milosheviçin”, ndërsa në Kosovë kishte filluar “Nata e thikave të gjata”. Kjo paralajmëronte të tjerët se së shpejti “të gjithë do të jenë shqiptarë.” Kështu nisën luftërat në ish-Jugosllavi, të inspiruara nga fashizmi eternal me idenë e “rikthimit në histori”, te “zemra e Serbisë – Kosova”. Radovan Karaxhiç, lideri i serbëve të Bosnjës, që po gjykohet në Hagë për krime lufte, ishte psikiatër dhe poet me vokacion.
Një dekadë më vonë shfaqet midis Beogradit një koleg i tij “poet” dhe komandant i xhandarmërisë serbe, si autor i tekstit të betimit të kësaj force, me rastin e 152-vjetorit të formimit të saj… “Poetika” e tij përkon me rikthimin në mesjetë, në Kosovë. Sipas gazetës “Blic”, ministri i Brendshëm serb dhe mandatari për formimin e qeverisë së re të Serbisë, Ivica Daçiç, ka vlerësuar se xhandarmëria serbe nuk duhet të shfrytëzojë betimin në të cilin thuhet se “Serbi dhe popull serb nuk ka pa Kosovën”, sepse, sipas tij, nuk duhet dhënë alibi që dikush të dyshojë në qëllimet e mira të Serbisë! Daçiç ka thënë se ky nuk është betimi zyrtar i xhandarmërisë dhe se ai këtë tekst asnjëherë nuk e ka lejuar e as nënshkruar. “Sloba i vogël” ka vlerësuar se ky betim nuk duhet më të përdoret, në mënyrë që të mos ketë dilema se a paraqet teksti metaforë apo kërcënim. Në anën tjetër, një vlerësim konstitucional e ka dhënë politikani shqiptar Pandeli Majko, sipas të cilit betimi ushtarak nuk është një refren muzike, i cili ndryshohet apo i mohohet autorësia… por është betim zyrtar (shtetëror) i cili rrëzohet vetëm duke e ribërë me të njëjtën procedurë.
Por a është ky betim metaforë apo kërcënim për luftë? Në xhandarmëri kanë pohuar se njësia e MPB-së sivjet kremton Vidovdanin si kremte të saj, dhe kjo është arsyeja që Kosova gjendet në fokus të betimit. “Bëhet fjalë thjesht për metaforë. Kemi dashur që në frymën e Vidovdanit të kthehemi në histori dhe t’i kujtojmë trimat e vjetër të Kosovës dhe në përgjithësi atë ditë si ditën e trimave kosovarë dhe në bazë të kësaj, kemi thënë se do të fitojmë apo vdesim”, tha zëdhënësja e xhandarmërisë, Stanica Puzoviç. Ajo theksoi se betimi dhe simbolika e ndërlidhjes së Kosovës nuk kanë kurrfarë lidhjeje me ndërrimin e pushtetit në Serbi. “Kosova ka qenë gjithnjë e rëndësishme për këtë njësi, që nga formimi i saj e deri sot”, ka thënë ajo. Natyrisht, se fashizmi i heshtur serb u rilind pikërisht këtu në Gazimestan më 1989-n, kur u dhunua autonomia politike e Kosovës, prandaj nuk thuhet kot se krimineli rëndom kthehet në vendin e krimit… Si do të reagonte Brukseli zyrtar sikur ta zëmë FSK-ja të betohej zyrtarisht se për Zotin do të kthehet në tokat e të parëve për të marrë gjak, në Sanxhakun e Nishit, në Toplicë!? Kjo dihet.
Po si është e mundur që në Beograd, policia serbe jep betimin fashist “Për Nënën Kosovë” përderisa në Prishtinë policia kosovare kritikohet për përdorim të tepruar të forcës, përse disa serbëve ua ka zhveshur (në mënyrë shumë estetike!) fanellat me surratet e kriminelëve të dëshmuar të luftës, Milosheviç, Sheshel, Karaxhiç dhe Mladiç…Nëse akti i policisë kosovare dikujt i duket i dhunshëm, lë ta veshë fanellën me portretin e Hitlerit në Berlin ose të Musolinit në Romë, por më përpara i duhet të kujdeset që ta zërë një avokat të fortë.
Për habi, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Werner Almhofer, ka dënuar të premten incidentet e dhunshme, sipas tij, që kanë ndodhur gjatë 28 qershorit, ditës kur serbët manifestuan përvjetorin e Betejës së Kosovës, ose “Vidovdanin”, në Gazimestan. Derisa zyrtarët e BE-së u thonë gazetarëve kosovarë “Jo, jo nuk do ta pranojmë lojën tuaj për t’u kthyer nga e kaluara…”, në rezonin europian duket se e kaluara e serbëve është ajo në të cilën duhet pasur kujdes, por që më parë e kaluara e shqiptarëve duhet të stigamtizohet, duhet të ndalohet!? E që habia të jetë neveritëse, një zyrtar qyqar i Qeverisë hajdute kosovare, në një bisedë për gazetën “Vesti”, që botohet në Frankfurt, ka thënë të mos i ketë pëlqyer ajo që ndodhi as tek njëra e as tek pala tjetër. “Heqja e fanellave gjithsesi që nuk është fotoja e mirë që u dërgua për ne, në botë”, është komenti i njërit nga zëvendëskryeministrat kosovarë.
Edhe vetë Mahatma Gand’hi, ideatori i rezistencës në jodhunë, thoshte se mes qyqarllëkut dhe dhunës ai është për dhunë! Derisa në librin “Kosovo” Dobrica Qosiçi shkruante se “Kosova dhe Metohia” është sot tokë e dhunës permanente të shqiptarëve krimogjenë të indoktrinuar nga ideologjia shqiptaromadhe dhe se është territor i mjerimit ekonomik, pa sundimin të së drejtës dhe ligjit, është shoqëri e përfshirë në krim të organizuar, në tregti me drogë dhe gra; pra shoqëri e pashpresës sociale në nivelin më të ulët të qytetërimit në Europë, pra pragu i fundit i civilizimit. Tezat e tij për shqiptarët etnikë radikalizohen në nazizëm që shpërfaqet deri në formën e vet kërcitëse në librin “Kohë gjarpërinjsh”, ku, sipas tij, tabani social, politik dhe moral tribalist-barbar i Ballkanit i bë si aleatë me Amerikën dhe Bashkimin Europian në luftë kundër popullit më demokratik, më të qytetëruar dhe më të iluminuar ballkanik – popullit serb.
Pra, fqinjët e serbëve, shqiptarët etnikë në Ballkan, Qosiçi i cilëson tribalë dhe barbarë, cilësime shoviniste që u bartën njëkohshëm edhe në Enciklopedinë e Maqedonisë. Këto teza të autorit fashist serb Dobrica Qosiç dhe të kopjuara në Shkup nga Blazhe Ristovski, joinventiv sa duhet, për ta mishëruar të keqen universale dhe si një plagjiator i marrosur, nuk kanë asgjë mangët nga tezat naziste për superioritetin e racës ariane ndaj kombeve me shkallë të ulët të civilizimit.
Qosiçit dhe Ristovskit u mungojnë vetëm furrat e gazit. Prandaj, një ditë dikush normal në Bruksel do të kujtohet se vazhdimi e këtyre temave është refreni i Tadiçit: “Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga Kosova” dhe si të tilla janë kundër vlerave të përbashkëta europiane dhe nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar. “Pa Kosovën nuk ekziston Serbia ime – Pa Kosovën nuk ekzistoj as unë…” – betohen xhandarët serbë. Serbia e shumë breza xhandarësh dhe kjo e xhandarit-poet Bratislav Dikiç nuk do të ekzistojë gjatë ose Ballkani do të zhytet sërish në kaos dhe dhunë! E nëse kjo ndodh, nuk do të ekzistojë më kurrfarë ideje europiane… Fashizmi po përparon në Europë…
Pra, ndaleni sot!
 
Top