Familja Strugane Kthehet Nga Amerika Kur..........

Familja Strugane Kthehet Nga Amerika Kur..........

Familja Strugane Kthehet Nga Amerika Kur Te Gjithe Ikin !!!!

Nuk është i vogël numri i struganëve, që me vite të tëra kanë braktisur dhe vazhdojnë të braktisin vendlindjen,
duke marrë rrugën e mërgimit për në shtetet perëndimore, SHBA e kështu me radhë.
Por, megjithatë i paktë është numri i atyre, që një ditë kanë vendosur t'i kthehen Strugës.
Një fat të këtillë kishte Rrustem Istrefi nga Veleshta, i cili tani është 67 vjeç. Ai në
vitin 1975 "iku" në SHBA, por 13 vite më vonë, bashkë me bashkëshorten Hirmeten, dhe
fëmijët, që i kishin lindur atje, Vjollca, Valbona dhe Dashmiri, vendosën t'i kthehen
Strugës.

"Pasi kreva shkollën fillore në Veleshtë, mësimet i vijova në Normalen e Shkupit, ndërsa pas tre vitesh ika në Shqipëri. Në Berat qëndrova tre vjet dhe më pas me kërkesë të familjes, por edhe
me dëshirën time, u ktheva në vendlindje. Me të kthyer nga Shqipëria, vijova mësimet dhe në vitin 1966 mbarova Normalen në Shkup", rrëfen Istrefi. Ai për pesë vite e ushtron profesionin e mësuesit në vend-
lindje, në Veleshtë, ndërkaq në vitin 1972, kur ish-pushteti mbylli shkollën e Veleshtës, mbeti i papunë.

"Tre vjet ngela pa punë dhe mandej vendosa të iki, nga sytë këmbët. Shkova në Austri. Katër muaj qëndrova
në Vjenë e pastaj, vajta në Amerikë", thotë Istrefi. Nga viti 1975 deri në vitin 1988, ai ka jetuar dhe punuar në
Amerikë, në Shtetin e Kenerikut, në qytetin Uariberi, ku edhe kanë lindur tre fëmijët.

"Me bashkëshorten Hirmetin ishim martuar në vitin 1967. Në Amerikë punonim nga dy ndërrime. Fitonim
shumë, shpenzonim pak dhe kursenim mjaft", kujtohet sot mësuesi i dikurshëm. Vajza e
madhe, Vjollca ka lindur në vitin 1982, një vit më vonë vjen në jetë edhe Valbona,
ndërkaq Dashmiri ka lindur në vitin 1985.

Vendimi për kthim

"Jo vetëm unë, por edhe bashkëshortja ime, e cila tërë familjen e saj të ngushtë e kishte në Amerikë, ëndër-
ronim që fëmijët tanë të fillojnë shkollimin në vendlindje. Vendosëm të kthehemi nga
Amerika në Strugë. Dëgjonin lloj-lloj fjalësh. Të afërmit nga vendlindja na thoshin se mirë
jeni rrini atje. 'Ç'kërkoni këtu', na pat thënë një mik nga Struga atëbotë", tregon tani Istrefi. Ai thotë se edhe
në Amerikë u thoshin: "po ku doni të ktheheni, kur prej atje njerëzit me të madhe ikin". Por, Hirmeti
dhe Istrefi, sot pohojnë se dilemat i kanë tejkaluar lehtë dhe shpejt. "E sollëm vendimin dhe u kthyem
me tre fëmijët në Strugë. Filluam një jetë të re. Fëmijët filluan shkollimin, ndërsa ne pa punë kujdese-
shim për ata. Kalonin ditët, javët, muajt dhe vitet. Fëmijëve u pëlqeu në Strugë. Edhe me mësimet kalonin
shkëlqyeshëm. Pas mbarimit të shkollimit të mesëm, Vjollca dhe Valbona janë regjistruar në Universitetin e
Evropës Juglindore në Tetovë", rrëfen Istrefi. Me sukses të dalluar Vjollca ka mbaruar Drejtësinë, ka
mbaruar edhe ligjëratat e shkallës së tretë në Universitetin e Beogradit, ku pret të mbrojë magjistraturën, ndër-
kaq është e punësuar në Gjyqin Kushtetues të Maqedonisë. Valbona, po ashtu ka mbaruar Drejtë-
sinë, në të njëjtin universitet dhe sikurse motra e saj pret të marrë titullin e magjistres
së shkencave të Drejtësisë. "Valbona para disa muajsh është martuar me një djalë shkupjan dhe punon në
Universitetin 'FON' në Shkup dhe Strugë. Dashmiri ka mbaruar informatikën në UEJL dhe tani ndjek
studimet pasuniversitare në Universitetin Amerikan në Selanik", thotë Istrefi.

Arritje të mëdha në vendlindje

Dy bashkëshortët flasin me mburrje për të arriturat e fëmijëve të tyre. "Kemi investuar shumë në shkollimin e
fëmijëve. Dashmiri, vetëm për shkallën e tretë ka paguar 12 mijë euro, ndërkaq për shkol-
limin e tre fëmijëve tanë kemi shpenzuar 110 mijë euro", pohojnë ata, duke shtuar se
është ky një shpenzim, që e kanë bërë me kënaqësinë më të madhe. Istrefi dhe Hirmeti
jetojnë në shtëpinë e tyre në Strugë dhe sipas tyre vajzat dhe djali, varësisht nga mundësitë vijnë në shtëpi.
Dashmiri, pohojnë ata, ka dëshirë që të punësohet në Strugë.

Dy pleqtë nuk fshehin kënaqësinë e tyre, që kanë arritur jo vetëm të kthehen nga Amerika, por edhe të shkollo-
jnë tre fëmijët e tyre. "Nuk e dimë a do të kishim mundësi të shkollonim fëmijët tanë në
Amerikë", thonë ata. Vjollca dhe Valbona kanë qenë në Amerikë, në Uashington dhe
kanë vizituar edhe vendlindjen e tyre. "Nuk u ka pëlqyer dhe mezi kanë pritur të kthehen
në vendlindjen e tyre të dytë, në Strugë. Edhe Dashmiri ka qenë në Amerikë, por assesi
nuk ka pranuar të studiojë e as jetojë atje", thotë Istrefi.

Misioni i kryer me sukses

Tre fëmijët e Hirmetit dhe Istrefit kanë edhe shtetësi amerikane. "Si, keni shtetësi amerikane dhe nuk ikni në
Amerikë", shpesh u kanë thënë shoqet dhe shokët
fëmijëve atyre. "Derisa fëmijët i kisha në studime shkoja dimrit dhe nga 4 apo 5 muaj
punoja në Amerikë", tregon Istrefi, por shton se kurrë nuk i ka shkuar mendja që të
marrë me vete edhe familjen e tij sërish. Ai ka pesë vite që nuk ka qenë në Amerikë dhe
nuk thotë se nuk do të shkojë, por pohon se "më mirë se këtu nuk e kam askund".
Istrefi dhe Hirmeti marrin pensione nga Amerika. "Fëmijët i shkolluam, tani nuk kemi nevojë për para.
Me kthimin tonë ia arritëm qëllimit. I kthyem fëmijët në vendlindje dhe i shkolluam.
Misionin tonë e kemi kryer", shprehet me kënaqësi çifti Istrefi.

Rustem dhe Hirmete Istrefi në Strugë, mbase edhe më gjerë mund të jenë raste tepër të rralla që në vitin
1988, në kohën kur ikja ishte fenomen dhe trend gjithëshqiptar, ata kthehen në vendlindje. Për fat të keq
gjurmëve të tyre nuk kanë shkuar familjet e tjera strugane. Përkundrazi, vala e ikjes nga Struga ka vijuar dhe
vazhdon edhe në ditët tona. Megjithatë, familja Istrefi është krenare dhe mburret me kthimin e tyre. Mburremi
edhe ne të tjerët, që i njohim.

Rast jo i zakonshëm Kur të gjithë ikin,Istrefi kthehet

Familja Istrefi tani jeton në shtëpinë e tyre në Strugë dhe është shembull i rrallë i kthimit të suksesshëm
dhe të denjësishëm nga SHBA-të. Për fat të keq, gjurmëve të tyre nuk kanë shkuar familjet e tjera
strugane. Përkundrazi, vala e ikjes ka vijuar dhe vazhdon edhe në ditët tona

Koha
 
Top