Eshtrat e Mbretit Zog do kthehen në atdhe

Eshtrat e Mbretit Zog do kthehen në atdhe

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se qeveria do të krijojë një komision qeveritar shtetëror për rikthimin në Shqipëri të eshtrave të Mbretit Zogu I dhe anëtarëve të familjes mbretërore. Berisha tha se qeveria shqiptare e merr këtë vendim, duke njohur Ahmet Zogun Kryeministër, President dhe më vonë, Mbret i shqiptarëve, si arkitektin e shtetit modern shqiptar, si njërin prej personaliteteve më të mëdha, më të shquara, me kontribut më madhor në historinë e kombit shqiptar. “Ahmet Zogu bëri që Shqipëria, e cila pas pavarësisë, për shkak të ambicieve antishqiptare të fqinjëve, por edhe absurditeteve të qëndrimit të drejtuesve lokalë të asaj kohe, po përjetonte një kaos, në doktrinën se si e si ky vend të faktonte që nuk mund të bëhej shtet”, theksoi Kryeministri Berisha. Më pas, duke vlerësuar lart figurën e Mbretit Zogu I, Kryeministri Berisha u shprehur se ai, “krijoi fillimisht Republikën e më pas, Mbretërinë, në të cilën në tërësi liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, liria e pronës, liria e besimit, liria e udhëtimit dhe liritë e tjera, u respektuan dhe u garantuan me ligj. U ndërtuan të gjitha institucionet shtetërore, në përputhje dhe në kuadër të një monarkie konstitucionaliste”. Sipas Kryeministrit Berisha, “Ahmet Zogu, pas pushtimit të vendit, u largua në ekzil, për të vazhduar luftën për çlirimin e Shqipërisë. Gjatë gjithë Luftës së II Botërore, nga Londra ku ishin të mërguar të gjitha oborret e pushtuara nga fuqitë e boshtit, ai mbështeti fuqishëm lëvizjen çlirimtare të kombit shqiptar, u përfaqësua në këtë luftë nga tribunë popullorë si Abaz Kupi dhe luftëtarë të tjerë të mëdhenj të lirisë”. Në mënyrën më antishqiptare, theksoi Berisha, Kongresi i Përmetit, aleatin e aleatëve në Luftën II Botërore, Mbretin Zog, e ndaloi të rikthehej në Shqipëri dhe nisi një sagë të pafundme shpifjesh, trillimesh, falsifikimesh ndaj tij. Gjithashtu, tha Berisha, ai pas luftës, vazhdoi gjithë përpjekjet për lirinë e shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë. Procesi i kthimit të eshtrave në atdhe, tha Berisha, do të ketë të gjitha nderimet dhe kujdesin shtetëror që i takon Mbretit të parë të shqiptarëve në kohërat moderne. Gjithashtu, ai theksoi se qeveria e tij po bën të gjitha përpjekjet që personalitetet e mëdha të kombit të prehen në vendin e tyre. “Ne kemi filluar negociatat dhe po negociojmë me qeverinë e Indisë dhe do ti intensifikojmë gjatë këtij viti këto negociata, në mënyrë që, po të jetë e mundur, në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, të rikthejmë eshtrat e saj dhe ajo të prehet në Shqipëri”, u shpreh Berisha. Kryeministri vlerësoi kthimin e eshtrave të shkrimtarit, diplomatit, atdhetarit të shquar, Faik Konica, dhe ai prehet, së bashku me vëllezërit Frashëri, në kodrat e Liqenit. Ndërsa në lidhje me eshtrat e Nolit, Berisha është shprehur se do të vazhdojmë përpjekjet dhe do të diskutojmë me përfaqësuesit tanë të diasporës. Por, theksoi ai, ka edhe një problem, si primat i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Noli frymëzoi dhe frymëzon diasporën shqiptare në atdhetarinë e saj, në dashurinë e saj të pakufishme ndaj Shqipërisë. Ndaj dhe Kisha Shqiptare e Bostonit e ka Nolin realisht si shenjtorin e saj të pashpallur. Por qeveria shqiptare do të nisë përpjekjet për të kthyer në Shqipëri eshtrat e atij që e cilëson burrin e madh të Kombit, Mithat Frashërin dhe personalitete të tjera.(Shqip)</p>
ORK5bWYVD2c

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23859. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23859
 
Top