Historia
NË 1928, ZOGU EMËROI KOMISIONIN PREJ KATËR VETËSH PËR STUDIMIN
IDEJA E REFORMËS AGRARE QË NË VITIN 1924 NGA NOLI
Sipas një shkrimi të bërë nga ing, Jovan Adhamit, i cili është botuar në vitin 1945 në revistën "Bujku i Ri", (shkrimi cili nuk është shkëputur dot nga fryma e regjimit komunist dhe indoktrinimi i tejskajshëm i asaj kohe), çifliqet e Perandorisë Osmane në Shqipëri, të cilat më vonë u transkriptuan në emër të listës civile të Sulltanit dhe të Valide Sulltanës, pas Shpalljes së Pavarsisë së Shqipëris më 1912, u shpronësuan dhe u bënë bënë pasuri të shtetit shqiptar. Sipas ing. Adhamit, ideja e Reformës Agrare u zhvillua shumë kohë mbas Luftës së Përë Botërore dhe në Ballkan hyri nga Rusia. Në Shqipëri idenë e Reformës Agrare e hapi seriozisht qeveria e Fan Nolit më 1924, por pasi kjo qeveri nuk pati jetë të gjatë, nuk e zbatoi dot atë.
Ahmet Zogu e la për një periudhë prej katër vjetësh këtë ide dhe vetëm më 1928 emëroi një komision prej Mehdi Frashërit, Agjah Libohovës, Maliq Bushatit dhe Dr. Vavakos, për ta studiuar çështjen. Më 1931, u formua Drejtoria e Përgjithshme e Reformës Agrare dhe ajo e vazhdoi punën e saj deri në vitin 1939. Edhe pse veprimet e kësaj drejtorie u shtrinë mbi çpronësimin e disa çifligjeve privatë dhe shtetërorë, reforma përgjithësisht nuk u zbatua deri në fund. Si rezultat, mjaft nga pronarëve të mëdhenj iu lihej përsëri shumë tokë dhe shumë bujqëve i jepej pak tokë. Bujqve iu lihej 5 dynymë tokë për frymë, pa marrë parasysh llojin e tokës bujqësore të cilën ata do të përfitonin. Sipas shkrimit në fjalë të Ing. Adhamit, me gjithëse vetëm 1/9 e sipërfaqes së Shqipërisë është fushë (behet fjalë për vitin 1945, kur është botuar shkrimi i Ing. Adhamit), po të pjesëtohej si duhej kjo sipërfaqe, jo vetëm që do të sigurohej buka e popullit, dhe jo vetëm që Shqipëria nuk do të kishte nevojë të importonte milona fr. ari drithrash në vit, por do të tepronte edhe një sasi e madhe për eksport. Lidhur me këtë në shkrimin e tij, Ing. Jovan Adhami, midis të tjerash shprehet: "Prej pjesëtimit të keq të tokave bujqësore të Myzeqesë, prej braktisjes së çdo punimi racional dhe nga infektimet e fushave prej malaries, në ato fusha tani jetojnë vetëm 40-50 veta për çdo km. katrore, kurse po të ishin konditat e favorshme mund të jetonin 150-200 veta për çdo km. katrore dhe ajo do të bëhej siç thonë disa të huaj: "Hambari i Ballkanit Perëndimor". Më pas, në mbyllje të shkrimit të tij, duke sugjeruar punën që duhej bërë për fillimin e Reformës Agrare , Ing. Adhami ndërmjet të tjerash shprehet: "Pjestimi i arsyeshëm i tokave bujqësore në çifligjet e shtetit dhe në ato privatet, bonifikimi i këtyre tokave dhe punimi racional, duhet të jenë bazat e një Reforme Agrare ndër ne. Kjo reformë duhet të fillojë sa më parë dhe mbi baza të gjera. Në vëndin tonë kemi 100.000 frymë që s‘kanë tokë të mjaftë dhe 200.000 që s‘kanë aq tokë sa të bëjnë bukën e vjetit. Me zbatimin e kësaj reforme, çpopullarizimi ndër fshatra pakësohet, bujqvet iu ngjallet dashuria për punën dhe për tokën, emigracioni e varfëria çduken, bujku e ndjen veten më të lirë e indipendent në truallin e tij".