Enveri dhe krimet e tij edhe ne rrethin e ngushte te klikes enveriste

kastriot

Primus registratum
Enveri dhe krimet e tij edhe ne rrethin e ngushte te klikes enveriste

Enveri në mbledhjen e Byrosë: "Kadri, pse e mbrojte Feçorin që ishte imoral, për çfarë shkuat me Mehmetin te sovjetikët dhe pse i fute ata në arkivat tona"

Enveri: "Çfarë bëre ti Kadri me Mehmetin në Moskë"


--------------------------------------------------------------------------------

Dashnor Kaloçi

Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e së dielës, u njohëm me një pjesë të shkurtër të raportit të panjohur të Enver Hoxhës të mbajtur në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 8 tetor të vitit 1982, raport i cili titullohej "Mbi fajet e rënda të Kadri Hazbiut". Në fillim të fjalës tij, Enver Hoxha bëri një përmbledhje të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut, duke e akuzuar atë si agjent të CIA-s, Intelixhens Servisit, UDB-së dhe KGB-së, dhe më pas u shpreh se Mehmet Shehu, si një nga rezidentët e vjetër të agjenturës amerikane në Shqipëri, kishte organizuar të gjitha grupet armiqësore të zbuluara deri në atë kohë. Sipas fjalës së Enverit, Mehmeti, kishte si qëllim përmbysjen e pushtetit popullor me anë të një puçi ushtarak dhe eleminimin e të gjithë shokëve të udhëheqjes së lartë. Pas kësaj ai do të organizonte planin që i kishin dhënë amerikanët, i cili iu gjet në kasafortën e tij pas vdekjes. Po kështu Enveri akuzonte Kadri Hazbiun si njeriun dhe bashkëpuntorin më të afërt të Mehmetit dhe natën e 17 dhjetorit të vitit 1981, Kadriu shkoi në vilën e Mehmetit dhe i tha atij se nuk kishte asnjë rrugëdalje tjetër e i sugjeroi vetëvrasjen. Kështu pas vetëvrasjes së Mehmetit, amerikanëve iu dogj karta më e fortë e tyre dhe për të shpëtuar pjesën tjetër të grupit me në krye Kadri Hazbiun, ata dërguan në Shqipëri bandën e Xhevdet Mustafës, me qëllim që të eleminonin fizikisht Sekretarin e Parë të KQ të PPSH-së.

(vijon nga numri i së dielës)

"Një ditë ai erdhi tek unë dhe më tha:"Shoku Enver, kam përgatitur një autokritikë". Të them të drejtën, menjëherë iu përgjigja se nuk ishte nevoja për këtë autokritikë. Ai më kërkoi me insistim:"Të lutem, më lejoni t'ju këndoj autokritikën dhe dëgjojeni". Meqënëse nguli këmbë shumë, iu përgjigja:"E po mirë, atëhere, po të dëgjoj". Dhe e dëgjova autokritikën e tij. Pastaj, kur më tha ta merrja në dorëzim këtë autokritikë të tij, refuzova. "Unë nuk e mbaj këtë autokritikë", - i thashë. Po përse nuk e mbajta autokritikën e Kadriut, derisa e kam për detyrë të pranoj një autokritikë që më vjen nga një shok, sidomos kur vjen nga një anëtar i Byrosë Politike? Sepse ajo nuk ishte autokritikë, nuk ia mora, duke menduar se me kohë Kadriu edhe vetë do të reflektonte. Duhet t'ju them, shokë, se kjo autokritikë e shkruar nga ana e Kadriut ishte shumë e përgjithshme, nuk kishte ndonjë gjë të rëndësishme në përmbajtjen e saj. Ai atje, në qoftë se nuk gabohem, afërsisht vetëm pohonte që në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë bërë gabime, prandaj nuk kishte si shpëtonte prej tyre, se edhe personalisht vetë ka të meta etj. Në autokritikë Kadriu godiste edhe Mehmet Shehun e kështu gjithë armiqtë e tjerë me radhë, por konkretisht, të them të drejtën, kjo autokritikë nuk më ngrohu. Mendimi i përgjithshëm imi ishte ky: Kadriu nuk është thelluar sa duhet në analizën e punës së tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e kurdisur dhe e pleksur kjo edhe me veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut. Mirëpo tani ja që nëpër arkiva ekzistojnë fakte, që dalin njëri pas tjetrit dhe sigurisht do të ketë edhe të tjera. Këto nuk mund e nuk duhet të qëndrojnë të mbyllura që t'i zërë pluhuri, sidomos pas gjithë ngjarjeve të rënda që kemi jetuar këta muajt e fundit, prandaj i duhen kërkuar nga ana jonë disa shpjegime për to Kadriut, sepse është i vetmi që është në gjendje të na sqarojë për to". Por ai bën plot dredhira, supozime e mohime, bile edhe me akuza provokuese kundër shokëve. Kadriu përpiqet t'ua hedhë gabimet jo vetëm armiqve të Partisë që janë dënuar ose kanë vdekur, por bën edhe disa insinuata për shokë e forume. Kadriu pranon se vigjilenca e tij ka qenë krejt e ulët dhe se krejt i pamjaftueshëm ka qenë kontributi i tij personal në zbulimin e Mehmet Shehut, si armik i egër, dhe të punës së tij të poshtër.

Por Kadriu, pasi i thotë këto gjëra të përgjithshme, të cilat nuk ka si i mohon, kërkon të shfajësojë veten e të minimizojë përgjegjë-sitë e tij, kur thotë: "Këtu kanë ndikuar që edhe unë (vini re si thotë ai: edhe unë, domethënë si të gjithë ju) kisha besim në personin e Mehmet Shehut… unë nuk e kam bërë detyrën si anëtar i Byrosë Politike". Kjo është shumë e rëndë. Po Kadriu ç'ka parë? Ç'ka dëgjuar? Ç'ka bërë? Si ka reaguar? Këtë kërkon të dijë Byroja Politike. Këtu duhet të thellohet Kadriu, që të ndihmojë Partinë në radhë të parë, dhe veten. Ne nuk e njohim Kadrin për aq naiv, as si i thonë fjalës "leshko", që t'ia hedhin të gjithë ata që kishte përreth e në vartësi të tij, armiq si Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu, Zoi Themeli, Llambi Peçini e të tjerë maskarenj. Kadriu nuk ishte nga ata që mbante distancë (nga druajtja ose respekti, siç ngjet me pa të drejtë nga disa) me shokë të udhëheqjes në funksione më të larta, prandaj as Mehmet Shehu e aq më pak Beqir Balluku, të cilët kishin lidhje operative shtetërore me Kadri Hazbiun, nuk mund të shinin në Ministrinë e Punëve të Brendshme pa e pasur fare në konsideratë atë. Kjo nuk mund të ngjiste.

Kadriu do të izolonte Enverin
Siç pohon Kadriu, këto i ka quajtur të konsumuara në diskutime me Mehmet Shehun e Beqir Ballukun, me të cilët kishin lidhje në rrugë shtetërore. Atëhere, në qoftë se ka pasur vërejtje serioze e dyshime pse s'mi ka ngritur mua? Apo dhe këtu ka luajtur rol "përralla" që po përhapte Mehmet Shehu "të mos e shqetësojmë shokun Enver", me qëllim djallëzor për të më izoluar nga shokët e nga punët. Unë izolimin nuk do ta lejoj sa të kem frymë. Për këto që pretendon Kadriu s'ka dokumente në Komitetin Qëndror. Nga ana tjetër, për fat të mirë të Partisë, unë mbaj ditar ku kam shënuar dhe vazhdoj të shënoj çdo ditë me kë takohem, ç'më shtrojnë e çfarë u shtroj shokëve. Edhe me Kadriun kam pasur disa takime, ai më ka informuar për ndonjë ngjarje apo incident, por s'më ka ngritur gjë as nga larg për këto që analizojmë, kurse unë kam dhënë shumë këshilla e porosi për Ministrinë e Brendshme e Sigurimin e Shtetit. Kadriu pohon kur thotë se "ky qëndrim imi (i Kadriut) i ka favorizuar të gjithë këta armiq në metodën e tyre të fshehjes së gjurmëve". Për këtë miopi politike e mungesë partishmërie ai e paraqet thjesht si "mashtrim" e "pabesi" nga ana e Mehmet Shehut e Beqir Ballukut, që i paraqitnin çështjet "si të para e të gjykuara me shokët". Edhe këtu ka insinuata me qëllim të keq. Kadriu herë e paraqet veten "viktimë", herë ia hedh fajin euforisë dhe njëfarë kulti që ishte krijuar për Sigurimin e Shtetit, dhe që në fakt ishte krijuar, herë thotë se ka vepruar nën presionin e Mehmet Shehut, Beqir Ballukut e vartësve të vet, Mihallaq Ziçishtit e Feçor Shehut me shokë; se ka pasur familjaritet me këta e vartësit e tjerë. Po neve a na ka imponuar gjë Mehmet Shehu? Jo, s'ka mundur të na imponojë. Pra, nuk është e drejtë të thuhet "edhe unë kisha besim te Mehmet Shehu, siç kishit edhe ju". Ka një diferencë të madhe në këtë çështje dhe kjo shpjegon atë që përse Kadriu i është nënshkruar presionit të Mehmet Shehut, të Beqir Ballukut me kompani.

Kadriu mbrojti Feçori si imoral
Po kush duhet të na sinjalizonte, të mos flasim për punën e fshehtë armiqësore, por, të themi, për sjelljet imorale të Beqir Ballukut me kompani. Po kush duhet të na sinjalizonte, të mos flasim për punën e fshehtë armiqësore, por, të themi, për sjelljet imorale të Beqir Ballukut, të Feçor Shehut etj? Kadriu mund të thotë: "Partia duhet të sinjalizonte". Dakord, dhe Partia ka bërë sinjalizime të tilla, me të cilat Kadriu është njohur. Siç na thonë tani, që kur Feçori ishte në Peshkopi Partia ka sinjalizuar dhe Kadriu, që na thotë "nuk dija", është vënë në dijeni që Feçor Shehu është imoral. Në Komitetin Qëndror ekziston dokumenti ku Kadriu ka bërë shënime me dorën e tij se "këto që thuhen për Feçor Shehun s'janë të vërteta". Pra, Kadriu, që u ngarkua për të verifikuar sinjalizimet, na e nxori të larë Feçorin. Gjithë Shkodra, gjithashtu, e dinte që Feçori ishte imoral, kurse Ministria e Punëve të Brendshme dhe Kadriu "s'e dinin". Po ç'dinin ata? Vetëm parrullat që hedhin reaksionarët aty-këtu? Sigurimi i Shtetit nga ana e tij ç'bënte? Gjumë apo qejf o qejf?! Dhe këto janë të vërteta, s'janë përralla. Feçor Shehun e aprovuam ne si ministër, po kush duhet ta njihte më mirë se çdonjëri nga ne? Kadriu. Ai kishte vite që punonte drejtpërdrejt me të. Për emërimin si ministër Byroja Politike u mbështet kryesisht në mendimet e Kadriut. Kishte kokë për ministër apo jo, këtë duhet të na e thoshte Kadriu. Ky mund të thotë se propozimi nuk erdhi nga ai, por nga Mehmet Shehu. Kjo nuk ndryshon gjë. Kadriu ka përgjegjësi edhe në rastin që ai vetëm "e aprovoi", siç thotë në autokritikë (duke lënë të kuptohet se nuk u pyet për këtë, gjë që s'është e vërtetë), edhe në rastin që ai s'kishte kuptuae asgjë "ç'gatuante" Feçor Shehu nën hundën e tij.

Kadriu u dha dokumente KGB-së
Në autokritikën e tij Kadriu bën historikun e marrëdhënieve të organeve tona të Sigurimit me ato të Bashkimit Sovjetik e vendeve të demokracisë popullore.Në parashtrimin që bën ka gjëra që nuk janë të panjohura për ne e nuk janë të bërë pa vendime (të shkruara ose të pashkruara). Eshtë i njohur fakti që ne kishim kërkuar e pranuar këshilltarë sovjetikë edhe për organet e Ministrisë së Brendshme, përfshi edhe Sigurimin. Kërkesa për të na dërguar specialistë sovjetikë është bërë nga unë fillimisht përpara shokut Stalin dhe ai m'u përgjigj:"Ne do t'ju dërgojmë disa këshilltarë, po këta do të jenë të përkohshëm, dhe, pasi t'ju keni dhënë ndihmat që do t'u kërkoni ata do të kthehen përnjëherë në Bashkimin Sovjetik". Ai më tha, gjithashtu, se "ata do të paguhen njësoj si punonjësit tuaj", dhe kështu u bë, veçse jo te ju (në Ministrinë e Punëve të Brendshme). Kjo ishte praktika që u ndoq deri në vitin 1954, jo vetëm në sektorët civilë, por edhe në sektorët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe të ushtrisë. Pastaj, kur erdhi Mehmet Shehu si kryeministër dhe Kadriu si ministër i Brendshëm, në vitin 1954, u krijua një situatë krejt e ndryshme, krejt e re në favor të sigurimit sovjetik, të KGB-së sovjetike. Ne kemi pasur këshilltarë edhe në kohën kur erdhi Hrushovi në fuqi. Nga disa të dhëna paraprake që kam, del se numri i tyre ka ardhur duke u shtuar pas vdekjes së Stalinit e Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Eshtë interesante të vëmë në dukje se, ndërsa në të gjitha dikasteret ka pasur vetëm nga 1 këshilltar, në Ministrinë e Brendshme deri në 1954 ka pasur 9 këshilltarë, kurse nga 1954 e deri më 1960 kanë ardhur 39, në mos më shumë, se siç na thonë:"Kaq mbajmë mend". Pse janë shtuar? Kush i ka kërkuar? Këtë mund e duhet të na e sqarojë Kadriu, se ne si udhëheqje nuk kemi marrë asnjë vendim në këtë drejtim, përveç atij që thashë më parë. A e kuptoni, shokë, pse janë shtuar këta. Janë shtuar se ishte rritur lufta dhe rezistenca jonë kundër revizionistëve sovjetikë, prandaj këshilltarët erdhën me shumicë dhe u pranuan nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme pikërisht për të forcuar situatat e tyre brenda. Kadriu ankohet se nuk ka vendime e materiale me shkrim që të përcaktojnë kufirin e këtij bashkëpunimi me këshill-tarët sovjetikë.

Sigurisht që nuk ka, por ka ligje, ka norma të Partisë, ka orientime e vendime të Komitetit Qëndror që përbëjnë atë kufi që ti e ke hedhur prapa krahëve. Eshtë e qartë që sovjetikët nuk mund të jepnin dokument, se do të ishte kompromentues për ta për çfarë kërkonin e merrnin; as Partia jonë s'mund të formulonte një dokument që të dorëzonte çelësat e sekretet e veta dhe ato shtetërore në mënyrë aq skandaloze, siç është vepruar në Ministrinë e Bren-dshme. Ne, si shumë sektorë të tjerë, kishim nevojë për eksperiencë, si për organizimin e punës së organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ashtu edhe për shkëmbimin e informatave e bashkërendimin e veprimtarive tona lidhur, për shembull me emigracionin tonë politik reaksionar, lidhur me planet e imperialistëve e të reaksionit kundrejt vendeve tona, kurse ju i futët ata thellë e më thellë. Pra këshilltarët kishin vendin e tyre dhe këtë ne e kishim të qartë, po ju nuk e kishit të qartë, dhe keni bërë një hata të madhe që keni vepruar në atë mënyrë. Ne aktualisht dimë që në krye të kësaj agjenture, ku je implikuar edhe ti, kanë qenë Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Petrit Dumja, Hito Çakoja dhe oficerë të tjerë të lartë, spiunë të KGB-së sovjetike dhe të shërbimit informativ të ushtrisë.

Kadriu futi sovjetikët në arkivat tona
Me vendim të udhëhe-qjes Kadriu ka marrë pjesë në dy mbledhje të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Sovjetik e të vendeve të demokracisë popullore. Me vendim të udhëheqjes Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu janë dërguar në Moskë për të siguruar disa materiale e aparatura etj. Se ç'bëri ndërkohë atje Mehmet Shehu, këtë nuk e dimë, Kadriu mundet që ta kishte parë se ç'bënte ai atje. Por unë dua të theksoj para Byrosë Politike, me përgjegjësi të plotë, që as në kohën e Stalinit, aq më shumë më vonë nuk është dhënë asnjë orientim nga udhëheqja e Partisë dhe as nga unë që këshilltarët sovjetikë të futeshin në çdo sektor e veprimtari të organeve të Sigurimit të Shtetit, "të kishim mundësi të zgjidhnin e të merrnin vetë materialet" që u kërkonte Moska (gjoja për shkollën e kuadrove të Sigurimit tonë). Si është e mundur të lejonit ju që me dhjetra e dhjetëra kolonelë e nënkolonelë, majorë e deri gjeneralë sovjetikë të futeshin në të gjitha vrimat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse në asnjë ministri tjetër nuk ka ngjarë një gjë e tillë? Asnjeri nuk mund të hyjë pa lejen e një personi të caktuar nga kryeministri ose ministri në arkivat dhe të marrë dijeni mbi përmbajtjen e dokumenteve të një ministrie. Në Komitetin tonë Qëndror nuk ka të drejtë të hyjë në arkiv asnjeri pa leje të Hysniut kur ishte gjallë, të Ramizit dhe timen. Tani nuk mund të hyjë njeri pa lejen time dhe të Ramizit. Personi që kërkon të studiojë një dokument do të vijë të më kërkojë leje mua ose Ramizit, të sqarojë përse do të vejë në arkiv e çfarë do të kërkojë dhe nëpunësi i arkivit do t'ja japë dokumentin ta lexojë aty, në zyrën e arkivit dhe, kur largohet personi, nëpunësi përkatës shkruan:"Në datën kaq, filan shok mori për ta lexuar këtë dokument". Kjo është praktika që ndiqet nëpër arkiva. Si është e mundur që Ministria e Punëve të Brendshme dhe vetë ju të vepronit ashtu siç thua ti, Kadri, duke i lënë arkivat hapur si hani me dy porta? Ku ishte kjo rregullore te ju, kur në ministritë e tjera ekziston? Ju mund të më thoni se tani e keni vënë këtë rregull, kurse më përpara nuk e kishit vënë, kur të tjerët e kishin. A lejohej të vente njeri në arkivat e shtetit pa leje? Tani ju e keni vënë këtë rregull për njerëzit tanë, kurse atëhere lejonit të hynte kushdo, edhe sovjetikët. Jo, kjo është e papranueshme, ky nuk është një faj, po një krim që është bërë"

(vijon nesër)
 

FALKO

Forumium maestatis
Re: Enveri dhe krimet e tij edhe ne rrethin e ngushte te klikes enveriste

thumbsup.gif
 

kastriot

Primus registratum
Re: Enveri dhe krimet e tij edhe ne rrethin e ngushte te klikes enveriste

Fillimisht postuar nga FALKO:
[qb]
thumbsup.gif
[/qb]
He Falko Enveristat bejne sikur nuk shohin!!
Jo se ju vjen turp se ata turpin nuk e njohin por nje gje e tille demton"Partishmerine" <img src="/pf/images/graemlins/tongue.gif" alt="" />

Kastriot
 

kastriot

Primus registratum
Re: Enveri dhe krimet e tij edhe ne rrethin e ngushte te klikes enveriste

DOSSIER IV

Fjala e Enverit në Plenumin e V të Komitetit Qendror: "Tito i kërkoi Mehmetit takim në vaporin "Quin Elizabet" dhe ata të dy biseduan për disa orë fshehurazi vetëm për vetëm"

Enveri: "Mehmeti do rrethonte me tanke Komitetin Qendror"


--------------------------------------------------------------------------------

Dashnor Kaloçi

Në pjesën e tretë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, u njohëm me vazhdimin e fjalës së Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike e cila u mbajt në datën tetë tetor të vitit 1982. Në mes të tjerash në atë mbledhje Enveri e kritikoi ashpër ish- Ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiun, duke i ngritur problemin e dhënies së dokumenteve sekrete këshilltarëve sovjetikë, në një kohë që sipas Enverit, ai e kishte porositur Kadriun që: "ti mbyllte rubinetin sovjetikëve". Po kështu Enveri e kritikoi rëndë Kadriun duke i thënë se përse nuk e kishte informuar për të gjitha problemet që kishin dalë gjatë periudhës që ai ishte në krye të Ministrisë së Brendshme, por ishte mjaftuar vetëm me informacionet që u kishte dhënë Mehmet Shehut e Beqir Ballukut. Për këtë gjë Enveri mori së shembull konkret se Kadriu nuk e kishte njoftuar atë për dëshminë e Hulusi Spahiut për Konferencën e Partisë së Tiranës në vitin 1956. Këtë mungesë informimi Enveri ia konsideroi të qëllimshme Kadriut duke e akuzuar se ai kishte dashur që ta izolonte nga problemet që dilinin në punët e Partisë. Një nga akuzat e tjera të Enverit në adresë të Kadriut, ishte ajo që ai nuk e kishte informuar mbi rrjetin agjenturor të KGB-së në rradhët e udhëheqjes së lartë të PPSH-së, kur sipas Enverit, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini dhe Feçor Shehu e kishin pranuar vetë se ishin agjentë të saj. Në fund të fjalës së tij, Enveri e akuzoi Kadriun se ai nuk kishte dashur që ta arrestonte Feçor Shehun.

(vijon nga numri i kaluar)

Fjala e Enverit në Plenumin e Komitetit Qendror
Dëshiroj të them disa fjalë që tani, me qëllim që të mund të evitoj fjalën time në fund. Ju, shokë të Pleniumit të Komitetit Qëndror, keni mendimin tuaj për gabimet jashtëzakonisht të rënda dhe me përgjegjësi të madhe të Kadri Hazbiut kundër Partisë e pushtetit dhe sigurisht që atë do ta shprehni. Të dy materialet ju i lexuat. I pari është, si me thënë, një tablo sinoptike e veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut, po që nuk ka marrë këtë emër. Eshtë sinoptike, sepse në Byronë Politike kemi diskutuar shumë probleme të vështira, po ato nuk kanë mbaruar. Do të shqyrtohen një për një të gjitha dosjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore për të parë deri ku, në ç'mënyra e në ç'forma është zhvilluar kjo punë armiqësore. Por udhëheqja e Partisë duhet të jetë e ndërgjegjshme që kjo është një punë armiqësore e thellë, e gjerë dhe me shumë njerëz të rrezikshëm, më pak të rrezikshëm dhe të gënjyer. Kjo punë armiqësore është zhvilluar prej një kohe të gjatë, që nga Çlirimi i Shqipërisë.

Agjentët në Parti që nga Lufta
Baza armiqësore e elementëve kryesorë, si e Mehmet Shehut e disa të tjerëve, është më larg, bile edhe më larg se koha e Luftës Nacionalçlirimtare. Origjina e kësaj pune, sikundër edini, është që gjatë luftës, por ajo vazhdoi sidomos mbas Çlirimit gjatë pseudomiqësisë me jugosllavët, me sovjetikët e të tjerë. Që në atë kohë është krijuar në kokën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore një punë shumë e rrezikshme armiqësore, e cila po të lihej dhe po të mos shpartallohej nga Partia pjesë-pjesë, sepse kjo ishte dialektike, nuk do të ekzistonte më Shqipëri socialiste, as Parti e Punës e Shqipërisë, por këtu do të mbretëronin kapitalizmi dhe borgjezia. Prandaj ata që kanë marrë pjesë në këtë punë armiqësore janë armiq të pafalshëm. Këtë nuk e luan as topi. Në Byronë Politike ne konstatuam se Kadri Hazbiu nuk bëri autokritikë të mirë. Na ka bombarduar me shumë "autokritika", të cila ia kemi kthyer. Na ka bombarduar me letra "besnikërie" për të cilat nuk ishte nevoja, dhe me letra të tjera për të shpjeguar diçka që nuk shpjegohej. Tërë këto çështje, në mbledhjen e Byrosë Politike, të gjithë shokët i ngritën në bazë të parimeve të shëndosha marksiste-leniniste dhe, siç e themi në materialin që ju lexuat, i dhamë dorën Kadriut, i thamë që në qoftë se Pleniumi i Komitetit Qëndror do të marë masë më të rreptë, ne do të jemi dakord me të, sepse është Komiteti Qëndror i Partisë ai që vendos për çdo gjë. Eshtë e natyrshme që çdo vendim i marrë nga Komiteti Qëndror është më i drejtë, por ne Kadriut ia dhamë një shpresë. Në Byronë Politike i thamë ta fillojë reflektimin nga e para, nga a-ja, se ai ka bërë gabime të rënda, bile të pafalshme, ka bërë krime. Kur lexova "autokritikën" e tij, kostatova se Kadri Hazbiu jo vetëm që nuk i ka marrë parasysh këshillat dhe ndihmën që i dha Byroja Politike, por është hedhur në sulm kundër Partisë, kundër udhëheqjes së saj dhe na akuzon, duke thënë:"Ku kanë qenë ata që i paskan dërguar këta gjarpërinj në këto ministrira dhe këtë "ëngjëll" në mes të gjarpërinjve"?! Pra, Kadriu, në vend që të ecte përpara, në "autokritikën" e tij ai ka bërë prapa. Dhe kuptimi i kësaj "autokritike" është për të pasur një dokument ku thotë:"Unë jam i pafajshëm", pavarësisht se "pranon" disa "gabime", kur thotë:"Ma kanë hedhur, nuk kam qenë vigjilent, nuk isha shumë i zhvilluar". Kujt ia thotë ai këto? Neve na i thotë?! Armiku Beqir Balluku do t'ia hidhte Kadri Hazbiut?! Nuk e njohim ne kush ishte Beqir Balluku?! Beqiri e çoi në rrugë të keqe Kadriun?! Domethënë, Beqiri qenkësh finok e Kadriu qenkësh leshko?! Mehmet Shehu e gënjeu Kadri Hazbiun?! Po pse nuk na gënjeu edhe ne Mehmet Shehu e të thyente vijën e Partisë? Ai nuk na gënjeu dot, se kishte frikë nga Partia, kishte frikë nga udhëheqja e saj, por nuk kishte frikë nga njerëzit e tij. Këtë Kadri Hazbiu e ka kuptuar. Në "autokritikën" që i dha Byrosë Politike thoshte që, ashtu si edhe ne, ai kishte besim te Mehmet Shehu. Jo, Kadri, megjithëse nuk e dinim që Mehmet Shehu ishte agjent, ne e kemi atakuar atë në të gjitha ato momente kur ai bënte gabime. Kur ai ndiqte vijën e Partisë, sigurisht që ne nuk kishim ç'thoshim, kurse Kadri Hazbiu ka zbatuar porositë e Mehmet Shehut për 30 vjet me rradhë dhe gjatë gjithë kësaj kohe të mos shikosh në këtë veprimtari të Mehmet Shehut asnjë të çarë, por të evokosh se "këtë ia kam thënë Mehmet Shehut", këtë ia kam thënë Beqir Ballukut", "këtë ia kam thënë shokut Hysni, që tash për fat të keq nuk rron" (se kështu e ka thënë Kadriu në "autokritikën e tij), kësaj i thonë të mos pranosh asnjë gabim.

Pse do i lëvizte Mehmeti tanket
E dimë që ai (M.Shehu) kishte thënë se tanket nuk duhet të lëvizin pa urdhërin e tij, po ai s'kishte të drejtë të jepte urdhër, këtë të drejtë e kisha unë si Kryetar i Këshillit të Mbrojtjes. Por edhe sikur të jepte urdhër ai dhe komandanti i tankeve ta zbatonte, tankistët, kur të merrnin vesh se po drejtohen drejt selisë së Komitetit Qëndror, do ta shtypnin dhe do ta shqyenin e do ta bënin copë atë komandant tanku që do të zbatonte një urdhër të tillë. Vallë, këtë çmim kanë këta armiq për Partinë? Pse, vetëm me disa bajga si Feçor Shehun e Llambi Peçinin do ta shtypte Partinë Mehmet Shehu?! Ata ishin disa spiunë shumë të rrezikshëm, kurse Kadriu nuk na thotë cilin kishte bashkëpunëtor kryesor Mehmet Shehu. Këtë duam të dimë ne. Cili është ai bashkëpunëtor kryesor, që në fakt i ka lejuar të punojnë të gjithë këta "minj", por ama në kohën kur Mehmet Shehu të bënte atentatin, ta kishte si një mbështetje në popull e në Parti, domethënë, të ishte i njohur si njeri i mirë, si njeri i butë, si njeri që të hedh dorën në qafë etj etj?! Mehmet Shehu kishte nevojë për një njeri të tillë si mbështetje, se ai vërtet mund të vriste një shok apo dy, por Partinë s'e vriste dot. E vranë Kirovin në Bashkimin Sovjetik, por partinë nuk e tundën dot.

Pra, këtë duam ne të na thotë Kadriu dhe të na i thotë qartë të gjitha fajet e tij, se në "autokritikën" që na ka paraqitur, ai nuk merr asnjë faj. Kjo nuk është rruga që duhet të ndjekë një njeri, i cili quhet komunist. Dhe në fund thotë: "Koha do ta tregojë". Ç'do të thotë kjo? Kjo është një sfidë që, sipas tij, do të thotë se "këto që vendosim ne tash këtu nuk janë të drejta, por koha do ta tregojë që ai është njeri i "pafajshëm". Do të shohim se çfar do të tregojë koha, ajo që tani e ka treguar se çështja e tij është shumë keq. Unë këto kisha për të thënë. Tani ti, Kadri, ngrihu dhe përgjigju shokëve të Komitetit Qëndror. Kush të dojë të bëjë pyetje dhe pastaj diskutime. Mua mos më pyesni, ju, shokë, jeni zotër në shtëpinë tuaj, edhe unë këtu në mbledhjen e Komitetit Qëndror jam si ju, por drejtoj mbledhjen.

Zbulimi i armiqve në Parti
Çështjen që Plenumi diskutoi në fillim duhet ta konsiderojmë si një fitore të jashtëzakonshme, shumë të madhe të Partisë sonë, pse zbuluam dhe likujduam krerët kryesorë të një agjenture të egër që punonte prej shumë kohësh në udhëheqjen e Partisë. Siç e dini nga historia e Partisë dhe e vendit tonë, në periudha të ndryshme agjenturave të tyre brenda vendit armiqtë e jashtëm u kanë kërkuar të vepronin. Por edhe Partia, me të filluar veprimi i tyre, ka qenë përherë vigjilente e në këmbë. Këto agjentura kanë qenë çibanë që nuk i pranonte trupi ynë i shëndoshë dhe në momentin më të volitshëm, kur ato do të vepronin, Partia i ka operuar pa mëshirë. Kjo tregon forcën e Partisë, ndërgjegjen e lartë të anëtarëve të saj, dashurinë e besnikërinë e madhe e të pakufishme të popullit për atë dhe për vijën e saj. Pavarësisht se gjatë 40 vjetëve të gjithë kaporionët e këtyre komploteve e kanë hequr veten si njerëz që kanë marrë pjesë në luftë, dhe ne kështu i kemi pandehur, që janë shquar në të, që kanë këto e ato anë të mira, por edhe të meta, me t'u zbuluar, populli, përnjëherë, jo vetëm u hodhi gurin, por është duke kërkuar për ta dënime jashtëzakonisht të rënda. Kjo gjendje na jep mundësi të nxjerrim disa përfundime. Përfundimi i parë është që Partia jonë është një Parti e fortë, që nuk tundet nga asnjë grup agjenturor dhe nga asnjë individ i fshehtë, i lidhur ose jo me të huajt. Faktet kanë treguar se gjatë gjithë jetës së Partisë sonë kanë dalë e janë likujduar grupe e individë të tillë. Veç kjo nuk do të thotë se nuk ka mbeturina të tjera. Nga kjo anë nuk duhet të flemë, por tëjemi kurdoherë e në çdo rast vigjilentë revolucionarë. Kuptohet, të mos shohim tani me dyshim cilindo, sepse vigjilencë nuk do të thotë mosbesim te njerëzit. Vigjilencë do të thotë të hapësh sytë në mbrojtje të vijës së Partisë, pa humbur as dashurinë, as besimin ndaj njerëzve tanë. Secili duhet ta ndjejë se e ka për detyrë që ta tërheqë tjetrin nga rruga e gabuar, qoftë edhe në fillim. Kur gabimi bëhet, duhet absolutisht të vihet në dijeni Partia se, në qoftë se lejohet të kapërcejë në një shkallë më të lartë, atëhere bëhet faj, pastaj kalon edhe në krim. Duhet të njohim, shokë, se shumë gjëra, jo të mëdha, por të vogla e që në fakt ishin maja e veshit e një çështjeje të madhe, janë parë nga kuadrot tanë, por, për njërën ose për tjetrën arsye, nuk ia kanë thënë Partisë.

Mehmeti bisedoi fshehurazi me Titon
Në "Tablonë sinoptike" kam thënë se, kur armiku Mehmet Shehu udhëtonte për në Nju-Jork, me vaporin "kuin Elisabet", dinim se në këtë vapor ishin edhe Fulci, edhe Titoja, pse jo edhe ndonjë njeri i Intelixhens Servisit ishte Randolf Çërçilli, i cili ka marrë në telefon një nga shoqëruesit e delegacionit tonë dhe zyrtarisht i ka thënë: "Kërkoj një audiencë nga zoti kryeministër, Mehemt Shehu" dhe Mehmet Shehu i është përgjigjur se audienca e kërkuar nuk ka mundësi të jepet në vapor, por në OKB! Këtë të dhënë na e thonë tani, pas të vjelave, pas kaq shumë vitesh që ka ndodhur një gjë e tillë! Në të vërtetë në vapor ishin të tëra mundësitë të bëheshin takime të tilla, sepse "Kuin Elizabet" ka kuluare, ka dhoma e sallone sa të duash, ku mund të bësh ç'të duash! Dhe kur ata që s'duhej ta dinin një takim të tillë, Mehmeti i pati dërguar "të tretnin" ushqimin, ai vetë me shokët e tij, që sot janë në burg, shkoi te Randolf Çerçilli dhe me siguri ka biseduar edhe me Titon e me ndonjë tjetër. Kjo është një gjë e vogël, po pse ta supozojmë si 'të vogël"? Populli dhe Partia, shokë, shohin dhe flasin, po ka edhe njerëz që nuk thonë e nuk flasin. Nuk flasin, midis të tjerave, se ekziston familjariteti. Në këtë rast, ai që vë interesin personal, interesin familjar e atë fisnor përpara interesit të Partisë, nuk mund të jetë komunist. Ai mund të quhet çdo gjë, patriot e çfarë të duash tjetër, por komunist nuk mund të quhet. Pastaj në këtë mes qëndron edhe ndjenja e frikës, frika për të folur hapur. A duhet ta luftojmë ne frikën nga zemra e njerëzve tanë, nga zemra e shqiptarëve, që asnjëherë nuk kanë pasur frikë nga armiqtë e jashtëm, kundër të cilëve kanë luftuar me trimëri në shekuj e jo më kë të kenë frikë nga një, dy ose pesë arrogantë, duke ditur se Partia, po ta vësh në dijeni, merr masa përnjëherë kundër atij që bën të tilla veprime të shëmtuara? Po, shokë, duhet ta luftojmë. Prandaj komunistët dhe popullin duhet t'i edukojmë me ndjenjën e shëndoshë që të mos pajtohen me gjërat që nuk i duken të drejta e t'i sinjalizojnë. Por mund të ketë edhe sinjalizime e vërejtje jo të drejta, mund të ketë edhe denigrime, mund të ketë edhe shpifje. Këtë mos e harroni kurrë! Por, për ata që shpifin, ka ligje. Në këtë çështje nuk ka butësi. Gjërat që kanë njëfarë rëndësie politike duhet të vërtetohen, të mos lihen në mes të rrugës. Në të njëjtën kohë të merren masa atje ku ky vërtetim bllokohet. Ka njerëz që mendojnë se Partia "fle". Kjo s'është e vërtetë.

Byroja dy vjet fërkime me Mehmetin
Nuk fle Partia, nuk flenë shokët e Partisë. Partia nuk e dinte se Mehmet Shehu ishte agjent, por ama Byroja Politike kishte dy vjet që kishte hyrë në fërkim me të, dy vjet të tërë në kundërshtim dita me ditë me të. Për çfarë çështjesh? Për çështje ekonomike. Kishim ardhur në disa përfundime e thoshim: Ç'janë këto mendime që po sjell ky në mbrojtje të disa propozimeve të jashtëzakonshme, të disa masave ekstravagante, të disa planeve të fryra e të parealizueshme?! Këto plane, natyrisht, kishin një qëllim, atë që ne të falimentonim. Pra, një nga planet e tij synonte që shteti ynë të falimentonte në ekonomi dhe të diskretitohej kështu udhëheqja e Partisë, të lehtësohej puçi i tij ushtarak dhe, kur ai ta bënte këtë veprim armiqësor, të gjente miratim e mbështetje. Përse? Sepse do të kishte krijuar pakënaqësi në popull. Shiko si lidhen këto gjëra? Mehmet Shehun, pra, nuk e diktuam vetëm kur fejoi djalin. Fejesa e djalit ishte veprimi i fundit i tij. Që të gjithë ne, anëtarët e Byrosë, e kuptuar këtë fare lehtë. Kurse Kadri Hazbiu, i cili në dukje e dënoi, por, në fakt kur mori vesh që këtë fejesë e bëri Mehmet Shehu, nuk mori mundimin të vente t'i thoshte:"Si e merr ti këtë vajzë për djalin tënd?!", por e la ta bënte fejesën. Përse e la? E la se ashtu e donte komploti që organizonin së bashku me fuqitë e huaja për të krijuar atë situatë që thamë e që na e krijuan. Por situata u zhvillua ashtu siç e dini dhe mori fund përsëri siç e dini".
 

kastriot

Primus registratum
Re: Enveri dhe krimet e tij edhe ne rrethin e ngushte te klikes enveriste

Përse "Gazeta" u rikthehet ciklit të shkrimeve mbi Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun


--------------------------------------------------------------------------------

(D.Kaloçi)

Pas shumë e shumë shkrimeve që janë botuar ciklin e rubrikës "Dossier" të "Gazeta Shqiptare" në të cilat me dëshmi dhe dokumente arkivore të ndryshme jemi mundur të hedhim sadopak dritë mbi misterin e evrasjes apo vetëvrasjes të ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehut, e cila është konsideruar dhe vazhdon të konsiderohet ende si një nga ngjarjet më enigmatike dhe më të bujshme të periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, po i kthehemi përsëri kësaj ngjarje shumë të ndjeshme për lexuesin dhe publikun shqiptar, duke botuar disa nga fjalimet e Enver Hoxhës të mbajtura në mbledhjet e Byrosë Politike në lidhje me këtë ngjarje. Këto mbledhje të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, janë zhvilluar afro një vit pas vdekjes së Mehmet Shehut dhe kanë pasur si objekt të goditjes, ish-Ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiu dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Feçorr Shehu, Llambi Peçini etj. Ato mbledhje të Byrosë Politike që filluan në tetorin e vitit 1982 dhe ku Enver Hoxha goditi rëndë Kadri Hazbiun e vartësit e tij, duke i akuzuar si armiq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Mehmet Shehut, Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos etj, vazhduan edhe disa muaj më pas, si në kohën kur ish Ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes, ashtu dhe periudhën kur ai ndodhej i arrestuar në një nga qelitë speciale të Repartit 313 në burgun e vjetër të Tiranës. Në të gjitha ato mbledhje të mbajtura në atë kohë, Enver Hoxha fajësoi dhe akuzoi rëndë të gjithë ish-Ministrat e Brendshëm që nga koha e Koci Xoxes, por në veçanti sulmet e egra ishin ndaj Kadri Hazbiut, të cilin ai e akuzonte për gabime të bëra që nga koha e Xoxes dhe agjent të shërbimeve sekrete jugosllave e sovjetike. Po kështu pas akuzave ndaj Kadri Hazbiut, në ato mbledhje Enveri foli gjatë edhe për ish-kryeminstrin Mehmet Shehu, duke e akuzuar atë për lidhje dhe agjent të UDB-së, KGB-së e CIA-s amerikane, si dhe e akuzonte Mehmetin e Kadriun se kishin qenë bashkëpuntorë të ngushtë në të gjithë veprimtarinë e tyre armiqësore, e në veçanti për udhëtimin e Mehmet Shehut me vaporin trans-oqeanik "Ciun-Elezabet", ku sipas tij ai kishte bërë bisedime të fshehta me Josif Broz Titon. Por një nga akuzat më të panjohura dhe me të bujshme të Enver Hoxhës, është ajo që ai i bën kadri Hazbiut, duke i thënë se natën e 18 dhjetorit 1981, Kadria shkoi tek Mehmeti dhe i mbushi atij mëndjen se nuk kishte rrugë tjetër, përveçe vetëvrasjes. Por këto janë vetëm një pjesë e vogël e atij lumi të madh akuzash që Enver Hoxha ngriti ndaj ish-bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë Mehmet-Kadri-Feçor, pasi në fjalën e tij ai përmënd edhe shumë e shumë, ngjarje, fakte dhe persona të ndryshëm, të cilat do të botohen në kuadrin e këtij Dossieri që po fillon nga dita e sotme .
 
Top