Elbasan: Shkatërrohet laboratori i drogës, kapen 100 kg kokainë kolumbiane

Elbasan, shkatërrohet laboratori i drogës, kapen 100 kg kokainë

ELBASAN - Një operacion ndërkombëtar me përfshirjen e Policisë së Shtetit, INTERPOL-it dhe EUROPOL-it ka çuar në shkatërrimin e një laboratori droge ditën e sotme në Fushë-Labinot të Elbasanit, ku janë sekuestruar mbi 100 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, ndërsa janë vënë në pranga 8 persona.

Nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se të arrestuar janë disa shtetas shqiptarë dhe të huaj, mes të cilëve një shtetas turk dhe një kolumbian, ndërsa nuk dihet ende identiteti i tyre.

Mësohet se laboratori i drogës gjendje brenda një ish-reparti ushtarak të braktisur që në vitet 1997, në zonën e Fushë-Labinotit, dhe ku operonte një firmë e cila grumbullonte bimë medicinale. Burime nga policia e shtetit bëjnë të ditura për A1 Report se këto bimë, të cilat vinin nga vendet e Amerikës Latine, më pas përpunoheshin dhe sasia kokainës e nxjerrë nga kjo përdorej për t’u eksportuar jashtë vendit. Sipas hetimeve paraprake dyshohet se destinacioni i kokainës ishte Evropa.

Po të njëjtat burime saktësojnë se sinjalizimi për këtë laborator droge është dhënë nga ana e autoriteteve gjermane ndërsa i gjithë operacioni i zbulimit të këtij laboratori droge është bërë i mundur falë hetimeve prej të paktën 6 muajsh të kryera nga ana e INTERPOL dhe EUROPOL. Ndërkohë operacioni për shkatërrimin e tij mësohet se është kryer nga ana e policisë gjermane, ndërsa dyshohet se mes të arrestuarve të mund të ketë edhe shtetas gjermanë.

Ndërkaq, vijon hetimi për zbulimin e rrjetit të trafikut dhe të personave të tjerë të përfshirë, pasi mësohet se priten edhe arrestime të tjera.

Në vendin e ngjarjes janë forca të shumta policie, ku po bëhen analiza për të kryer investigime lidhur me sasinë e drogës e cila është zbuluar në këtë laborator droge në Fushë-Labinot.

Shqiptarja
 
Top