Efekti i ndryshimit të paparashikuar - [Astrit Lulushi's Blog]

admin

Administrator
Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Njerëzit, si qeniet e tjera, i krahasojnë gjërat. Njeriu kujdeset jo vetëm sesa mirë është, por nëse është më mirë apo më keq sesa të tjerët për rreth, ose më mirë sesa ishte vitin e kaluar. Shkencëtarët tani thonë se krahasime të tilla mund t’u japin individëve një avantazh për zhvillim.
Sipas teorisë standarde, përgjigja më e mirë ndaj rrethanave aktuale është që njeriu të mos ndikohet nga ajo që ka ndodhur në të kaluarën. Por studimi i një grupi shkencëtarësh matematicentë britanikë në universitetin Bristol – botuar në revistën Science – tregon se në një botë me ndryshime të paparashikueshme, është e rëndësishme që njerëzit të jenë të ndjeshëm ndaj kushteve të përjetuara në të kaluarën.
Autorët ndërtuan një model mjedisi matematik për të kuptuar se si qeniet sillen kur janë të pasigurta ndaj ndryshimeve mjedisore. Studimi gjeti se kur kafshët jetojnë në kushte të mira, por pastaj papritmas kushtet keqësohen, ato plogështohen ose përpiqen më pak sesa kafshët e tjera që jetojnë vazhdimisht në kushte të vështira.
Shkencëtarët e quajnë këtë ‘efekt kontrasti’ i cili nxitet nga pasiguria. Ata thonë se kushtet e përjetuara në të kaluarën mund të jenë një tregues i vlefshëm se si gjërat do të jenë në të ardhmen.
Kjo, nga ana tjetër, ndikon mënyrën se si kafshët u përgjigjen gjendjes së tyre aktuale. Një qenie që jeton në kushte të mira mendon se bota në përgjithësi është një vend i mirë, dhe kur kushtet papritmas keqësohen, qenia e interpreton këtë si një ndryshim të përkohshëm dhe pa u përpjekur shumë, pret që kushtet e mira të ri-kthehen së shpejti. Në të kundërt, një qenie që jeton në kushte të këqija pret që kjo gjendje të vazhdojë e tillë, dhe kështu nuk mund të përballojë pushimin e pritjen, por i duhet të përpiqet më shumë për të mbijetuar.
Modeli i mjedisit i hartuar nga shkencëtarët gjithashtu parashikon efektin e kundërt; kur qeniet që përpiqen shumë për të siguruar ushqim, punojnë edhe më shumë kur papritmas kushtet përmirësohen; e kundërta ndodh me qeniet që kanë përjetuar kushte të mira.
Studimi Bristol e sheh luhatjet e paparashikueshme mjedisore si një forcë të rëndësishme zhvillimi. Ndryshimet e shpejta favorizojnë individët që janë të përgjegjshëm dhe të aftë për të rregulluar sjelljen e tyre nën dritën e përvojës së kaluar.
Autorët thonë se bota natyrore është tepër dinamike dhe e paparashikueshme dhe sugjerojnë që modele mjedisesh më të ndërlikuar janë të rëndësishme për të kuptuar a parashikuar sjelljet e një grupi a individi.

b.gif
 
Top