Re: NGA ALBRI BRAHUSHA
Gjon Dukgilaj ka arritur të rindërtojë nga e para sipas një stili rrëptësisht tradicional shtëpinë ku ka lindur poeti shkodran Filip Shiroka, duke krijuar një bujtinë ku ndërthurret arkitektura, gatimi, sendet e vjetra dhe mënyra e jetesës së një familjeje shqiptare në shekujt XVII-të, XVIII-të, XIX-të dhe XX-të.
Zakonisht, kohët e sotme kur shkohet për darkë në një restorant, përgatitesh për një mjedis ku nuk i kushtohet rëndësi faktit që ty të hahet, por mënyrës se si ti vishesh dhe dukesh në një mjedis të tillë. Nëpër restorante gjen një meny të pasur me gatime joshqiptare, kryesisht makarona, pica, mish apo peshk, me emra qytetesh marrë hua kryesisht nga harta e gjeografisë e klasës së shtatë fillore. Arkitektura dhe mobilimi i brendshëm janë të ftohta, shpesh të mërzitshme e deri në luks të panevojshëm. Por kjo ka nisur të thyhet. Ka mjaft tendenca që pronarët e lokaleve në Shqipëri kanë kuptuar se ajo çfarë mund të ofrojmë janë traditat tona.
Për festa të nëntorit shkova në Shkodër për t’u shmallur me qytetin tim, ku përveç arsyesh të tjera shkoj e peshkoj në liqen, peshkun e sezonit. Disa miq të mi më rekomanduan që darkën ta haja në një restorant me emrin “Tradita, Gegë dhe Toskë”, që ndodhet përballë kolegjit të jezuitëve në rrugën Skënderbej, ndërtuar në shtëpinë e poetit shkodran Filip Shiroka. Kisha dëgjuar për këtë restorant, por në fillim e paragjykova se mos ishte ndonjë prej atyre vendeve ku duhet të shkosh i pispillosur ku hahen pica dhe nuk e mora me shumë entuziazëm. Por menjëherë sa hyra brenda, u gjeta në një mjedis mjaft të ngrohtë ku koha ecte mbrapsht nja dy shekuj. Megjithëse ishte natë dhe binte shi si në Shkodër, ngrohtësia e oxhakut dhe kërcitjet e drurit që digjej ngeshëm më krijuan një rehati shpirtërore dhe pata përshtypjen se po hyja në shekullin e shtatëmbëdhjetë.
Një shtëpi karakteristike shkodrane, më pullaz dhe çardhak, krejtësisht e rindërtuar, duke kombinuar drurin e vjetër me gurin. Shtëpia daton e vitit 1694 dhe ishte rindërtuar më ’2004. Na priti me modesti pronari si dhe ideuesi Gjon Dukgilaj, me origjinë nga fshati Shalë i Dukagjinit, që ishte kthyer në Shkodër, pasi kishte qëndruar 11 vjet në Belgjikë. U ulëm afër oxhakut dhe morëm menynë. Ndërkohë isha krejtësisht i hipnotizuar nga detajet e pafundme, nga antikuaret që gjendeshin pafund në të gjithë mjedisin. E vetmja gjë e kohës ishim ne klientët, pirunjtë dhe lugët, pasi edhe enët ishin mbrujtur prej balte të zezë dhe lesh dhije, traditë kjo e zonave malore. Muret karakteristikë punuar me pllaka guri dhe suvatim të bardhë, harqet e dyerve prej guri të vjetër, dyert druri me çark, dritaret po ashtu. Pasi mori porosinë Gjoni, na solli një specialitet të lokalit që ishte kulaç malësie i sapo gatuar në oxhak dhe një lloj djathi i shkrirë me gjalp. Oxhaku lëshonte një ngrohtësi aq familjare sa më dukej sikur pas meje qëndronte gjyshja ime që më tregonte histori të vjetra fshati. Porosita groshë Shale dhe një tavë dheu. Ndërkohë hymë në bisedë me Gjonin, i cili na shërbeu dhe gatoi vetë. Një burrë rreth të 35-ave, shumë i sjellshëm, mbi të gjitha fliste me zë të ulët, që përveç se guzhinier ishte edhe ciceron, një ‘maxhordom’ i vërtetë, që e ke parë vetëm nëpër filma. Na tregoi për pasionin e jetës së tij që ishin sendet e vjetra, restoranti dhe mbledhja e traditës. Pyetjes time që pse e kishte bërë një sipërmarrje të tillë kaq delikate iu përgjigj: “Për të nxjerrë në pah ato gjëra që ne tashmë i kemi harruar”. Kujtesa është ajo që e mban gjallë traditën dhe vlerat e krijuara ndër shekuj.
Kishte disa elemente që tregonin se Gjon Dukgilaj, zotëronte disa dhunti të veçanta që mbërrinin deri në mani. Afër shkallëve që lidhnin restorantin e katit të parë me barin lart në çardak ai i ra një kambane të vogël bagëtish që shërbente për të thirrur djalin e shërbimit. Një detaj tjetër ishte se të gjitha dyert kur hapeshin dhe mbylleshin lëshonin gërvimën e një dere që është e pavajisur, dhe kur ia vura në dukje këtë, Gjoni tha se fillimisht dyert nuk e kishin atë tingull, por ai ishte kujdesur posaçërisht që ky tingull të ishte pjesë e harmonisë dhe atmosferës së një bujtine të shekullit të shtatëmbëdhjetë.
Pastaj na solli të provonim raki dëllinje bërë nga vetë familja, në mënyrë tradicionale, vërtet një shije e plotë. Po ashtu familja prodhonte edhe verën, të gjitha sallatat e dimrit. E kjo dikur ka qenë një gjë tipike për familjen e dikurshme shkodrane që ka qenë një familje më ekonomi më cikël të mbyllur. Prodhonte çdo gjë vetë si për konsum ushqimor, ashtu edhe për veshje. Gjithçka që shijoje bënte pjesë në harkun kohor të para 300 vjetëve. Si të udhëtosh në histori dhe të paguash vetëm darkën.
Pas buke vizituam detajet e tjera të shtëpisë, dhomën e pritjes shkodrane: Një raft muri i vjetër tipik shkodran, ngjitur tij një oxhak i vogël anash të cilit spikat e vulosur në murë, një dorë. Më pas sipër në çardhak ishte tavolina e konsullit austrohungarez, një mur me motive pagane që ilustron tendencën e shpirtit drejt qiellit, e më tej i formuar nga tirqe, dielli simbol i ilirëve. Te ballina e banakut shquhej një punim në dru gjetur në zonat e jugut, ku paraqiteshin dy kuçedra, që njëra nga e djathta e tjetra nga e majta tërhiqnin me dhëmbë ikonën e një shenjtori, por si përfundim nuk bënin gjë tjetër veçse hanin njëra-tjetrën. Mbi oxhak e gdhendur me kujdes përkrenarja e Skënderbeut, një qerre që mban sipër një fuçi druri për verë, ku shënohet “Tradita G&T”, në oborr një pus i vjetër dhe plot objekte që nuk t’i sheh syri aq shpesh. Gjoni shprehet se dëshira e tij është të ndërtojë diçka të ngjashme edhe në Tiranë. Përveç se si restorant dhe bar ai ka idenë që bujtina të shërbejë edhe si muze i traditës shqiptare ku të tregohet mënyra e jetesës, e ushqimit dhe sendet shtëpiake apo veglat e punës që kanë përdorur shqiptarët në shekuj.
Largohesh prej kësaj bujtine të ngrohtë me idenë se ke përjetuar 300 vjet historinë e një shtëpie shkodrane aq më tepër asaj ku ka lindur edhe poeti Filip Shiroka, autor i poezisë së famshme “Shko Dallndyshë”, poezi të cilën po e sjellim edhe një herë për të gjithë lexuesit duke i ftuar ata të vizitojnë bujtinën “Tradita, Gegë dhe Toskë”.