E vërteta e “fshehur” e pretendimit grek për Vorio

A

Adami

Guest
E vërteta e “fshehur” e pretendimit grek për Vorio

E vërteta e “fshehur” e pretendimit grek për Vorio Epirin

Nga Dr. Apostol KOTANI

Historia shumë shekullore e Shqipërisë tregon se populli shqiptar ka qenë dhe mbetet një popull paqedashës, punëtor, human, mikpritës dhe i besës. Ai nuk ka patur kurrë lakmi për pasuritë dhe trojet e të tjerëve, por ka jetuar e ka punuar në trojet e veta të trashëguara nga parardhësit e vet, ilirët. Natyra i ka falur këtij vendi pasuri natyrore të bollshme për të jetuar. Të tjerët kanë pasur lakmi për pasuritë e vendit tonë, pozitën e tij strategjike, si nyje e rëndësishme lidhëse ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.Pra, të huajt i kanë rënë në qafë popullit dhe vendit tonë, e kanë sulmuar, pushtuar, skllavëruar, grabitur, masakruar dhe shkatërruar vlera të mëdha dhe të pallogaritshme ekonomike dhe social-kulturore, fakte këto që i dëshmon jo vetëm historia, veprat e autorëve të ndryshëm, vendas dhe të huaj, por edhe rrënojat e qytetërimit të lashtë, në qytete dhe në fshatra. Kështu duke filluar nga viti 276 pas Krishtit, në vendin tonë shkeli këmba e helenëve, romakëve, bizantëve, hunëve, gotëve, bullgarëve, sllavëve, normandëve etj. Këta veç shkatërrimeve, plaçkitjeve, përndjekjeve dhe dëbimeve massive nga trojet e veta, u përpoqën ta zhduknin edhe si komb. Por populli shqiptar me luftra dhe sakrifica të pashembullta, mbron gjuhën, kulturën dhe identitetin e vet kombëtar dhe mbijetoi.Një përpjekje të madhe bënë që nga shekulli XX-të, dhe qarqet shoviniste greke me në krye Fanarin me anë të propagandës, gjuhës shkollës dhe kishës greke dhe deri me aggresion ushtarak në vitet 1912-1916, për të përfshirë në hartën e Greqisë gjithë krahinat e Shqipërisë Jugore, me pretendimin se “banorët e këtyre trevave ishin grekër”. Duke u njohur me këto përpjekje dhe me aktet e tjera ç’njerëzore, të presioneve, masakrave, përdhunimeve, plaçkitjeve dhe shkatërrimeve, nëpërmjet veprave historike të shkruara, të dëshmive okulare, të shtypit të kohës, të tregimeve dhe të poezive që përjetësojnë këto ngjarje, dhe, më në fund, duke dëgjuar kërkesat e një numri banorësh të këtyre krahinave, i vura detyrë vehtes, që mbi bazat e gjithë këtyre burimeve, ti përmbledh ato për ti publikuar, me të vetmin qëllim që brezat e tanishëm dhe ata që do të vijnë më pas, ti njohin këto të vërteta historike, që të mos bien pre e planeve dhe përpjekjeve djallëzore të qarqeve reaksionare, të cilitdo shteti qoftë, për të ruajtur identitetin kombëtar, tërësinë teritoriale, gjuhën, kulturën dhe gjithë vyrtytet e mira morale, të cilat i kanë çmuar edhe të huaj.

***

Duke dashur të jem sa më i paanshëm në gjykimin e fakteve historike po i referohem Atyre ç’ka kanë shkruajtur të huajt për Shqipërinë, këtë “vend shqiponjash”. Sipas 26 dëshmisë së korrik 1880-të, të Lordit Goschen, burrë shteti anglez: “Midis Adriatikut dhe Pindit, vargut të maleve të Ballkanit dhe Alpeve Dinarike, në vijën që ndan lindjen me perëndimin, ku historia ka parë me sytë e saj, ndeshjen e kaq e kaq popujve dyndës dhe kaq qytetërimeve të reja, qëndron Shqipëria si një kështjellë.
Mbrojtur nga dyndjet e jashtme nga tre anë, nga malet e saj përreth, dhe nga ana tjetër nga deti, Shqipëria më parë banohesh nga një rracë, origjina e së cilës ngjitet gjer tek koha e Pellazgëve. Megjithse kishin pasur takim me qytetërimin e grekëve, mbajtën gjithnjë karakterin e tyre dhe ruajtën kryelartësinë e origjinës së tyre para Helenike. Shqiptarët qysh në kohët e vjetra, treguan se janë një racë e fortë, që luftrat dhe pushtimet e huaja nuk mundën t’i asimilojnë. Sa herë u sulmuan për ti rrëmbyer lirinë, shqiptarët luftuan trimërisht, si në kohët shumë të vjetra, kur morën pas Lekën e Madh dhe Pirron. Edhe sot ata paraqesin një fakt interesant dhe të vecantë, të një kombësie që ka mbetur e pastër dhe e paprekur gjatë shekujve, me gjithë pushtimet që kanë pësuar nga romakët, bizantët, normandët, bullgarët, serbët, italianët dhe turqit. Megjithë këto pushtime dhe përpjekje asimiluese, tek shqiptarët mbetën të paprekura nderi, familja dhe atdheu. Ndjenja e nderit është rrënjosur në ndërgjegjen e tyre që në moshën më të njomë. Shqiptari preferon më mirë të vdesë se sa të rrojë i turpëruar. Një virtyt i lartë i shqiptarit është besa, fjala e dhënë.” Kurse Lordi Fitzmaurice, më 22 korrik 1880, i shkroi ministrisë së Jashtme sa vijon:
“Vendi që përshkruhet nën emrin gjeografik Shqipëri, përfshihet në të dy vilajetet, i Shkodrës dhe i Janinës, por shtrihet në drejtim të Lindjes, përtej vijës së ujit të maleve që ndajnë lumenjtë që derdhen në Adriatik, nga ato që derdhen në detin Egje, dhe përfshin pjesë të Vilajeteve të Manastirit dhe të Prishtinës ose Kosovës. Përhapja e popullsisë shqiptare në drejtim të verilindjes drejt Prishtinës dhe Vranjës, dallohet në mënyrë të veçantë, dhe vihet në dukje plotësisht edhe në kartat gjeografike, si ajo e Kieperit, që përgjithësisht merret si përkrahëse jashtë mase i elementit sllav, dhe të kartës së botuar nga Z. Stafford në interes të kërkesave të grekëve.
Çdo kartë që kam parë në këto rrethe (pjesa më e madhe e Kosopoljes, por edhe e Metohisë, dhe në fakt i tërë vendi, deri në vijën e Bistricës e të Drinit, dhe rrethi i Lumës me Pejën e Prizrenin), i shënon këto vende si shqiptare dhe jo si vende sllave, duke përjashtuar gjithnjë Kosovopoljën. S’ka dyshim se këto rrethe në fund të shekullit 17 bënin pjesë në mbretërinë e vjetër të serbisë dhe banoheshin edhe prej serbësh, megjithse Z.M. Hanh prirej nga mendimi se banorët origjinalë kanë qenë shqiptarët, të cilët u përzunë që andej nga serbët, në një kohë të mëparshme të historisë”.

Vorio Epiri

Sipas burimeve historike, banorët e lashtë të vendit tonë kanë qenë ilirët, pasardhës të Pellazgëve. Ata përbënin një nga popullsitë më të madha të Europës dhe shtriheshin në një teritor të gjerë që kufizohej: Në veri me lumin Danub dhe në jug shkonte deri në kufijtë e Greqisë antike, në Gjirin e Ambrahisë. Në Perëndim kufiri i tyre natyror ishte deti Adriatik dhe Jon, kurse në lindje Morava e Vardari. Sipas të dhënave të autorëve të vjetër, fiset kryesore ilire ishin shpërndarë në vende të ndryshme dhe mbanin emra të ndryshëm. Në teritorin e vendit tonë kanë pasur banuar: Penesët, Dokleatët, Enkelejtët, Desaretët, Taulantët, Abrejtë, Parthinët, Antitanët, Amantët etj. Fiset ilire të Epirit kanë pasur banuar në jug të Vjosës dhe përtej maleve të Kudhësit e të Llogarasë. Midis tyre më të përmendurit kanë qenë Kaonët, që zinin krahinat bregdetare të detit Jon në veri, Thesprotët që banonin në Çamërinë e sotme dhe Mollosët në jug të Vjosës së sipërme e në fushën e Janinës.

Por, si qëndronte e vërteta mbi termin “Vorio Epir”?

Disa dijetarë, duke nisur nga disa elementë të shkëputur kulturorë, që janë përhapur më vonë në Epir dhe nga gjuha greke e përdorur në monumentet epigrafike, kanë shprehur mendimin se banorët e këtyre zonave janë grekër. Këtë pastaj e kanë shfrytëzuar qarqet shoviniste greke për qëllimet e tyre ekspansioniste. Por mendimi i mësipërm bie në kundërshtim me dëshmitë e historianëve, të gjeografëve antikë dhe me rezultatet e studimeve të sotme arkeologjike dhe gjuhësore. Emri “Epir” dhe “Eperios” do të thotë “stere” ose “tokë kontinentale”, pra një shprehje gjeografike, me të cilën banorët e ishujve të Greqisë të detit, Jon, duke u nisur nga pozitat e tyre ishullore, kanë quajtur krahinat përballë tyre, dmth krahinat e banuara nga fiset ilire. Më vonë ky term u përhap edhe për krahinat e brendëshme, të banuara po nga ilirët, dhe që u përmblodh pastaj në njësitë e ndryshme politike (principatat) që u krijuan në Epir. Vetë Turqidhidhi, një historian i lashtë grek, i quan banorët e Epirit “Barbarë” shprehje kjo me të cilën grekët e vjetër quanin të gjitha ato popullsi që nuk ishin greke.
Ndërsa një bashkëkohës i Tuqidhidhit, shënon si kufij veriorë Aharnaninë, pra ai i lë jashtë territorit grek krahinat e Epirit. Veç këtyre një faktor i rëndësishëm që hedh poshtë pretendimet e shovinistëve grekë mbi “Vorio-Epirin” janë studimet dhe zbulimet arkeologjike. Në Epir janë gjetur me shumicë emra personash, fisesh dhe emra gjeografikë me prejardhje ilire. Edhe zbulimet në tumulat (varret) e fushës së Dropullit, kanë treguar origjinën ilire të banorëve të kësaj krahine. Gjuha dhe kultura greke në Epir janë përhapur shumë më vonë, kur filloi ngritja e kolonive greke në brigjet e Ilirisë në gjysmën e shekullit të 8-të para erës së Krishtit dhe u zgjerua më shumë në kohën e mëpastajme, sidomos në kohën helenistike, kur gjuha dhe kultura greke u përhapën dhe në krahina të tjera të botës së vjetër, ku më shumë e ku më pak. Me përhapjen e gjuhës dhe kulturës greke, fytyra e Epirit të lashtë ndryshoi deri diku nga pikëpamja kulturore, kurse përbërja etnike nuk ndryshoi. Pra të gjitha këto hedhin poshtë, si krejt të pabaza, pretendimet e qarqeve shoviniste të Greqisë mbi përkatësinë e Epirit të Veriut. Megjithë këtë qarqet shoviniste të Greqisë kanë vazhduar avazin dhe pretendimet e tyre deri në përpjekje për t’i shkëputur me forcën e armëve krahinat e Shqipërisë Jugore. Politikanët shovenë grekë ëndërronin të ngjallnin Perandorinë Bizantine. Mbi këtë bazë formuan idenë e “Greqisë së Madhe” (Megali Idhea). Kështu që pas luftës Ruso-Turke të vitit 1877, shovinistët grekë, duke patur edhe përkrahjen e Rusisë, u bënë gjithmonë e më të shfrenuar për zgjerimin e teritoreve, sidomos në drejtim të trojeve shqiptare.
Më 1912, me teorinë e tyre të Vorio Epirit shpalosën pretendimet e veta mbi krahinat e Shqipërisë Jugore, nën preteksin se banorët e tyre ishin grekër. Oreksi i grekëve erdhi duke u rritur deri në përmasat absurde për copëtimin dhe ndarjen e Shqipërisë me Serbinë, duke synuar që kufiri i tyre verior të shkonte deri në lumin Shkumbin, kurse Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut ta mernin Serbët. Këto pretendime i mbështetën edhe fuqitë e mëdha europiane, të cilat me traktatin e Shën Stefanit e copëtuan Shqipërinë nga Jugu në Veri, duke i shkëputur në Jug Vilajetin e Janinës dhe në Veri Vilajetin e Kosovës, të banuara me shumicën dërrmuese nga shqiptarë. E vërteta historike rreth kësaj ndarje nuk është vetëm se popullsia e këtyre krahinave nuk është greke, por edhe mbi gjysma e banorëve të vilajetit të Janinës më 1878 ishin shqiptarë. Konkretisht nga 600 000 vetë që kishte atëherë Janina, 310 000 ishin shqiptarë, kurse 10 vjet më vonë, më 1888 numri i banorëve shqiptarë arriti në 480 000 (sipas studimit mbi Shqipërinë e Jugut që ruhet në Institutin e Historisë).


Ushtritë greke, terror mbi krahinat shqiptare

Nga Dr. Apostol KOTANI

Duke parë dobësimin e vazhdueshëm ë Perandorisë Osmane, mbretëritë ballkanike si Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, më 12 maj të vitit 1912, krijuan një aleancë, që u quajt “Aleanca Ballkanike” për luftë kundër forcave turke në Ballkan. Kryengritja e përgjithshme shqiptare që shpërtheu nga Veriu në Jug në vitet 1909-1912 dhe përpjekjet e patriotëve shqiptarë për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë, i nxitën qeveritë ballkanike për të filluar veprimet luftarake kundër forcave turke, në territoret e tyre dhe pastaj të realizohen endrat e vjetra per copëtimin e Shqipërisë.

***

Më parë në luftë kundër ushtrive turke hyri Serbia dhe Mali i Zi, Bullgaria dhe më 17 tetor edhe Greqia. Me veprimet e tyre luftarake synohej të çlirohej Selaniku, Manastiri, Janina dhe Çamëria dhe pastaj të marshonin drejt trojeve shqiptare. Por pa pritur realizimin e këtyre objektivave, më 28 tetor 1912, anijet greke hynë në gjirin e Vlorës dhe filluan bombardimin e skelës.
Më 21 nëntor, ushtritë greke filluan pushtimin e krahinave përreth Vlorës. Mirëpo kundër këtij agresioni u ngrit peshë popullsia vendase. Për ndërtimin e veprimeve luftarake mbrojtëse u krijua një komision nën kryesinë e Eqerem Syrjait me qendër në Vranisht. Luftime të ashpra midis forcave shqiptare dhe agresorët grekë u zhvilluan në Kuç, Tërbaç dhe Dukat.
Më 16 dhjetor 1912 grekët bombarduan Vlorën dhe këputën kabllin telegrafik Vlorë-Otranto-Bari, për ti prerë qeverisë së Vlorës mundësinë e komunikimit me Fuqitë e Mëdha. Ndërkohë trupat tokësore greke kishin hyrë në Himarë dhe Delvinë, forcat Serbe pasi zunë Manastirin, bashkë me ushtritë greke zunë Prespën, Follorinën dhe depërtuan në Devoll, në zonën Bilisht Poloskë dhe më pas zunë malin Moravë.
Më 20 tetor ushtritë Greke hynë në Korçë. Fshatrat e Devollit të banuara me shumicë nga myslimanë, iu nënshtruan plaçkitjeve, djegieve dhe masakrave. Nuk u kursyen as banorët ortodoksë, që kundërshtonin planet aneksioniste të grekëve. Ata nuk munguan të hakmerreshin edhe ndaj librave shqip të biblotekës së qytetit të Korçës, duke djegur publikisht mijra prej tyre. Për të nënshtruar popullsinë, grekët organizuan në Korçë policinë me në krye oficerin Angjelidhis. Dhe pas disa ditësh krijuan dhe pushtetin e prefekturës, gjykatës, policinë financiare. Ata ndoqën, burgosën dhe dënuan një numër patriotësh që ishin shprehur kundër pushtimit grek, filluan të mblidhnin edhe taksa nga popullsia e qytetit. Grekët e shtrinë pushtimin dhe në Voskopojë, Vakëf e deri në veri të Panaritit. (Petro Hazizi “Historia Kronologjike e Qarkut të Korçës…” Boston f.14-16). Në krahun tjetër, grekët synonin të merrnin sa më shpejt Janinën, pastaj të përmbysnin Qeverinë e Vlorës dhe të pushtonin qytetin.
Në 4 mars 1913 Janina ra në duart e grekëve. Pastaj ata filluan marshimin drejt Konicës, Leskovikut, Përmetit, Kolonjës, Këlcyrës, Tepelenës, Gjirokastrës e Delvinës.
Rrezik për Vlorën u bënë jo vetëm ushtritë greke, por edhe ato turke, të cilat ishin përqëndruar në Berat, Lushnje dhe Fier, ishin në një gjendje të rraskapitur dhe pa furnizime kërkonin të hynin në Vlorë. Qeveria e Vlorës duhej të luftonte gjithashtu edhe kundër rrezikut sërb e malazez, për të çliruar krahinat e veriut.[Shenimi im: Shikoni cfare kohe e tmerrshme kritike, me tu rrenqeth mishi se si ka mbijetu kjo shqipni, dhurate nga Zoti, qe po prishet e perdhunohet nga dora jone, ose e ashtuquajtura dora jone.] Ajo duhet të përballonte edhe forcat reaksionare të brendëshme të Esat Pashë Toptanit, Ahmet Zogut dhe Haxhi Qamilit. Kështu që për qeverinë e Vlorës u krijua nëj situatë tejet e vështirë. Në mbrojtje të qeverisë së Vlorës u çuan peshë gjithë patriotët e vërtetë. Në dispozicion të saj u vu edhe Komisioni i Mbrojtjes i Tërbaçit me forcat e veta.
Në mars 1913, Konferenca e Ambasadorëve vendosi që Korça, Gjirokastra dhe Shkodra me krahinat t’i mbeteshin Shqipërisë dhe u lajmëruan qeveritë pushtuese për ti tërhequr ushtritë e tyre nga trojet shqiptare. Ky ishte një hap i madh përpara, që hidhnin fuqitë e mëdha në dobi të Shqipërisë, në krahasim me vendimet e mëparshme që i njihnin Shqipërisë autonominë, nën sovranitetin e Turqisë, megjithse i shkëputën Kosovën në favor të serbisë dhe Çamërinë në favor të Greqisë.[Shenimi im: Kjo pjesa ketu ka nje rendesi vendimtare per historine qe po ndodh sot. Jemi ne nje kohe kur pak as shume eshte Kosova qe do marri pavarsi dhe Greqia qe me metoda te terthorta po mundohet te greqizoj jugun. Mbase fuqite e medha kesaj rradhe do bejne nje tjeter pazar, ky eshte mendimi im qe e kam shprehur me kohe. Pazari qe pergatitet eshte rregjistrimi i popullsise me urdher te qeverise se PS apo PD-se(kushdo nga keta qe te jete ne pushtet pak rendesi ka se kukulla dhe spiuna jane) ku do vendoset me vetdeklarim opsioni i etnise dhe fese, dicka kategorikisht e ndaluar ne Evrope, por qe per fqinjet tane te perkedhelur behet si cdo here perjashtim. Kam frike se kesaj rradhe do jete jugu i Shqiperise qe do vuaj pasoja te tmerrshme.]

***

Për vendet e ndërmjetme kufitare, Fuqitë e Mëdha vendosën të dërgonin një komision ndërkombëtar. Ndërkohë grekët dërguan me shumicë në këto krahina mësues dhe mësuese, si dhe ushtarakë të veshur civilë për tu mësuar nxënësve të shkollave dhe qytetërëve e fshatarëve gjuhën greke, për ta mashtruar komisionin ndërkombëtar, të Kufijve. Ata detyruan gjithashtu qytetarë dhe fshatarë, që nuk dinin të flisnin greqishten të rrinin brenda nëpër shtëpi dhe të mos dilnin jashtë kur të vinte komisioni. I detyruan të lyenin shtëpitë me ngjyrën e flamurit grek. Kundër këtyre vepimeve, popullsia vendase protestoi me forcë. Kështu në një letër që leskoviqarët i dërguan Komisionit Ndërkombëtar, thuhej: “Qeveria greke po mundohet, si gjithnjë, të “vërtetojë” në mënyrë ç’njerëzore dhe brutale, se popullsia e këtij vendi, është thjesht greke. Për këtë ka mbledhur njerëz me pagesë dhe i dërgon fshat më fshat, i ka pajisur edhe me armë, për të shtrënguar popullsinë që të deklarohet si popullsi greke. Ka sjellë mësues nga Athina për t’u mësuar fëmijëve tanë, që natyrisht nuk dinë greqisht, këngë greke dhe, për ti dalë përpara Komisionit Ndërkombëtar si vëndës. Kanë formuar “batalione të shenjta”, greke të armatosura dhe i ka ngarkuar të vrasin cilindo që flet shqip. Të gjithë qytetarët që dinë një gjuhë të huaj i ndalojnë të dalin përpara Komisionit Ndërkombëtar të Kufijëve. Detyruan mësuesen e shkollës fillore të Leskovikut të qëndiste flamurin grek që ta ngrinin nëpër shkolla. Dhe kur mësuesja refuzoi ta bënte këtë grekët e zhdukën pa nam e nishan. “(Sipas gazetës “Dielli” Nr.225 datë 8.7.1913. Boston Mass).
Po kështu një fhstara nga Leskoviku, në një letër që i dërgonte djalit në kurbet, ndër të tjera I shkruante: “Të hollat që më dërgove s’janë mjaft, sepse na u shtua edhe një njeri në shtëpi. Yqmeti i kaurit (nënkuptonte grekun), na solli me pahir një grua skulo…Po jo vetëm në shtëpinë time, por edhe në të tjera nga një.. Me këtë duan ti zënë sytë Komisionit të Kufijve..” (Gazeta “Dielli” Nr. 259, datë 4 nëntor 1913, Boston Mass). Jo vetëm kaq. Qarqet qeveritare greke kaluan edhe më tej, në kërcënimin dhe arrestimin e kundërshtarëve që nuk pranonin të pohonin se “Duam të bashkohemi me Greqinë”.
Ky fakt pohohet edhe nga një letër dërguar gazetës “Dielli” nga Leskoviku ku shkruhej se: “Grekët kanë arrestuar patriotët dhe i kanë shpurë të lidhur në burgun e Janinës. Për ti detyruar që të pohojnë se “Duan bashkim me Greqinë”. (Dielli Nr. 226, datë 11.7.1913).
Edhe një shqiptar nga Poda, në një letër që i ka dërguar gazetës “Dielli” dhe botuar në Nr. 265, datë 25 nëntor 1913 thotë: “Guberna greke më lidhi dhe më shpuri në Janinë, në burg, një muaj. Tani më sollën prapë në fshat. Por më kanë vënë 20 ushtarë për të na ruajtur se mos flasim shqip. Kanë mbushur rrugët automobilistike që lidhin krahinat si dhe qytetet me parrulla të mëdha ku shkruhet në gjuhën greke dhe frënge: “Bashkim me Greqinë ose vdekje”. Kundër kësaj propaganda dhe këtyre veprimeve të pa shembullta u ngritën peshë gjithë banorat e krahinave jugore, gjithë patriotët për të sqaruar dhe bindur masat që të mos binin në kurthin e planeve djallëzore të shovinistëve grekë. Kjo bëri efektin e vet. Masat nuk u mashtruan dhe nuk u mposhtën as përpara presioneve dhe as përpara arrestimeve. Vlen të përmendet veprimi taktik shumë i hollë i patriotit Hasan Qinami, nga Kolonja, që bëri krahas punës skjarruese gjatë 32 ditëve që qëndroi komisioni në Leskovik. Padyshim anëtarët e komisionit gjatë këtyre ditëve kishin dëgjuar të flitej edhe greqisht, por nuk dinin prapaskenat e kurdisura nga grekët.
Kur komisioni do të fillonte nga puna, agjentët shovinistë grekë u kishin nxjerrë përpara njerëzit e prurë nga Greqia dhe ata që i kishin mësuar të flisnin greqisht. Por bashkë me ta kishte edhe fëmijë që nuk dinin greqisht. Atëherë Hasan Qinami nxorri një grusht sheqerka e ua hodhi përtokë. Gjithë fëmijët rendën kush e kush të merte më shumë duke u shtyrë e duke u sharë shqip. Atëherë Hasani ndërhyri e u tha anëtarëve të komisionit: Ja kjo është gjuha e tyre e vërtetë, shqipja të cilën e kanë mësuar që kur kanë thithur gjirin e nënave, dhe jo ato fjalë që dëgjuat nga grekët dhe ndonjë grekoman. Komisioni nuk e pati të vështirë të bindej për përkatësinë shqiptare të popullsisë vendase.

***

Në veprimtarinë e tyre anti-shqiptare grekët krijuan edhe qeveri lokale në Gjirokastër pas një mbledhje grekomanësh që zgjati dy javë, u zgjodh një qeveri autonome me Kristaq Zografon në krye, një grekoman i tërbuar nga Qesorati. Pas disa ditësh një guvernë e tillë locale u ngrit edhe në Përmet nën kryesinë e Veqil Dhespotit, Spirodhonit, Dhame Parthenin sekretar, Qako Gërxhe anëtar, Mihallaq Kripe polic dhe Ili Apostoli sekretar i policisë. Këta, qeveria greke do ti përdorte si maskë për të mbuluar ndërhyrjen e armatosur që do të shpërthente më pas, gjoja me kërkesën e autoriteteve vendore. Në Përmet hynë disa grekomanë për të përgatitur një memorandum dhe t’ua dërgonin fuqive Europiane, ku ti luteshin që të “Mos i ndanin nga “nëna Greqi”. Por partia e Përmetit nuk u nënshtrua dhe memorandumi nuk u nënshkrua. (Sipas Gazetës Dielli Nr.274 datë 23 shtator 1913). Atëherë grekët i rrahën, u hodhën hekurat dhe i dërguan në burgjet e tmerrshme të Janinës. Ata arrestuan edhe Riza Xhungën sepse shërbente si ndërlidhës i çetave patriotike dhe shpërndante libra e gazeta shqip. Xhunga u dërgua në burgun e Janinës ku e dënuan me varje sepse nuk pranoi të hiqte dorë nga ndjenjat dhe veprimtaria atdhetare. (Gazeta “Zgjimi”, vjeshtë e dytë 1913, Korçë). Në një lajmë të ardhur nga Përmeti dhe të botuar në gazetën Dielli Nr 26 datë 25 nëntor 1913 thuhej se edhe “Përmeti është mbushur me janinotka gërqishtare për të mësuar gërqisht njerëzve. Ata që nuk dinë të flasin greqisht nuk i lënë të dalin jashtë. Priftërinjtë çdo të dielë me kryq në dorë bekojnë njerëzit nëpër kisha që të mos flisnin në shqip kur të vinte Komisioni Kombëtar i Kufijve."

***
***

Strategjia helene e greqizimit të Shqipërisë

Nga Dr. Apostol KOTANI

(Vijon) …Politikanët shovenë grekë ëndërronin të ngjallnin Perandorinë Bizantine. Mbi këtë bazë formuan idenë e “Greqisë së Madhe” (Megali Idhea). Kështu që pas luftës Ruso-Turke të vitit 1877, shovinistët grekë, duke patur edhe përkrahjen e Rusisë, u bënë gjithmonë e më të shfrenuar për zgjerimin e teritoreve, sidomos në drejtim të trojeve shqiptare…
…Oreksi i grekëve erdhi duke u rritur deri në përmasat absurde për copëtimin dhe ndarjen e Shqipërisë me Serbinë, duke synuar që kufiri i tyre verior të shkonte deri në lumin Shkumbin, kurse Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut ta mernin Serbët.Këto pretendime i mbështetën edhe fuqitë e mëdha europiane, të cilat me traktatin e Shën Stefanit e copëtuan Shqipërinë nga Jugu në Veri, duke i shkëputur në Jug Vilajetin e Janinës dhe në Veri Vilajetin e Kosovës, të banuara me shumicën dërrmuese nga shqiptarë. E vërteta historike rreth kësaj ndarje nuk është vetëm se popullsia e këtyre krahinave nuk është greke, por edhe mbi gjysma e banorëve të vilajetit të Janinës më 1878 ishin shqiptarë. Konkretisht nga 600 000 vetë që kishte atëherë Janina, 310 000 ishin shqiptarë, kurse 10 vjet më vonë, më 1888 numri i banorëve shqiptarë arriti në 480 000 (sipas studimit mbi Shqipërinë e Jugut që ruhet në Institutin e Historisë).
Qarqet shoviniste Greke, që në kohën e sundimit turk, nëpërmjet Patriarkanës së Stambollit dhe më vonë të fanarit grek të Athinës, janë përpjekur për të shtrirë influencën e tyre në krahinat e Shqipërisë jugore, duke përhapur në forma të ndryshme, gjuhën dhe kulturën greke, në kisha dhe në shkolla, me anë të agjenturave dhe të pasonjësve të tyre. Le tu referohemi fakteve:

***

Patrioti Mihal Grameno në librin e tij “Kryengritja Shqiptare” në pjesën “Varri i Pagëzimit” tregon për një ngjarje tragjike të vitit 1751, kur për disa çaste vdiqën nga familja e Laskë Veqilharxhit 4 vetë nga presioni psikologjik i grekomanëve. Familja e Laskë Veqilharxhit nuk iu nënshtrua asnjëherë urdhrave të mitropolisë, që ishte në shërbim të shovinistëve grekë. Ajo luftonte pa u përkulur për përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në shkolla e kisha, ndërsa mitropolia nga ana e saj bënte ç’mos për ta nënshtruar dhe për ta detyruar që të hiqte dorë nga gjuha dhe kultura shqipe, nga lufta kundër influencës greke. Rastin për tu hakmarrë e gjetën kur familjes i lindi një djalë. Njerëzit e “Shenjtë” vendosën të mos pagëzonin fëmijën gjersa Laska të betohej për të hequr dorë nga gjuha shqipe. Prifti i urryer Kozma, i tha dhespotit Qirill: “Unë do të gjej shkak të mos e pagëzoj fëmijën gjersa të mos betohen, ai dhe familja e tij, se do të heqin dorë nga shqipja, kjo është gjuhë e mallkuar, dhe të pranojnë dhe të flasin gjuhën e Perëndisë, greqishten”. Dhe kështu u veprua. Kur ndrikulla shkoi në kishë për të pagëzuar fëmijën i kërkuan që të thoshte përmendësh në gjuhën greqishte formulën e pagëzimit dhe të betohej se do të hiqte dorë nga gjuha shqipe. Por ajo ju përgjigj: “Ne me gjuhën shqipe kemi lindur, me të kemi thithur qumështin e nënës dhe me të do të vdesim”. Priftërinjtë për hakmarje nuk e pagëzuan fëmijën por e sorollatën orë të tëra, gjersa nga urija dhe të ftohtët fëmija vdiq. Kurse familja që e priste në shtëpi me gaz të bënte gostinë e rastit, për pagëzimin dhe vënien e emrit, mësoi gjëmën që kishte ndodhur dhe, nga dëshpërimi nëna e fëmijës dha shpirt në çast, i ati u çmend dhe mori arratinë dhe prindrit e tyre vdiqën nga dëshpërimi. Në shekullin e 17 kur pushtuesit turq kishin ndërmarë fushatën e islamizmit me hir e me pahir, edhe patriarkana e Stambollit kundërveproi për të mbrojtur të krishterët dhe si mjet përdori arsimin fetar, si gjuhë predikimi dhe gjuhë publike greqishten, për ta shfrytëzuar pastaj këtë për qëllimet e veta shoviniste ndaj trojeve shqiptare. [Shenimi im: Ja ku del dhe pislliku i Otomaneve haptas qe me apo pa dashje i kane ndihmuar Greket ne planet e tyre. Sidoqofte shikoni dramen familjare siper, qe as ne perrallat me te lashta mitologjike, as ne masakrat me te renda te epokave te inkuizicionit nuk eshte pare nje drame e tille, nje dhune e tille, dhe nje inat i tille ndaj nje popullsie]
Gjysma e parë e shekullit të 19-të u karakterizua nga një sërë lëvizjesh kryengritjesh të popujve të robëruar kundër sundimit osman. Perandoria po tregohej gjithnje dhe më e paaftë për të përballuar këto lëvizje dhe, për të mbajtur në këmbësundimin perandorak mbi popujt dhe kombet e nënshtruara manovroi me anë të regjimit feudalo-ushtarak dhe me reformat e shpallura. Fitorja e revolucionit grek më 1820 dhe disfata që pësoi Perandoria në luftën ruso-turke të vitit 1829, treguan se Perandoria osmane kish hyrë në rrugën e shthurjes së plotë. Për të siguruar mbështetjen e Greqisë në sundimin mbi Shqipërinë, Porta e Lartë i dha privilegje të shumta kishës greke për të hapur faltore ortodokse me orientim grek dhe për të përhapur gjuhën greke në krahinat e Shqipërisë jugore. Me këto privilegje i dha shanse Mbretërisë Greke që të justifikonte pretendimet e saj më të volitshme, përpara Europës, ndaj trojeve shqiptare, duke përzer besimin me kombësinë me parrullën: “Të krishterët janë grekër”, “Muslimanët janë turq”. Me këtë synohej ti vihej kryq kombësisë shqiptare. Kjo do të ngrinte krye sidomos pas shpalljes së pavarësisë kombëtare më 1912 me të ashtuquajturën “Kryengritja Vorio Epiriote”.
Edhe një shembull tjetër: Në vitin 1899 kthehet nga Amerika Atë Stath Melani në Përmet dhe celebroj një meshë në gjuhën shqipe. Ky ishte një veprim i papreçedent që gëzoi shqiptarët e vërtetë ortodoksë dhe indinjoi grekomanët. Melani u thirr menjëherë nga zëvendës dhespot Spiridhoni, një fillogrek i tërbuar dhe u këshillua “të hiqte dorë nga gjuha shqipe, nga kjo gjuhë e mallkuar e të meshonte me gjuhën e Perëndisë, në gjuhën greke”. Por Atë Stathi, hazër xhevap, ju përgjigj: “Hirësi shqiptarët merren vesh me zotin më mirë me shqipen se me greqishten. Pastaj zoti i di të gjitha gjuhët, pse të mos dijë edhe shqipen?! Për gjuhën shqipe u vra Papa Kristo Ngovani dhe Petro Nini Luarasi i cili predikonte: Edhe Krishti në na thëntë/ Unë jam grek, eni pas meje/ Do ti them pa mblidh mendë/ se shqiptari s’vjen pas teje! Për gjuhën shqipe janë përndjekur edhe një sërë figurash të tjera klerikale dhe laike, për gjuhën shqipe njerëzit e patriakanës në vitin 1909 dogjën në një gropë gëlqereje, pranë Çervenakës përhapësin e gjuhës shqipe Gjoke shqiptarin nga Pleshishti i Mokrës etj…

***

Kriza lindore e viteve ’60-70 e ndërlikoi shumë çështjen shqiptare, mundësinë e coptimit të trojeve shqiptare e shndërroi nga një rrezik potencial në një rrezik real. Qarqet shoviniste të tri fuqive monarkike të Ballkanit: Greqia dhe Mali i Zi, zhvillonin një veprimtari të dendur diplomatike e propagandistike për të siguruar mbështetjen e Fuqive të Mëdha ndaj pretendimeve të tyre mbi trojet shqiptare. Në fillim të verës 1876 Serbia dhe Mali i Zi i shpallën luftë Perandorisë Osmane, duke shpresuar edhe përkrahjen e Rusisë. Luftë i shpalli dhe kapiteni i Mirditës Preng Bib Doda. Por Rusia nuk hyri menjëherë në luftë siç pritej. Gjithsesi situate u acarua shumë. Kjo i imponoi fuqitë e Mëdha të mblidheshin në një konferencë ndërkombëtare buzë Bosforit më 24 dhjetor 1876. Por ditën që u çel konferenca, Sulltan Abdyl Hamidi shpalli Kushtetutën dhe premtoi reforma. Por kjo manovër nuk pati rezultate, dhe me këmbënguljen e Rusisë ajo vazhdoi punimet në Londër. Ndërkaq, qeveria ruse që kishte edhe përkrahjen e Gjermanisë, vazhdoi përgatitjet për luftë kundër Turqisë. Austro-Hungaria do të qëndronte asnjanëse. Për këtë midis tyre dhe Gjermanisë më 18 mars 1877 u nënshtrua në Budapest një marrëveshje, sipas të cilës Austro-Hungaria fitonte të drejtën të pushtonte ushtarakisht Bosnjen dhe Hezegovinën. Marrëveshja e Budapestit, sado që pranonte idenë e një shteti autokton shqiptar, cënonte rëndë territoret shqiptare. Ajo i hapi rrugën Serbisë për të aneksuar krahinat e Kosovës e Malit të Zi, për aneksimin e viseve të Shqipërisë Veriore dhe Greqisë, territoret e Shqipërisë Jugore nën emrin “Vorio Epir”. Kurse krahinat lindore do të përfshiheshin brenda kufijve të shtetit sllav që do të krijohej me emrin “Rumeli”.
Po aq negative ishin edhe vendimet e Konferencës së Londrës në mars 1877, e cila nuk e mori fare në shqyrtim çështjen shqiptare. Patriotët shqiptarë me në krye Abdyl Frashërin bënë shumë përpjekje për një aleancë me Greqinë në luftë kundër sundimit osman por pa rezultat, sepse pala greke kishte synimet e veta aneksioniste. Ndërkaq ushtritë ruse pushtuan Sofjen më 4 janar 1878, më 18 Endrenë dhe më 28 arritën në Shën-Stefan, në periferi të Stambollit. Edhe ushtritë serbe marshuan drejt Vilajetit të Kosovës, kurse Malazezët pushtuan Tivarin e Ulqinin dhe dualën në brigjet e liqenit të Shkodrës dhe në Bunë. Kjo i shqetësoi Fuqitë e Mëdha, sidomos Anglinë e cila dërgoi flotën e saj në detin Marmara dhe nxiti Portën e Lartë të kërkonte armëpushimin, i cili u nënshkrua më 31 janar 1878.

***

Në këtë situate Komiteti Shqiptar i Stambollit, hoqi dorë si nga kryengritja e armatosur anti-osmane edhe nga kërkesa për pavarësi. Ai kërkoi bashkimin e gjithë trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm. Qeverisë turke kjo i interesonte për të mënjanuar shqiptarët nga kryengritjet por nuk i interesonte qeverisë greke prandaj ajo kishte krijuar një komitet Epiriot në Konfuz dhe me anë të tij zbarkoi në Lëkurës, në juglindje të qytetit të Sarandës, rreth 500 të ashtuquajtur vullnetarë Epiriot, që të kërkonin bashkimin me Greqinë. Ata pushtuan edhe Sarandën dhe u drejtuan në fshatrat e tjera, me shpresë që të ngrinin popullsinë e këtyre zonave për të kërkuar bashkimin me Greqinë. Por shqiptarët e këtyre zonave u ngritën në këmbë, rrokën armët dhe më 28 shkurt 1878 shpartalluan ushtritë greke, dhe ato që mbetën rreth 100 vetë me komandantin e tyre, u tërhoqën në Korfuz. Kjo nxorri edhe një herë në dritë vendosmërinë e qarqeve shoviniste greke ndaj pretendimeve mbi trojet shqiptare.
Edhe Traktati i Shën Stefanit, gjysmën e trojeve shqiptare ua jepte shteteve slave kurse pjesa tjetër do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Kjo i zemëroi edhe më shumë shqiptarët dhe vuri në lëvizje patriotët për krijimin e një Fronti të Bashkuar mbarëkombëtar. Ky front u krijua me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor 1878. Por kjo lidhje u shtyp me forcën e armëve nga Perandoria Osmane.


..........................................

www.illyrians.org
 
Top