Dyfytyrësia, nga prilli në tetor, dy qëndrimet e Metës për paktin detar

Dyfytyrësia, nga prilli në tetor, dy qëndrimet e Metës për paktin detar

“Dallëndyshe ktheje ndryshe”. Në prill LSI-ja deklaronte se ishte kundër marrëveshjes për kufirin detar, duke e quajtur atë vepër antikombëtare të qeverisë së Berishës, ndërsa dje Ilir Meta, duke folur si kryetar i LSI-së, si zv kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë e mbrojti atë marrëveshje, madje akuzoi opozitën se kishte “qëndrim ksenofob”, pse premtoi të ngrinte grup ekspertësh për marrëveshjen.
Për hir të transparencës ndaj publikut, atë transparencë që sot kërkohet për marrëveshjen detare, “Shekulli” po boton të plotë, dy deklaratat, atë të Ilir Metës si zv. kryeministër dhe ministër i Jashtëm, dhënë dje para Ministrisë dhe atë të Ilir Metës si kryetar i LSI-së, lexuar më 29 prill nga zv. sekretari i Përgjithshëm, Besjan Pesha:

dt. 14 tetor

“Marrëveshja, detyrim i Shqipërisë, opozita po spekulon”

“Lidhur me çështjen e shumëpërfolur së fundmi në media për marrëveshjen mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, për përcaktimin e kufirit detar dhe shelfit kontinental, dua të sqaroj se e gjithë kjo është një spekulim i pastër dhe keqinformim i opinionit publik. Për të shuar çdo aludim, keqinterpretim apo keqdashje, do të ndiqet rruga me transparencë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe do të sqarohen në mënyrë të plotë të gjitha shqetësimet dhe pretendimet e ngritura, në mënyrë qe t’u jepet fund spekulimeve dhe falsifikimeve mbi të vërtetën e kësaj çështjeje. Dua të garantoj të gjithë opinionin publik se për realizimin e kësaj marrëveshjeje, e cila është një detyrim ndërkombëtar i Shqipërisë që rrjedh nga aderimi i saj në Konventën e Detit, janë angazhuar specialistët më të mirë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme dhe institucioneve të tjera dhe janë ndjekur në mënyrë strikte të gjitha rregullat dhe procedurat që parashikon legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar. Dua të shpreh keqardhjen time të thellë për trajtimin që lidershipi i opozitës i ka bërë kësaj çështjeje, duke hyrë në një rrugë pa krye e të rrezikshme që nxit ndjenjat e ksenofobisë ndaj vendeve fqinje, rikthen frymën e konfliktualitetit dhe izolimit në politikën rajonale të paqes dhe stabilitetit që Shqipëria në vazhdimësi ka ndjekur në rajon, duke synuar cenimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes vendit tonë dhe Greqisë. Ftoj opozitën të gjykojë me kthjelltësi dhe pa emocione, si dhe të ndjekë rrugën institucionale për realizimin e transparencës së plotë të kësaj çështjeje, duke u distancuar nga frymëzimet ekstremiste që cenojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, sikurse mund të jenë thirrjet për djegien publike të flamujve kombëtarë të vendeve fqinje, apo siç është edhe rasti në fjalë, pasi epoka e nacionalizmit dhe ekstremizmit në Ballkan ka përfunduar dhe raste të tilla janë episodike dhe të nxitura nga qarqe që kërkojnë të na kthejnë pas, apo që për arsye të mbijetesës së tyre nxisin këtë frymë regresive. Nuk është dhe nuk mund të jetë kjo, linja e politikës sonë të jashtme, e cila ka si objektiv kryesor integrimin e vendit dhe të gjithë rajonit në rrjedhat dhe institucionet Euro -Atlantike dhe Bashkimin Evropian. Qeveria shqiptare është e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet e saj ndërkombëtare dhe ato kushtetuese, duke garantuar në çdo rast dhe mbi të gjitha, sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë. U bëj edhe njëherë thirrje të gjitha palëve të interesuara dhe veçanërisht opozitës, të bëhen pjesë e transparencës mbi këtë çështje dhe të mos krijojnë me qëllim apo pa dashje emocione të dëmshme, por të respektojnë punën e ekspertëve dhe legjitimitetin e saj.

29 prill

Deklarata e zëvendëssekretarit të përgjithshëm të LSI-së, Besjan Pesha

“Jo! – marrëveshjes së fshehtë dhe grabitqare të Sali Berishës”

Ndihem shumë i indinjuar dhe i fyer sot, në rradhë të parë si shqiptar dhe mbi të gjitha si vlonjate, nga marrëveshja e fshehtë dhe grabitqare që Sali Berisha dhe qeveria e tij antikombëtare ka nënshkruar me shtetin Grek për delimitimin e territorit ujor. Siç është bërë e ditur nga mediat shqiptare, kjo marrëveshje parashikon faljen e 220 km2 territor ujor nga ana e Sali Berishës shtetit grek. Është e papranueshme, jo vetëm për popullin e Vlorës, por për të gjithë shqiptarët që Berisha të sillet me Shqipërinë sikur ajo të ishte prona e tij private, të cilën mund t’ia shesë apo t’ia falë kujt të dojë dhe si të dojë pa informuar më parë dhe pa marrë mendimin e shqiptarëve. Territoret ujore të vendit tonë, qofshin ato pranë Karaburunit, pranë Sazanit apo pranë Ksamilit nuk janë dhe s’kanë për të qenë kurrë mjet pazari personal midis Berishës dhe Karamanlisit, por duhet të jenë siç kanë qenë në jetë të jetëve mjet për përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe pasuri e tyre e patjetërsueshme. Tokat dhe detet rreth Shqipërisë kanë qenë, janë dhe do të jenë pjesë e pasurisë kombëtare shqiptare dhe ne nuk do të lejojmë kurrë asnjë flamur të huaj që të valëvitet mbi to. Gjaku shqiptar i derdhur në vite për mbrojtjen e kufijve, nuk do të mohohet dot kurrë nga Sali Berisha, i cili po tregon se është gati ta shesë dhe vendin për një përkëdheli greke.
Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por dhe në emër të gjithë shqiptarisë i bëj thirrje Sali Berishës që urgjentisht ta bëjë transparente këtë marrëveshje të pistë, që i ngjan për nga përmasat marrëveshjes për shitjen e vendit nga Ahmet Zogu. Kjo marrëveshje duhet t’ju vihet në dispozicion të gjithë shqiptareve dhe janë ata dhe vetëm ata, që mund të vendosin se si do të përdoren territoret tona ujore. Unë, si drejtues i LSI-së për Qarkun e Vlorës, nuk do të rresht kurrë së foluri, denoncuari dhe vepruari kundër kësaj marrëveshjeje të pistë dhe antikombëtare. Në vend që në bisedimet me Greqinë të shtrohej dhe të kërkohej zgjidhje për çështjen çame, për çështjen e pronave të shqiptarëve në Greqi, për të drejtat e emigrantëve tanë aty, për çështjen e gjendjes së luftës dhe çështje të tjera në interes të Shqipërisë, Berisha pranon pa kushte pushtimin në tavolinë të 220 km2 territor ujor. Sali Berisha sapo na dha të gjithëve edhe një shembull tjetër të antishqiptarizmit të tij, shembull që tregon qartë se ai është i gatshëm ta shesë Shqipërinë te Greqia apo çdo ofrues tjetër për një mandat tjetër qeverisës. U bëj thirrje të gjithë vlonjateve, që të reflektojnë për këtë akt të turpshëm të Berishës dhe i bëj thirrje të gjithë spektrit politik shqiptar, faktorëve të shoqërisë civile dhe medias që të reagojnë menjëherë dhe pareshtur deri në zbardhjen dhe anulimin e kësaj marrëveshjeje antikombëtare.

Dispozitat kushtetuese e ligjore ku duhet mbështetur mosratifikimi i Paktit Detar

Urime, për punën shumë të mirë që po bëni! E kam ndjekur aktivitetin tuaj edhe sot me anë të gazetës. Falënderojeni Kolonel Pashën nga ana ime dhe e gjithë shqiptarëve që ju lexojnë nga larg.

Për mendimin tim, duhet urgjentisht që Presidenti i Republikës të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për verifikimin e kushtetuetshmërisë së marrëveshjes. Ja ç’thotë ligji për procedurën para ratifikimit.

Procedura për shqyrtimin e pajtueshmërisë së ligjeve ose të akteve të tjera normative me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare

Neni 52

Gjykata Kushtetuese shqyrton pajtueshmërinë me Kushtetutën të marrëveshjeve ndërkombëtare para ratifikimit.

Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje për shqyrtimin e këtyre çështjeve vetëm pasi bëhet kërkesë nga subjektet e parashikuara në nenin 134 shkronjat “a”, “b”, “c”, e “ç” të Kushtetutës, si dhe nga subjektet e parashikuara në shkronjat “dh”, “e”, “ë” e “f” të Kushtetutës, për çështje që lidhen me interesat e tyre.

Në rast se çështja ka kaluar në seancë plenare, pezullohen procedurat për ratifikimin e marrëveshjes. Shqyrtimi i kërkesës përfundon brenda 1 muaji nga data e paraqitjes së saj.

Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos papajtueshmërinë e marrëveshjes ndërkombëtare me Kushtetutën, ajo nuk mund të ratifikohet.

Neni 53

Marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat janë ratifikuar para hyrjes në fuqi të Kushtetutës dhe që janë të papajtueshme me të, mund të paraqiten në Gjykatën Kushtetuese vetëm nga Këshilli i Ministrave.

Në rast se Gjykata Kushtetuese konstaton se marrëveshja ndërkombëtare e ratifikuar me ligj përmban dispozita që bien në kundërshtim me Kushtetutën, ajo vendos shfuqizimin e aktit të ratifikimit të saj.

Neni 134

Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje vetëm me kërkesë të:
a) Presidentit të Republikës;
b) Kryeministrit;
c) jo më pak se një së pestës së deputetëve;
ç) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit;
d) çdo gjykate sipas rastit të nenit 145 pika 2 të kësaj Kushtetute;
dh) Avokatit të Popullit;
e) organeve të qeverisjes vendore;
ë) organeve të bashkësive fetare;
f) partive politike dhe organizatave të tjera;
g) individëve.
Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët “dh”, “e”, “ë”, “f” dhe “g” të paragrafit 1 të këtij neni mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.

Stacionet dhe rrjeti i shtrirë në tre kontinente kalon në Otranton shqiptare

Territori që qeveria do t’i kalojë Greqisë, nisur nga viti 2012, do të jetë një nga nyjat e rrjetit të energjisë së “pastër”

Zbulohet vlera e hapësirës ujore të territorit shqiptar, të cilin së shpejti mund ta përvetësojë shteti grek. Pjesa e dizenjuar në marrëveshje, jo shumë larg në kohë, do të jetë një urë lidhëse midis gadishullit Ballkanik dhe pjesës tjetër të Evropës, për përçimin e një prej motorrëve më të fuqishëm të botës së industrializuar, të energjisë. Bëhet fjalë për projektin më të madh prodhimit dhe shpërndarjes të energjisë së të ardhmes, i kryer ndonjëherë, falë bashkëpunimit të dhjetëra shteteve në tre kontinente.

Në një projekt të iniciuar nga presidenti francez, Sarkozy, për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme dhe infrastukturës së rrjetit shpërndarës së kësaj energjie drejt Evropës, vihet re se një nga degëzimet kalon në kanalin e Otrantos, në territorin detar shqiptar. Është pikërisht, ajo pjesë detare e territorit shqiptar, e ndodhur në detin Jon, e cila sipas marrëveshjes mes dy qeverive, shqiptare dhe helene, mund t’i kalojë së shpejti shtetit grek. Duket se nëse territori detar në fjalë do t’i kalojë shtetit grek, atëherë Shqipëria nuk do të arrijë të shijojë atë që i takon nga “torta” e madhe e revolucionit diellor, që do të udhëheqë ekonominë e së ardhmes.

Prej muajsh në mediat shqiptare po përflitet marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke, për kalimin në favor të Greqisë të rreth 354.4 kilometrave katrorë nga ujërat detare të territorit tonë. Një marrëveshje aq e përfolur dhe e lakuar edhe nga shoqëria civile. Janë hedhur hipoteza nga më të ndryshmet, lidhur me përfitimet e shtetit grek në këtë histori. Madje, studiues të ndryshëm shqiptarë kanë hedhur dyshimet e tyre se tabani i zonës në fjalë është naftëmbajtës. Ndërkaq, nga autoritetet e vendit tonë nuk është bërë asnjëherë e ditur se kush është arsyeja e kalimit të këtij territori detar fqinjit. Gjithashtu, nuk është sqaruar opinioni publik se çfarë përfitimesh mund të ketë shteti shqiptar apo ai helen nga kjo marrëveshje.

Iniciativa e Bashkimit të Vendeve të Mesdheut për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë së rinovueshme në të ardhmen është vendosur të startojë në vitin 2012. Është një publikim i marinës italiane i datës 25 korrik të vitit të kaluar, e cila mund të gjendet në sitin: (http.ecoblog.it). Artikulli është i ilusturar edhe me një hartë, në të cilën përshkruhen të gjitha stacionet e prodhimit të energjisë së rinovueshme në vendet e pellgut të Mesdheut dhe atyre evropiane. Po në këtë hartë është dizenjuar edhe gjithë rrjeti shpërndarës i energjisë. Stacionet e shtrira në gjithë hapësirën e shkretëtirës së Saharasë dhe të Gadishullit Arabik, janë ato të cilat do të prodhojnë kryesisht energji të marrë nga dielli.

Ndërsa në pjesën veriperëndimore të Afrikës dhe të Kontinentit Evropian vihen re stacionet e prodhimit të energjisë me anë të erës. Gjithashtu në hartë, vihet re edhe rrjeti shpërndarës i energjisë që lidh të gjitha stacionet njëra me tjetrën dhe përshkon vendet në fjalë. Një nga degëzimet e rrjetit e cila përmbledh stacione të prodhimit të energjisë diellore, të cilat ndodhen në Egjipt, kalon nëpër Detin Mesdhe, fillimisht në Kretë e pastaj në Greqinë kontinentale. Pikërisht, ky degëzim drejtohet në veriperëndim të Greqisë dhe hidhet në Itali duke kaluar në ujërat e detit Jon. Në hartë duket qartë, se në projektin e revolucionit të energjisë diellore degëzimi i rrjetit që kalon nga Greqia drejt jugut të Italisë duhet të kalojë në ujërat e territorit shqiptar. Zona ujore, ku do të kalojë rrjeti përcjellës i energjisë, përkon me ato kilometra katrorë të cilat sipas marrëveshjes së qeverisë sonë me atë helene, i kalojnë Greqisë. Autoritetet e qeverisë shqiptare dhe ato helene nuk janë shprehur lidhur me arsyen dhe strategjinë e kësaj marrëveshjeje. Por, duke ju shkëputur kjo pjesë e detit territorit shqiptar, vendi ynë humbet të ardhura financiare të përhershme që duhet të jepen si pasojë e kalimit të rrjetit brenda kufijve, derisa këta të fundit të pushojnë së ekzistuari. Kjo, pasi Shqipëria nuk do të ketë privilegjin e të qënit përfituese e kësaj nisme të Bashkimit të Vendeve të Mesdheut, nismë e cila parashikon plotësimin e nevojave energjetike të tre kontinenteve në të ardhmen, kur edhe nafta, ndoshta, do të ketë shteruar.(Shekulli)

utkHhOMwvgE

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24102. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24102

Top