Prokuroria kërkon burg për “grupin e C4”, atentate në Krujë e Fushë-Krujë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për katër personat e dyshuar për kryerjen e veprës penale “trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”, të cilët u arrestuan në Durrës me 17 janar 2014 pas një hetimi të Prokurorisë për Krimeve të Rënda.
Prokuroria kërkon nga Gjykata të vlerësojë si të ligjshëm arrestin në flagrancë për:
1.Dritan (Febjus) Dauti
2.Dashnor Dumani
3.Asllan Plaku
4.Bledar Plaku
Prokuroria sqaron se sipas informacioneve të grumbulluara shtetasi Dritan (Febjus) Dauti në bashkëpunim me shtetas të tjerë dyshohet se ka vendosur edhe herë të tjera lëndë plasëse në zonën e Fushë -Krujës dhe Krujës në objekte të ndryshme.
Febius Dauti dhe 3-4 shokë të tij mund të vendosin eksplozivë me porosi në vende të ndryshme si makina, vende publike apo kudo që të bëhet porosi kundrejt shpërblimit me para.
Sipas informacionit të përftuar, këta shtetas synonin që porositësit e tyre të ishin korrekt në pagesa për kryerjen e veprimeve të tyre.
Po ashtu, janë siguruar të dhëna se këta shtetas dyshohet se mund ta vendosnin lëndën shpërthyese edhe duke e telekomanduar shpërthimin nga distanca.
Në vijim të hetimit ka rezultuar se: “Në datë 17.01.2015 në orën 16.20 në autostradën Durrës-Tiranë, në zonën në afërsi të mbikalimit për këmbësor në Shën Vlash, u konstatuan shtetasi Fabjus ( Dritan) Dauti, një person tjetër rreth moshës 30 vjec, i cili mbante në dorë një qese të kuqe.
Në këto moment kanë ndërhyrë oficerët e policisë, të cilët kapën në duart e tij tre kallëpe, në trajtë cilindrike, me përmasa të ndryshme, të mbështjellë me natriban të zi, me dy fije të dala nga pjesa e trupit. Këto material dyshohet se janë lëndë shpërthyese e llojit eksploziv C4.
Në momentet e këmbimit të lëndës plasëse kanë qenë të pranishëm dhe janë kapur nga policia edhe shtetasit e dyshuar Dashnor Dumani, Bledar Plaku e Asllan Plaku” përfundon Prokuroria në kërkesën drejtuar gjykatës.
ORA NEWS