Drafti, Qeveria grabit pronat në bregdet

Drafti, Qeveria grabit pronat në bregdet

Pas konfliktit për pronat në Orikum, mazhoranca ka rifutur për miratim draftin që u merr tokat ish-punonjësve të NB-ve

Drafti ul me 1000 m truall, masën e kompensimit për banorët që kanë toka bujqësore në përdorim

Konflikti i fundit, i zhvilluar në qytezën bregdetare të Orikumit, ku përdoruesit e tokave të ish-ndërmarjeve bujqësore, u përfshinë në një përplasje fizike me Policinë e Shtetit, e cila i doli në mbrojtje disa pronarëve të rinj, përfshi këtu edhe shokun e ngushtë të djalit të kryeministrit Rahman Selmanllari, ka detyruar qeverinë, të rikthejë edhe një herë me emergjencë në Kuvend, një projektligj që synon të bëj disa ndryshime në ligjin “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”.

Bëhet fjalë për një draft të vjetër, të miratuar nga qeveria që dy vjet më parë, por që duket se situata e re e shfaqur në këtë zonë, por jo vetëm, ka bërë që mazhoranca ta rikthejë edhe një herë për miratim në seancë plenare. Projektligji, që është programuar të miratohet, në seancën e së enjtes së parë të dhjetorit, parashikon uljen e masës së kompensimit nga 1500 në 500 metra tokë truall, për të gjithë ato familje që kanë toka të ish-ndërmarjeve bujqësore në përdorim, qofshin këto në periferitë e qyteteve apo fshtrave, ashtu edhe ne zonat me përparësi të zhvillimit të turizmit, siç është edhe rasti i banorëve të Orikumit.

Dekreti
Drafti i rifutur në rendin e punimeve të Kuvendit, për tre javorshin e ardhshëm, kërkon të ndryshojë ligjin e vitit 1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, të përmirësuar me një shtesë të bërë me anë të dekretit të vitit 1996 të ish-presidentit të Republikës Sali Berisha, sipas të cilit, të gjitha ato familje që nuk mund të merrnin në pronësi tokat e dhëna më parë në përdorim, do të kompensoheshin nga shteti për të gjitha rastet kur ky fond tokash do të përdorej prej tij për kompensim të ish-pronarëve, apo edhe për rastet e shpronësimeve për interes publik.

Kështu, ndërsa ligji përcaktonte vetëm kategoritë e tokave që nuk mund të kalonin në pronësi të përdoruesve, dekreti i Berishës i vitit 96 caktonte masën e shpërblimit të tyre po me truall brenda zonave urbane. “Përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese ose në zonat me përparësi turizmi do të kompensohen me truall në zonat urbane ose në bregdet, në momentin që toka e tyre do të përdoret për kompensim fizik ose në rastet e ndërtimeve publike.

Masa e kompensimit do të jetë: Për familjet me mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit do të jetë deri 1 500 m2, dhe për familjet me më pak pjesëtarë, masa e kompensimit do të zbritet 200 m2 për çdo pjesëtar më pak”, – thuhej në dekretin e presidentit. Pra thënë ndryshe, për të gjitha familjet që kishin toka në përdorim në periferi te zonave te banuara dhe ne bregdet, do të duhet qe t’i linin ato për kompensim te ish-pronarëve, kundrejt një mase kompensimi, që varionte nga 1500 metra per familjet me mbi 6 pjestarë dhe duke zbritur nga 200 metra per çdo pjestar me pak.

Projektligji
Ndërkohë, projektligji i miratuar nga qeveria në 28 janar të vitit 2008, parashikon që për të gjitha këto kategori, masa e kompensimit të ulet ndjeshëm. Kështu, për të gjitha familjet me më shumë se 6 pjestarë, do të ketë një masë kompensimi me toke truall në zonat urbane prej 500 metrash. Ndërsa, për të gjitha familjet që kanë më pak banore, kjo masë kompensimi do te zbresë me 100 metra për çdo pjesëtar më pak.

Pra, në rastin e parë qeveria do t’u marrë këtyre familjeve 1000 metra, ndërkohë, që akoma më i madh është penalizimi per familjet që kanë më pak pjestarë. Në këtë mënyrë, shteti do të marrë tokat e dhëna në përdorim punonjësve të ish-ndërmarjeve bujqësore për ti kthyer në toka shtetërore, ndërsa familjet që sot i kanë ato në përdorim do të marrin si kompensim sipërfaqe gati tre herë më të vogla se ato që përcaktonte dekreti i vitit 96. Por ndryshe nga sa parashikonte ai dekret, tashmë tokat që do t’u merren këtyre banorëve, me vendimin e marrë dy ditë më parë prej qeverisë, nuk do të përdoren më për kompensim të ish-pronarëve por do të shiten prej shtetit në ankand. Nga një amendim i tillë, të parët që do të preken, natyrisht do të jenë banorët e Orikumit, të cilëve qeveria po u përgatit një grabitje të re, nëpërmjet skemës së re të kompensimit që do të përdorë për ta.

Drafti për disa ndryshime në “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”

Neni 2

Përjashtohen nga dhënia në pronësi:
1. Tokat bujqësore që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji ndodhen brenda vijës kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave të banuara.
2. Tokat bujqësore të përfshira në zonat me përparësi turizmin, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.88, datë 1.3.1993 “Për miratimin e zonave që kanë përparësi turizmin”.

Neni 3

Tokat bujqësore që nuk kalojnë në pronësi private në rastet e parashikuara në nenin e mësipërm, mbeten pronë shtetërore.

“Neni 3/1 (ndryshimi)
1. Përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt, të vitit 1996, kompensohen me truall në zonat urbane, në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.
Kompensimi në truall të bëhet si më poshtë vijon:
a) Për familjet mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit të jerë deri në 500 m2 ;
b) Për familjet me më pak pjesëtarë, të zbritet 100 m2 për çdo pjesëtar më pak në përputhje me të dhënat e regjistrit të gjendjes civile, të datës 31.12.1995.

2. Përdoruesit e tokës bujqësore brenda vijave kufizuese të zonës me përparësi turizmin, të përcaktuara sipas vendimit nr.88, datë 1.3.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e zonave që kanë përparësi zhvillimin e turizmit”, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt, të vitit 1996, të kompensohen me truall në zonë turistike, në çastin, që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.
Kompensimi në truall të bëhet:
a) Për familjet mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit të jetë deri 500 m2;
b) Për familjet me më pak pjesëtarë, zbritet 100 m2 për çdo pjesëtar më pak, në përputhje me të dhënat e regjistrit të gjendjes civile, të datës 31.12.1995.

3. Kalimi i tokës së përdoruesve, për kompensim fizik, për subjektet e shpronësuara, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa kalimi i tokës së përdoruesve, për ndërtime publike, bëhet, sipas rastit, me vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të qarkut ose të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për urbanistikën.
4. Vendi i kompensimit me truall për përdoruesit e tokës bujqësore përcaktohet:
a) Në zonat turistike bregdetare, nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore në territorin, ku ndodhet toka që kalon për kompensim, sipas procedurave, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
b) Në zonat periferike të qyteteve dhe qendrave urbane, nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore, ku ndodhet toka e kaluar për kompensim, pas përfundimit të procesit të legalizimit nga ALUIZNI.
5. Mbajtësit në përdorim të këtyre kategorive të tokave bujqësore të paraqesin në zyrat rajonale të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave (AKKP) dokumentet, që vërtetojnë marrjen dhe ekzistencën e tokës në përdorim.
Zyrat rajonale të AKKP-së kryejnë kalimin e dokumentacionit për kompensim me truall sipas procedurave dhe afateve, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Shpallur me dekretin nr.1343, datë 3.1.1996 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

DEKRETI NR.1431, DATË 27.3.1996

Neni 1

Në ligjin nr.8053, datë 21.12.1995, pas nenit 3, shtohet neni 3/1 me këtë përmbajtje:
“Përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese ose në zonat me përparësi turizmi do të kompensohen me truall në zonat urbane ose në bregdet, në momentin që toka e tyre do të përdoret për kompensim fizik ose në rastet e ndërtimeve publike.
Masa e kompensimit do të jetë:
- Për familjet mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit do të jetë deri 1 500 m2.
- Për familjet me më pak pjesëtarë, masa e kompensimit do të zbritet 200 m2 për çdo pjesëtar më pak.
Përdoruesit e këtyre kategorive të tokave bujqësore do të paraqesin në komisionet shtetërore të kthimit dhe kompensimit të pronave dokumentet që vërtetojnë marrjen e tokës në përdorim, në afatet që përcaktohen në ligjet për kthimin dhe kompensimin e pronave”.

PRESIDENTI I REPUBLIKËS
Sali Berisha
(Shekulli)

k5cVOuKo_V8

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=26732. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=26732

Top