Dosja Gërdeci, fshihet emri i Mediut

Dosja Gërdeci, fshihet emri i Mediut

Ndryshohet kërkesa për gjykim. Dokumentet që implikojnë ish-ministrin arkivohen

Shfryhet dosja “Gërdeci”. Qindra dokumente, që shërbenin si provë për të faktuar se shpërthimi i 15 marsit 2008 erdhi si pasojë e një vepre penale, janë arkivuar në gjykatë dhe prokurori. Si rrjedhojë, asnjë dokument që bënte fjalë për abuzimet e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për këtë ngjarje, nuk mund të përdoret nga prokuroria e gjykata për çështjen me 29 të pandehur. Grupi i prokurorëve ka hequr nga dosja voluminoze urdhrat e ish-ministrit për ndërtimin e fabrikës së Gërdecit. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, krerët e akuzës qendrore kanë zhvilluar disa ditë më parë analiza me prokurorët që do të përfaqësojnë akuzën në gjykatë në gjyqin e Gërdecit. Janë dhënë urdhra, që dokumente që sipas prokurorisë vërtetojnë se ish-ministri i Mbrojtjes ishte një nga përgjegjësit e shpërthimit, të mos përdoren në gjyqin që po zhvillohet në Shkallën e Parë dhe të arkivohen. Kjo pasi për dosjen në fjalë është shprehur një herë një gjykatë. Meqenëse ish-ministri nuk ndiqet penalisht për këtë ngjarje, pasi ka fituar imunitetin nga zgjedhjet e fundit, prokuroria është e detyruar të tërheqë fashikujt e hetimit, duke “fshirë” në dosjen aktuale emrin e Mediut.

Kërkesa për gjykim

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se tërheqja e fashikujve të hetimit që bënin fjalë për abuzimet e ish-ministrit ka sjellë si pasojë ndryshimin e kërkesës për gjykim. Pritet që katër prokurorët e dosjes të lexojnë një variant tjetër të kërkesës për gjykim nga ajo që është dërguar në Gjykatën e Lartë. Një gjë e tillë realizohet pasi Gjykata e Lartë pushoi çështjen e ish-ministrit, ndërsa të pandehurit që nuk gëzojnë asnjë status do tu duhet të përballen me Gjykatën e Tiranës për të gjitha faktet. Në këtë rast, prokuroria do të jetë e kushtëzuar me provat, ndërsa do ti paraqesë gjykatës vetëm dokumente ku janë të përfshirë në afera vetëm 29 të pandehurit aktualë. Një tjetër problem për trupën e prokurorëve është akuza e bashkëpunimit. Fillimisht Mediu u akuza për shpërdorim të detyrës dhe favorizimit të shoqërive të caktuara, në bashkëpunim me ish-stafin e tij në Ministrinë e Mbrojtjes. Por problem i vërtetë për akuzën do të jetë faktimi i akuzave ndaj personave që kanë punuar në ministri, pasi të gjithë të pandehurit kishin bashkëpunuar me Mediun. Akuza duhet të bëjë një selektim të dokumenteve, nga ku mund të përfitojnë pikërisht bashkëpunëtorët e Mediut. Në rastin e katër personave që ndodhen nën masën e arrestit me burg, prokuroria e ka të lehtë faktimin e akuzave, pasi ata akuzohen për vrasje masive dhe mosrespektim të rregullave mbrojtëse për demontimin e municioneve. Duket se në Gjykatën e Tiranës do të ketë një betejë të fortë ligjore midis prokurorisë dhe 29 të pandehurve, të cilët do të kundërshtojnë çdo përpjekje të akuzës për të faktuar ngjarjen e 15 marsit 2005. Pas pushimit të çështjes së Mediut, avokatët kanë fituar vetëm një “betejë”.

Supergjyqi

Procesi kundër personave, që sipas prokurorisë kanë shkaktuar tragjedinë e Gërdecit, ka hyrë në një fazë procedurale. Avokatët e 29 të pandehurve po përdorin të gjitha mjetet ligjore për të anashkaluar leximin e kërkesës për gjykim, çka do të thoshte hapjen e procesit gjyqësor. Fillimisht, avokatët kërkuan që çështja të ndahet. Ish-ushtarakët e marrë të pandehur kërkuan që të mos gjykohen në një sallë gjyqi me katër personat që ndodhen në burg, pasi nuk kanë kurrfarë lidhjeje me ta. Por prokuroria i kundërshtoi dhe në fund gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë që gjykimi të mos ndahet. Më pas disa avokatë kërkuan që gjyqi të zhvillohet me dyer të mbyllura, pasi kishin sekrete, ndërsa të tjerë po mundohen që të lidhin çështjen e Gërdecit me një tjetër superdosje, atë të Durrës-Kukës. Një nga të pandehurit, pikërisht ish-ushtaraku Ndue Marku, i liruar nga detyra pas tragjedisë së Gërdecit, do të kërkonte në seancën e fundit pushimin e akuzave ndaj tij, duke marrë si shembull pikërisht rastin “Basha” dhe “Toma”, të cilët nuk u gjykuan për faktet në dosje, pasi prokuroria i kishte marrë të pandehur pasi kishin përfunduar afatet e paraburgimit. Me këtë argument i pandehuri Marku i është drejtuar kryetarit të trupit gjykues, ndërsa dhjetëra avokatë parashtruan se kemi të bëjmë me një gabim nga prokuroria dhe kërkuan njëzëri pushimin e akuzave. Të tjerët këmbëngulën se procesi është i parregullt ligjërisht, pasi janë njohur me aktet hetimore vetëm me DVD. Avokati i Ylli Pinarit këmbënguli se prokuroria nuk ka verifikuar një informacion, sipas të cilit, persona të veçantë kishin vënë mina me sahat në fabrikën e demontimit në Gërdec, ndërsa shtoi se akuza nuk ka verifikuar materialin që është servirur nga drejtori i Policisë së Shtetit. Duket se të gjitha manovrat e kanë një qëllim: shtyrjen sa më shumë të procesit.(Shqip)

Ndc_oFXsND4

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23913. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23913

Top