Dolli per Diktaturen!

Dolli per Diktaturen!

Autoritarizmi si korrupsion në "antikorrupsion"

Andrea Stefani

"Shteti jam unë, partia jam unë, demokracia jam unë, drejtësia jam unë, ligji jam unë, Kushtetuta jam unë, antikorrupsioni jam unë, patriotizmi jam unë, madje unë jam edhe kombi, populli, liria dhe pavarësia. Çdo gjë që unë prek shndërrohet automatikisht në diçka atdhetare nëse unë dua që ajo të shpallet e tillë, qoftë kjo kontrabandë apo korrupsion. Por unë jam edhe më shumë se një Midas i patriotizmit, sepse kam pushtet jo vetëm ta shpall të keqen të mirë, por edhe të mirën të keqe, kam mjeshtëri që patriotin ta bëj tradhtar, kushtetuesen ta paraqes si antikushtetuese, etjen për pushtet si etje për liri, luftën kundër medias kritike ndaj meje si luftë kundër evazionit, flakjet e njerëzve nga puna si "reformë" dhe punësimin e fanatikëve të paaftë si "meritokraci", sakrifikimin e shtetit si mbrojtje të shtetit. Unë kam forcën madhore të përbalt ndershmërinë dhe të ngre në piedestalin e nderit, poshtërsinë. Askush nuk mund t‘i bëjë ballë magjisë dhe muskujve të autoritetit tim.

Të gjithë dridhen para forcës sime faranike, sepse fati dhe dinjiteti i tyre, janë të epshme në duart e mia si ajo balta në duart e poçarit". Kjo është kredoja, krenaria e fshehtë e Kryeministrit dhe (prej 18 vjetësh) zotit të përjetshëm politik të "së djathtës", Sali Berisha. Një kredo e pa shqiptuar, por e demonstruar gjithnjë e më me arrogancë në punët e qeverisjes dhe të shtetit, pjellë e një kulti antiliri dhe shumë anakronik për kohën, për një parti dhe për një sistem që shpallen demokratike, ves i një kulti të rrezikshëm që po konkurron denjësisht me atë të ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha. Dhe si i tillë, ky kult autoritarist, pikërisht ashtu sikundër qe parathënë, nuk mund të mos gjeneronte korrupsion me të ardhur në pushtet. Sepse gjithçka që del mbi ligjet e një shteti, edhe pse e veshur me flamurin e antikorrupsionit apo të patriotizmit, është e dënuar të jetë e jashtëligjshme, të jetë rrënja e korrupsionit edhe në "antikorrupsion".


***

Ai që po cilësohet si skandali i rrugës Durrës-Kukës, është në fakt rrjedhojë e drejtpërdrejtë e arrogancës autoritariste të Kryeministrit, arrogancë që është manifestuar me shkelje të ligjeve të vendit dhe deri transplantimin e habitshëm të ligjeve angleze. Kjo akrobaci juridike do të ishte krejt e panevojshme nëse qeveria do të kishte prirjen të vepronte me ligj. Ndryshe nuk ka sesi shpjegohet që në vend të amendimit të ligjit të prokurimeve që nuk parashikonte zbatimin e kontratës me çmime për njësi, qeveria preferoi ta bëjë të ligjshme këtë tip kontrate duke importuar një ligj nga Britania. Përse ky fiflak juridik qesharak dhe pa precedent? Eshtë thjesht arrogancë berishiste e tipit ‘unë nuk pyes për ligj‘? Apo qeveria dhe mazhoranca nuk donin një amendim të ligjit, sepse një gjë e tillë do pengonte t‘i bënin punët ashtu si i kanë bërë pra, duke krijuar premisa korrupsioni dhe grabitje të parave publike ? Apo mos ndoshta në momentin që do të tentonin amendimin e ligjit, nuk gëzonin mbështetjen e opozitës, sikundër përflitet? Por edhe në qoftë kështu, a nuk është burimi kryesor i konfliktualitetit me opozitën, autoritarizmi agresiv i Kryeministrit Berisha? Dhe a nuk do të qe e tërë kjo histori, një shembull tjetër i bumerangut apo kostos politike që herët a vonë, do të detyrohet të vuajë autoritarizmi?

Mosparaqitja e ministrit Basha në prokurori me pretekstin se nuk ka kohë (ndërsa shpenzon shumë kohë në debate televizive) është një formë arrogance e pacipë autoritariste, është një nga format e dhunës (a nuk janë të tilla shpesh mospërfillja dhe përbuzja?) të ekzekutivit mbi pushtetin e ligjit. Por brenda kësaj arrogance, fshihet frika për t‘u ballafaquar me ligjin dhe drejtësinë. Ndërkaq, ky akt, bie ndesh me të gjithë angazhimet dhe betimet e Berishës, para se të rimerrte pushtetin, se të gjithë deputetët e PD nuk do të përdornin imunitetin për t‘iu shmangur ligjit. Konsekuent i strategjisë së tij autoritariste për kapjen e të gjitha pushteteve dhe mposhtjen e çdo opozite apo kritike, Berisha po përpiqet ta kthejë kundër opozitës duke politizuar kërkesën normale që një ministër të paraqitet në prokurori. Ai po e kushtëzon vajtjen e Bashës në prokurori, me një çështje tjetër që s‘ka të bëjë fare me të, me çështjen e heqjes së imunitetit për të gjithë deputetët pra, edhe për opozitën. Berisha bën sikur nuk e kupton që imuniteti, është shpikur që të mbrojë pakicat politike nga shumica dhe pushteti i saj. Aq më tepër kur në pushtet, ndodhet një Kryeministër autoritarist si Berisha që ka kapur të gjitha pushtetet dhe shumë shpejt, mund të kapë edhe atë të Kryeprokurorit. Në këtë kuptim, opozita ka të gjithë të drejtën politike ta kundërshtojë një iniciativë të tillë në thelb antikushtetuese, pa u trembur nga akuzat e pritshme se është e korruptuar.

Heqjen në bllok të imunitetit nga deputetët, mund ta bëjë Gjermania, por atje, nuk është drejtësia që shkon te Helmut Koli, por Helmut Koli që shkon para drejtësisë. Atje ka prokurorë dhe gjykatës të lirë e të pavarur me integritet të tillë profesional që nuk duan t‘ia dinë për planet politike të Kryeministrit. Ndërkaq, nuk duhet harruar se imuniteti, si nocion juridik dhe praktikë politike, nuk është shpikur për të mbrojtur opozitat e korruptuara, por për të penguar lakmitë autoritariste të pushteteve dhe shumicave në pushtet. Pikërisht këtë pengesë do të dërrmojë Berisha duke spekuluar me nevojën e një "antikorrupsioni" tashmë qartas të korruptuar. Por le të pranojmë për një moment që opozita, nuk do të heqë dorë nga imuniteti, sepse është e korruptuar. Po pastaj, mos duhet të shërbejë kjo si pretekst që ministri Basha të mos u paraqitet në prokurori? Në ndodhtë kështu, a nuk do të çonte lëvizja politike e shumicës për heqjen e imunitetit të të gjithë deputetëve, në bllokim dhe në mos-heqjen e asnjë imuniteti? Në favor të kujt do të ishte ky rezultat i strategjisë autoritariste të Berishës, në favor të korrupsionit apo antikorrupsionit? Pushteti nuk duhet të gjejë te sjellja e opozitës një pretekst për të mos u ballafaquar me ligjin. Ai duhet të dërgojë njerëzit e vet para ligjit kur e kërkon ligji duke dëshmuar vullnetin e vet për të luftuar korrupsionin. Dhe ka një shkak më shumë për ta bërë këtë. Sepse përsëri nuk duhet harruar që korrupsioni, në të gjitha kohët, e ngre folenë në pullazet e pushtetit.


***

Mund të gjenden shembuj të shumtë që provojnë se autoritarizmi duke qenë antiliri është edhe antiligj dhe duke qenë antiligj, nuk mund të mos jetë edhe antipatriotik. Dihet që përgjithësisht ligjet e sotme shqiptare, janë hartuar sipas standardeve perëndimore. Ato kanë në thelbin e tyre lirinë e njerëzve dhe bizneseve. Kjo e bën të pashmangshme përplasjen e autoritarizmit me ligjin që, duke qenë sanksionim i lirisë së njerëzve dhe bizneseve, është edhe garantues i marrëdhënies kryesore mes tyre që është konkurrenca. Por pikërisht konkurrenca që ligji rreket ta mbrojë, shfaqet si një nga armiqtë kryesorë të autoritarizmit. Jo rastësisht, gjëja e parë që bën një lider autoritarist, është mbytja e konkurrencës në partinë e tij. A nuk ka bërë kështu Berisha? Më pas kulti autoritarist nuk mund të funksionojë, nuk mund të ushqehet dhe të fryhet, nëse lejon konkurrencën. Me marrjen e pushtetit, kjo nevojë vitale e autoritarizmit për të mbytur konkurrencën brenda partisë, përhapet edhe në shtet. Sepse duhen përkrahur ato biznese që mbështesin pushtetin, ndërkohë që jo të gjitha ato, janë më të aftat për të dalë fituese në një konkurrencë të pastër. Konkurrenca nis të sabotohet me favorizime dhe pseudo-tendera. Duhen mbështetur njerëz që duartrokasin me fanatizëm pushtetin dhe qeverinë dhe këta, në shumicën e rasteve, nuk janë ata të aftit që mund të triumfojnë me anë të konkurrencës së lirë. Përsëri konkurrenca dhunohet nga hatëret, nepotizmat, klanizmat.

Por pas ardhjes në pushtet, nevojës politike që autoritarizmi ka për të mbytur konkurrencën i shtohet etja për fitim, sepse paraja dhe ari, ky dërrmues i përbotshëm, vepron mbi shpirtrat e pushtetarëve si ndryshku mbi hekurin. Edhe kur këta kanë ardhur në fuqi me premtimin për të luftuar korrupsionin. Por edhe paraja është një mjet jo pak i rëndësishëm në mbajtjen dhe forcimin e pushtetit sa më e korruptuar të jetë shoqëria dhe institucionet e saj. Ndaj ndryshe nga sa premtoi, autoritarizmi i Berishës ka bërë aleancë me korrupsionin e në radhë të parë me korrupsionin e ri të qeverisë "Berisha". Prandaj është tretur ajo gatishmëri idealiste për t‘u ballafaquar me ligjin që njerëzit në pushtet dhe lideri i tyre Berisha premtonin sa pa vënë vithet në kolltuqe. Por evidente është edhe aleanca e Berishës me segmente të korrupsionit të vjetër. Fakte? Po çfarë është "kompromisi historik" i Berishës me "padrinon", "kumarxhiun", "trafikantin", "kriminelin", "vrasësin", "kryeministrin e korrupsionit" Fatos Nano? Vërtet Berisha mund të besojë për veten se është Midas, se Nanon mund ta shndërrojë si t‘ia dojë mideja nga "të korruptuar" në "paqeruajtës" por, e gjithë kjo, është një "magji" që nuk funksionon për shumicën e shqiptarëve. Ata që janë emancipuar nuk mund të besojnë më që një lider të ketë gjithnjë të drejtë si Duçja apo Enveri. Ky i fundit kishte të drejtë edhe kur e puthte edhe kur e shante Titon, edhe kur e puthte edhe kur e shante Hrushovin, edhe kur e puthte edhe kur e shante Maon, edhe kur e puthte edhe kur e pushkatonte apo "vetëvriste" Xoxen, Spirun, Shehun, Ballukun, Dumen dhe shumë të tjerë.

Dhe është alarmante të shohësh se 18 vjet pas përmbysjes së komunizmit dhe kultit të Hoxhës, realiteti shqiptar ka pjellë përsëri një lider që i interpreton sipas dëshirave të tij situatat dhe njerëzit. Nano dje qe i keq, sepse kështu thoshte Berisha, sot është i mirë se kështu do Berisha, dje blerja e energjisë nga KESH me 42 euro për 1000 kilovatorë ishte korrupsion, por sot, që Berisha është në qeveri, blerja e energjisë me rreth 85 euro për 1000 kilovatorë është "patriotizëm", kur Berisha ishte në opozitë mungesa e dritave deri 4 orë ishte paaftësi qeverisëse dhe korrupsion, sot kur Berisha është në qeveri mungesa e dritave deri 14 orë është thjesht "fatkeqësi" natyrore. Po, për një gjë Berisha ka të drejtë. Historia duhet t‘i ndihmojë shqiptarët të emancipohen nga kultet politike duke goditur më qartë dhe prerë kultin e diktatorit Hoxha, duke denoncuar edhe gjymtimet që ka shkaktuar në trutë e shqiptarëve sundimi i tij 40-vjeçar. Një nga këto gjymtime është paaftësia e tyre për të qenë njerëz të lirë. Dhe duke bërë këtë, do t‘i ndihmojë të çlirohen edhe nga nënshtrimi që ju imponojnë kultet politike pas-enveriane si ato të Berishës. Duke goditur kultin e shëmtuar të Enverit, historia do t‘i ndihmojë shqiptarët të godasin kultin poshtërues të Berishës.


***

Është e habitshme sesi një shoqëri nuk neveritet nga akrobacira të tilla, kur i njëjti lider atë që e shpallte dje të bardhë sot e bën të zezë dhe anasjelltas. Sepse kjo nuk është politikë, as diplomaci, por pafytyrësi. Dhe kuptueshëm kjo nuk ka të bëjë fare me ndonjë aftësi të veçantë, aq më tepër magjike, të Berishës apo me ndonjë gojëtari a propagandë të stërholluar. Përgjithësisht ato që thotë janë në nivelin mediokër. Por pikërisht për këtë gjejnë mbështetje më lehtë. Sepse shumë pasues të tij shohin te ky mediokritet, zbritjen e pushtetit në nivelin e tyre mediokër. Berishën e ndihmon edhe tradita e rrënjosur e konformizimit total me liderin. Por përveç traditës së vetënënshtrimit që mbetet e fuqishme mes shqiptarëve, kanë hyrë në lojë faktorë të rinj. Në radhë të parë është tendenca e arratisjes nga liria dhe sfidat e saj që i bëjnë mjaft njerëz të kërkojnë strehë dhe mbrojtje diku. Njëra nga këto strehëza antiliri, është autoritarizmi, nënshtrimi ndaj një lideri autoritar si Berisha.

Kjo arratisje nga liria është akoma më masive në një vend si Shqipëria ku demokracia më shumë se u ngjiz brenda vendit, u importua nga jashtë në momentin historik të kolapsit të mbarë sistemit të socializmit real. Demokracia më shumë se u fitua nga shqiptarët, është një dhuratë që atyre u bëri historia. Dhe atë që nuk e ke fituar, në jo pak raste, nuk të vjen shumë keq kur e humbet. Aftësia e Berishës si politikan është se po maksimalizon në favor të kultit dhe pushtetit të tij, tërë këtë traditë vetëskllavërimi dhe këtë lodhje të shqiptarëve nga një liri e vështirë që është bërë edhe më e vështirë, për shkak të politikanëve si Berisha. Por natyrisht, ai ka edhe mjaft bashkëpunëtorë që e ndihmojnë në këtë mision skllavërues. Janë të gjithë ata që dikur pasi Berisha i përzuri me shkelma nga PD, e shanin dhe e mallkonin autoritaristin Berisha, por më vonë, kur nisën të ndiejnë avujt dehës të pushtetit, e ndërruan gjuhën dhe nisën të propagandojnë Berishën ndryshe. Berisha që i kish denoncuar si "agjentë", "tradhtarë", "të korruptuar" e "karrigethyer" i shpalli të mirë dhe ata, nga ana e tyre, thanë se Berisha nuk ishte më ai tirani dhe autoritaristi, por se kish ndryshuar.

Janë të gjithë gencërit, zogëria dhe xhuvelëria e qeverisjes së sotme që punon dhe "ua mbush mendjen" ndërkombëtarëve dhe "qytetarëve" se Berisha po lufton krimin dhe korrupsionin në një kohë që krimi përgjak rrugët e Shqipërisë dhe korrupsioni përmbyt buxhetin e shtetit dhe xhepat e varfër të qytetarëve. Ky është truri i klaneve të reja që përfiton më shumë ekonomikisht nga kulti i Berishës. Por pas klaneve që mbështillen rreth Berishës, vjen masa e gjerë e fanatikëve me tru të mbyllur që nuk mendojnë. Pavarësisht si qeveris Berisha, edhe sikur të mos kemi drita 24 orë pas një premtimi për 24 orë drita, për ta ai do të mbetet lideri historik i shqiptarëve. Dhe po deshi Berisha, i tillë është do të jetë për ta edhe Nano edhe pse ishin po ata që pak vite më parë, në shtator ‘98, desh e vranë Nanon të nxitur nga thirrjet e Berishës kundër Nanos. Për këto viktima pa tru që shpëtimin e gjejnë jo te liria e tyre, por te nënshtrimi, Berisha duhet të qeverisë jo vetëm deri në 2013, por deri sa të ketë ymër. Tamam si Enveri. Por a nuk kërkon demokracia qarkullim të elitave, të liderëve, pushteteve? Edhe këtë e kanë zgjidhur. Shqipëria përsëri do të ecë drejt Evropës në rrugë të pashkelura nga Evropa.

Ndërsa Enveri e ndërtoi "socializmin" në një vend të vetëm dhe të vogël, ne do ndërtojmë "demokracinë" me një lider të vetëm, por "të madh". Dhe le të themi se Berisha do të qeverisë deri në 2013 sikundër edhe e ka shpallur publikisht ambicien e tij. Deri në atë kohë do t‘i jenë bërë rreth 25 vjet në krye të partisë dhe të shtetit. Dhe pa dyshim përvjetori do të festohet në Tiranë me fishekzjarrë, që do të ndriçojnë në faqen e malit të Dajtit jubileun e XXV të Berishës. Vërtet do të ketë disa që X-et e vjetra në faqen e Dajtit, do t‘u duken si ato të përvjetorëve të Enverit apo si hekura a tela me gjemba, por nuk do të guxojnë ta thonë dhe do të bëjnë atë që shqiptarët dinë të bëjnë më mirë në këto raste, do heshtin. Ndërkaq, shumica do të festojnë plot gaz. Se askush në botë nuk di ta festojë më hareshëm se shqiptarët, dhe kjo u provua në 45 vjet komunizëm, diktaturën si demokraci. Prandaj pse të mos ngrenë dolli edhe për demokraturën?
 

juxhoxhjaj

Primus registratum
Re: Dolli per Diktaturen!

une mendoj se po abuzohet pak me faktin se rruga ne durres eshte thene se po behet edhe per qellime patriotike kjo e vertete por nuk eshte bere vetem per kete dhe rruga per te sulmuar berishen nuk duhet te kaloj nga kjo rruge kjo eshte e vetmja gje e sigurte, nje rruge e cila eshte e nje rendesie te madhe dhe keto shpifje nuk shkojne pasi nuk eshte perfshire ne korrupsion ambasada amerikane dhe te gjithe ata qe jane pergjegjes per ndertimin e kesaj rruge dhe shperblimi me i mire do te ishte mirenjohja dhe jo shpifje per arsye politike
 

master of puppets

Primus registratum
Re: Dolli per Diktaturen!

Ja nje dolli per diktatorin tone te lavdishem e gjithe sahanlepiresit e tij....e pak striktine ne goten e tij..ja shendet!
 
Top