Dokumenta historike

Admirali

Primus registratum
Dokumenta historike

Tek po lundroja ne Internet, gjeta rastesisht kete dokument, mendoj se ka nje vlere per ta postuar ketu.

Ja si po fallsifikohet teksti i Historisë së Shqipërisë

Në rast se një rome u dënua me dy muaj burg për pesë mijë lekë se mashtroi me fall një të vobegtë para pesëmbëdhjetëkateshit, historianët tanë që me tekstet e tyre mashtrojnë breza të tërë, fitojnë miliona, dekorohen Profesorë-Doktorë e pretendojnë deri për Kryetarë të Akademisë së Shkencave

Një nga prioritetet e regjimeve totalitare komuniste që erdhën në fuqi pas Luftës së Dytë Botërore, siç dihet ka qenë edhe manipulimi e fallsifikimi i historisë së popujve të tyre e cila bëhej nga pozitat e fituesit dhe delirit të krerëve udhëheqës. Kjo gjë u pa qartë pothuaj në të gjitha shtetet e Europës Lindore mbas shëmbjes së komunizmit në fillimin e viteve 1990-të, kur u hapën arkivat e këtyre vendeve dhe dolën në dritë materiale e dokumenta me fakte të panjohura deri atëhere çka vërtetonin më së miri se si ishte manipuluar historia e vërtetë e këtyre popujve në varësi të sundimëtarëve dhe konjukturave politike që i kishin udhëhequar për më shumë se gjysëm shekulli. I njeti fenomen edhe në përmasa më të mëdha ka ndodhur dhe në vendin tonë, ku historia e popullit shqiptar u shtrembërua dhe u manipulua në përmasa të papara nga regjimi komunist duke mashtruar breza të tërë nxënësish e studentësh e deri tek fëmijët e kopshteve.

Më e keqja e këtij fenomeni ndoshta të pashmangshëm për atë kohë, është se ajo propagandë ka dhënë efekte deri të pariparueshme në formimin e psiqikën e mijra e mijra shqiptarëve saqë dhe sot shumë prej tyre po t' i pyesësh për njeriun më me vlera në botë, mbas Anshtajnit, vlersojnë Haxhi Qamilin dhe Enver Hoxhën, më shumë sesa të gjithë të tjerët të marrë sëbashku. Ndonëse historianët shqiptarë për vetë rrethanat e kushtet që iu afroi regjimi në fuqi, janë të justifikuar dhe kanë qenë të detyruar të shkruajnë në atë mënyrë historinë, në ditët e sotëme është e pamoralëshme dhe e pafalëshme e ndoshta mund të thuhet deri në krim, që historia e popullit shqiptar të shkruhet po me të njëjtën frymë ashtu si para viteve 1990-të. Po të shikojmë tekstin e parë të historisë që mësojnë nxënësit nëpër shkolla, të titulluar "Të njohim historinë e popullit tonë" (Maket) për klasat e IV-ta të shkollës 8 vjeçare, (botuar në gusht 2000 dhe i ezauruar këtë vit shkollor që kaloi) me autorë Prof.as Dr. Vilson Kuri, Dr. Roland Dhimitri, Dr. Astrit Bishqemi dhe Dr. Adrian Papajani, do të shohim se ai libër që nga fillimi e deri në fund është i mbushur me pasaktësira, gabime, shtrembërime të ngjarjeve e fakteve historike e deri tek fallsifikimet e manipulimet më banale që i bëhen historisë së popullit shqiptar saqë mund të thuhet se ato gjëra do u'a kishin zili dhe prrallëtarët më të famshëm. Nëqoftë se shtrembërimet që janë bërë në këtë tekst nga kapitulli i parë i ilirëve e deri tek ai i Shpalljes së Pavarësisë, mund t'i quajmë pasaktësira, ato që vijnë më pas si Kongresi i Lushnjes, Monarkia e Zogut, periudha e Luftës antifashiste e ajo e regjimit komunist të Enver Hoxhës, nuk mund të jenë tjetër veçse të bëra me qëllim të caktuar për efekt të konjukturave e forcës politike që është në pushtet, që megjithë kujdesin për ta maskuar atë gjë në tekstin në fjalë, ajo duket sheshit dhe nga një profan i historisë. Është më se normale që çdo njeri dhe në rastin konkret autorët e tekstit në fjalë të kenë si idhuj të tyre në histori, politikë apo letërsi, figura të tilla si Haxhi Qamili apo Gazmend Shpuza , Haxhi Lleshi apo Ahmet Zogu, Çan Kaj Shia apo Myslym Peza, Nasho Jorgaqi apo Fan Noli, Ismail Kadare apo Koço Bihiku, Enver Hoxha apo Pol Poti, por kurrsesi është e palejueshme që këta idhuj apo udhëheqës shpirtërorë të tyre, t'ua servirin nxënësve të shkollave vend e pavend në librat e historisë si personalitetet më të mëdhej që ka njohur historia e njerzimit që nga Eva e Adami. Për të tilla gjëra në vendet e qytetëruara të Perëndimit ku ne shqiptarët pretendojmë të shkojmë, jo që nuk mund të imagjinohet të bëjnë vaki, por sipas ligjeve morale e penale ata do të bëheshin objekt i Drejtësisë. Kurse në vendin tonë ndodh e kundërta dhe Ministri i Arsimit në fjalë (në rastin konkret Ethem Ruka) që e ka miratuar atë tekst, mburret nëpër konferenca shtypi duke e quajtur atë arritje të madhe pse jo pasurim të CV-së personale. Kësisoj mund të themi e të marrim si shembull një grua me ngjyrë që u dënua me dy muaj burg se mashtroi me fall një të vobegtë para pesëmbëdhjetëkatshit duke i fituar pesë mijë lekë të vjetra, historianët tanë me tekstet që hartojnë duke mashtruar breza të tërë, jo vetëm që nuk ju hyn gjemb në këbë, por fitojnë miliona dhe dekorohen me grada shkencore si Doktorë. Profesorë e deri Drejtorë Institutesh Historie duke pretenduar deri postin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave. Po ku konsistojnë shtrembërimet dhe manipulimet që i janë bërë tekstit "Të njohim historinë e popullit tonë". Për këtë le t'ju referohemi faqeve të këtij libri.

Kapitulli i Ilirëve
Gabimet në këtë tekst fillojnë që në kapitullin e parë (Ilirët të parët tanë. Fq.7.) Në këtë mësim që i njeh nxënësit me ilirët, parardhësit e shqiptarëve, në mes të tjersh thuhet: "Ilirët janë të parët tanë. Ata kishin gjuhë dhe zakone të veçanta, të ngjashme me ato të shqiptarëve të sotëm". Fjala "e ngjashme" e përdorur aty, fare mirë mund të shkruhej "të njëjta", sepse fjala "e ngjashme" shpreh dyshim në se zakonet e gjuha e ilirëve janë ato që kanë tashëguar shqiptarët e sotëm, duke pasur parasysh dhe evoluimin e tyre që ka ndodhur gjatë shekujve. Po të pranosh se zakonet dhe gjuha e Ilirëve janë të ngjashme me ato të shqiptarëve të sotëm, e vë në dyshim atë dhe dashur pa dashur bie në tezën e fqinjëve shovinistë antishqiptarë që shkruajnë se shqiptarët nuk janë pasardhës të Ilirëve. Një tjetër gabim në po këtë kapitull, gjendet te mësimi "Bardhyli mbreti i parë i ilirëve" (fq.10). Aty thuhet: "Para 2500 vjetësh fiset ilire të enkelejve, taulantëve, ardianëve, dardanëve etj formuan shtetin e tyre të quajtur Mbretëria Ilire". Kjo gjë është gabim, sepse dardanët kanë qenë Mbretëri Ilire, por kanë qenë më vehte. Kjo gjë pranohet në faqen 14 të këtij teksti ku në titullin e mësimit thuhet:" Mbretëria e Dardanisë". Po kështu një tjetër gabim që vihet re në kapitullin e Ilirëve, është ai ku flitet për Mbretërit Ilirë (fq 16-117). Në atë mësim nuk permendet fare Mbreti Gent, një nga më të njohurit e ilirëve.

Principata e Arbërit
Në këtë kapitull (fq.25) është e paraqitur një hartë ku jepen zotërimet e principatave arbëreshe dhe shtetit të Arbërit. Harta e paraqitur aty është e cunguar sepse mungojnë Himara, Saranda e Gjirokastra gjithashtu dhe Arta, Preveza, Parga, Janina etj, të cilat asokohe ishin nën zotërimin e Dhespotatit të Epirit. Këtë gjë e paraqet tepër të qartë Nikolla Joroga, (historiani rumun që vlersohet si një nga më të mirët e Ballkanit) në librin "Histori e shkurtër e Shqipërisë". Joroga midis të tjerash aty shkruan:" Mihal Engjëll Komneni (që ishte në krye të Dhespotatit të Epirit) ishte shefi grek i racës shqiptare. Në këtë mësim ishte mirë që të jepej harta e Fra Mauros (hartogarf nga më të famëshmit), e vitit 1459, ku Shqipëria e periudhës së Gjergj Kastriotit gjendet deri në kufi me Dalmacinë. Harta e vënë në atë mësim, duhet të ishte e qartë me qëllim që nxënësve t` u ngulitet në mëndje se deri ku kanë qenë tokat e të parëve e tyre. Po në këtë kapitull (fq.2 u thuhet nxënësve të mbajnë mënd se "Balsha i dytë, nëpërmjet luftrave e lidhjeve miqësore, u bë zot i pothuajse të gjitha tokave arbërore". Kjo gjë është i cunguar, sepse aty mungojnë Shpatajt (Bueshpatajt) që asokohe i kishin zotërimet e tyre toksore njëlloj si Balshajt. Po kështu edhe data e krijimit të Principatës së Arbërit (fq.26) që thuhet se është krijuar para 1000 vjetësh nuk është e saktë dhe është e gabuar. Një tjetër pasaktësi vihet re në Kreun e III-të këtij teksti, në kapitullin Gjergj Kastrioti Skënderbeu (3.1.fq.29) ku thuhet: "princi serb Llazar", kurse një faqe më pas duke ju referuar Gjon Muzakës thuhet: "Llazari, Mbreti i Serbisë". Kjo gjë vlen të shpjegohet qartë duke e sqaruar se çfarë ishte Llazari, princ apo mbret, që janë emërtime krejt të ndryshme. Në po këtë kapitull, te mësimi "Rinia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut" (fq.31) thuhet: "Turqit osmanë e morën peng Gjergjin në moshën 9 vjeçare…". Kjo e dhënë që është marrë nga libri i Marin Barletit, "Histori e Skënderbeut" është hedhur poshtë dhe nga Fan Noli në librin e tij të titulluar po"Histori e Skënderbeut" i botuar së pari në SHBA dhe i ribotuar më pas në Shqipëri. Që Skënderbeu nuk është marrë peng nga Sulltani në atë moshë, vërtetohet dhe nga arkivat e asaj kohe (së cilës i referohen edhe historianët tanë për Historinë e Shqipërisë në botimet e Akademisë së Shkencave) të cilat japin të dhëna të qarta se Gjergj Kastrioti asokohe figuronte si subash në Krujë dhe më pas Sanxhakbej në Dibër. Një tjetër gabim që vihet re në po këtë kapitull, është ai (fq.44) ku nxënësve ju thuhet të mbajnë mënd se: "Kuvendi i Matit ishte përpjekja serioze për të krijuar një udhëheqje si në kohën e Skënderbeut". Por po të shikosh shkrimin në fjalë, aty nuk përmendet asgjëkundi dhe as lihet të kuptohet se është mbajtur Kuvendi i Matit. Si mund të mbajnë mënd nxënësit një gjë që nuk jepet fare në atë mësim? Po kështu ka pasaktësi në kapitullin "Shqipëria nën sundimin osman". Në leximin që ilustron atë kapitull (fq.46) ku flitet për sundimtarët e fuqishëm të vendit, thuhet: "Që t´ i bënte ballë rrezikut, Mahmut pasha thirri kapedanët…" Kjo gjë është e pasaktë, pasi aty duhet të vihet Kara Mahmut Pasha, sepse ai ka qenë sundimtar në vitin 1793 dhe jo Mahmut Pasha i cili ka sunduar shumë vjetë më vonë, (pas sundimit të Ibrahim Pashës). Po kështu ku flitet për Ali Pashë Tepelenën (fq.4 thuhet: "Ali Pashë Tepelena, u vra pabesisht në moshën 82 vjeçare, pasi sundoi si i pavarur për 34 vjet. Kjo gjë nuk është aspak e vërtetë, pasi Ali Pash Tepelena nuk ka sunduar asnjëherë si i pavarur. Ai ishte sundimtar, por varej direkt nga Stambolli dhe emërohej me ferman nga Sulltani. Në atë mësim mund të thuhet se kur Ali Pashë Tepelena doli jashtë varësisë së Stambollit, ai u vra nga Sulltani.

Rilindja Kombëtare
Në kapitullin "Lufta me penë", (fq. 55) thuhet: "Pas vitit 1830 u përhapën nga atdhetarët ide të reja, që kërkonin lirinë e shqiptarëve dhe pavarsinë e Shqipërisë", dhe më poshtë thuhet se ata besonin në parullën "Feja e Shqiptarit, është Shqiptaria". Kjo gjë nuk është e saktë se parrulla (siç e quajnë autorët e tekstit) "Feja e shqiptarit është Shqiptaria" nuk është përhapur në atë kohë, por ajo ka dalë nga Pashko Vasa nga fundi i shekullit të XIX-të. Tjetër pasaktësi vihet re në Kreun e VI-të në kapitullin "Shteti i Pavarur Shqiptar në Vitet 1912-1920". Në mësimin e parë ku flitet për krijimin e qeverisë së Ismail Qemalit, thuhet: "U vendos që gjuha shqipe të flitej jo si më parë vetëm në familje dhe ndërmjet popullit, por edhe në zyrat e shtetit, gazetat etj". Kjo gjë nuk qëndron dhe është gabim, sepse në periudhën në fjalë ka pasur disa gazeta shqipe që botoheshin në mënyrë legale siç ishin ato të klerikëve katolikë të Shkodrës, apo ajo që botohej nga Mithat Frashëri në Greqi. Po kështu në mësimin tjetër "Konferenca e Londrës cakton Kufijtë e Shqipërisë" (fq.71) ku thuhet se në shtatorin e vitit 1913 shpërtheu kryengritja në Dibër, duhet përmendur dhe kryengritja e Kosovës që shpërtheu po në atë kohë.

Kongresi i Lushnjes
Po të vazhdojmë të shikojmë më tej rrjedhën e mësimeve të këtij teksti, vëmë re se vendin e gabimeve dhe pasaktësirave (në rast se do t` i quajmë kështu) e zënë shtrembërimet flagrante që i bëhen ngjarjeve të veçanta të historisë së popullit shqiptar. Një nga këto është dhe ai që bën fjalë për Kongresin e Lushnjes në kapitullin "Shqipëria në vitet 1939-1924" (fq.79) Autorët e tekstit, këtij mësimi i kanë kushtuar vetëm gjysëm faqe, ose më saktë nëntë rreshta, sepse pesë rreshta e tjerë që përmbushin të gjithë këtë mësim, janë pjesë e një dialogu në mes delegatëve të atij Kongresi, që për hir të së vërtetës duhet thënë se aty janë futur jashtë çdo lloj llogjike e konteksti, saqë vetëm e ngatërrojnë nxënësin dhe nuk i sqarojnë asgjë. Duke ditur se Kongresi i Lushnjes është një nga ngjarjet më madhore në historinë e Shqipërisë, pas Lidhjes së Prizërenit (gjë e cila është e pranuar nga të gjithë historianët dhe nuk ka nevojë për komente) kjo ngjarje historike duhej parë me shumë vëmëndje dhe i duhej lënë më shumë hapësirë, sepse për nxënësit e kësaj grupmoshe për të cilët është hartuar ky tekst, Kongresi i Lushnjes padyshim paraqet interes shumë herë më të madh, se fjala vjen mësimi për Mahmut Pashën që zënë të njëtën hapësirë në libër. Por më e keqja nuk qëndron në hapësirën e pakët që i kanë kushtuar autorët e tekstit këtij mësimi, por në atë se çfarë paraqitet aty. Në tetë rreshtat e shkruara për Kongresin e Lushnjes, mësimi jepet krejt i zbehtë dhe tepër i cunguar çka nuk i përgjigjet fare së vërtetës historike. Aty thuhet: " Shqiptarët duhet të bashkoheshin për t´ i dëbuar vetë pushtuesit. Për këtë u vendos të mbahej një kongres në Lushnje me përfaqësues nga e gjithë Shqipëria", pas katër rreshtave mbyllet paragrafi, se më tej vazhdon dialogu në mes dy delegatëve që është i pavënd, sepse fjalia e parë e dilaogut, është po ajo që jepet në fillim të mësimit dhe nuk ka pse të përsëritej dy herë. Pas këtij dialogu, mësimi vazhdon edhe me pesë rreshta të tjerë e mbaron me: Kongresi krijoi qeverinë e re me kryetar Sulejman Delvinën, më 11 shkurt qeveria e krijuar në Lushnje u vendos në Tiranë, e cila nga ajo ditë është kryeqyteti i Shqipërisë. Siç thamë dhe më lart, duke ditur rëndësinë e kësaj ngjarje historike, pasqyrimi i saj në tekst lipset të kërkonte një përgjegjësi më të madhe nga ana e autorëve . Aty duhej të theksohej se kush ishin politikanët kryesorë që e ideuan dhe organizuan atë kongres, kush ishin ata që u përpoqën ta pengonin mbajtjen e tij (qeveria e Durrësit) dhe kush ishte njeriu që mori përsipër zbatimin e vendimeve të atij kongresi, duke i cilësuar me emra të gjithë personazhet kryesore të asaj ngjarje, si Abdi Toptani, Aqif Pashë Elbasani, Imzot Luigj Bumçi, Sheh Ibrahim Karbunara, Koço Kota, Ahmet Zogu etj. Ç´ kuptim ka historia kur nuk jepen emrat e aktorëve kryesorë në një ngjarje historike aq më shumë si Kongresi i Lushnjes si vendimtarë në historinë e popullit tonë. Por kjo gjë është bërë qëllimisht dhe ato emra nuk janë vënë, sepse gjatë viteve të regjimit komunist kanë përfunduar burgjeve e janë pushkatuar si tradhëtarë e kriminelë të popullit shqiptar dhe siç duket ai mentalitet komunist vazhdon akoma në formimin e autorëve të tekstit në fjalë. Po kështu duheshin dhënë dhe vendimet kryesore që dolën nga ai kongres, siç është ai që kundërshtonte copëtimin e Shqipërisë nga mbledhja e Konferencës së Paqes së Parisit, si dhe vendimi për caktimin e Tiranës si kryeqytet, që në tekst nuk del fare, por thuhet se: "Qeveria që u krijua në Lushnje, u vendos në Tiranë dhe që nga ajo ditë Tirana është Kryeqyteti i Shqipërisë". Sipas kësaj llogjike, del se Tirana mbeti rastësisht kryeqytet meqënse aty u vendos qeveria. Më kryesorja cila duhej të theksohej qartë në këtë mësim, është ajo se nga kush dhe pse lindi nevoja e mbajtjes së Kongresit. Ajo gjë jepet me fjalinë "Shqiptarët duhet të bashkoheshin për t´ i dëbuar vetë pushtuesit. Për këtë u vendos të mbahej një Kongres në Lushnje". Kjo është një fjali predikuese dhe historia nuk bëhet me predikime, duke u treguar sot se ç' duhej bërë para 80 vjetëve ("shqiptarët duhet të bashkoheshin"). Në histori tregohet se çfarë është bërë dhe jo të jepen mendime se ç` duhej bërë. Po të flitet me ç´ duhej bërë nuk kemi të bëjmë më me histori, por me politikë dhe politika nuk është objekt i historianëve por i analistëve politikë, që fatkeqësisht (me disa përjashtime) janë pjesa më e madhe e historianëve shqiptarë. Po kështu në mësimin tjetër për Luftën e Vlorës, (fq.80) thuhet se luftëtarët shtruan gunat mbi telat mbi gjemba dhe u futën në llogoret e armikut. Mendoj se tashmë u ka kaluar koha këtyre folklorizmave bajate e primitive dhe përrallave që u janë serviruar deri më tani nxënësve ku thuhej për "pushkë me gjalmë" e "heronj që e kapën topin nga gryka", të cilat prej kohësh janë fshirë edhe nga repertori i barsaletave

Në vazhdën e shtrembërimeve dhe të fshehjes së vërtetës në këtë tekst është dhe kapitulli "Revolucioni i Qershorit i Vitit 1924" (fq.82) ku thuhet se pas Luftës së Parë Botërore Shqipëria drejtohej nga çifligarët dhe njerzit e pashkolluar, fshtarët donin të kishin tokën e tyre, por qeveria e Ahmet Zogut nuk jua plotësoi kërkesat e tyre, populli ishte i gatshëm të ngrinte krye dhe populli i udhëhequr nga Fan Noli, u hodh kundër qeverisë së pushtetit të Ahmet Zogut, duke bërë që të fitonte Revolucioni i Qershorit.

Nga sa shihet paraqitja e kësaj ngjarje, jepet me terma e terminologji të përdorura rëndom në vitet e regjimit komunist nga propaganda e asaj kohe, gjëra të cilat sot tingëllojnë tepër qesharake. Në rastin konkret fjalia "Fshatarët donin të kishin tokën e tyre, por qeveria e Ahmet Zogut nuk jua plotësoi kërkesën e tyre", nuk ka asnjë lloj kuptimi. E para: çdo fshatar apo qytetar, si atëhere dhe tani ka pasur dhe ka dëshirë që të ketë toka dhe prona, por as njëherë si në të kaluarën ashtu dhe gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit, asnjë fshatar apo qytetar, nuk është ngritur për të kërkuar toka apo prona që nuk i ka pasur të vetat, (megjithë dëshirat e mëdha për t' pasur ato). Kështu edhe Revolucioni i 1924-ës, nuk erdhi si pasojë e asaj që fshatarët donin të kishin tokat e tyre, kjo gjë nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën historike. Në qershorin e 1924-ës, forcat që erdhën në fuqi nuk rrëzuan qeverinë Zogut, por atë të Vërlacit. Zogu asokohe ishte në postin e Ministrit të Brendshëm. Nuk e di nëse autorët e këtij teksti qeveritë e këtyre viteve të fundit, i quajnë qeveria, Koçi, Poçi e Gjoni, apo qeveria Nano, Majko e Meta? Identifikimi i qeverisë së Vërlacit me Zogun, është bërë me qëllim për të denigruar figurën e tij njëlloj siç bëhej në regjimin komunist. Dhe e fundit për nga rradha, por e para për nga rëndësia duhet të sqaruar se ajo ngjarje duhet quajtur Revolucioni i Qershorit, apo Kundërevolucioni i Qershorit, sepse ai ishte një kundërevolucion që rrëzoi me forcën e armëve një qeveri të dalë nga zgjedhje aq sa mund të quhen demokratike për atë kohë. Mirë që autorët e tekstit janë kujtuar që atij "Revolucioni", t' ja heqin fjalën "Demokratik" siç vazhdon të quhet ende dhe sot nga disa historianë idhtarë të Nolit, që vazhdojnë të shkruajnë se: "Bajram Curri ishte pushka e parë e Revolucionit Demokratik të Qershorit me Nolin në krye". Kësisoj, historianë të tillë që quajnë demokratik një revolucion që është bërë me forcën e armëve, përveçse në Shqipëri, sot është vështirë se mund të gjenden edhe në Kubën e Fidel Kastros.

Vrasja e Gurakuqi dhe Bajram Currit?
Në kapitullin "Shqipëria drejtohet nga Ahmet Zogu", (fq.8 thuhet se qeveria filloi ndjekjet e kundërshtarëve që kishin marrë pjesë me armë në revolucion dhe përmenden Gurakuqi dhe Bajram Curri, duke e lënë të kuptohet se ajo ka qenë vepër e Zogut ashtu siç bëhej nga historiografia e regjimit komunist duke ia atribuar atij ato vrasje. Por e vërteta është ndryshe. Kjo gjë pasqyrohet qartë në dokumentat që gjenden në arkivin e shtetit si për Gurakuqin, ashtu dhe për Currin. Vrasja e tyre është bërë nga Ministri i Brendshëm Ceno Bej Kryeziu, pa dijeninë e miratimin e Zogut. Kryeziu e ka pranuar vetë atë në një letër dërguar një oficeri të lartë të Beogradit në 1925-ën ku i shkruante: "Tash, që i vrava Currin e Gurakuqin, nuk di çfar të bëj, ta vras Zogun dhe pastaj t'ja ndaj motrën, apo t'ja ndaj motrën dhe pastaj ta vras Zogun" (Arkivi Shtetit Beograd). Për këtë gjë, Zogu e vrau Kryeziun. Për B. Currin është diskutuar dhe në parlamentin e asaj kohe, ku ai fajsohej se kishte kapur armët dhe po vriste ushtarët e forcave qeveritare. Megjithkëtë, Zogu ishte kundër vrasjes së tij dhe i dërgoi si ndërmjetës A. Kupin duke i thënë që të largohej nga Shqipëria me gjithë njerzit e tij (Zogu do i merrte përsipër shpenzimet në emigracion) sepse ai do të vritej dhe për këtë do fajësohej Zogu, por Curri nuk e pranoi atë ofertë dhe u vra nga forcat qeveritare si njeri që kishte ngritur armët kundër shtetit. Po kështu Gurakuqi u vra nga djali i tezes së tij B. Stambolla për probleme familjare i shtyrë nga Ceno Beg Kryeziu. Në gjyqin kundër Stambollës në Itali, nëna dhe vëllai i Gurakuqit (Angjelini) deklaruan se Zogu nuk kishte fare gisht në atë vrasje. Po ashtu nuk është e vërtetë se Zogu nisi hakmarrjen (fq.8 kundër atyre që morën pjesë në revolucion, përkundrazi ai shpalli amnistinë për ta, duke ju dhënë dhe poste të larta, kurse atyre që ua larguan nga Shqipëria ju dha bursa për fëmijët dhe të afërmit. Më tej në fq.95 thuhet: "Konolizimi i Kosovës dhe serbizimi i saj". Kjo gjë është një gabim trashanik, sepse asnjëherë Kosova nuk është konolizuar dhe serbizuar. Sepse sipas kësaj, del që kosovarët nuk paskan luftuar kurrë dhe janë konolizuar e serbizuar. Kjo gjë fare mirë mund të thuhej "Përpjekjet për konolizimin e serbizimin e Kosovës".

Roli i Abaz Kupit në 7 prill?
Një tjetër shtrembërim i ngjarjeve historike është ai që flet për 7 prillin 1939. Në këtë mësim nuk flitet fare për Abaz Kupin, njeriun që u caktua nga Zogu si Komandant i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare, i cili organizoi të gjithë rezistencën e armatosur që ju bë italianëve më 7 prill. A është normale të pranosh se italianëve iu është bërë rezistencë dhe të mos thuash komandantin që e organizoi atë. A ka rast në historiografinë botërore që luftrat e mëdha të identifikohen dhe njihen në histori me emrin e një ushtari të vrarë (siç bëhet me Ulqinakun) dhe jo nga komandanët e gjeneralët që i drejtuan ato luftra. Kjo ngjarje në tekst jepet njëlloj si në historiografinë komuniste duke përmendur vetëm M.Ulqinakun, "Zogun dhe qeveritarët që u larguan jashtë vëndit" dhe duke përsëritur përrallën e vjetër se "pushkëve ju hoqën shulat". Pse nuk thuhet se Mbreti Zog dhe Kryeministri M.Frashëri në Radio-Tirana i bënë thirrje ushtrisë dhe popullit për të mbrojtur vendin dhe për këtë Frashëri u internua në Itali.. Po kështu gjashtë personat e tjerë që u vranë në Durrës në 7 prill me M. Ulqinakun, nuk janë përmendur asnjëherë dhe vazhdojnë të mos përmenden për arsyen e vetme se ishin pjestarë të forcave qeveritare të Zogut. A nuk duhej vënë në tekst biografia e Komandantit të rezistencës Major Abaz Kupit në vend të asaj të kapterrit të Financës M. Ulqinaku, që kurrsesi nuk mud t'ë mohoet si dëshmor i 7 prillit? A është normale për autorët e këtij teksti që në hapësirën që i kanë kushtuar periudhës së Monarkisë të mos vihet fare fotoja e Mbretit Zog dhe të përmendet vetëm tre herë, në një kohë që mirë apo keq ai ishte Kryetar i Shtetit për 15 vjet me rradhë.

Lufta antifashiste
Nga shtrembërimet dhe fallsifikimet që janë bërë në këtë tekst, më flagrantet janë ato të kapitullit për periudhën e luftës 1939-1944 (fq100-106) Në çetat e para antifashiste fillohet me Myslym Pezën dhe krahas Haxhi Lleshit dhe Baba Faja Martaneshit, jepen Abaz Kupi e Qemal Deliallisi. E vërteta e krijimit të çetave është ndryshe. Çeta e parë antifashiste në Shqipëri është krijuar nga Abaz Kupi që në 1940-41. Italianët e kërkonin atë për rezistencën e armatosur që ju kishte bërë atyre në 7 prill. Për këtë ata e rrethuan në vitin 1940 në kodrat e Ishmit dhe në atë përpjekje të armatosur mbetën të vrarë dhe dy pjestarë të çetës së Kupit. Në atë periudhë Myslym Peza jo vetëm që nuk kishte çetë, por ai ishte në kërkim nga qeveria për një vrasje ordinere (mbas një konflikti për një mëzi kali me fisin Bali) Po kështu dhe njerzit që kishte Myslymi mbas vetes në pyjet e Pezës, asokohe ishin persona në kërkim si ordinerë. Nuk përmendet fare as çeta e Mestan Ujanikut që u krijua mbas asaj të Kupit. Në gjashtë faqet e tekstit që flitet për periudhën e luftës antifashiste, nuk përmenden fare me emra Enver Hoxha, Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi (fotot e tyre nuk janë fare në këtë kapitull) që ishin tre drejtuesit e tre forcave kryesore që morën pjesë në këtë luftë PKSH, Ballit Kombëtar dhe Legaliteti. Po kështu Legaliteti nuk përmendet fare si forcë politike dhe ushtarake, ndonëse ajo kishte rreth dhjetë mijë forca nën armë, të cilat u njohën dhe nga anglo-amerikanët të cilët kishin misionet e tyre pranë Shtabit të Kupit deri në mbarimin e luftës. A mund të flasësh për Luftën antifashiste dhe të mos përmedesh forcat kryesore që e bënë atë luftë si dhe udhëheqësit e tyre si Hoxha, Frashëri e Kupi. Në vend që në këtë mësim të sqaroheshin momentët kryesore të kësaj lufte nga ana e këtyre tre forcave si dhe konfliktet që ato patën me njera tjetrën, aty jepen tre tregime që zënë një faqe e gjysëm (nga gjashtë të gjithë kapitullit) nga Qamil Guranjaku, folklorizmat e përrallat bajate të cilit pothuaj i kishim harruar, ku partizanët rrinin tetë ditë pa bukë dhe nuk dorzoheshin, kurse ballistët hanin pula që i vidhin në kotecat e fshtarëve. Përse në tekst (fq.100) përmenden vetëm dëshmorët komunistë V.Kushi Q. Stafa, M.Tutulani, M.Duri etj dhe jo ata Ballit e Legalitetit, si Mustafa Dervishi, Hamit Troplini etj. Në këtë mësim (fq103) thuhet: "Në dimrin e viteve 1943-44 u bënë luftime të përgjakëshme. Brigadat partizane jo vetëm që nuk u shkatërruan, por i shkaktuan humbje të mëdha pushtuesit". Kjo gjë nuk është fare e vërtetë. Nga Operacioni i Dimrit, u shkatërruan Brigada e Dytë dhe e Tretë, të cilat u riorganizuan shumë më vonë. Kjo gjë dihet fare mirë dhe e ka pranuar dhe vetë Enver Hoxha në kujtimet e tij (vepra e II-të) për të cilën bën fajtor Beqir Ballukun.

Regjimi komunist 1944-1990
Kjo periudhë zë 12 faqe (111-121) me gjashtë mësime. Në katër mësime jepen sukseset e atij regjimi, në të pestin politika e jashtëme dhe në të gjashtin rënia e sistemit komunist. Në të gjashtë mësimet shohim shtrembërime dhe fallsifikime flagrante që i bëhet kësaj historie. Në kapitullin e parë "Shqipëria gjatë sistemit socialist" thuhet: "Në zgjedhjet e para fituan kandidatët e Frontit Demokratik. Por kjo gjë nuk i përgjigjet së vërtetës historike, sepse zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 u bënë vetëm me kandidatët e Frontit, pa pasur fare opozitë gjë të cilën nuk e lejoi Enver Hoxha, megjithë insistimet e anglo-amerikanëve gjë e cila solli dhe largimin e tyre nga Shqipëria. Si mund të thuhet se fituan kandidatët e Frontit, kur ata nuk kishin fare kundërshtar. Po aty thuhet se qeveria shpronësoi pronarët dhe pasuritë e tyre i ktheu në shtetërore. Pse nuk thuhet se si i shpronësoi qeveria komuniste ata pronarë, duke përdorur dhunën, vrasjet, burgosjet dhe internimet. A kanë ndodhur këto fenomene dhe a janë ato pjesë e historisë së këtij populli? Në mësimin tjetër "Qëndresa e forcave kundërkomuniste" (fq.112) thuhet se ardhja në pushtet e Partisë Komuniste dhe programi i saj ndeshi në qëndresën e vendosur të forcave kundërkomuniste dhe një grup deputetësh, iu kundërvunë politikës që ndiqte Partia Komuniste, duke vënë në dukje mjaft shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, por ata u dënuan si armiq të popullit. Por e vërteta historike qëndron ndryshe. Së pari rezistenca ndaj Partisë Komuniste nuk filloi në 1945 kur komunisët erdhën në pushtet. Forcat nacionaliste rezistencën ndaj saj e filluan që mbas Mukjes në shtatorin e 1943-it dhe nuk pritën të shihnin programin e asaj qeverie në janarin e 1945-ës. Pse përmenden si kundërshtarë të atij regjimi vetëm grupi i deputetëve, që ishte bashkë me komunistët brenda Frontit Demokratik dhe si kryengritje të armatosura vetëm ato të Koplikut dhe Gurit të Zi e më pas thuhet: "Edhe pas këtyre ngjarjeve qëndresa kundërkomuniste vazhdoi në forma të ndryshme". Sa grupe të tjera përveç atij të deputetëve iu kundërvunë atij regjimi në atë periudhë dhe si përfunduan ato? Po kryengritjet e tjera të armatosura sa ndodhën dhe deri në çfarë periudhe kohore. Pse nuk thuhet se cilat ishin "format e ndryshme" të qëndresës antikomuniste? Sipas paraqitjes që i është bërë këtij mësimi, del se kundështimi ndaj regjimit komunist është bërë vetëm nga një grup deputetësh dhe deri në vitin 1946. Sipas këtij shpjegimi duhet nënkuptuar se atyre deputetëve i'ua kanë bërë shumë mirë që i kanë dënuar si armiq të popullit, përderi sa vetëm ata e kanë kundërshtuar atë regjim, e nuk paska pasur të tjerë më vonë ?! Përse nuk sqarohet qartë përveç atij grupi deputetësh, ka pasur dhe të tjerë deputetë dhe jo deputetë që e kundërshtuan politikën e qeverisë së Enver Hoxhës deri në fundin e viteve 1980-të, të cilët u torturuan, u shpronësuan, u vranë, u burgosën,u intrenuan, me gjyq e pa gjyq dhe masakrat e tjera në masë që çuan në genocidin e eleminimin fizik të mijra shqiptarëve të pafajshëm, por u thuhet nxënësve të klasës së katërt se deputetët kundërshtuan shkeljen e të drejtave të njeriut. A mund ta kuptojnë nxënësit e kësaj grupmoshe se ç'do të thotë shkelje e të drejtave të njeriut? Më tej pas sukseseve të atij regjimi në bujqësi, arsim, kulturë industri dhe arsim që jepen në tre mësime, në mësimin e katërt rënia e sistemit komunist jepet me gjashtë-shtatë rreshta ku thuhet se jeta e popullit u vështirësua në vitet 1986-1990 dhe populli u bë i pakënaqur e nuk e tërhiqnin më fjalimet e qeverisë. Sipas këtij shpjegimi, nxënësit duhet të kuptojnë se para viteve 1986 në Shqipëri paska lulëzuar gjithshka dhe nuk ka patur vështirësi. Pse nuk ju shpjegohet qartë nxënësve se rënia e regjimit komunist erdhi si pasojë e politikës së Partisë Punës që zbatoi me egërsi luftën e klasave dhe izoloi Shqipërinë nga Bota? Pse thuhet se Ramiz Alia lejoi krijimin e partive të tjera (fq.122) kur në të vërtetë ai e kundërshtoi pluralizmin deri në fund duke thënë :" Edhe bar do hamë, dhe gjak do derdhim, por pushtetin nuk do e lëshojmë". Ky lloj shpjegimi dhe gjitha paraqitja e ngjarjeve historike që kanë bërë autorët e këtij teksti kryesisht periudhave të luftës antifashiste, të regjimit komunist 1944-1990 dhe rënies së komunizmit, duke shtrëmbëruar, fallsifikuar dhe manipuluar në mënyrën më barbare historinë e popullit shqiptar, nuk është gjë tjetër veçse një amoralitet në kufijtë ekstrem që atyre do t'ua kishin zili dhe propagandistët më të zellshëm të ish Institutit të Marksizë-Leninizmit të drejtuar nga shoqja Nexhmije Hoxha.

Dashnor Kaloci



--------------------------------------------------------------------------------

Kur eshte hapur shkolla e pare shqipe?!



Ne ndergjegjen kolektive shqiptare eshte ngulitur nga shkaterruesat e saj viti 1887.

Kaluan me shume se 10 vjet qe populli i Republikes se Shqiperise eshte i lire dhe kjo genjeshter akoma nuk eshte zhdukur nga kujtesa historike e Kombit.



PSE?



Para shume vjetesh kur une i beja pyetje babait tim se si eshte e mundur qe shkolla e pare shqipe te jete hapur aq vone kur shtetet fqinje kishin vite qe ishin te pavarur.

Ai me pa ne sy dhe me tha:

E verteta eshte nje tjeter: Shkolla e pare shqipe eshte hapur shume me heret por e kane hapur ata qe nuk duhet ta hapnin sipas udheheqjes sone te ndritur.

Me kaq u mbyll kjo bisede te cilen une nuk e harrova dhe kur ne 1993 me ne fund lexova nje material te shkruar se shkolla e pare ku mesohej shqip ishte hapur 249 vjet perpara asaj te Korces mbeta i ngrire.

249 vjet perpara!

Mire komunistat mendova qe nga barbaria nuk kane krahasim, por sot pse nuk perpiqet kush ta zhduke nje here e pergjithmone ate genjeshter?

Kjo pytje ishte ne vitin 1993.

Sot jemi ne vitin 2002 e kjo genjeshter mbreteron akoma ne kujtesen historike kombetare.

Ky eshte nje shembull i mjerimit shperteror qe na lane komunistat qe per mjerim tonin jane akoma ne pushtet.



Si qendron e verteta?



Me poshte po citoj pjese te shkeputura nga nje shkrim i martirit shqiptar



P. DONAT KURTI, O, F, M.

Shkollat



Ma të parat shkolla, mbas të bierrunit te autonomis në Shqypni, kjenë, per sa dijm na, tre

shkolla e Pdhanës, e Blinishtit e e Shkodërs.



Në vj.1638 P. Hiacinti a Sospitello O.F.M italjan me fis, por shqyptar me zemer, pat guximin me i u perveshë per të mirë të vendit nji punës ne veshtrim të plotë kultural, tuj çilë shkollen fillore në Pdhanë, aso kohe vend mjaft i banuem. Kje ndiekë me zell prej vendasve e i mrrijti zani deri nder katunde të largta të Zadrimës, qi me më zi qi pritshin me i çue fmit e vet. Numri i xansave të jashtem pat mrrijtë deri në 25 e kta na ep shkas me nenkuptue, se do të kenë pasë edhe ndoi konvikt. Dijm prej dokumentash, se posë uratve xëshin edhe msime letrare d. m. th. mbahej deri diku nji shkollë e mjesme pa perjashtue gjuhen e vendit.

Perparimi kje aq i madh, sa i terboi Turqt, te cillët mbas 9 vjetsh e rrenuen faret.





Në vjetë 1697 kje çilë rishtas. Se deri kur vijoi, nuk dihet; dokumenti mbaron tuj thanë per të, se ka gjasë se gjindet edhe sot» (1702?)5





Nji vjetë mbas themelimit të shkollës së Pdhanës d.m. th. në vj. 1639 kje çilë prej fretenve të kuvendit të Troshanit nji tjeter shkollë në Blinisht drejtori i së cillës kje P. Karl Mirandulanus 0. F. M.



Me shka duket,kje nji shkollë mjeft e plotsueme. Ndiqej prej ma se 50 xansash e posë kndimit e shkrimit xëheshin edhe landë tjera, posaçe gjuha latine prej atyne qi dojshin me u ba meshtar. Deri .sundimtarët çuditeshin per perparim, qi bahej n´at shkollë; por anmiqt ishin të panumer e në vj. 1640 rejtorin e ksajë shkolle e gjëjm në burg7 tuj psue mundime të mdhaja. Ka gjasë se kjo shkollë smujt me vijue gjatë, pse P. Karli kah mbarimi i ksajë vjete njehet nder msuesa në shkollë të Pdhanës.

Në vj. 1698 a aty pari gjejm se P. Filipi prej Shkodret 0. F. M. çilë në Shkodër nji shkollë private e mson fmit e tregtarve e të pasanikve.

Nji qi i ka përpara sysh pshtiellimet e atyrie kohve, mnin posaçe kundra katolikve e kundra cdo shejit kulturar, mund ta marrë me mend, se c´vlerë paten kto shkolla per shpirt të shqyptarit dhe vetem porsi hap kah qytetnimi.

Por kush mundet mandej me dyshue, se në to shkolla nuk flitej shqyp? Në çë mndyrë katundari i padishem i ndiqte me zell, në kje se s' merrte gja vesh. Veprat, qi na kan mbetë prej atyne puntorve të palodhshem, prej atynë msuesave ë kujdesshem, na dishmojn kjartë,se ato shkolla s'kjenë mjete të hueja per me imfuencue në shpirt të popullit shqyptar simpati e parti; por paten per qellim drejt per drejt të naltuemt e moralit e shkasin kahë kultura, e kta tash gadi 300vjet.



Kta rnsuesa kjenë, qi me 20 prill 1711, të ndimuem e të nzitun prej Papës shqyptar,Klementi XI ngrehen në Romë në kuvend te S. Pietroj Montorio nji katheder per gjuhë shqype, per me i ba gadi misjonarët e huej me mujtë ma letas me vyejtë vendit tonë; e njatëherë kur së mendote kush per gjuhë shqype e per zhvillim të sajë, kta jane qi perpilojn ma te parat gramatika, fjalore e perkthime.“







„Prej vj. 1800 e deri në vj. 1861 çilen aty-ktu shkolla private me klasë fillore. Veç në Shkodër mbahen mend 12 shkolla fillestare: 8 per djelm e 4 per varza. Mjetet ishin të vogla e primitive, prandej nuk asht per t' u shikjue gjith aq perparimi a dobija, qi xierej prej sosh, sa inicjativa, hapi heroik, zelli per të hapun të kulturës. Nji msues perfaqsote nji shkollë në vedi. Ende sot, si në shëj evarije, kujtohen me ande emnat e tyne prej popullit katolik shqyptar.

E perkohshmja „Perparimi" i rreshton emnat e msuesave ma të njoftun me ket rend: Gegë Kodheli, Gjergj Benussi (1836), Gjon Shkrumi, Zef Kamsi, Jaku i Tushit të Mark Krajës (Speci), Shor Markja, Don Pepini, D. Ejell Radoja, D.P. Babi.“



Ky eshte nje botim i vitit 1935 dhe une po therras :



PSE o Shqiptare lejoni qe barbaret komuniste akoma t`ju mohojne te verteten?



Se kush eshte ky studiues e martir qe te paktit nga ne e njofin jo per faj te vet mund te lexoni ketu:

http://www.dardania.com/phoenix/phoenix_2001_01_02_03/phoenix_2001_01_02_03_art10.html

Nje pjese me lejoni ta citoj:



„Atë Donat Kurti vdiq 18 vjet më parë, më 10 nëntor 1983. Edhe vdekja e tij, ashtu si dhe jeta, qe e varfër dhe e frikshme. E mbesa, Riti Radovani (Toska), duke sjellë ndërmend atë ditë të dhimbshme, me lot në sy e më një zë që i dridhet thekson: "Mua më paraqitet si një film bardh e zi dita e 11 nëntorit 1983. Shumë njerëz dëshironin të merrnin pjesë në ceremoninë mortore të tij, t'ia shihnin për herë të fundit atë fytyrë fisnike t'ia puthnin atë dotë që kishte shkruar aq shumë për kulturën shqiptare, por …shumë pak erdhën. Frika e persekutimit, kjo ndjenjë e keqe që e shkatërroi këtë komb, bëri që të mohohej njeriu i zemrës dhe i shpirtit" (shih, Florenca Jakova (Radovani), Atë Donat Kurti, jeta e vepra, temë diplome, Universiteti "Luigj Gurakuqi", Departamenti i Letërsisë, 1999).



Për vdekjen e këtij dijetari nuk u shkrua asnjë rresht. Atij, siç iu mohua jeta, iu mohua edhe vdekja. Si datë vdekjeje merret viti 1969, pra, bëhet i vdekur 14 vjet përpara (shih Robert Elsie, "Historia e letërsisë shqiptare", Tiranë – Pejë, 1997, fq.378).



Por, fatmirësisht, atë që nuk e bëri shqiptari e bëri i huaji. Para 3-4 vitesh në Gjermani u zhvillua një Simpozium i gjerë në shkallë ndërkombëtare, për Epikën heroike. Karrigia, ku ishte shkruar emri i Atë Donatit, e zbukuruar me një tubë lule shumëngjyrëshe, ndejti e pazënë në të gjitha ditët e tubimit…Kjo shenjë nderimi ishte mirënjohja dhe respekti që kishte bota e qytetëruar për të. Kjo ishte njëkohësisht dhe një qortim për ne, duke vërtetuar më së miri thënien lapidar të prof. Skënder Luarasit, se: "E gjithë bota i ndërton heronjtë prej balte, ne i kemi dhe i hedhim në baltë".



Në sa po jepte shpirt ky njeri i bekuar, la amanet vetëm tri fjalë:



Dashuri!, Vëllazëri !, Mëshirë ! Ishte mesazhi i fundit i shpirtit të tij fisnik, mesazhi i një dijetari të martirizuar, që e deshi aq shumë popullin dhe atdheun e vet e që për ta arriti deri në flijim…“





Te nderuar shqiptare, kudo ku jeni, ka kaluar koha e ne duhet akoma te Rilindim?



Anton Ashta.

P.S. Cdo kush eshte i lire qe te jape mendimin e tij per sa lexon ketu, por ju kerkoj qe te mos e kaloni cakun, duke e kthyer kete teme, ne nje debat personal, ndryshe do ti kerkoj moderatoreve, qe ta mbyllin si teme.
Me respekte
Admirali
 

Admir

Forumium maestatis
Re: Dokumenta historike

Shume Interesante. Falemnderit per kete informacion te vyer Admiral. Shpresoj qe te na ndricosh serish.

Me nderime,
Admiri
 

Dajaku

Primus registratum
Re: Dokumenta historike

O i nderuari im admiral i fllotes!
Komunizmin qe na mbuloi do ta zhdukim me rrenje deri ne muzhikeri nga erdhi me gjithe kryemuzhikum Fatos Nano!!!! :tipsy: :tipsy: :tipsy: :tipsy:
 
Top