Do një zanat dhe je pa punë? Ja 47 kurse profesionale

timthumb.php



Ja dokumentet që i duhen çdokujt për të qenë pjesë e një nga 47 kurseve, të cilat ofrohen në Drejtorinë Rajonale të Formimit Profesional.
Kaluam pranë shkollës Besnik Sykja dhe pamë të rinj që dilnin së bashku të lumtur. Fillimisht, menduam se ata ishin gjimnazistë, por jo të gjithë ishin aq gjimnazistë. Grupmosha të ndryshme po dilnin prej andej së afërmi të lumtur që kishim mësuar diçka të re edhe sot. Zbuluam se aty së afërmi ishte një Drejtori Rajonale e Formimit Profesional. Saktësisht, ishte Drejtoria e Formimit Profesional numër 4 në Tiranë.
Kursantët kishin ikur, të tjerë ishin në ndjekje të kursit, por “Shekulli” nuk u largua pa biseduar m drejtorin e kësaj qendre që dukej si një formë shpëtimi për disa dhe si një rrugë që të çon drejt punësimit për disa të tjerë.
Arben Sinojmeri, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional 4 në kryeqytet nuk nguroi të na shpjegonte se besimi në funksionimin e këtyre drejtorive ka filluar gjithnjë e më shumë të shtohet, pasi edhe numri i kursantëve është rritur shumë. Sinojmeri do të na shpjegojë në një intervistë për “Shekullin” edhe dokumentet që i duhen çdokujt për të qenë pjesë e një nga 47 kurseve, të cilat ofrohen në këtë drejtori.

Cili është qëllimi i kësaj drejtorie të formimit profesional?
Qëllimi i DRFPP-ve, pra jo vetëm i yni është afrimi i punëkërkuesve të papunë, drejt tregut të punës, në një kohë rekord. Ne ofrojmë kurse profesionale për të papunët punëkërkues dhe për çdo person tjetër të interesuar.

Sa kurse ofroni aktualisht?
DRFPP 4 ofron rreth 47 kurse për këdo që dëshiron të marrë një zanat apo të përmirësojë dhe të forcojë aftësitë e veta në një fushë të caktuar. Kurset janë të ndara sipas këtyre katër departamenteve: departamenti i shërbimeve teknike, ai i shërbimeve turistike, ai i shërbimeve sociale dhe shërbimeve të tjera. Ne ofrojmë kurse profesionale dhe jo profesionale. Kurset profesionale përfshijnë zanatet më të kërkuara në tregun e punës, kurse kurset jo-profesionale (ose suplementare) përfshijnë njohuritë ekstra që duhet të ketë çdo punëkërkues i standardeve moderne (gjuhë të huaja dhe bazat e kompjuterit).

Çfarë dokumentesh i duhet çdokujt për t’u bërë pjesë e juaja?

Për të papunët punëkërkues (që e përfitojnë falas kursin) duhet: një kopje e dokumentit identifikues, si dhe një kupon që tërhiqet pranë Zyrave të Punës Tiranë, që të vërtetojë papunësinë. Për personat e punësuar që duan formim ekstra pranë qendrës: duhet ID si dhe një pagesë (me tarifa shumë sociale) që bëhet pranë bankave. Ndërsa për kategorinë e fundit, atë të personave që u përkasin kategorive sociale në nevojë duhet ID dhe një dokument që të vërtetojë kategorinë së cilës i përket. Nuk janë shumë dokumente dhe as që është një procedurë e bezdisshme aplikimi për t’u bërë pjesë e drejtorisë sonë.

A ka një grupmoshë të caktuar, e cila është më e favorshme për t’u bërë pjesë e juaja?
I vetmi kriter i yni është që të jesh mbi 16 vjeç dhe kjo për një arsye madhore: sepse kjo është kufiri i moshës mbi të cilin lejohet punësimi ose vetë-punësimi.

Sa zgjat një kurs?

Ka kurse që zgjasin dy muaj, por ka edhe të tjerë që zgjasin 12 muaj. Pra, varet nga dega që zgjidhet nga aplikanti për kursant.

Sa të interesuar janë sot shqiptarët për kurset profesionale?
Ka një interes në rritje të vazhdueshme të punëkërkuesve të papunë karshi formimit profesional. Unë do të thosha që njerëzit po ndërgjegjësohen për përfitimin e jashtëzakonshëm që sjell përvetësimi i një zanati të kërkuar nga tregu i punës. Viti 2013-2014 tashmë është konsideruar si nisja e një epoke të re: Rinia (dhe jo vetëm) drejt arsimit dhe formimit profesional. Vëmendja e qeverisë për rritjen e numrit të të punësuarve, drejt zanateve, ka krijuar një impakt pozitiv jo vetëm tek punëkërkuesit, por edhe tek DRFPP-të, të cilat po i përgjigjen këtij objektivi. DRFPP numër 4 është në sinkron me angazhimin e qeverisë dhe me nevojat e punëkërkuesve dhe sipërmarrjes shqiptare për ofrimin e punëtorëve cilësorë.

Sa e ndihmon ky organizim shoqërinë shqiptare?

Është një periudhë ndryshimesh dhe ridimensionimi të pozicioneve që shoqëria shqiptare po konturon. Ne duam të jemi pjesë e Europës dhe duhet të orientohemi drejt atyre nevojave që Europa ka dhe ne mund ta bëjmë këtë më së miri. Shoqëria jonë nuk mund të eksportojë tru??? Ne mund të shesim shërbime shumë të mira dhe konkurruese në ndërtim, agroturizëm e shërbime të tjera sociale. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë mision ndaj punojmë fort. DRFPP 4 është sot pa dyshim një ndër skuadrat model. Ajo është në transformim total, po ndryshon në mentalitet, në politikat e formimit, në raportet e saj me sipërmarrjen dhe rritjen e bashkëpunimit të ndërsjellë me partneret tanë. Ndaj edhe vëmendja e të rinjve ka filluar të rritet ndjeshëm.

DRFPP 4 dhe stafi i saj e ndjek me shumë vëmendje jo vetëm formimin, por edhe postformimin. “Sepse kemi një bazë të dhënash për kursantët që punësohen dhe punojnë fort me bizneset për të mundësuar çdo punësim. Ne jemi sot një qendër që po ndryshojmë dhe po përmbysim mentalitetin”, na tregon drejtori Arben Sinojmeri. “DRFPP 4 mund të pilotojë edhe politika vetëfinancimi, pasi ne mund të gjenerojmë të ardhura dhe të dalim nga politikat e subvencioneve buxhetore. Mundësitë janë, modelet ekzistojnë, ndaj na duhet vetëm vullneti dhe vëzhgimi në një optike të re, pa paragjykime i këtij procesi që mund të jetë një revolucion. Ne jemi gati të garojmë”, e mbyll ai bisedën me Shekullin.

47 kurset që mund t’i përfitoni falas

DRFPP 4 ofron rreth 46 kurse për këdo që dëshiron të marrë një zanat apo të përmirësojë dhe të forcojë aftësitë e veta në një fushë të caktuar. Kurset janë të ndara sipas këtyre katër departamenteve: departamenti i shërbimeve teknike, ai i shërbimeve turistike, ai i shërbimeve sociale dhe shërbimeve të tjera.

1. Elektroaut (2 nivele), 5 muaj

2. Shërbime automobilistike, 5-6 muaj

3. Llamarinist, bojatisje mjeti, 5 muaj

4. Saldator, 3 muaj

5. Instalues i rrjetit elektrik, 4-5 muaj

6. Riparues i elektroshtëpiakeve, 5 m

7. Instalues panelesh fotovoltaike, 3 m

8. Hidraulikë, 5 muaj

9. Instalues e riparues të sistemeve ngrohëse-ftohëse, 3.5 muaj

10. Instalues panelesh diellore, 3 muaj

11. Riparues elektronik, 4-5 muaj

12. Riparues për kompjuterë, 4.5 muaj

13. Ndërtim, 7-8 muaj

14. Punëtor duro-alumini, 2.5 muaj

15. Kopështari-Luleshtari, 3.5 muaj

16. Punues druri, 5 muaj

17. Mobilier, 5 muaj

18. Tapicier, 3-4 muaj

19. Rrobaqepësi, 4-5 muaj

20. Fasoneri, 2 muaj

21. Punime tekstili, 5 muaj

22. Tipograf, 5 muaj

23. Parukeri, 4 muaj

24. Estetike, 5 muaj

25. Manikyr-Pedikyr, 2.5 muaj

26. Berber, 2.5 muaj

27. Tatuator, 2.5 muaj

28. Kuzhinier, 4-5 muaj

29. Kamarier, 2.5 muaj

30. Banakier, 3 muaj

31. Përpunim brumi, 4-5 muaj

32. Recepsionist 2.5 muaj

33. Turizëm familjar, 4 muaj

34. Guidë turistike, 2 muaj

35. Sekretari, 2.5 muaj

36. Asistente social, 2.5 muaj

37. Kujdestar fëmijësh, 2 muaj

38. Kujdestar për të moshuar, 2 muaj

39. Kujdestare në shtëpi, 2 muaj

40. Kujdestar për personat me aftësi të kufizuar, 2.5 muaj

41. Sipërmarrës biznes i vogël, 3 muaj

42. Arkëtar zyre, 2 muaj

43. Kompjuter, 2 muaj

44. Graphic design, 1 muaj

45. Anglisht (3 nivele), 11 muaj

46. Italisht (3 nivele), 11 muaj

47. Gjermanisht (3 nivele), 11 muaj

i njësisë 4 në kryeqytet Arben Sinojmeri

/She
kulli
 
Top