Demokracia elektronike dhe fuqia e medias

Hektor12

Locus omnem
Demokracia elektronike” dhe fuqia e medies

Asnjëherë më parë pushteti i medies nuk ka qenë kaq i fuqishëm sa sot. Madje, ajo po luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, ndoshta përtej misionit tradicional në formatimin e demokracisë shqiptare. Këtë askush nuk e vë në dyshim, sepse media e shkruar dhe elektronike është pjesë integrale e jetës së përditshme të qytetarit, e jetës politike dhe publike. Nëse do të bëjmë një vëzhgim social të ndikimit gjithëpërfshirës të medies në jetën e shoqërisë shqiptare, nuk është e vështirë të konstatojmë se tani ka një përputhje të realiteteve të pasqyruara në rrugë mediatike me realitetet politike dhe sociale. Media ka shkurtuar distancën kohore, ka ndikuar në krijimin e një “realiteti sinkretik”, midis realitetit politik, pasqyrimit mediatik dhe reagimit qytetar. Si rezultat i fuqisë së medies ato janë shkrirë në një “realitet të pavarur”.

Është e pamundur ti shmangesh së vërtetës se media në Shqipëri ka marrë një rol të ri në ndikimet e veta të “pushtetshme”, që ndikojnë në sferën politike, sociale, kulturore dhe qytetare. Ndoshta duhet “matur” madhësia e pushtetit të medies në Shqipëri. Nuk do ta zmadhonim nëse do të pranonim se ky pushtet po e kalon kufirin e paracaktuar të saj si “pushtet i katërt”. Pa dyshim në transformimet e shpejta kulturore, psikologjike, politike dhe mentale të politikës dhe shoqërisë shqiptare ka ndikimin e vet të padiskutueshëm zhvillimi i përshpejtuar i medies. Politika shqiptare nuk do të ishte kaq transparente, demokratike pa një industri të fuqishme të komunikimit mediatik, pa këtë rrjet ekspansiv, që tashmë nuk ka më thjesht rolin e shërbëtorit, nuk është më vetëm informues, opinionbërës i thjeshtë. Në kohën tonë në sociologjinë moderne po diskutohet shumë për polivalencën e pushtetit mediatik, për fuqinë intervenuese në politikë, forcën ndikuese, vendimtare në jetën e shoqërisë shqiptare.

Në sociologjinë e medies po flitet gjithnjë e më shumë për një dimension të ri social-politik, për një ndikim omnipotent të saj mbi politikën, pushtetin, biznesin, jetën publike dhe intime të qytetarit. Tashmë askush në Shqipëri, pavarësisht pozicionit social, kulturës, formimit intelektual dhe orientimeve të tjera personale me natyrë pluraliste nuk ka guxim të mohojë “fuqinë përcaktuese” të medies në Shqipëri. Ajo duket qartë në politikë, në jetën sociale të shoqërisë, në formatin modern të të cilit është pa dyshim edhe ndikimi medies. Nga pikëpamja sociologjike duhet pranuar se ende këto ndikime reciproke të ndërlikuara, interferimet e pushtetshme të medies në jetën tonë nuk janë studiuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe nuk ka konkluzione shteruese. Ndoshta sociologjia e medies (e cila duhet zhvilluar) duhet të mendojë dhe të intervenojë më shumë për të parë ontologjinë e re dhe fenomenologjinë polivalente të pushtetit mediatik në realitetin e shoqërisë shqiptare. Jurgen Habermas, ky filozof i madh dhe mjeshtër i komunikimit mediatik. e vlerëson medien dhe aftësinë e saj si mjet “për të ndarë dhe riprodhuar në mënyrë intersubjektive” realitetet politike e sociale të shoqërisë. Sipas tij, ajo ka rol të veçantë për “imazhin e njerëzve që dalin në hapësirën publike të një kulture të përbashkët”.

Nëse dekada më parë flitej për rol ndërmjetësues të medies në lidhjet e saj joorganike me politikën, pushtetin, shoqërinë etj., sot më duket se pushteti i saj është më shumë se kaq. Sa është madhësia e këtij pushteti, cilat janë raportet e tij me pushtetet e tjera, kjo është një gjë që duhet studiuar nga pikëpamja e forcës interferuese të medies në jetën politike dhe strukturat sociale të shoqërisë shqiptare. Sepse tashmë media nuk është në funksionet e thjeshta të pushtetit të komunikimit të informacionit si formë e pushtetit pasiv. Ajo ka një rol tjetër, edhe ndërmjetësues dhe të drejtpërdrejtë. Duke dashur ta them në mënyrë sa më të përgjithësuar që të jetë e mundur, ajo ka mision që të modelojë universin e komunikimit me publikun, duke ndikuar mbi politikën dhe nxitur në të njëjtën kohë reagimin publik dhe mendimin qytetar. Pa dyshim mbetet meritë e konsoliduar, konstante e pacenuar fakti që fuqia e medies ndikon në sensibilizimin e institucioneve, pushteteve dhe opinionit të qytetarit, duke pasur kështu ndikim të fuqishëm në trajtimet e problemeve të tyre.

Në shoqërinë tonë është rritur pushteti i medies mbi strukturat politike, sociale, ideologjike dhe mendore. Madje, ai është aq i fortë e përcaktues, saqë roli i saj konsiderohet si një nga problemet kyç të demokracisë. Megjithatë, kjo fuqi e “tepërt” e medies ka kundërefektet e veta negative, që dëmtojnë balancat e demokracisë, sepse mediatizimi i politikës, jetës sociale ka problemet dhe kontradiktat e veta. Politologët dhe sociologët janë shumë të shqetësuar për natyrën thjeshtëzuese dhe karakterin përzgjedhës të medies. Filozofi dhe politologu i njohur Josep Ramoneda thotë se demokracia humbet nga televizioni dendësinë e përmbajtjes së saj. Sepse sipas tij televizioni e ka bërë politikën si “garë sportive”. Në pamje të parë të duket se media bën një lidhje më të fortë të qytetarit me politikën, duke rritur aftësinë ndërhyrëse të tij. Po nëse problemin e shohim ca më thellë, duket se media me kollajllëkun e saj të lidhjes së qytetarit me botën politike përmes ekranit dhe konsumit pasiv të politikës po bën efektin e kundërt, duke zhdukur edhe atë pak gjë shoqërizuese që ka mbetur në jetën politike. Në të vërtetë nuk është shqetësim i vogël fakti që mediet tona shpesh duket sikur kanë marrë përsipër misionin e thjeshtë të afirmimit në publik të udhëheqësve karizmatikë të politikës sonë. Transmetimi televiziv i politikës favorizon “personalizimin” e tiraninë e pranisë së pandërprerë të të njëjtëve njerëz. Ndaj teledemokracia është e lidhur me dukurinë e “telelireshipit”.

Është në natyrën e shoqërisë moderne që në medien elektronike dhe të shkruar të zërë një vend të gjerë debati politik. Shumica absolute e qytetarëve, duke përfshirë edhe militantët që aderojnë nëpër partitë politike, zhvillimet e demokracisë i ndjekin përmes ekraneve të televizioneve. Shtëpia tashmë nuk është vetëm kinema, stadium, auditor, sallë ekspozite, por dhe mjedis politik.

Në shtëpitë tona media sjell në mënyrë të drejtpërdrejt mbledhjet e Parlamentit, të Këshillit të Ministrave, të kryesive të partive, debatet midis politikanëve – gjithçka. Tërë bota politike është mediatizuar deri në ekstrem. Në mendimin sociologjik që merret me studimin e raportit midis medies, qytetarit dhe politikës, ka vlerësime të ndryshme, të cilat përgjithësisht idolatrizojnë fuqinë mediatike, potencialin dhe shpejtësinë e komunikimit me qytetarin në ambientin e tij familjar. Media e ka bërë shtëpinë tonë tani qendër të debatit dhe diskutimit politik, të miratimit dhe kundërshtimit të veprimtarisë politike institucionale. Studiuesi amerikan Neil Potsman dhe austriaku Friz Plaser janë të mendimit se demokracia tradicionale, që kishte ndarë në distancë qytetarin me politikën dhe demokracinë, tani përherë e më shumë konvergojnë me njëra-tjetrën, madje sipas tyre po e shndërron në një “demokraci elektronike” të shikuesve. Kjo lidhje sociale e medies me qytetarin nëpërmjet informacionit që transmeton dhe interpreton, të krijon idenë (e cila sipas meje nuk është e gabuar) se ato janë kundërshtare të parlamentit, qeverisë dhe të partive politike. Kështu konceptohen në Shqipëri mediet që janë kundërshtare me qeverinë.

Analiza e politikës përmes medies dhe kutisë të televizorit familjar të krijon idenë se demokracia rrjedh vetëm përmes ekranit dhe konsumohet në biseda pasive në shtëpi. Ky këndshikim pasiv mediatik i politikës bën që shpesh qytetari të shikojë anën aparenciale të politikës, pjesën e saj të spektaklit, pa qenë në gjendje të dallojë ndërvarësitë e saj. Nuk është dukuri vetëm jona fakti që media po e redukton politikën në “News”. Sociologët e politikës janë të shqetësuar për këtë dukuri të perceptimit të politikës së mediatizuar, si një mënyrë që e mban qytetarin larg dhe indiferent ndaj saj. Sipas tyre, në qoftë se qytetari e vlerëson politikën vetëm për gjërat e reja që sjell media në shtëpi, për ngjarje të devijuara nga normaliteti, atëherë kjo do të thotë se politika në perceptimin qytetar po e humbet vlerën e saj. Në këtë rast duket ajo dukuri që shfaqet në shoqërinë tonë, në të cilën politika po reduktohet në spektakël televiziv dhe qytetari si konsumator pasiv, që gradualisht degradon në një shikues të rëndomtë. Ndaj analistët e politikës demokratike ngrenë shqetësimin se nga pushteti i tepërt i medies “politika po fundoset nën dëfrimin estetik që të jep një botë e re e bukur, e cila jeton nga dashamirësia apolitike e qytetarëve”.

Kjo situatë më kujton një ngjarje të ndodhur me qytetarët e Barcelonës, të cilët, të mërzitur me “imazhet mediatike”, shkruan në muret e sheshit “Castilia” se “ndërsa ne po na pshurrin përsipër, shtypi thotë se po bie shi”…
 

Hektor12

Locus omnem
Shtypi i shkruar, çfarë të ardhmeje, dhe SuperGazeta

Ka pothuajse njëfarë ngazëllimi, në qarqe të ndryshme, me prospektin e një fundi të historisë sa i takon shtypit të shkruar dhe formave të tjera të medias tradicionale në përgjithësi. Pritet që mediat sociale, Facebook e të ngjashmit e tij, të bëhen formate sunduese dhe të pranuara si të tilla, domethënë që jo vetëm ta sundojnë spektrin e audiencës, por edhe të kenë skeptrin e referencialitetit. Te kjo e fundit, në fakt fillon edhe gabimi i entuziastëve, sepse ngatërrohet ajo që mund të quhet medium i networkut memediumin mediatik (ndërmjetësues).

Çfarë është një medium i networkut (rrjetit) dhe çfarë është një medium mediatik, të cilët, për lehtësi le t’i quajmë MN dhe MM? MN, prapë Facebook është përfaqësues par excellence, janë faqet e secilit në këtë rrjet social, qofshin këta personazhe të njohur apo krejt anonimë. Ka një element të thjeshtë e lehtësisht të kapshëm që bën një ballafaqim të dy llojeve të medias (tradicionales dhe të resë): statusi i protagonistit. Nuk ka ndonjë rast që personazhe të dalë nga media e re të jenë bërë protagonistë në ato tradicionale. E kundërta është e vërtetë. Për shembull, profesori i nderuar Artan Fuga i ka ndjekësit në Facebook si autori i librave Artan Fuga që intervistohet në gazeta, televizione e radio dhe jo si Artan Fuga me faqe në Facebook. Ka, në tepri, emra të tjerë që mund ta ilustrojnë këtë.

Pra, mediat tradicionale nuk janë në fundin e historisë si të tilla; nuk zhduket misioni dhe as nevoja për to, shndërrohet forma dhe aksesi te to. Gazetat dhe revistat, ndërkohë duhet të nxitojnë për t’u bërë pjesë e këtij shndërrimi, dhe në rastin ekselent për t’i paraprirë atij. Transformimi fillon me dy ndryshime të rëndësishme: ndarjen me gazetarët mediokër dhe skajimin e gjinive jogazetareske. E para do të thotë krijimi i Autorit, i gazetarit që interpreton duke, mundësisht, iu shmangur komentit, dhe e dyta është largimi prej shërbimeve të klasifikuara (listave etj), të cilat në asnjë rast nuk janë gazetari.

Ardhja e autorit në gazetari duhet të ndodhë pasi të jetë kuptuar se për shtypin e shkruarlove affair-i ose marrëdhënia e shenjtëruar me pesë pyetjet klasike (Five W-s) ka marrë fund. Shtypi nuk mund të ketë më parësore Kush?, Çfarë? Ku?, Kur?, Pse? dhe për një arsye shumë të thjeshtë. Televizioni u është përgjigjur një natë më parë këtyre pyetjeve. Shtypit i kanë mbetur Pse-ja dhe një mori interpretimesh të katër pyetjeve të tjera. Por interpretimi është edhe gjëja më e vështirë për shkak se ngjarjet gjithmonë janë pjesë e një konteksti social, politik, kulturor, e të tjera. Që interpretimi të jetë profesional dhe i paparagjykueshëm gazetari (autori) duhet t’i njohë këto kontekste. Pa i njohur nuk mund t’i shpjegojë dhe pa i shpjeguar nuk mund t’i interpretojë.

Teoria e gazetarisë interpretative që zëvendëson gazetarinë e Five W-s është e britanikut James Stayner, dhe mund të ketë aplikim edhe në TV, por është sidomos e domosdoshme për shtypin e shkruar. Kjo teori përplaset direkt me të ashtuquajturën gazetari e qytetarëve sepse një amator mund t’u përgjigjet ndoshta pyetjeve Ku? dhe Kur? dhe kaq. Vetëm ndonjë rastësi fatlume do na jepte një qytetar që edhe e interpreton ngjarjen për një audiencë të gjerë. Për të mos harruar një përmasë tjetër të gazetarisë profesioniste që është vijimësia (follow up). Interesi i qytetarit për një ngjarje zgjat zakonisht sa ç’është edhe tronditja apo befasia e tij: ai/ajo mund ta filmojë apo jetë dëshmitar, le të themi i një shpërthimi, dhe më vonë ndoshta të protestojë kundër autoriteteve për moszbulimin e autorëve ose gjetjen e shkaqeve, por vetëm kaq. Gazetari profesionit është gjithçka tjetër.

Kjo zhvendosje në teori dhe në logjistikë, kjo vdekje e gazetarit dhe lindje e autorit thërret për krijimin e SuperGazetës. Lexuesi do të kërkojë një medium që peshon; autoritet aty ku gjithçka është bërë e lehtë dhe e shpërfillshme; referencialitet aty ku gjithçka është bërë konvencionalitet; komentariat aty ku gjithçka është bërë thashethem. KjoSuperGazetë përputhet me natyrën e vet nëpërmjet një mecenati të iluminuar me burime të mjaftueshme financiare, me qëllim themelimin e një forumi të cilin nuk mund ta shmangësh, por as mund t’i shmangesh.

Ideja e një SuperGazete në një vend si Shqipëria ku nuk ka patur kurrë forma të një të tille, ngjan një utopi. Dhe e tillë është. Por realiteti është edhe më i rrëshqitshëm se utopia. Gazetat shqiptare janë pjesë e një krize të përgjithshme. Në shkelje të hapur të natyrës dhe misionit të tyre, ato duket se kanë ngecur e po merren teposhtë nga gropa thithëse e inercisë. Kjo gropë figurative përkthehet si krizë identiteti: pronarët, menaxherët, stafet duhet ta ndajnë mendjen se çfarë janë dhe çfarë i duan gazetat e tyre të jenë: tabloide, serioze, buletin klasifikimesh (classified).

Emergjenca bëhet më e thekshme po të kujtosh se lexuesi nuk është si gjarpri që e ndërron lëkurën kur ndërron moti: lexuesi i vjetër po vdes dhe i riu ka lindur ndërkohë. Investimi i ri, nëse do të ketë të tillë, duhet të shkojë për lexuesin e ri (18-45 vjeçar). Po shuhet gjenerata që ishte në të tridhjetat e dyzetat në fillim të viteve ’90, dhe që përcaktoi kursin e asaj që shkruhej e lexohej. Pensionistët nuk janë më lexues si të tillë: ata kërkojnë kryesisht lista pensionesh dhe informacione që kanë të bëjnë me shëndetin. Në redaksitë e gazetave qarkullon shakaja se lexuesit tanë janë kapterë e pensionistë; megjithatë nuk bëhet asgjë për t’u shkëputur prej tyre; megjithatë, shërbimi (trajtimi i lajmit dhe paketimi i tij) u shkon pikërisht atyre.

Shndërrimi, sigurisht është cilësor, dhe bëhet me njerëz dhe mjete cilësore. Kërkohen mecenatë, menaxherë dhe stafe sipërmarrëse. Kërkohet gazetari i ri interpretativ (autori), kërkohet blogu në gazetë, kërkohet gazeta në sajt. Të gjitha brenda një interaktiviteti kreativ. Mbi të gjitha për gazetën nuk ka më, e nuk mund të ketë breaking news; jemi në kohën e breaking views, interpretimeve dhe pikëpamjeve, pse jo edhe komenteve mbi atë që ka ndodhur, pse ka ndodhur, pse tani, cilat janë implikimet, ç’e ka prodhuar, çfarë do të prodhojë, si reflektohet kjo te koha dhe njerëzit.
 

Hektor12

Locus omnem
Roli i informacionit në zbehjen e mediave gjeneraliste
Çdo shtetas madhor në Shqipëri e ka komoditetin ta nisë ditën e vet në shoqërinë e një kafeje duke shfletuar faqet e gazetave të ditës ose duke ndjekur lajmet e përmbledhura të mëngjesit. Dhe në fakt asgjë e re; i njëjti debat parlamentar si ai i transmetuar në televizion një natë më parë por i ofruar me më shumë detaje dhe ndoshta shoqëruar me ndonjë deklaratë të re të ndonjë përfaqësuesi politik për ngjarjen dhe që zë 3-4 faqet e para të gazetave. Më tej, lajmet e kronikës së zezë që janë transmetuar tashmë në median elektronike të një dite më parë, dhe që për më tepër i ngjajnë filmave horror, por që në ndryshim nga këto të fundit, shfaqen pa kujdes ndaj psikikës së individit, që në agim të ditës. Ndonjë lajm i orëve të fundit përbën ‘skupin’ për gazetën dhe si trofe e publikon atë që në faqet e saj të para.Dhe, njësoj edhe ky lajm qëndron pezull në ekosistemin mediatik derisa një ngjarje e re, zakonisht politike apo e kronikës të përmbajë kriterin për t’u konsideruar lajm dhe për t’u lakuar përsëritshëm dhe dhunshëm.

Në Shqipëri ka dhjetëra kanale televizive e media të printuara të cilat ciklojnë e riciklojnë të njëjtin informacion për minimalisht dy ditë radhazi duke kaluar stafetën nga njëra tek tjetra dhe pa përcjellë ndonjë informacion të ri. Në emër të misionit të medias për të informuar, çdo lajm publikohet pavarësisht kriterit të lajmit, të risisë. Informacione të ndryshme të kronikës së zezë, që nga grabitje çantash e deri tek ato më të bujshme dhe me implikime të frikshme shoqërore apo debate e tensione politike publikohen në media me një intensitet të paprecedent. Të gjitha informacionet ciklohen nga moria e televizioneve një ditë më parë në morinë e gazetave të ditës pasardhëse dhe anasjelltas, çka të krijon idenë e një dhune të pashtershme dhe të një intensiteti ngjarjesh sociale e politike të ngarkuara. Duke nënvizuar efektin e mediave në mënyrën se si njerëzit mendojnë duhet të kuptohet se super-ekspozimi i informacioneve ndikon në mënyrën se si njerëzit perceptojnë realitetin përreth tyre. Në kushtet e mbingopjes me informacion shqisat mpihen, njësoj siç mpihen receptorët e dëgjimit te njerëzit që jetojnë pranë aeroporteve, ku zhurma e avionëve nuk u duket më shqetësuese. Ata fillojnë e perceptojnë situatën si normale aq sa nuk jetojnë dot pa të dhe kështu, duke e brendësuar atë, priren ta imitojnë. Kjo, në fakt përbën rastin më fatkeq për shoqërinë, sepse nga ana tjetër mund të ndodhë që njerëzit të mos e përballojnë dot këtë mori informacioni të dhunshëm dhe kështu zgjedhin të bojkotojnë informacionin, si rrjedhim të bojkotojnë median, audienca e së cilës do të vijë duke u zvogëluar në terma cilësorë.

Në logjikën e mësipërme justifikohet edhe perceptimi që ekziston se shoqëria shqiptare është tejet e politizuar, sepse edhe media është tejet e politizuar. Jo vetëm që media pjesën më të madhe të hapësirës ia kushton lajmeve të politikës, por edhe publiku ka interes për to, edhe për shkak të relevancës së tyre mbi zhvillimet funksionale të shoqërisë. Kjo mund të duket një logjikë thelbësisht biznesi, ku kompania (në këtë rast media) shet atë që konsumatori (në këtë rast dëgjuesit/lexuesit) kërkon dhe ka më tepër dëshirë të konsumojë. Në fakt, dilema nëse shoqëria e politizuar i është imponuar medias për të përcaktuar përmbajtjen e saj apo media e politizuar ka definuar publikun dhe në përgjithësi shoqërinë e politizuar, nuk është më shumë shqetësuese sesa të kuptohen arsyet se përse media bëhet lehtësisht pre e politikës dhe e bizneseve. Dhe më tej cilat janë implikimet e këtij nënshtrimi mbi median në vetvete?

Realisht, përsëritja dhe super-ekspozimi i informacioneve në media, që ndonjëherë nuk përbëjnë lajm është karakteristikë e mediave gjeneraliste, të cilat i janë nënshtruar kontekstit komercializues të medias si organizatë, çka ka ngjyrosur debatin rreth zhvillimit të saj në një mënyrë të pafavorshme.

Media tradicionale në Shqipëri është shënjestruar nga dy çështje sfiduese; një krizë ekonomike e rëndë dhe e gjatë si dhe evolimi i një ekologjie të re e të ndryshme mediatike të orientuar drejt internetit. E para është ndier veçanërisht shumë nga shtypi i shkruar, ndërsa e dyta është padyshim globale dhe po globalizon dhe efektet e saj.
 

Hektor12

Locus omnem
Informacioni dhe çmimi i tij

Referuar McLuhan media përfaqëson kushtet për mundësitë e funksionimit të shoqërive moderne, dhe si e tillë duhet të përcaktohen kritere për informacionin që përbën lajm në mënyrë që ai të justifikojë qëllimin e tij, – informimin. Në këtë situatë, organizatat e medias duhet të vendosin se çfarë ka vlerë informative, çka do të thotë se kriteret e lajmit ndryshojnë nga njëra organizatë në tjetrën; ose thënë ndryshe duke hartuar programet e tyre për të menaxhuar kodin (informim/mosinformim) ato vendosin mbi baza të ndryshme për të përcaktuar se cili informacion ka vlerë. Procesi i këtij komunikimi mund të bëjë që vlerat pozitive (informimi) në mënyrë konstante mund të shndërrohen në vlera negative (mosinformimin); pasi riprezantimi si informacion i një lajmi në media të ndryshme dhe për dy ditë me radhë (duke filluar me televizionin dhe vijuar në gazetat e së nesërmes, ose ripërsëritja nga gazetat e mëngjesit në edicionet e drekës) e shtyn publikun larg medias. Nëse për McLuhan-in informacioni është medium për sistemin mediatik, paaftësia për të përcaktuar kodin që e mbështet sjell mosinformimin çka, sipas psikologëve konjitivë, pasohet me shkëputje nga mediat gjeneraliste, të cilat i adresohen masave të publikut.

Nga ana tjetër, për të tejkaluar sadopak problemet ekonomike, media ka filluar të trajtojë audiencën e saj si konsumator të produktit tregtar. Ajo po zhvillon një model informimi të tipit sensacional (infotainment) që tenton të thithë më shumë audiencë por që në thelb janë konsumatorë për kompanitë reklamuese, të cilët përcaktojnë ekzistencën e medias. Duke kuptuar logjikën e funksionimit të tregut mediatik ndërkombëtar, i cili tashmë drejtohet nga tre institucione: organizatat mediatike, reklamuesit (kompani që prodhojnë mallra apo shërbime) dhe agjencitë e reklamimit, interesi i medias është shtrirë përtej misionit të saj. Ajo tashmë tenton të identifikojë dhe bashkojë audiencën dhe konsumatorin. Kjo gjë e bën publikun një konsumator të produkteve që reklamohen në media më shumë sesa një publik i asaj lloj medieje që ruan dhe kontrollon funksionin e qeverisë dhe bizneseve (watchdog). Zbehja e këtij roli të medias po bëhet shumë e dukshme me prezencën e fuqishme të lajmeve që vijnë nga zyrat e marrëdhënieve me publikun dhe të shtypit dhe që publikohen nga media. Duke përdorur terminologjinë e McLuhan-it, kanali i sistemit mediatik, që është informacioni, është zbehur nga kanali i sistemit ekonomik, që është paraja, dhe kështu paraja përcakton vlerën e informacionit që përbën lajm. Në këto kushte çmimi i informacionit po ngrihet në dizfavor të cilësisë së tij. Paraja e ofruar për reklamën si subjekt i marketingut apo për lajmin-reklamë si subjekt i marrëdhënieve me publikun përcakton kriter për lajmin, më shumë sesa parimet gazetareske mbi lajmin, të proklamuara nga shkollat e gazetarisë. Ndikimi i fuqishëm i lajmeve që vijnë nga zyrat e marrëdhënieve me publikun, u evidentua në një studim të kryer nga studentët e gazetarisë së departamentit të Tiranës, profili i marrëdhënieve me publikun, të cilët provuan se 47% e lajmeve të publikuara në një periudhë njëmujore në 8 gazeta burojnë apo sponsorizohen nga këto zyra. Në këtë analizë janë përfshirë lajmet politike, ekonomike, të aktualitetit, sociales e kulturës. Megjithëse, shitja e audiencës është një fenomen që ka lindur së bashku me median, komercializimi i medias po ndikon negativisht mbi cilësinë e lajmit dhe si rrjedhim mbi gazetarinë e vertetë, pavarësisht se falë kësaj rritet çmimi i informacionit dhe media vijon të ekzistojë në një formë apo në një tjetër.
 

Hektor12

Locus omnem
Prirja drejt informacionit online

Këto forma të ndryshme të përshtatjes së medias lidhen me trendet e zhvillimit teknologjik, por që janë edhe një mënyrë për të mbajtur financiarisht median e transformuar në një tjetër formë. Prirja drejt medias online si një formë e re komunikimi erdhi jo vetëm me qëllim krijimin e lehtësirave për informim, apo përshtatjes ndaj ndjeshmërive rreth formave të reja të shprehjes, por si pasojë e ndryshimit të kodeve të komunikimit apo rritjes së kapaciteteve riprodhuese dhe magazinuese të informacionit në media, çka vështirësonte shpërndarjen e mesazhit dhe si rrjedhim funksionimin e medias. Media online kontribuon në rregullimin e këtyre vështirësive, pasi nga njëra anë media do të kalojë në proceset e zhvillimit normal shoqëror nga komunikimi verbal në atë print e televiziv e më tej edhe virtual, dhe nga ana tjetër komunikimi online eviton superekspozimin e zgjatur të informacionit për hir të komoditetit që ofron në kohë. Nga ana tjetër ato kryejnë segmentimin e publikut dhe në njëfarë mase edhe individualizimin e tij çka shmang lajmin e orientuar masivisht. Megjithëse pretendohet se ‘mediat tradicionale’ po zëvendësohen nga të rejat, në fakt, në Shqipëria ato vijojnë të jenë në front të ofrimit të shërbimeve online të informimit, si në aspektin teknologjik ashtu edhe në reputacion.

Megjithatë, një fakt duket qartë se publiku po priret drejt mediave online jo vetëm për hir të lirisë në përzgjedhjen e informacionit që do të lexojë (lajmet zakonisht jepen me tituj dhe publiku zgjedh nëse do t’i lexojë) por edhe për hir të modelit individual në qasjen ndaj publikut (lajmin e lexon në privatësi, në komoditetin e shtëpisë dhe në çdo kohë që zgjedh).
 

Hektor12

Locus omnem
Mediat gjeneraliste përballë mediave hiper-lokaliste

Tendenca për ta bërë publikun të targetuar nga lajmi, në fakt duket se është sfida që qëndron përballë mediave aktuale gjeneraliste. Këto të fundit, janë pre të lehta të pushtetit të politikës dhe të bizneseve, për hir të spektrit të gjerë të audiencës që i drejtohen. Për t’iu përshtatur praktikës së marketingut ata alterojnë programacionin në bazë të orëve të shikueshmërisë së audiencave specifike duke krijuar kushte për targetimin e konsumatorëve nga marketingu i bizneseve apo ai politik. Në të kundërt, mediat e specializuara e të lokalizuara targetojnë publikë specifikë në interesa duke e bërë më të rëndësishëm përfshirjen e mediave në strategjitë komunikuese të kompanive private apo organizatave poltike, duke qenë se domosdoshmëria e publikut për produktin është më evidente në një publik sa më të lokalizuar.

Targetimi i publikut në njëfarë mënyrë duket se është prezent në mediat lokale në vend, të cilat janë burim më i vlefshëm informacioni për komunitetin lokal sesa mediat kombëtare. Megjithatë edhe mediat lokale nuk i shpëtojnë lajmit politik, porse ato janë më të lokalizuara dhe lidhen më tepër me situatën dhe problematikat lokale. Pak a shumë kjo është edhe tendenca ndërkombëtare për hiper-lokalizimin e informacionit ku lajmet janë në hapësirë dhe në kohë më afër publikut; ato ndodhin në një komunitet të vogël dhe në një kohë të shkurtër nga çasti që ndodhin. Kjo nevojë për të targetuar publik të ngushtë e me interesa të përbashkët sjell nevojën e krijimit të shoqërive poli-centrike, të cilat duhet të ndihen të targetuara nga media mbi bazën e interesave dhe çështjeve të tyre të përbashkëta. Kjo nënkupton krijimin e mediave hiper-lokale dhe të specializuara që merren me trajtimin e çështjeve që targetojnë komunitete të ngushta.

Bota ka ndryshuar dhe po kështu edhe publiku duke e përqendruar debatin në binarët bazë mes medias printversus asaj online, kombëtare apo ndërkombëtare versus lokale e me transmetime shumë specifike (narrowcast). Këto ndryshime flasin për nevojën e një medieje diverse, më demokratike, ndoshta më të varfër financiarisht, dhe natyrisht online. Për më tepër ajo do të jetë globale në akses, si pasojë e virtualitetit, por më e ngushtë në terma çështjesh të interesit publik pasi ajo do të shërbëjë si urë lidhëse mes komuniteteve duke kaluar nga media gjeneraliste në atë hiper-lokaliste. Megithatë këto zhvillime në ekosistemin mediatik nuk janë një element që buron vetëm nga media, por lidhen edhe me vetë zhvillimet e demokracive të vendeve.
 
Top