Dekonspirimi, zbulohet SMS e policëve për sekserët e Sinanajt

80460_4.jpg
Dekonspirimi, zbulohet SMS e policëve për sekserët e Sinanajt.


Dy prej personave të akuzuar si pjesë e grupit kriminal të vrasjeve me pagesë dhe atentateve me eksploziv, janë njoftuar nga punonjës të policisë për hetimet që po zhvilloheshin ndaj tyre.

Marion Mitro, ish-inspektor i INUK në Bashkinë e Vlorës deri në shtator 2013, dyshohet se është njoftuar nga një efektiv i Policisë së Rinasit për urdhër-arrestin e nxjerrë ndaj tij, ndërsa në Vlorë, Andon Mëhillaj është informuar nga një polic “që të bënte kujdes”. Këto të dhëna janë bërë të ditura dje nga burimet e prokurorisë, pasi zv.drejtori i Përgjithshëm i SHKB, Zamir Shtylla, qëndroi për disa orë në zyrat e Krimeve të Rënda. Zyrtari i Ministrisë së Brendshme mësohet se ka dërguar në Prokurorinë e Krimeve të rënda materiale hetimore për tri dosje. Pjesa më e rëndësishme mësohet se kanë qenë materialet e grumbulluara nga hetimet e deritanishme të SHKB-së lidhur me dekonspirimin e aksionit për kapjen e vrasësve me pagesë. Burimet nga hetimi nuk kanë dhënë shumë detaje në lidhje me këtë çështje, por thanë se janë gjetur prova në lidhje me dekonspirimin e aksionit ndaj “grupit të tritolit”.

Sipas provave të cilat tashmë janë administruar në dosjen penale, mësohet se një polic i Rinasit e ka informuar Marion Mitron para arrestimit për urdhrin e ndalimit të dhënë ndaj tij. Ndërkohë, një efektiv i Vlorës ka përcjellë një mesazh tek i dyshuari si porositës i vrasjeve Andon Mëhillaj, duke i thënë “bëj kujdes”.


Burimi: lajm-shqip.com
 
Top