Dashuria dhe perversiteti.

atman

Forumium maestatis
Dashuria dhe perversiteti.

Na kujton një mundësi që humbet brenda mundësisë, thjesht për faktin se e kemi të vështirë ta pranojmë dhe e pranojmë ndoshta vetëm të kushtëzuar, dmth një paradoks. Jemi mësuar ta njohim si më sublimen e ndjenjave, e aftë ta ulë njeriun në fronin e perëndisë, por edhe ta përplasë në katakombet e ferrit, kur molepset. Dashuria është pezulli e kuptuar shpesh si ngatërri e saj me ankthin. Sidoqoftë nuk ikën lart drejt hapësirës qiellore, përndryshe do të mbetej një idol poetik, as i ul këmbët në tokë, ku e pret vdekja e sigurt, por të qënët pezulli zbulon brishtësinë e ekzistencës së saj.


Nëse një djalë dhe një vajzë, kur një burrë dhe një grua, e dashurojnë njëri tjetrin tej mase, le ta themi marrëzisht, mendoj se përbën një terren të minuar ku shpërfytyrimi i dashurisë është një tashmë e papranuar e një fakti të kaluar, njëherësh edhe të realizuar. Çka do të thotë se është gjithmonë vonë për ta shpëtuar në momentin që e kemi kuptuar zvetënimin e ndjenjës. (me pak fjalë, kur të vijnë mendt, s’ti hanë as qentë), ose diçka e ngjashme...me një lajm të hidhur vdekjeje. Nuk do ta besosh, e refuzon dhe janë çaste kur lotët shterrin, duke shpërthyer pak më pas...jo pse thua... Zot ka vdekur...! por ngaqë mendimi se, nuk ke për ta parë kurrmë njeriun e dashur shfaqet si një epitaf.


Epitafi i dashurisë tënde është pamundësia për të jetuar të ardhmen, e të kaluarën. Sepse e tashmja të shkatërron. Ti nuk vë re ç’ndodh sa herë që fryma përvëluese e saj të mban pezull. Lëshohesh në krahët e të dashurës dhe shtrëngohesh fort duke shtrydhur pak e nga pak gjithë emocionet, në puthjet plot afsh shuhet vetë dëshira për të puthur, dhe, sa herë që shkoje rrugës, thuajse duke fluturuar, peshë e lehtësuar prej ndjenjës dhe e muzikalitetit që mbush shpirtin e dashuruar, (kolonë sonore, aq sa habitesh pse edhe të tjerët nuk janë si ty) aq herë nuk ke vënë re dhe nuk ke menduar, sadopak, për një të ardhme ku kjo dashuri do të zgjohej e atrofizuar. Çfarë ngryset nuk gdhihet. - Mirëmëngjes, - përshëndet plogët, me një lëvizje antene, brumbulli Zamka.
Është roli i asgjësimit të mundësisë brenda mundësisë që nuk lejon asnjë mundësi si të tillë. Kërkon një pse i dëshpëruar, por realisht ka një pse të dëshpëruar.

Dashuria, mund me një forcë të madhe ndjenjash, të shprehet si domethënie e kësaj force por kjo s’është gjë tjetër veç pohim i një krize të përherëshme, e tronditëse, në të cilën ndodhet, duke përjashtuar çdo përndryshe, si një kalfëtirë ku mund të shikosh kokrizat e rërës në fund të një pellgu të kulluar duke harruar se masa e ujit sa më e kthjellët aq më mashtruese është sepse shërben si lente.
Kështu e pësoi Narçisi, e jo vetëm ai...

...


Përse dashuria e Romeos dhe Zhuljetës ishte një perversitet?
Përse dashuria e Otellos ishte një perversitet?
Çfarë na bën të mendojmë Hamleti dhe Ofelia?
Çfarë kishte perverse dashuria e Uliksit për Penelopën?
Të gjitha degjeneruan, tre të parat, në vdekje, për motive të ndryshme, (u mpiksën, nuk përjetuan sadopak atë gjendje lëkundëse të përherëshme dhe shpëtuese), e katërta mbeti simbol i dashurisë shtëpiake ?! sepse te e fundit, Uliksi shkoi me aq e aq femra gjatë dhjetë vjetëve, kështuqë besnikëria nuk ishte një motiv dhe aq më shumë dashuria. Penelopa natën ç’thurte atë që endte ditën, diçka që lenton përshtypjen e një besnikërie thuajse hyjnore, por nuk është kështu. Madje, qeni u lëshua në këmbët e të zot dhe po i lëpinte ato duke kujitur, ndërsa Penelopa i kërkoi provën, provën për çfarë? A nuk tingëllon hipokrizi përderisa ajo “shkoi” me mëtonjësit, në çdo qoshe të shtëpisë së saj, përveç krevatit bashkshortor i cili ndodhej i strukur në hapësirëne ndërmjetme midis thurrje-ç’thurrjes? Dashuri shtëpiake, a nuk është një perversitet?
Për të kuptuar përsenë duhet të rrëmuar në përmbajtjen e dashurisë.
Dashuria e Otellos ishte e tejngopur nga xhelozia dhe një i mençur si Jago diti ta përdorë. Përmban një vetvete të tejkaluar, dehje. Gjë që na fut të gjithëve në shakullin e zi të Othellos. I dehuri humbet sensin e masës. Në njëfarë mënyre humbet edhe arsyen, nuk orientohet dot dhe çdo gjë është e ndryshuar, sepse dashuria në këtë rast është një shajni dhe i dashuruari një i përhënur. (Hamleti ra pre e gjendjes që ndërtoi me duart e tij)


“Verbëri” është termi që vjen për shtat, përmbledhës.
Dashuria është e verbër. E konsideruar si mënyrë të thëni, gati një përkufizim, nuk e humbet vlerën edhe si perifrazim. Sepse ne e përdorim për të përligjur njëlloj sjelljeje. Andreas Capellanus te traktati i tij “De amore” që e publikoi më 1174, pranonte (dhe me të drejtë) se vetëm dashuria mund të jetë e verbër, jo i dashuruari as edhe e dashuruara, thjesht për faktin se duhet të shikosh diçka kaq tërheqëse sa të tronditë qënien tënde. Veti që të verbrit i mungon, sepse ai nuk shikon dhe është tepër e vështirë që të biesh në dashuri duke dëgjuar vetëm zërin. (edhe sikur të ndodhë, ideali që ke ndërtuar brenda intimitetit tënd, mund të zhgënjehet kur të përballet me qënien e idealizuar). Natyrisht duhet të jesh një Siranò De Berzherak që të ndikosh në shpirtin e një femre, i fshehur diku nën ballkonin e saj, në gjysmëerrësirë dhe midis lulesh që pëlhura e natës i errëson, e të citosh vargje lëvdatash të tilla që e bejnë zemrën të shpërthejë kafazin e kraharorit, e që e ngroh shpirtin aq sa mund të shpresosh se një ditë, i lehtësuar nga pesha trupore, të ngjitesh lart në krahët e së adhuruarës. Aspak e verifikuar. Sidoqoftë, i dashuruari tenton. Romeo nuk mundi të ngjitet kurrë në ballkonin e Zhuljetës. Nuk ishin pengesat shoqërore, por thjesht ai turbullim i mendjes që i mjegulloi pengesat dhe nuk e la t’i shikojë sepse, perifrazojmë gjendjen me disa vargje të këngës së Led Zeppelin, “Stairway to Heaven”:
…can you hear the wind blow, and did you know
Your stairway lies on the whispering wind?
(...e ndjen erën që fryn,
dhe, e dije se shkalla tënde është bërë prej erës që pëshpërin?)


Apo ti lëvdon një veti të caktuar, një dhunti të tillë, një cilësi, në përmasa të vogla por që e fryn ose për një qëllim ose padashur, ngaqë dashuria të err sytë dhe humb kështu lehtësisht fillin e arsyes e kapesh pas fijes së perversit. Kur një lëvdatë thuhet për diçka që nuk e meriton, kemi një lajkatim e në këtë mënyrë një perversitet, sepse fsheh një qëllim, e dashuria s’ka të tillë, s’duhet të ketë. Nuk mund të thuash se femra nuk bie brenda kësaj hapësire perverse, nëse kujtojmë gjarprin dhe Evën. Ose edhe kur je vërtet i dashuruar me skicime e përthyerje buzësh kaq bukur sa nuk e heq dot vështrimin, me sy të thellë e përpirës si një qiell nate, jetëdhënës si oazet në shkretëtirë. S’kalon shumë kohë kur ndodh që, sikundër thotë Ibn Hazm, një nga intelektualët më të mëdhenj të Spanjës myslimane, e veçanërisht të Kordovës së shek të XI – të, në librin e tij “Gjerdani i pëllumbeshës” ose “Qafa e pëllumbeshës”, “Mbi dikë që duke dashuruar një cilësi të dhënë, nuk mund më pas të dashurojë asnjë tjetër, të kundërt”. kap VII, fq 47. Mjafton një ndryshim i vogël për keq, regres i çfarë adhuron që mendimi tënd të lakohet drejt degjenerimit.
“Lopët e egra, të njohura për bukurinë proverbiale, janë të gjitha qafëshkurtra, pa asnjë përjashtim. Por gjatësia e qafës, është vallë një zbukurim, për devetë”? (Gjerdani i pëllumbeshës), fq 49.
 

Harris

Forumium praecox
Re: Dashuria dhe perversiteti.

woww sa paske shkru mor cun, por ne dashuri nuk ka rregulla, ka dashuri e basta.
Ajo qe ne jet normale quhet perversitet ne dashuri quhet normale.
 
Top