Dashuri në kohërat e “Facebook”-ut

Sweety el

Locus omnem
Kupide, Venere, Afroditi, Eros, Freya, Kama etj., qenë emrat e dashurisë në mitologjinë antike, “skype”, “messenger”, “myspace”, “facebook” etj., janë sot zotërit e dashurisë virtuale
. Fermina e Fiorentino pritën për të parë të realizuar dashurinë e tyre platonike e të largët, sipas fantazisë së penës së mrekullueshme të Gabriel Garcia Markez në librin “Dashuri në kohërat e kolerës”. Po sot në kohërat globale kjo dashuri jashtëzakonisht e durueshme a mund t’i ruaj dot kaq gjatë karakteristikat e saj?


Dikur ekzistonin letrat e gjata e romantike që mbaronin me “i yti apo e jotja përgjithmonë”, më pas arritën telefonat, më pas akoma celularët me mesazhet e tyre pa mbarim, e sot interneti masiv me shprehjen “cool” “a mund të chat-ojmë bashkë?”.

A ju kujtohet filmi “You’ve got mail”, një ribërje fantastike e klasikut
“The shop around the corner” i vitit 1940? Ndërsa protagonistët e regjisorit Ernst Lubitsch njiheshin e forconin lidhjen e tyre me letra të dërguara në kutinë postale, Tom Hanks e Meg Ryan shumë vite më vonë, ruajnë anonimitetitin e dashurohen me njëri-tjetrin pas ekranit të një kompjuteri. Ishte viti 1998 e kjo komedi fotografonte lindjen e një realiteti të ri, ku ndjenjat e marrëdhëniet eksploronin me fraza brilante, situata ekuivoke, romanticizëm, lot e gëzim të shkëmbyer në postën elektronike.

Edhe pse dikush e urren, një tjetër mezi pret të vijë, për dikë nuk ka sens e për disa është pikë referuese në jetë, e mbushur me fraza snobe e fjalë të sheqerosura,
Shën Valentini, dita e të dashuruarve është çdo vit e pranishme në kalendar. Ta kujtojnë vitrinat e dyqaneve, hapësirat e publicitetit, ofertat turistike e së fundmi ta kujton ai miku yt më besnik, kompjuteri, pa të cilin zor se nis dot punën.
Faqe interneti me ose pa pahir të servirin gjithçka që teknologjia moderne të ofron në këtë ditë. A është e mundur të transportosh tërë universin human brenda kornizës së ekranit të një kompjuteri? A mundet të qëndrojnë aty brenda ide, dëshira, pasione, histori e intriga, miqësi e rivalitete, argëtim e marrëdhënie dashurie, madje dhe raporte profesionale?


Dashuri emocionuese të lindura realisht e që teknologjia e sotme i transformon çdo ditë e më shumë në një komunikim virtual, e dashuri të lindura pas ekranit të një kompjuteri nën ëndrrën “e idealizuar” për të realizuar një raport real.

Dikur ekzistonte dashuria platonike, sot ajo është kthyer në një dashuri virtuale. Pse jo, dashuria virtuale ka ekzistuar gjithmonë, mjaft të mendosh Balzakun i cili martohet me një vejushë ruse pas shumë vitesh të gjata njohjeje krejtësisht epistolare, apo të kujtosh kohën prej pesëdhjetë e tre vitesh, shtatë muajsh, njëmbëdhjetë ditë e net që Fermina e Fiorentino pritën për të parë të realizuar dashurinë e tyre platonike e të largët, sipas fantazisë së penës së mrekullueshme të Gabriel Garcia Markez në librin “Dashuri në kohërat e kolerës”.

Kupide, Venere, Afroditi, Eros, Freya, Kama qenë emrat e dashurisë në mitologjinë antike, “skype”, “me
ssenger”, “myspace”, “facebook” etj., janë sot zotërit e dashurisë virtuale. Sipas sociologëve, thirrja joshëse që të ofrojnë këta “zotër” të rinj të dashurisë është e parezistueshme. Maska online thjeshtëzon përfshirjen emotive, duke e bërë ndjenjën akoma më intensive.
Raporti online të lejon të çlirosh imagjinatën, pasi përdoret vetëm fjala e realisht je më pak i ekspozuar. Të komunikosh me anë të chat-it të lejon një mbrojtje të anonimitetit, e pikërisht kjo përfaqëson një nga aspektet më interesante të tij, por pa harruar se kush gjen dashuri në chat, provon sidoqoftë ndjenja reale, autentike, emocione
. Pas realitetit virtual fshihet një person që pamundësisht fsheh limitet e dobësitë e tij. “Objekti i dëshiruara është shumë më tepër joshës kur ai nuk mund të arrihet apo zotërohet plotësisht”, – shkruan Freud, e rreziku i dashurisë virtuale është pikërisht ky,
idealizimi i partnerit. Dashuria reale e shndërruar në virtuale, apo kjo e fundit në dëshirën për ta bërë reale, ka nevojshmërinë e aromës, kontaktit fizik, të të përditshmes që tejkapërcen interesat e përbashkëta. Realiteti virtual po ndryshon shpejtësisht mënyrën tonë të të menduarit, jetën tonë sociale, format e dashurisë e madje dhe mënyrat e kryerjes së saj.

Ndjenjat rrjedhin me shpejtësi elektronike e bashkë me kohën po humbasin dhe kuptimin e fjalëve veshëse të tyre. Mjafton një “click” e gjithçka dërgohet apo eleminohet, madje shpesh harrojmë dhe të përgjigjemi edhe pse mjaftojnë shumë pak sekonda. Dikur letrat e dashurisë kishin forcën të emociononin princa e mbretër, strategë e artistë, të vjetër e të rinj, të varfër e të pasur. Respektohej në kohë e në fjalë personi yt i dashur, miku e mikja, e mbi të gjitha respektohej ndjenja qoftë kjo e jotja apo e dikujt tjetër ndaj teje.


Për romantikët e pashërueshme, për kuriozët, për të dashuruarit në prag të festës së tyre, e pse jo dhe për çiftet virtuale, letrat e mëposhtme të dashurisë me autorët e tyre, konsiderohen si disa nga më të bukurat e të gjitha epokave.



Napoleoni i shkruan Giuseppina Beauharna-s

Pranverë 1797




Nuk të dua më. Përkundrazi të urrej. Je një fatkeqe, perverse e vërtetë, budallaçkë e vërtetë, një Hirushe e vërtetë. Nuk më shkruan kurrë e nuk dashuron burrin tënd.
Ti e di kënaqësinë që letrat e tua më japin e nuk më dërgon as pak rreshta të shkruara. Çfarë bëni gjithë ditën zonjë?
Çfarë tipe problemesh jetësore ju privojnë kohën për t’i shkruar të dashurit tuaj besnik? Cili mendim është kaq pengues sa të bën të lësh mënjanë dashurinë, dashurinë e sinqertë e konstante që ju më keni premtuar? Kush është ai i dashur i mrekullueshëm që ju rrëmben çdo moment, vendos mbi ditën tuaj e ju ndalon t’i dedikoni vëmendje burrit tuaj? Kujdes Giuseppina! Një natë të bukur dyert do të shkatërrohen e unë do jem aty.

Në të vërtetë e dashura ime jam i preokupuar, pasi nuk kam lajme nga ty. Më shkruaj menjëherë një letër me katër faqe e me fjalë të mrekullueshme që më mbushin zemrën time me emocion e gëzim. Shpresoj të të mbaj në krahë sa më shpejt, të të mbuloj me miliona puthje përvëluese si dielli i ekuatorit.


Bonaparte

Ludwig van Beethoven i shkruan një gruaje anonime




(Ludwig van Beethoven i shkruan një gruaje, emri i së cilës deri më sot është anonim. Pas vdekjes së kompozitorit të madh (1770-1827), kjo letër u gjet në një sirtar sekret të dollapit të tij.
E shkruar në ditët e 6-7 korrikut të 1812 në Teplilz, letra është formuar nga tre pjesë të ndara e nuk është postuar kurrë. Biografët u munduan të identifikonin gruan misterioze së cilës i drejtoheshin fjalët e mësipërme, por pa rezultat. Kush nga gratë e frekuentuara nga muzikanti qe e dashura e pavdekshme?




(Kontesha Giulietta Guiçiardi? Therese Brunsvick? Amalie Sebald? Josephine Staekelbeig? Ende nuk dihet, por sidoqoftë gruaja e panjohur është një nga mishërimet më subjektive të mitit romantik.)



“6 korrik 1812 (mëngjes)



Ëngjëlli im, i tëri i imi, vetëm i imi. Vetëm pak fjalë për sot, madje dhe me laps (me tëndin). Nuk jam i sigurt për strehimin tim deri nesër, çfarë humbje kohe e kotë e gjitha kjo. Pse kjo angoshë pa sens kur flitet për nevojshmëri, dashuria jonë ndoshta mund të rezistojë pa sakrifica, pa mendimin se secili prej nesh pretendon gjithçka nga tjetri. Mundesh të mohosh faktin se ti nuk je e gjitha e imja e unë nuk jam i tëri i yti. O zot hidh vështrimin nga natyra e bukur e jepi paqe shpirtit tënd për atë ç’ka duhet të jetë. Dashuria kërkon gjithçka e me të drejtë, kjo është nga unë tek ty e nga ty tek unë. Po ti harron kaq lehtë se unë duhet të jetojë për vete e për ty.
Po të ishim komplet të lidhur, ti do ndjeje këtë nevojshmëri të dhimbshme, edhe sadopak të asaj që ndjejë unë.
Në qoftë se zemrat tona do të gjendeshin njëri pranë tjetrit, nuk do më ndodhte natyrisht të kisha mendime të tilla të ngjashme. Zemra ime është e mbushur nga dëshira për të thënë shumë gjëra. Ah, ka momente kur ndjej se fjala është e papërshtatshme. Përpiqu të jesh e qetë e qofsh përherë thesari im i vetëm besnik, e gjitha e imja ashtu siç jam unë për ty.



Zoti do përcaktojë fatin tonë të ardhshëm.

Besniku yt, Ludwig



Oscar Wilde i shkruan Lord Alfred Douglas në vitin 1891

“Djaloshi im i dashur. Teksa fle, gjumi yt është kaq i adhurueshëm e i mrekullueshëm sa ato buzë të kuqe si gjethet e një trëndafili duket sikur janë krijuar jo për muzikën e këngëve, por për çmendurinë e puthjeve. Shpirti yt elegant e i artë ecën midis pasionit e poezisë.
Di të them se Gacinto, i adhuruar me pasion nga Apollo, je ti në kohën e grekëve. Pse je vetëm në Londër, e kur do shkosh në Salisbury? Shko atje e rifresko duart me perëndimin e hirtë të gjërave gotike e më pas kthehu këtu kur të duash ti. Është një vend fantastik e vetëm ti mungon, por më parë shko në Salisbury.


Gjithmonë me dashuri të pashtershme, i yti Oscar.

(Më vitin 1891 Oscar Wild dashurohet me “Bosie” Lordin Alfred Douglas. Babai i këtij të fundit, Markezi i Queensberry, i tërbuar nga kjo marrëdhënie e pakuptimtë, i shkruan Oscar Wilde duke e quajtur “pederast”. Wilde e padit në gjykatë për falsitet e nga ku del ai vetë i dënuar. Pas dy vjet burgim, Oscar emigron nga vendi i tij i ndjekur pas nga “Bosie”, i dashuri i tij, Lordi Douglas.)



Erich Maria Remarque i shkruan Marlene Dietrich


'Ti qiell i dashur më ke shkruar letra kaq të bukura sa unë them gjithmonë se shkrimtarët nuk duhet të shkruajnë letra. Të tjerët ia dalin më mirë. “Rezonanca që merr frymë”, kurrë nuk do të më kishte shkuar në mendje. Po vazhdimi?
Ti mund t’i thuash një personi që e dashuron. Kurse unë nuk e bëj dot kurrë plotësisht. Sa bukur është të dëgjosh të më thuash se je e qetë dhe e lumtur edhe kur je vetëm.
Ishte pikërisht kjo ajo që unë doja. Nuk dëshiroja të të bëja të trazuar e të palumtur, çdo zhigolo mund t’ia dilte. Kjo gjendje të kompleton mrekullisht, je më rrezatuese dhe e bukur se më parë, kilometra larg vihet re se po jeton e dije se dikush tjetër jeton në mënyrë konstante vetëm për ty.

Sot gjeta poezinë tonë të Goethe dhe e lexova thellësisht i emocionuar:

“Thuamë çfarë ka përgatitur fati?

Thuamë në çfarë mënyre i ka lidhur kaq saktësisht nyjet.

Ah në kohët e shkuara ke qenë motra ime e ndoshta dhe gruaja ime.

Njihje gjithçka timen.

Nga nervi më i thjeshtë spiunoje dridhjen.

Të më lexoje brenda të mjaftonte një vështrim.

Tek unë që syri i vdekjes kaq vështirësisht depërtonte”.

Thesari im, pse a nuk është kështu vërtet? Pra ti je e gjitha në një gjë të vetme: aventura është gruaja ime.
Ti je për mua e unë jam për ty e nuk mund të jetë absolutisht veçse kështu. Nuk je vetëm ti një rezonancë frymëmarrëse (ah, dreqi ta marr ta kisha gjetur unë këtë shprehje!) jam dhe unë... herë më duket sikur jam një merimangë që thur një kuadër të shndritshëm plot me akull e reflekse diellore - një rrjet mendimesh, punësh, fjalësh,
ndjenjash e ledhatimesh, që të mbërthen e kërkon të jetë në shtëpinë tënde, e cila është e mbushur plot e ndjen mungesën e saj, një rrjetë e shtrirë midis trëndafilave, një fill delikat, solid e i rrezatues argjendi, mjaft lehtësues për hapat e tu të lehtë prej akrobati, një rrjetë nën ngjyrën blu të qiellit e mbi atë të ujit, mbi të cilën ti mund të biesh sa herë të duash, do të të mbajë e do të të hedhë përsëri lart.



Charles Baudelaire i shkruan Jeanne Duval



“Më lër t’i mbaj erë gjatë, gjatë flokëve të tu, duke zhytur tërë fytyrën time në to, si një i etur në burimin e ujit, t’i përziej me duar si një shami e parfumosur për t’i tundur kujtimet në ajër.
Sikur ta dije gjithçka që unë shoh, gjithçka që unë ndjej, gjithçka që unë thith nga flokët e tu. Shpirti im udhëton në aromën e tyre ashtu siç shpirti i të tjerëve udhëton në muzikë. Flokët e tu mbajnë gjithçka në një ëndërr, plot me vela e pyje, mbajnë detëra të mëdhenj, të cilët më çojnë drejt klimave përrallore, ku hapësira është më e bukur e më e thellë, ku atmosfera parfumoset nga frutat, nga gjethet e nga lëkura humane. Në oqeanin e flokëve të tu unë shoh një port të mbushur me këngë melankolike burrash të ardhur nga çdo vend, me anije të çdo forme, të ngritura mbi arkitektura elegante e të komplikuara nën një qiell të pafund ku braktiset ngrohtësia e përjetshme.
Në përkëdheljet e flokëve të tu unë gjej dhimbjen e orëve të gjata kaluar mbi një divan, në dhomën e një anije të bukur, lëkundur nga zhurma e paperceptuar e portit. Në vatrën e nxehtë të flokëve të tu, unë ndjejë erën e duhanit, përzier me atë të opiumit e të sheqerit.
Në natën e flokëve të tu, unë shoh të shkëlqejë blu-ja tropikale. Në brigjet e tufave të flokëve të tu, unë dehem nga era e katramit, myshkut e vajit të kokos. Më gjatë le të kafshoj gërshetat e tu të gjatë e të zi. Kur të kafshoj flokët e butë e elastikë, më duket sikur ushqehem me kujtime”.



Wolfgang Amadeus Moxart i shkruan gruas së tij, Costanza Weber

(Në mjaft letra dedikuar gruas së tij të re, Moxart përdor një gjuhë humoristike mes shakave e ngacmimeve).

E dashura gruaja ime e mirë.

Oh sikur të kisha vërtet një letër tënden. Në qoftë se do të tregoja atë ç’ka bëj me fotografinë tënde, me siguri që do të qeshësh. Sapo e nxjerrë nga këllëfi them: Mirëmëngjes vogëlushe Constanza.
Mirëmëngjes shejtankë, kotele, hundëpërpjetë, e me ngadalë e rifus përsëri në të duke thënë: “Be, be, be” - me atë shprehje speciale që kjo fjalë kërkon.
E në fund them me nxitim: “Natën e mirë miushe, gjumë të ëmbël”. Besoj se të tjerët mendojnë se kam shkruar budallallëqe, por për ne që duhemi kaq shumë nuk është kështu. U bënë gjashtë ditë që të jam larg e më duket një vit. Të puth brishtërisht miliona herë burri yt që të dashuron po ashtu brishtërisht.



Gioachino Rossini i shkruan sopranos Isabella Cobran

(Cobran interpreton mjaft opera të këtij kompozitori e pasi kish qenë e dashura e shumë punëdhënësve të tjerë, më në fund martohet me Gioachino Rossini)

“A doni opinionin tim mbi dashurinë?


Dashuria e kënaqur është një kalim kohe e këndshme. Dashuria e palumtur është një dhëmbë i prishur në zemër. Falë Zotit ne kemi pasur fatin të mos të njohim asnjë nga këto sëmundje. Dashuria ime për ju është një simfoni në sol macho, dedikuar më të bukurës së të gjitha grave, nga i dashuri i saj besnik.



Ofelia Queiroz i shkruan Ferdinando Pesossa

(Ofelia sekretarja 19-vjeçare dashurohet me një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të XX, Ferdinando Pessosa. Ajo është një vajzë e thjeshtë e paksa utopiste.)

10 dhjetor 1920



Fernando

Jam akoma nën efektin e dhimbshëm të fjalëve të letrës tënde, prandaj dhe po të shkruaj. Preokupimet e bindjet e mia intime nuk më zhgënjyen, po adhuroja një nga ato qeniet që luajnë me ndjenjën e pastër, që janë të aftë të lodhen duke torturuar zemrën e vajzave të varfra, duke dashur të krijojnë me to jo një lidhje ndjenje, jo një simpati shpresash të ardhshme, jo për interes apo kapricio, por vetëm sepse u pëlqen t’i hidhërojnë, t’i shqetësojnë, t’i torturojnë ashtu si ti me mua, që për më shumë nuk të kisha menduar kurrë, madje as nuk të njihja. Çfarë bukurie! Sublime! Madhështore! Për sa u përket letrave të mia mund t’i konservosh po të duash, edhe pse janë shumë të thjeshta. Për sa më takon mua nuk do mungojë në të ardhmen një leksion nga kjo çka më ndodhi. Më bëri të kuptoj se deri në ç’pikë të sinqeritetit një burrë shpreh simpatinë e tij, ndjenjën e tij, dashurinë e tij, të gjitha shpresat e ardhshme ndaj një vajzë jo eksperte.

Të uroj një lumturi pa kufi

E ... Ofelia





Një vit më parë, në shkurt të 2009 një grup studiuesish të Universiteti të Siena-s në Itali midis kompozimeve epistolare të shekullit të XII zbuluan në Verona manualin e parë të letrave të dashurisë.
Sipas tyre, bëhej fjalë për modelin më antik të letrave dashurore në mesjetë. Ky manual prezantohet me orientimet e duhura për ta shkruar atë nën mësimet e Maestro Guido. Maestri ishte Guido II, Konti i Casentino-s e në këtë letër i drejtohet bashkëshortes së tij konteshës Imelde.
Pra Maestro Guido është i pari që na mëson se si shkruhet një letër dashurie, duke i dedikuar këtij argumenti një kapitull të tërë të manualit të tij. Ky zbulim premton të modifikojë ndjeshëm njohuritë e këtij sektori mbi paragjykimet ndaj analfabetizmit të grave në mesjetë, mbi ekzistencën e qendrave laike të mësimit e mbi historinë e ndjenjave.



Fragment nga manuali i parë i letrave të dashurisë (historikisht ky dokument i përket vitit 1017)

“Imeldës gruas së dashur, Guido burri i saj, i dorëzohet plotësisht ashtu siç Paridi Helenës. Sa dashuri të nxehtë, sa ndjenjë të ëmbël, sa dëshira të thella ushqej ndaj teje e nuk i koncepton zemra, nuk i shkruan dora e nuk shpreh fjala.
Dua që ti grua e dashur ta dish se ndodhem në Pisa, kam shitur tërë mallin e nuk po gjej dot një drejtues besnik që të më kthejë tek ty. Ndjenja jote mike e ëmbël duhet ta dijë se për aromën e dashurisë tënde unë kapërcejë male, notojë dete e madje përballojë dhe rrezikun e vdekjes. Për këtë i kërkojë fortësisht ëmbëlsisë tënde se nëse do që unë të jetoj akoma të më lejojë edhe pak kohë pritje për të më takuar e nuk dua t’i dorëzohet harresës”.
 

gangsterja

Primus registratum
Sot eshte me e thjeshte,pasi ia thua para syve si ne fb/msn.Nuk lodhesh duke pritur nese e ka marre apo jo letren,e kur do ta ktheje pergjigjen.
 

Enea Xhani

Forumium maestatis
Sot eshte me e thjeshte,pasi ia thua para syve si ne fb/msn.Nuk lodhesh duke pritur nese e ka marre apo jo letren,e kur do ta ktheje pergjigjen.
Ehhh ashtu eshte por nuk ka aq vlere sic ja thua ne sy. Ne facebook apo messenger mungon shikimi i atyre ndjenjave, i atyre dridhjeve, i atyre emocioneve, mbajtja e gojes etj etj. Per mua ne facebook apo messenger nuk ja vlen .
 
Top