DASH: "Nuk mbështesim ndryshim kufijsh në Ballkan"

b_250_200_16777215_00___images_images3_jonatan.jpg

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan, ndërsa çdo tentim që të arrihet një gjë e tillë do të jetë joproduktiv dhe destabilizues, thuhet në një reagim të Departamentit Amerikan të Shtetit, pas deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha për “Shqipërinë e të gjitha tokave shqiptare”. Në qëndrimin e DASH shtohet edhe që Shqipëria e humbi shansin për të plotësuar kriteret e BE-së.

Drejtori i zyrës për Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore thotë se mungesa e vullnetit dhe bashkëpunimit politik në Shqipëri, bëri që vendi të humbasë rastin për të plotësuar kriteret që kishte vënë Bashkimi Evropian. Në një intervistë për kolegun Arben Xhixho, një ditë para nisjes për një vizitë disa ditore në Shqipëri, diplomati amerikan u bën thirrje pative kryesore politike që të votojnë në parlament tre ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar për t’u miratuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Moore, Shqipëria sapo përfundoi festimet për 100 vjetorin e pavarësisë, çfarë pritet tani, cilat do të jenë hapat e ardhshëm?

Zëri i Amerikës: Ne jemi të kënaqur të urojmë Shqipërinë për 100 vjetorin e pavarësisë, jemi të kënaqur që Sekretarja Klinton pati rastin të shkojë atje dhe të flasë në parlament. Ka shumë arësye për të festuar, por në të njejtën kohë ne presim të shikojmë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm. Ndërsa ende nuk është shuar euforia e përvjetorit, ka po ashtu edhe një dozë të madhe zhgënjimi si në Shqipëri edhe jashtë Shqipërisë, përfshirë edhe në Uashington, se u humbën mundësitë për disa vendime të rëndësishme që duhet të ishin marrë nga parlamenti për të plotësuar kriteret e kandidaturës për në Bashkimin Evropian. BE-ja pas disa ditësh do të dalë me vendimin e saj për Shqipërinë dhe ka mungesë përparimi për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe vullnetit të partive politike për të punuar së bashku për të plotësuar kriteret. …. Ne do t’i bënim thirrje gjithë deputetëve dhe anëtarëve të të gjitha partive që t’i linin mënjanë diferencat, t’i linin mosmarrëveshjet e brendshme mënjanë dhe të punojnë së bashku për miratimin e tre ligjeve.

Zëri i Amerikës: Thirrja për bashkëpunim u është bërë disa herë autoriteteve, por duket se nuk ka sukses. Si e shpjegoni ju këtë?

Jonathan Moore: Arësyeja mund të jetë që partitë politikë në opozitë, ose në qeveri, po punojnë për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, për t’u pozicionuar për to. Edhe ne këtu në Uashington kemi dallime jo të pakta mes partive tona kryesore politike. Por është e rëndësishme që Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, si dhe anëtarët e tjerë të parlamentit të ulen së bashku për të miratuar tre ligjet në fjalë, që janë të domosdoshme për përparimin e vendit, diçka që është për të mirën e të gjithë vendit. Në se ka mosmarrëveshje të brendshme politike, ato duhen trajtuar veçmazi, ato janë të një përparësie më të ulët.

Zëri i Amerikës: Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Sekretarja Klinton u bëri thirrje autoriteteve të forcojnë institucionet, veçanërisht sistemin e drejtësisë që të jetë i paanshëm. Këto ditë prite të ndryshojë Prokurori i Përgjithshëm, ndryshim për të cilin palët kanë mendime të kundërta. Cili është mendimi juaj?

Jonathan Moore: Përsa i përket Ina Ramën si Prokurore e Përgjithshme është e rëndësishme që çdo ndryshim që bëhet për këtë post, të bëhet në mënyrë transparente, të hapur dhe në përputhje me ligjet, në përputhje me mandatin e saj si Prokurore e Përgjithshme. Në se ajo do të qëndrojë si kryeprokurore, apo do të jetë dikush tjetër, është jetike që ky institucion dhe të gjithë ata që punojnë në të, të jenë në gjendje ta kryejnë aktivitetin e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga politika.

Zëri i Amerikës: A ka Departamenti i Shtetit ndonjë qëndrim lidhur me interpretimin e kohëzgjatjes së mandatit të kryeprokurores Rama?

Jonathan Moore: Ne nuk kemi ndonjë qëndrim zyrtar se sa është ose duhet të jetë mandati. Në disa rrethana zyrtarët qëndrojnë në poste, në disa të tjera mund të largohen më herët, ne nuk përpiqemi të diktojmë rrethanat. Standartet që mbështesim ne dhe që populli shqiptar kërkon janë që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë një post politik, të jetë i pavarur siç duhet të jetë edhe sistemi i gjykatave.

Zëri i Amerikës: Një nga çështjet e tjera që Sekretarja Klinton ngriti në Shqipëri ishte ajo e korrupsionit. Për të është folur shumë. Autoritetet thonë se po e luftojnë korrupsionin. Si mund të matet lufta kundër korrupsionit?

Jonathan Moore: Edhe ne këtu në Amerikë kemi probleme me korrupsionin. Nuk ka matës të përkryer. Për ne që i ndjekim zhvillimet në vendet e rajonit, na ka bërë përshtypje, dënimi i ish-kryeministrit kroat Sanader. Lufta kundër korrupsionit nuk është rreth posteve, nuk është për një krim të caktuar, korrupsioni merr forma të ndryshme në nivele të ndryshme të shoqërisë, është e rëndësishme, dhe këtu po i rikthehem çështjes që ju ngritët më parë, që prokuroria dhe gjyqësori të jenë të pavarur. Të gjitha rastet e korrupsionit duhet të hetohen dhe të gjykohen, ata që shpallen fajtorë të kryejnë dënimin. Ne nuk do të imponojmë ndonjë kriter ose shembull të caktuar për të, por është e qartë nevoja e luftës kundër korrupsionit. Prandaj ne kemi kaq shumë programe me Shqipërinë dhe vendet e tjera në rajon e sidomos për shtetin ligjor.

Zëri i Amerikës: Gjatë festimeve për pavarësinë në Shqipëri pati shumë zëra për bashkim me Kosovën. Madje një parti ka filluar të mbledhë firma për një referendum për këtë çështje. Cili është komenti juaj?

Jonathan Moore: Qëndrimi ynë është i qartë, kufijtë e Evropës janë të përcaktuar, ne nuk duam të shohim ndryshime dhe nuk mbështesim ndryshime. Nuk është në interes të ndonjë prej vendeve apo grupeve etnike të rajonit që të rishkruhen kufijtë, apo për t’u përqëndruar tek nacionalizmi. Standartet e larta të demokracisë dhe të drejtave të njeriut do t’u shërbejnë gjithë njerëzve të rajonit, pavarësisht në cilin vend jetojnë. Ne nuk mbështesim ndryshim kufijsh.

Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar nga ndonjë lëvizje e tillë?

Jonathan Moore: Në gjithë botën ka lëvizje të ndryshme, është e rëndësishme që ato të kenë mundësinë t’u prezantohen publikut, audiencave të ndryshme, të kenë qasje tek to, kjo është pjesë e procesit demokratik, por një gjë duhet të jetë e qartë, ndryshimi i kufijve nuk është një alternativë.

/Zëri i Amerikës/Shekulli Online/Përgatiti:M.A./
 
Top