Dështon parada gay, manifestim me fletëpalosje.
Arvizu: Mbrojtja e të drejtave të LGTB-së është një prioritet kyç për ne.
Pak interes nga qytetarët, mbështetje nga diplomatët.
Nuk ishte një paradë nga ato që kemi parë rëndom në ekrane. As ndonjë manifestim protestues në mbrojtje të të drejtave të një komuniteti të diskriminuar.
Dita kundër homofobisë në Shqipëri, përtej bujës që iu bë e masave të sigurisë nga policia, rezultoi një aktivitet fare normal, nga ata që bëhen sa herë kalendari daton ngjarje të caktuara. Pak përfaqësues nga komuniteti gay, lezbikeve, trans dhe biseksualëve, shumë diplomatë e përfaqësues organizatash joqeveritare. Mungonin politikanët, ndërsa qytetarët e Tiranës nuk treguan ndonjë interes për të marrë pjesë qoftë edhe për kuriozitet. Kjo panoramë të ofrohej dje te “Vëllezërit Frashëri” në qendër të Tiranës, në çelje të aktivitetit “Festivali i Diversitetit”, i organizuar nga Ambasada PINK, njëra prej tri organizatave që mbrojnë të drejtat e homoseksualëve.
Dita kundër homofobisë në Shqipëri, përtej bujës që iu bë e masave të sigurisë nga policia, rezultoi një aktivitet fare normal, nga ata që bëhen sa herë kalendari daton ngjarje të caktuara. Pak përfaqësues nga komuniteti gay, lezbikeve, trans dhe biseksualëve, shumë diplomatë e përfaqësues organizatash joqeveritare. Mungonin politikanët, ndërsa qytetarët e Tiranës nuk treguan ndonjë interes për të marrë pjesë qoftë edhe për kuriozitet. Kjo panoramë të ofrohej dje te “Vëllezërit Frashëri” në qendër të Tiranës, në çelje të aktivitetit “Festivali i Diversitetit”, i organizuar nga Ambasada PINK, njëra prej tri organizatave që mbrojnë të drejtat e homoseksualëve.
Tubimi tjetër me maska përballë Parlamentit nuk u bë. Ambasadorët e vendeve të huaja, të pranishëm, e përshëndetën këtë aktivitet. “Dua të përgëzoj Kryeministrin Berisha që e ka bërë tejet të qartë pozitën e qeverisë së Shqipërisë për të drejtat e LGTB-së. Dua të falënderoj edhe Policinë shqiptare për të gjitha aktivitetet e zhvilluara këtë jave, si dhe atë që ndodhi në Vlorë. Mbrojtja e të drejtave të LGTB-së është një prioritet kyç për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Obama lëshoi një direktivë: që ambasadat në mbarë botën të mbrojnë të drejtat e personave LGTB”, tha ambasadori amerikan, Arvizu. Ky aktivitet u përshëndet nga Avokati i Popullit, zëvendësministrja e Punës dhe nga përfaqësues të tjerë të Bashkimit Europian. Në nisje të aktivitetit, rreth orës 9:30, ambasadori i Ambasadës PINK, që mbron të drejtat e komunitetit LGTB, Altin Hazizaj, tha se shqiptaret janë ende homofobikë. “Kuvendi i Shqipërisë duhet të shikojë mundësinë që sa më parë të miratojë ndryshimet që adresojnë përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjen e krimeve kundër komunitetit LGTB dhe çdo komuniteti tjetër në Shqipëri. Ne i ftojmë politikanët, partitë politike, administratën, të marrin masa serioze për të ndërtuar kapacitetet e stafeve të tyre për të mbrojtur dhe për të respektuar të drejtat e komunitetit LGTB”, tha Hazizaj.
Myslimanët: Në BE me vlera, jo me homoseksualëTubimi kundër LGBN: Jemi pro traditës familjare.“Stop degjenerimit, pro moralit”; “Pro familjes, pro jetës”. Me këto pankarta në duar manifestuan dje përfaqësuesit e Forumit Mysliman të Shqipërisë.
Tubimi u bë në të njëjtën orë kur pak metra më tutje po mbahej aktiviteti i komunitetit LGTB në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë. Në mbrojtje të vlerave të familjes dhe shoqërisë shqiptare, drejtuesit e Forumit Mysliman janë shprehur kundër homoseksualizmit. “Homoseksualizmi është një nga mëkatet më të rënda, të cilën Zoti i madhëruar e ka dënuar në mënyrën më të ashpër. E gjitha shoqëria shqiptare duhet të jetë kundër, sepse është kundër traditës dhe moralit shqiptar”, tha Fisnik Kruja, nga Forumi Mysliman Shqiptar. Ai shtoi se manifestimi u mbajt në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes, e vendosur më 15 maj, për të sensibilizuar opinionin publik në lidhje me problemet që kalon sot familja shqiptare.
Myslimanët gjatë manifestimit të tyre u shprehën kundër mbështetjes që u dhanë disa ambasada komunitetit LGBT në Ditën Ndërkombëtare të këtij komuniteti. “Ne nuk mendojmë se futja e shqiptarëve në Bashkimin Europian duhet bërë me flamurin e homoseksualizmit”, tha Kruja. Ai shtoi se në Europë, Shqipëria do të mund të futet më shëndetshëm nëse promovohen vlerat familjare, për të cilat sot shoqëria shqiptare ka më shumë nevojë. “Në këto ditë, kur vlerat e familjes ndjehen më të rrezikuara se kurrë më parë dhe në kohën kur brezit të ri po i serviren modele të denatyruara jashtë natyrshmërisë njerëzore, FMSH ndjehet më e angazhuar se kurrë në ripërtëritjen, promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë morale, e cila zanafillon me bërthamën e shoqërisë, me familjen”, tha Kruja. Sipas tij, numri i divorceve po pëson rritje galoponte në një shoqëri gjithmonë e më të shpërqendruar. Gjithashtu po shtohen abortet në të gjithë vendin, si dhe dhuna në familje, e cila tregon për krizën e rëndë që ka kapluar familjen shqiptare. “Numri i fëmijëve që vuajnë pasojat e divorceve të prindërve është një plagë e madhe sociale, pasojat e së cilës do të shihen pasi ky brez të arrijë moshën e pjekurisë”, tha Kruja. Sipas tij, Forumi Mysliman i Shqipërisë mbron me forcë vlerat dhe moralin. “Ne do të angazhohemi për të bërë gjithçka të nevojshme për sensibilizimin e opinionit publik. Ky manifestim, siç e shihni, është paqësor dhe me çdo mjet paqësor ne do të promovojmë vlerat e familjes”, tha Kruja. Myslimanët qëndruan për më shumë se një orë në rrugë duke bërë thirrje për të rritur ndjeshmërinë sociale në lidhje me ruajtjen dhe shenjtërimin e familjes shqiptare.//