Re: Basha dhe lekura e buzeqeshjes
Andrea Stefani
Që në fillim të javës që sapo lamë pas, ministri Basha habiti mbarë opinionin kur befas bëri diçka, që nuk kish guxuar ta bënte madje, i kish bishtnuar për muaj me radhë: krenar dhe i buzëqeshur, ai u shfaq në dyert e prokurorisë për të deponuar mbi atë që tashmë në publik njihet si skandali i rrugës Rrëshen-Kalimash. Vetëm pak kohë më parë dukej sikur po për shkak të këtij skandali, Basha e kish humbur buzëqeshjen e tij guimplenike. Si arriti ministri ta rigjejë buzëqeshjen ose me fjalë të tjera, çfarë fshihet pas lëkurës së kësaj buzëqeshjeje që duket sikur kërkon të shpërfillë me një përbuzje të ëmbël, një ngjarje që po komentohet si skandali korruptiv më i madh i periudhës së tranzicionit? Nuk do shumë mend të kuptohet se rikthimi i buzëqeshjes në fytyrën simpatike të ish-ministrit të Transporteve, lidhet me largimin e kryeprokurorit Sollaku nga detyra dhe kuptueshëm, edhe me ngjitjen në atë post të kryeprokurores Ina Rama.
Ministri Basha trimërohet se në krye të organit të akuzës nuk është më "armiku i popullit dhe i demokracisë", Sollaku. Basha le të nënkuptohet se tashmë në krye të akuzës është një prokurore mike e popullit dhe e demokracisë dhe meqenëse edhe vetë Basha është një mik i popullit dhe demokracisë, edhe kryeprokurorja nuk ka si të mos jetë mike e Bashës. E vërteta mund të jetë krejt ndryshe, por ky është mesazhi që buzëqeshja e sforcuar e ministrit transmeton në publik. Dyshimet shtohen po të mbahet parasysh nxitimi sharlatanesk i shumicës berishiste dhe Presidentit Topi, për shkarkimin e Sollakut, si dhe nxitimi po aq sharlatanesk i ministrit Basha, për të vrapuar drejt prokurorisë sapo Sollaku kish dorëzuar çelësat e saj. Basha shfaqet i qeshur, sepse ka mbështetjen e shumicës në Kuvend, ka mbështetjen e Kryeministrit që komandon shumicën, të Presidentit që vrapoi të shkarkojë Sollakun më shpejt sesa avioni që mund ta sillte kreun e opozitës nga Boni dhe mesa duket, edhe të kryeprokurores Rama. Por a e ka ministri Basha mbështetjen e ligjit, të drejtësisë që rri e vështron si një yll i heshtur që vonon, por që nuk harron?
***
Ministri Basha mund të gjejë mbështetjen e gjithkujt, por ama jo të ligjit të cilin në funksionin e ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve duket se e ka dhunuar "in extremis". Dhe sepse ka dhunuar ligjet e këtij vendi nuk mund të ketë as mbështetjen e një drejtësie që udhëhiqet nga fryma e ligjit dhe jo nga fryma e zotit politik të saj. Faktet e servirura në media denoncojnë se nën maskën e atdhetarisë, duke spekuluar me nevojën reale që ekziston për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, Basha dhe qeveria kanë shkelur me arrogancë ligjin e prokurimeve. Dhe shkelja e një ligji apo injorimi i tij sado të maskohet me nevoja patriotike edhe në këtë rast, si në të gjitha rastet, nuk mund të mos bëhet me një qëllim të vetëm, t‘u hapet rrugë praktikave korruptive. Të shkelësh ligjin do të thotë të bësh një krim dhe as e mira e përbashkët as ajo akoma më e përbashkët pra, e mira patriotike, nuk mund të shërbejnë si justifikim për një krim. Faktet janë jo vetëm kokëforta, por edhe të shumta. Le të përmendim vetëm disa prej tyre:
Ministri Basha doli në publik dhe tha se në rastin e segmentit Rrëshen-Kalimash, shmangia e ligjit shqiptar diktohej nga fakti që për këtë segment nuk kishte projekt. Nuk kaloi shumë dhe u zbulua se jo vetëm për segmentin në fjalë ka pasur jo vetëm një projekt, por edhe një vendim të qeverisë së mëparshme socialiste për t‘ia dhënë me koncesion ndërtimin e tërë rrugës Durrës-Kukës një kompanie gjermane. Një koncesion me kosto disa herë më të vogël për publikun e varfër shqiptar. Askush deri më sot nuk ka dhënë shpjegime se përse u hoq dorë nga një projekt që kushtonte rreth 300 milionë euro, për t‘u investuar në një tjetër megaprojekt që minimalisht llogaritet te 700 milionë euro, por që në fakt, duket se do të kushtojë edhe më shumë. Vetëm nga fakti që firma ‘Bechtel-Enka‘ nuk do të tatohet për vlerën e shtuar, do t‘i kushtojë publikut dhjetëra milionë euro. Sepse ajo që nuk vilet si tatim, ndërsa për sipërmarrësin shndërrohet në më shumë fitim, për buxhetin shndërrohet në humbje.
Mosvjelja e TVSH është e ardhur më pak, por është edhe një shpenzim, një zë shtesë në atë që publiku e paguan si çmim të rrugës në fjalë. Po përse hidhen kaq shumë para në ketë projekt patriotik dhe braktisen ndërkaq detyrime po aq patriotike si ndërtimi apo rikonstruksioni i spitaleve të kalbura, shkollave pa ngrohje dhe të mbipopulluara, rrugëve të nisura, por të pabitisura? Përse hidhen kaq shumë para në një drejtim dhe thuajse braktisen investimet në infrastrukturën energjetike, në linjat e transmetimit, në burimet alternative mungesa e të cilave po u kushtojnë shqiptarëve shumë stres dhe bizneseve qindra milionë humbje? Askush nuk përgjigjet dhe për më tepër ministri Basha jo që jo. Por ky i fundit deklaroi publikisht se ishte Banka Botërore ajo që kish rekomanduar firmën holandeze "Ecorys" si konsulente për hartimin e procedurave të prokurimit pa projekt. Përfaqësuesja e Bankës Botërore e përgënjeshtroi Bashën. Pastaj Basha e përgënjeshtroi përsëri përfaqësuesen e Bankës Botërore. Kjo e fundit nuk e ka përgënjeshtruar ende përgënjeshtrimin e përgënjeshtrimit. Si është e vërteta? Ka shumë të dhëna që e shpjegojnë atë dhe që janë bërë publike, por tashmë pritet sesi do t‘i shpjegojë prokuroria. Ose më saktë t‘i rishpjegojë, sepse një shpjegim është bërë në akuzën e saj kundër Bashës të hartuar në kohën e Sollakut. Që të shpallë Bashën të pafajshëm, Ina Rama duhet të hedhë poshtë akuzat e Sollakut kundër Bashës. Pra, që të pafajësojë Bashën, kryeprokurorja duhet të fajësojë prokurorinë.
***
Edhe sot e kësaj dite nuk dihet saktë se kur është marrë një vendim i qeverisë me numër 481 që autorizoi Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve të organizojë tenderin e hapur ndërkombëtar për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash. Në vetë vendimin e firmosur nga Kryeministri Berisha shkruhet 14 qershor 2006. Por në vendim përmendet edhe firma këshilluese "Ecorys", e cila ka hyrë në lojë më vonë, në korrik me një vendim tjetër të qeverisë me numër 460. Si është puna? Mos vallë qeveria e ka paracaktuar korruptivisht firmën holandeze "Ecorys"? Basha thotë që gjithçka është një lapsus dhe vendimi misterioz 481 është marrë jo në 14 qershor, por në 10 korrik pra, një muaj më vonë. Por, ndërkaq, ka shumë gjëra të tjera që të bëjnë të dyshosh për vërtetësinë e këtij pohimi. Për shembull, vendimi i përfolur 481 nuk gjendet fare në faqen e internetit të Kryeministrisë që presupozohet se duhet të regjistrojë kronologjikisht të gjitha vendimet. Nëse do të gjendej atje, i rrethuar me vendime të marra para dhe pas tij, kjo do të qe provë e një lapsusi dhe do t‘i jepte të drejtë Bashës. Për shembull nëse do të kishim, të themi, të renditur në faqen e internetit të qeverisë një vendim 480 të marrë në korrik dhe pas tij vendimin 481 që ndonëse mban si datë qershorin, do të shihej qartë se është hedhur në faqen e internetit pas vendimit 480. Dhe në fakt, ministri Basha, në një prej emisioneve televizive ku doli për të bërë avokatinë e vetvetes, rekomandoi si provë të një lapsusi pikërisht faqen e internetit të qeverisë ku po sipas Bashës, vendimet e qeverisë renditen njëri pas tjetrit në përputhje me kohën kur janë marrë. Por verifikimi tregoi se pikërisht vendimi 481 mungon në radhën e vendimeve të qeverisë! Ç‘ka ndodhur? E kanë hequr për të zhdukur gjurmët e një korruptimi? Nëse është kështu, në falsifikim do të ndodhej e përfshirë gjithë qeveria e duarve të pastra.
***
Shkeljet e ligjit dhe të procedurave në skandalin Rrëshen-Kalimash nuk kanë fund. Për këtë shkak thuhet me të drejtë se prestigji i kryeprokurores së re do të varet shumë nga hetimi i këtij skandali. Një e tillë shkelje është pagesa nga buxheti i shtetit Bechtel-Enkës rreth 90 milionë euro qysh në janar 2007 në një kohë kur inaugurimi i punimeve është bërë në shkurt 2007 dhe makineritë e Bechtel kanë ardhur në Shqipëri në maj 2007? Çfarë pune është paguar me këtë shumë marramendëse në një kohë kur sipas kontratës parapagimi nënkuptonte vetëm shumën e 40 milionë eurove? Përse është larguar anëtari shqiptar i komisionit vlerësues të tenderit dhe nëse nuk dinte gjuhën angleze përse nuk u zëvendësua me një tjetër? Përse, përse, përse? Por le të ndalemi edhe te një tjetër shkelje sa spektakolare aq edhe arrogante: Shmangia e procedurave të prokurimit në caktimin e "Ecorys". Mbi ç‘bazë ligjore është bërë një gjë e tillë? Ministri Basha e ka kuptuar me kohë këtë dobësi dhe është përpjekur që për sa i takon "Ecorys", të fshihet pas nenit 3 të ligjit shqiptar të prokurimeve. Por neni në fjalë justifikon shmangien e procedurave të prokurimit publik vetëm "për arsye të interesit të sigurimit ose mbrojtjes kombëtare", gjë që nuk është fare rasti i firmës "Ecorys".
Në fakt, Basha nuk ka përdorur vetëm emrin e Bankës Botërore dhe të një farë "zoti Hamfri" për të justifikuar shmangien e ligjit, por edhe nenin 3, duke e deformuar dhe duke lënë dinakërisht të nënkuptohet se ka një presje pas fjalës "interesit". Nëse do të qe vërtet kështu, atëherë neni 3, do të lejonte shmangien nga ligji për arsye të "interesit kombëtar" dhe jo vetëm "për arsye interesit të sigurimit ose mbrojtjes kombëtare". Se kush mund të mohojë që rruga Durrës-Kukës i shërben interesit kombëtar? Por shihet qartë se ajo nuk ka të bëjë me sigurimin dhe mbrojtjen kombëtare në kuptimin që u jep ligji këtyre termave. Shihet qartë sesi ministri Basha dhe qeveria e tij, po përpiqen të fshehin shkeljen e ligjit pas "interesit kombëtar". Edhe neni 17 i ligjit për prokurimet nuk justifikon aspak shmangien po të këtij ligji shqiptar duke organizuar një tender pa projekt dhe aq më tepër, kur po rezulton se ka pasur një projekt. E gjitha duket si një akrobaci për të maskuar shkeljen e ligjit shqiptar me gjoja zbatimin e ligjit anglez. Dhe sa "patriotike" është të shkelësh ligjet e vendit tënd duke bërë sikur po zbaton ato të një vendi tjetër! Por kush shkel ligjin, edhe pse përpiqet ta fshehë këtë me ligje britanike apo buzëqeshje, nuk pushon së qenuri mashtrues. Dhe a nuk është "interesi kombëtar" streha e fundit e të gjithë mashtruesve?