Cili është ai fatalitet që çon dëm një jetë të tër

Adonis

Primus registratum
Cili është ai fatalitet që çon dëm një jetë të tër

“Cili është ai fatalitet që çon dëm një jetë të tërë?”


Vitore Nela

SMS në 0692061489

Sa herë shoh një të moshuar që lyp, pyes veten: A ka pasur ndonjëherë familje? A ka fëmijë? Ç’punë ka bërë më parë? Si ka përfunduar rrugëve? Kryesorja, pse? Çfarë nuk ka funksionuar? Cili është ai fatalitet që çon dëm një jetë të tërë? Faleminderit, Rudina

Teksa qëndron e ulur në cepin rrugës ndien hapat e kalimtarëve dhe me intuitë arrin të kuptojë se cili prej tyre do të ndalojë pranë për t’i falur diçka... Zakonisht, kalimtari, syri i të cilit ngacmohet nga pamja që ndesh, instiktivisht ndalon. Pasi i hedh dhe vështrimin e fundit nga koka te këmbët, fërkon dorën në xhep dhe nxjerr një “monedhë”, të cilën ia ul në prehër. Ajo falënderon. Por as që mundet ta dallojë se kë ka pasur përpara... Është e verbër.
***
Quhet Fejzie Tarka dhe është plot 77 vjeç. E takuam në qendër në rrugicën përbri xhamisë së Ethem Beut. “Më parë lypja të spitali, me fillimin e muajit të Ramazanit erdha këtu”. Fytyra e saj nuk tregon vetëm moshë. Tek e shihje të kërrusur e të rrudhur, na erdhi në mendje pyetja e lexueses sonë: Si ka përfunduar një jetë në rrugë?
Me Fejzien duket fort e vështirë të mendosh se dikur mund të ketë qenë e re dhe e bukur. Ka lindur në qytetin e luleve, Përmet, aty jetonte me prindërit dhe 3 motrat e saj. Fejzia ishte me e madhja. Kur u bë 15 vjeçe, prindërit e martuan. “Ishte kohë lufte atëherë, prindërit më martuan të re se kishin frikë mos më rrëmbenin. Burri ishte nga Korça, ishte ushtarak, nëntoger. Pasi u martuam, u transferuam në Sarandë se im shoq u dërgua me shërbim atje e më pas në Burrel..” - kujton e moshuara. Ishte shume e re, e megjithatë u bë nënë që në moshën 16-vjeçare. “Linda një vajze, e cila më vdiq pas dy muajsh. Edhe vajza e dytë vdiq 10 vjeçe nga fruthi...”. Fejzie Tarka ka lindur 9 fëmijë. “Punonte vetëm burri, unë rrija në shtëpi dhe kujdesesha për 7 fëmijët. Pas disa vitesh erdhëm në Tiranë dhe zumë shtëpi në lagjen e “Porcelanit”...”.
***
Ishte viti 1956 kur kjo grua e rrënuar ka dalë për herë të parë në punë, “Isha 34 vjeçe dhe fëmijët më ishin rritur pak. Kurrë nuk mësova të shkruaj dhe të lexoj. Fillova punë në Misto Mame, punoja në sharrë. Gatisnim lopata, kazma, arka etj. Kam punuar atje për nëntë vjet me radhë”.
Pastaj erdhi dita që nisi të ndryshojë jetën e saj. Ndërsa fshinte tallashin (mbetje druri), kërcen një pjesë trungu dhe e godet në shtyllën kurrizore. “Ditët e para nuk lëvizte dot nga vendi. Pasi e mora pak veten për tre vjet kam lëvizur me paterica. U deklarova invalide pune dhe për këtë ndihmohesha me të holla dhe ushqimore. Sikur të mos mjaftonte kjo im shoq u sëmur nga stomaku. Kur u vizitua doli me kancer. Jetoi edhe 9 muaj dhe më pas vdiq. Mbeta e ve, e papunë dhe me shtatë jetimë për të ushqyer”. Këtu 77-vjeçarja bën një pushim dhe gëlltit lotët.
***
Kjo nënë e zënë në hall në atë kohë ka bërë një veprim goxha të guximshëm. I mora të shtatë fëmijët me vete dhe shkova për të takuar Nexhmije Hoxhën. Mbaj mend që e kam takuar atë, te pallati i kongreseve. Kur të ka vdekur burri?- më pyeti . Tani shpejt i thashë unë. Sa fëmijë ke? Ja,- i thashë këto të shtatë që po i sheh rreth meje. Kisha tre djem e katër vajza, të gjithë ishin akoma të vegjël s’më kujtohet mirë sa mund të ketë qenë më i madhi. Nexhmije Hoxha me premtoi se për fëmijët do të më lidhej pension. Dhe ashtu u bë...Po ato kohë ikën tani...”.
***
Ku janë tani fëmijët e Fejzies? Vetëm një vajzë ende e pamartuar ka mbetur pranë saj. Të tjerët janë larg. “Kam një vajzë ende të pamartuar, është ajo që më nxjerr këtu dhe vjen e më merr”- thotë ajo. Ajo nuk ka humbur vetëm fëmijët. 12 vjet më parë, humbi edhe sytë. Si një qortim i ashpër i fatit për këta fëmijë, nëna e tyre sytë i ka humbur duke tentuar t’i qëndrojë pranë njërit prej tyre. “Këtu e dymbëdhjetë vjet më parë isha nisur për në burgun e Vaqarrit për t’u takuar me djalin. Rrugës përplasem me një karrocë...”. Nga përplasja në kokë, gruas i ka ikur përgjithmonë shikimi. Ajo nuk mundet të bëjë më asgjë për të jetuar, përveçse të lypë. Prej lypjes së saj presin jo vetëm vajza, por edhe 4 jetimë të njërit prej djemve, që tashmë nuk jeton më. “Që kur vdiq djali, nusja u largua e i braktisi. I mbajta unë, por që prej asaj kohe, çdo ditë si sot dal për të lypur. Edhe pak dhe vajza do të vijë të më marrë...”.
***
E dashur lexuese që na ke shkruar SMS e cituar sipër këtij shkrimi. Të jesh fatkeq ndoshta është diçka që nuk mund ta ndalësh. Por të jesh fatkeq në Shqipëri, sot për sot do të thotë të mos kesh shumë mundësi: vdis, ose lyp derisa të vdesësh...




05/10/2006
marre nga gazeta shekulli
 

pinkparadise

Forumium maestatis
Re: Cili është ai fatalitet që çon dëm një jetë të tër

fatkeqesi, gjynof vallaj...sic i thone kur te vjen e keqja hapi deren, po kesaj te shkretes vetem te keqia i paskan ardhur gjith jeten...
ka njerez te tille te pa fat, me te cilet jeta eshte treguar e pameshireshme...

nejse nje gje me ben pershtypje mua :
"Kam një vajzë ende të pamartuar, është ajo që më nxjerr këtu dhe vjen e më merr”
shume hard me duket si xhest...vallaj un per nonen time do kisha dal trotuareve, e do kisha ca dynjon, jo me ta nxirrja ne rruge te lypte...tani seicili e di vet hallin e tija, dhe mund te ket shume arsyje te tjera qe si di njeri..etc etc etc (gjithsesi opinion personal ishte).
 
Top