Re: Cfare do te veproje Amerika pas bombave ne Londer?
11 Shtatorët dhe Terrorizmi
Olsi Jazexhi
Data 11 Shtator 2004, ishte ditë përkujtimore në të gjitha qëndrat pro-amerikane të botës. Kjo ditë përkon me ndodhinë e tre viteve më parë në SHBA, kur një grup i vogël terroristësh arritën të godasin superfuqinë e vetme të globit, në simbolin e fuqisë së tyre ekonomike, kullat binjake të Manhatanit, dhe shkaktojnë shumë të vdekur.
Vendi ku njëherë e njëkohë qëndronin kullat binjake, tashmë ka marrë përmasat e një tempulli mitik për politikëbërësit amerikanë. Vendi ‘ground zero’ dhe sulmi i 3 viteve më parë i ka shërbyer SHBA-ve si justifikim për të nisur luftën e tyre globale kundër terrorizmit. Duke qënë se terrorizmi është një armik sa imagjinar aq edhe real dhe i rrezikshëm, qeveria amerikane, duke përdorur forcën e ushtrisë së saj, në këto tre vitet e fundit ka pushtuar shtete si Afganistani dhe Iraku dhe instaluar regjime kukulla në to. Ka sulmuar Sirinë, kërcënuar Iranin, Arabinë Saudite, Sudanin, Korenë e Veriut, Francën, Kubën, qeverinë palestineze, mediat e lira të botës arabe si televizionet Al-Xhazira, Al-Arabijah etj, për ti bërë të fundmet t’i binden dhe bashkëpunojnë me superfuqinë amerikane në luftën e saj globale kundër terrorizmit.
Megjithë aktet makabre që terroristët ndërmorrën kundër SHBA-ve më 11 Shtator 2001, dhe të drejtën që SHBA-të kanë për të mbrojtur vendin e tyre nga terrorizmi, çështja e luftës kundër terrorizmit, në shumicën e rasteve ka kaluar caqet e përgjigjes amerikane ndaj kërcënimeve mbi sigurinë e saj kombëtare. Edhe pse lufta amerikane kundër Afganistanit, ku ish-bashkëpunëtori i CIA-s amerikane Osama bin Laden kishte ndërtuar bazat e tija dhe kërcënonte hapur fuqinë amerikane, ishte e justifikueshme dhe morri aprovimin e heshtur të komunitetit ndërkombëtar, aktet e tjera unilaterale të qeverisë amerikane në luftën globale kundër terrorizmit kanë marrë kritika të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar. Që nga rrugët e Xhakartës, Kuala Lumpurit, Bejrutit e deri në ato të Athinës dhe qyteteve perëndimore lufta amerikane kundër botës arabe, në emër të terrorizmit është denoncuar fuqishëm si një luftë neo-imperialiste. Administrata amerikane është portretizuar si kriminale dhe presidenti gjerman ka sfiduar ideologjinë e Bushit II, i cili në perëndim shihet si luftënxitës.
Kundër luftërave të Uashingtonit është shprehur edhe vetë Vatikani, ku Papa Gjon Pali II i ka kërkuar Bushit II të ndërpresë luftërat e tij në Lindjen e Mesme, dhe të largojë nga zhargoni i tij luftarak përdorimin e termave fetare.
Megjithatë, në emër të 11 Shtatorit qeveria amerikane vazhdon akoma sot, pas 3 vitesh, luftërat e saja nëpër botë dhe kërcënimet kundër popujve arabë dhe simpatizantëve të tyre.
Në botën muslimane, e ashtëquajtura luftë amerikane kundër terrorizmit shpesh është përkthyer si luftë kundër islamit. Për të justifikuar një gjë të tillë kanë shërbyer edhe deklaratat e presidentit Bush II, i cili pas sulmeve të 11 Shtatorit deklaroi se SHBA-të po nisnin një kryqëzatë, term i cili në terminologjinë islame përkujton terrorizmin kryqtar të inspiruar nga Papë Urbani II në vitin 1097 kundër Lindjes së Mesme. Besimi se lufta e Bushit II nuk është thjesht kundër terrorizmit, por vetë islamit është përforcuar në botën islame edhe nga fakti që presidenti amerikan rrjedh nga qarqe fondamentaliste kristjane të cilat kanë idera edhe më të çmendura sesa ato të Bin Ladenit për botën. Kundër neokonsëve të cilët qëndrojnë mbrapa ideologjisë së presidentit Bush II është shprehur edhe Uri Avneri, kampioni izraelit i lëvizjes për paqe (Gush Shalom) në Izrael, i cili ka theksuar në shkrimet e tij se idetë e fondamentalistëve amerikanë janë antisemitike në thelb, edhe pse në shikim të parë duken si pro-izraelite. Arrestimet masive, diskriminimi dhe survejimi kundër muslimanëve në Amerikë, dhe histeria globale kundër islamit që disa qarqe amerikane kanë sponsorizuar indirekt në të gjithë globin këto 3 vitet e fundit, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë ku janë kryer një sërë shkeljesh të drejtash njeriu dhe defamime mediatike ndaj islamit në emër të servilosjes shqiptare ndaj Amerikës, janë disa fakte që bindëse se perceptimi i botës islame ndaj luftës së sotme amerikane në Lindjen e Mesme nuk është i pavend. Për më tepër qënia e ish-presidentit të kompanisë së naftës Halliburton, Dik Çeneit si zëvendëspresident i SHBA-ve dhe deklaratat e hapura të qeverisë Bushiste pro-agresionit dhe terrorizmit shtetëror izraelit kundër shtetit sovran palestinez; kanë forcuar bindjen në pjesën më të mirë të popujve musliman se sulmet e 11 Shtatorit në Amerikë kanë shërbyer si një Rajshtag për administratën amerikane, për të ndërmarrë një fushatë ri-kolonizimi ndaj vendeve muslimane dhe grabitjen e naftës arabe. 11 Shtatori 2001 për pjesën më të mirë të popujve musliman ka shërbyer si dita e lindjes së diskriminit, terrorit dhe aparteidit mediatik kundër identitetit të tyre fetar.
Lufta kundër Irakut për shembull, të cilin qeveria amerikane e portretizoi si luftë kundër terrorizmit global, ndaj të cilit administrata amerikane pretendonte se posedonte armë të shkatërrimit në masë me të cilat Sadam Huseini mund të godiste perëndimin brenda 45 minutash, për shumë zëra në Evropën Perëndimore dhe në botën muslimane, nuk ishin asgjë më shumë por vetëm se një agresion i pastër i dinastisë Bushiste për të kontrolluar naftën e Lindjes së Mesme. Skandalet me tenderat e naftës që kompania Halliburton ka krijuar në Irakun e pushtuar në ditët e sotme dhe historia e gjatë e Bush Babait me projektet naftënxjerrëse në Irak, na bindin se interesat e korporatave naftëmarrëse amerikane qëndrojnë pas politikës amerikane në Irak. Kërcënimet që qeveria amerikane i ka bërë vendeve të Lindjen e Mesme, si Sirisë, Iranit, Libisë, Arabisë Saudite etj në këto 3 vitet e fundit, në shumë raste kanë qënë jashtë suazave të luftës vetëmbrojtëse amerikane kundër terrorizmit, por për hir të interesave të shtetit të Izraelit, i cili udhëhiqet nga kryeministri Ariel Sharon, i cili deri përpara pak muajsh qëndronte i akuzuar në gjykatat e Brukselit si kriminel lufte për masakrat e 10.000 palestinezëve në Sabra dhe Shatila të Libanit në Shtator të vitit 1982.
Aktet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 11 Shtator 2001, ishin një tregues i qartë sesa e pasigurtë bota jonë është në ditët e sotme, dhe tmerrin që terrorizmi mund të shkaktoj në qendrat urbane të shteteve moderne. Sulmet terroriste që kanë ndjekur atentatet e 11 Shtatorit në Bali dhe Xhakarta të Indonezisë, në Arabinë Saudite, Marok, në Beslan dhe Moskë të Rusisë, në Spanjë, Turqi dhe gjetkë kanë treguar se bota në të cilën jetojmë sot është kthyer në një vend të frikshëm dhe të papredikueshëm. Terroristët sot godasin jo vetëm SHBA-të dhe të krishterët amerikanë, por edhe vetë vendet muslimane, siç rastet e Marokut, Arabisë Saudite, Indonezisë dhe Turqisë kanë dëshmuar. Marrja e 2 gazetarëve francez si pengje në Irak përpara disa ditësh, kur pengmarrësit kërcënonin qeverinë franceze të pezullonte ligjin i cili diskriminon vajzat muslimane në shkollat publike franceze, tregon vetëm se një gjë: triumfin e ideologjisë së terrorizmit në botë. Një terrorizëm i cili përmban të gjitha ngjyrat e anarshizmit bakuninist dhe kërkon të krijojë një botë kaotike, tip ‘terrori-stan’, në të cilën vlerat njerëzore dhe e drejta për jetë nuk merren parasysh. Për Osama bin Ladinin i cili tashmë qëndron si ‘god-father’ i terrorizmit mediatik të botës arabe, bota e sotme duhet të jetë ajo që ai ëndërronte kur ulërinte nëpër mediat kundër perëndimit vite më parë. Një botë ku konfliktet nuk zgjidhen me diplomaci dhe me aksione civile por me forcën e terrorit dhe panikut. Për këtë edhe faktet tregojnë se sot, tre vite pas 11 Shtatorit 2001 numri i akteve terroriste në botë ka parë vetëm ngritje me gjithë pretendimet amerikane për suksese në luftën kundër terrorizmit.
Por në debatin rreth problemit të terrorizmit nuk duhet të harrojmë se një faktor bazë që ka motivuar dhe motivon terrorizmin të përparojë, është edhe represioni dhe shkelja e të drejtave njerëzore që perandoritë e mëdha kryejnë mbi popujt e vegjël. Përdorimi i terrorizmit si armë nga kundërshtari më i dobët ndaj fuqisë së shteteve shtypëse nuk është diçka e re në historinë e njerëzimit. Disa nga grupet terroriste që ne mund të përmendim nga analet e historisë janë sikarët çifutë të cilët kur romakët kolonizuan dhe shkatërruan shtetin e tyre, u kthyen në terroristë duke sulmuar dhe terrorizuar legjionarët romakë në Jeruzalem. Terroristë të tjerë përmendim edhe dashnakët armenë të cilët gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë kryenin sulme terroriste spektakolare kundër institucioneve të Perandorinë Osmane. Më pas janë karbonarët italianë kundër pushtuesve austriakë, hashashinët ismailitë në Siri, kamikazët japonezë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Cërna Ruka sërbe e cila me aktin terrorist të Gavrilio Principit kundër arkdukës Francis Ferdinand shkaktoi fillimin e luftës së parë botërore, freikorpët serb të Gjergj Petroviçit apo Karagjorgjit të cilët masakruan më mijra shqiptarë dhe boshnjakë gjatë fillimshekullit të nëntëmbëdhjetë etj.
Megjithatë, në kundërshtim me terrorizmat antikë të cilët kanë patur tendencë të jenë lokal, terrorizmi i sotëm është i përmasave ndërkombëtare. Ai godet në mënyrë të paanshme njerëz të racave, feve dhe ideologjive të ndryshme. Përpjekjet e disa qarqeve të cilat duan ta lidhin dhe tregojnë terrorizmin e sotëm si produkt të mësimeve të fesë islame, janë vetëm se manipulime mediatike dhe shpifje të pabaza nga luftënxitësit anti-musliman.
Një fakt i cili përmendet rrallë në mediat tona sot, është se përveç terrorizmit individual, bota jonë sot po përballet gjithnjë e më shumë edhe me terrorizmin shtetëror. Bombardimet amerikane në qytetet e Falluxhasë, Qerbelasë, Naxhafit, Talafarit, Sulejmanisë etj të cilat ushtria amerikane i portretizon si sulme kundër bazave të ‘Abu Musav al-Zarkavit’ apo ‘luftëtarëve anti-irakenë’ në të cilat pothuajse përditë shkaktohen “collateral damage” apo dëmtimeve jashtë zonës së pritur ku vdesin me qindra fëmijë, gra dhe pleq të pafaj, në fakt janë akte terrorizmi imperial kundër banorëve të pafajshëm iraken. Që nga 11 Shtatori 2001 e deri më sot, falë elementit të “collateral damage-it” në Lindjen e Mesme janë vrarë dhe vriten qindramijë njerëz të pafajshëm. Në Palestinë, qeveria izraelite vazhdon taktikat e saj të bombardimeve sadiste javore nëpër qytetet e Bregut Perëndimor dhe në Gaza, ndërsa në Rusi qeveria e Moskës kryen ekzekutime masive ndaj fshatrave të dyshuara për mbështetje të rezistencës çeçene. Terrorizmi shtetëror sot ka përmasa shumë herë më voluminoze sesa terrorizmi i grupeve të vogla terroriste.
Por problemi i vetëm është se shtetet agresore në të shumtën e rasteve posedojnë kontroll të sofistikuar mbi mediat dhe teknologjitë e komunikimit, me të cilat fshehin krimet e tyre ndërsa demonizojnë oponentët. Për më tepër, ngjarjet e 11 Shtatorit 2001 kanë shërbyer si faktor legjitimues për shtetet imperiale në përdorimin e dhunës dhe terrorit kundër oponentëve, dhunë e cila, tashmë shpesh justifikohet me hipoteza mbi luftën globale kundër terrorizmit.
Data 11 Shtator 2004, përveç përkujtimit të viktimave të 11 Shtatorit 2001, për humanistët e botës përmban një simbolikë më të madhe sesa ndaj tragjedisë amerikane. Në këtë ditë, kampionët e paqes në botë kujtojnë jo vetëm të vrarët në kullat binjake më 11 Shtator 2001, por edhe ata mijëra individë të pafajshëm që kanë humbur dhe humbin jetën në Lindjen e Mesme, Indonezi, Filipine, Rusi dhe Kaukaz, Spanjë dhe Amerikën Latine nga terrorizmi individual dhe shtetëror. Data e 11 Shtatorit në fakt është një datë shumë simbolike në historinë e terrorizmit global. Ajo është dita përkujtimore e 11 Shtatorit 1973 kur populli i Kilit në Amerikën Latine u përballë me terrorizmin shtetëror të diktatorit Augusto Pinoçet i cili me mbështetjen dhe sponsorizimin e qeverisë amerikane shkatërroi demokracinë kiliane pasi rrëzoi nga pushteti presidentin Salvador Allende dhe zhyti vendin në vite të gjata kaosi dhe terrori ushtarak. Përkujtimi i 21 vjetorit kilian, në 3 vjetorin e 11 Shtatorit amerikan, dhe 22 vjetorin e masakrës së 10.000 palestinezëve në Sabra dhe Shatila të Libanit nga gjenerali Ariel Sharon, duhet të kujtojë lexuesit se kjo datë dhe ky muaj, në faqet e historisë nuk kujtohen për mirë. Muaji Shtator dhe data 11 e tij nuk duhet të janë përkujtues vetëm të terrorizmit individual por mbi të gjitha, terrorizmit shtetëror. 11 Shtatori i vitit 1973 ka qënë ditë e triumfit të neonazizmit, represionit dhe terrorizmit shtetëror në Amerikën Latine dhe botën e lirë. 11 Shtatori 1973 është një ditë kur në emër të kapitalizmit dhe vlerave perëndimore, në Amerikën Latine triumfoi terrorizmi shtetëror, kontrolli mediatik, represioni kundër lirive të individit dhe shtypja e të drejtave njerëzore. Sot në tre vjetorin e 11 Shtatorit 2001, kampionët e të drejtave të njeriut në botë, duhet të shpresojnë dhe bëjnë duâ (lutje) që 11 Shtatori amerikan të mos i ngjajë preçedentit kilian të 21 viteve më pare, kur në emër të vlerave kapitaliste dhe luftës kundër komunizmit nëpër botë u instaluan diktatura fashiste. Edhe pse simptomat nga Lindja e Mesme, SHBA-të dhe Rusia sot nuk duken të mira për të patur një botë më të mirë, shpresat për triumfin e humanizmit në botën tonë të brishtë nuk duhet të shuhen kurrë. Edhe pse përvjetoret e 11 Shtatorit shpesh ndërlidhen me historinë e zymtë të forcave të terrorizmit.