Re: Ceshtja Sollaku rikthehet ne politiken shqipta
Komisioni Europian, shuplake qeverise per Sollakun
(Dërguar më: 06/12/07) Përfaqësuesi i KE-së ka kërkuar llogari edhe për kartat e identitetit, të cilat ende s'kanë filluar të prodhohen. BE kërkon edhe bashkëpunim mes forcave politike shqiptare për reformat
Bashkimi Evropian kërkon llogari për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Dirk Lange, shef i Sektorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit të KE-së, ka pyetur ministren e Integrimit, Majlinda Bregu gjatë takimit të 17-të të Grupit Konsultativ BE-Shqipëri, për shkarkimin e kryeprokurorit. Sipas burimeve, ministrja Bregu mësohet të jetë shprehur se për këtë duhet të shprehej përfaqësuesi i Presidentit, por në delegacionin shqiptar nuk ka pasur asnjë përfaqësues nga Presidenca. Për këtë çështje ka dhënë sqarime përfaqësuesi i Kuvendit, i cili mësohet të ketë thënë se çështja është në Gjykatën Kushtetuese. Sipas përfaqësuesit të Kuvendit, ish/kryeprokurori i ka drejtuar një kërkesë kësaj gjykate dhe pritet vendimi i saj. Por Lange ka këmbëngulur sërish në faktin se si do të zgjidhte ky rast, ndërkohë që përfaqësuesi i BE-së ka pasur dijeni edhe për rastin e mëparshëm të ish-kryeprokurorit Arben Rakipi, për të cilin gjithashtu ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, por që nuk është marrë parasysh nga maxhoranca aktuale. Në përfundim të këtij diskutimi u la që në takimin e ardhshëm, pala shqiptare të ketë një sqarim më të hollësishëm për këtë çështje, por edhe për reformën në sistemin e drejtësisë. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i KE-së ka kërkuar llogari edhe për kartat e identitetit, të cilat ende nuk kanë filluar të prodhohen. Bashkimi Evropian kërkon edhe bashkëpunim mes forcave politike shqiptare për realizimin e reformave. Dy nga përfaqësuesit e BE-së, Saba d’Elia, ambasadori i Italisë në Tiranë, njëkohësisht përfaqësues i presidencës së radhës në BE, asaj portugeze dhe Dirk Lange, shef i Sektorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit të KE-së, siguruan palën shqiptare për mbështetje maksimale në thellimin e reformave në Shqipëri. Gjatë mbledhjes së 17-të të Grupit Konsultativ BE-Shqipëri, u diskutua mes Komisionit Europian dhe autoriteteve shqiptare mbi çështje të rëndësishme që lidhen me reformat në fushat e forcimit të shtetit ligjor, reformat elektorale dhe ato në sistemin gjyqësor. Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme elektorale, z.Elia tha se BE-ja shpreson në përmbushjen e kushteve të nevojshme për një proces zgjedhor sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare, ndërsa z.Lange theksoi nevojën e reformimit të plotë të sistemit gjyqësor dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duke iu referuar edhe progres-raportit 2007, z.Lange vlerësoi si të kënaqshme arritjet në kuadër të MSA-së dhe të suksesshëm, implementimin nga vendi ynë të Marrëveshjes së Përkohshme. Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha se “kjo qeveri po njëson axhendën e reformave me axhendën europiane të Shqipërisë bazuar edhe në prioritetet e Dokumentit të Partneritetit, e bindur se kjo është rruga e duhur drejt demokratizimit të plotë të vendit.