Buka, çmimi rritet 70% në 9 muaj

Al-Punk

Still here
Buka, çmimi rritet 70% në 9 muaj

Një bukë, është e barabartë me pensionin ditor të një pensionisti në fshat dhe gjysmën e pensionit ditor të një pensionisti në qytet

Qeveria, asnjë masë për të ndikuar në çmimet e larta të produkteve bazë në tregjet e vendit

Rritja e shpejtë e çmimeve në treg ka goditur shtresat me të ardhura të pakta, duke bërë që të ardhurat e tyre reale të kapin vlerat më të ulëta historike. Tashmë një pensionist në qytet duhet që me gjysmën e pensionit të tij mujor të blejë vetëm bukë, ndërsa një pensionist në fshat me të gjithë pensionin që merr mund të blejë vetëm një bukë në ditë, me çmimet e reja që e bëjnë këtë produkt një mall luksi për këtë shtresë në nevojë. Sipas të dhënave zyrtare, një person konsumon në ditë 350 gramë bukë, dhe duke e llogaritur me çmimet e tregut që tentojnë që të jenë ende në rritje, pensionistët shqiptarë duhet që me këto të ardhura tashmë të sigurojnë vetëm bukë dhe ujë.

Gjatë ditës së djeshme, një bukë në shumë pika të shitjes në Tiranë është shitur me 100 lekë, një çmim ky që është rreth 70% më i lartë se ai i majit të vitit 2007. Përpara qershorit të vitit 2007, një bukë shitej në treg me një çmim prej rreth 60 lekë. Rritja e çmimit të bukës është më shumë se 3 herë më e lartë se rritja e pensioneve në vend, por buka nuk është i vetmi çmim që është rritur gjatë kësaj periudhe. Një pjesë e mirë e produkteve që janë me bazë nga drithërat kanë pësuar një rritje të ndjeshme, duke ndikuar gjithmonë e më shumë në përkeqësimin e financave të pakta të shtresave në nevojë.

Nga ana e saj, qeveria nuk ka dhënë asnjë shpresë për zbutjen e kësaj situate për shtresat në nevojë. Ministri i Financave dhe Kryeministri kanë bërë të qartë gjatë deklaratave të tyre se çështja e çmimeve në treg nuk mund të zgjidhet nga qeveria, duke lënë të kuptohet se konjuktura e tyre duhet të lihet të zgjidhte nga forcat e tregut. Por rritja e çmimeve të bukës mund të jetë një efekt zinxhir pasi në datën 1 mars, KESH ka kërkuar që çmimet e energjisë për këtë kategori konsumatorësh të rriten me 50%. Një rritje e tillë e çmimit të energjisë për furrat e bukës pritet që të ketë një efekt të menjëhershëm në çmimet e bukës, që tashmë kanë një elasticitet thuajse zero ndaj rritjes të kostove të prodhimit.




Idrizi: Qeveria e paaftë për të menaxhuar krizën

Rritja e çmimeve të produkteve bazë gjatë fillimit të vitit 2008 është vlerësuar nga ana e Partisë Socialiste si pasojë e politikave të dështuara qeveritare. "Rritja galopante e çmimeve të produkteve ushqimore të konsumit të përditshëm, është bërë tashmë një fenomen i zakonshëm. Por, sikur të mos mjaftonin këto, qytetarët shqiptarë këto ditë po përballen dhe me rritjen drastike të çmimit të bukës. Përballë kësaj situate alarmante, Qeveria, mesa duket, ka zgjedhur të bëjë sehir. Janë të papranueshme deklaratat kontradiktore të Kryeministrit dhe ministrit të Financave për këtë problem. Ndërsa Kryeministri kësaj radhe, ndryshe nga çdo rast tjetër, i bie shkurt dhe lan duart me shprehjen "Çmimet i vendos tregu, qeveria rri e bën sehir ", i dyti, ministri i Financave, në mënyrë të habitshme, si rrugë për uljen e çmimit të bukës, gjen metodën e rritjes së tatimeve, megjithëse dihet që kjo do të sillte efektin e kundërt", ka deklaruar gjatë ditës së djeshme deputeti socialist, Shpëtim Idrizi. Sipas Idrizit, një situatë e tillë vjen si pasojë e dështimeve në politikat fiskale të qeverisë. "Me sa duket, kjo qeveri e ka më të lehtë të kërcënojë prodhuesit me falangat e tatimorëve duke rritur tatimet, sesa të merret realisht me zgjidhjen e këtij problemi jetik për shumicën e shqiptarëve. Rrugët e zgjidhjes dhe të daljes nga kriza, gjenden si në Programin e Qeverisë apo Premtimet Elektorale të saj, për shkallëzimin në 6 % të TVSH për produktet bujqësore, ashtu dhe në thirrjet apo propozimet e opozitës, që në tetor të vitit 2007, për uljen dhe jo rritjen e elementeve bazë që do të sillnin reduktimin e kostove të prodhimit, si pagat referuese, akciza e naftës, apo çmimi i energjisë elektrike, reduktimi i tarifave doganore etj.",- tha Idrizi.

+++

PDK: Të kompensohen familjet në nevojë

Rritja e çmimit të bukës përbën një zhvillim jo pozitiv dhe me efekt të ndjeshëm në xhepin e qytetarëve, sidomos të shtresave në nevojë. Kjo ka qenë deklarata që ka bërë Jak Ndokaj, nënkryetar i Grupit të Partisë Demokristiane. "Është e vërtetë se qeveria nuk mund të përcaktojë çmimet e produkteve në treg, por nga ana tjetër qeveria ka një seri mekanizmash, të cilat mundësojnë lehtësimin e barrës së rritjes së çmimeve ndaj qytetareve, ku si masë paraprake duhet të jetë kompensimi i shtresave në nevojë. Nga ana tjetër edhe Organet Tatimore duhet të marrin masa që ky fenomen të mos kthehet në një spekulim për qëllime fitimi",- tha Ndokaj. Demokristiani Ndokaj ka kritikuar edhe institucionet që merren me monitorimin e tregut. "Ne jemi sidomos të shqetësuar për mënyrën jo transparente dhe të papërgjegjshme të reagimit të disa institucioneve shtetërore, të cilat kanë detyrë kushtetuese kujdesin për jetën, të drejtat dhe interesat e qytetarëve. PDK dëshiron t'i rikujtojë Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Tatimeve, Autoritetit të Konkurrencës dhe Zyrave për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe Konsumatorit, se ushqimi i njeriut nuk ka të bëjë me ideologji politike dhe klauzola ligjore",- tha Ndokaj.
 

Al-Punk

Still here
Qeveria dhe çmimi i bukës

Nga Dr.Zef Preçi

Si rrjedhojë e globalizmit, ekonomia jonë kombëtare është pjesë integrale e ekonomisë botërore, gjë që do të thotë se zhvillimet pozitive dhe negative në ekonominë botërore ndikojnë për mirë ose për keq edhe në ekonominë tonë. Por, po kaq e vërtetë është edhe se sa më e fortë (d.m.th konkurruese) të jetë ekonomia e një vendi, aq më e aftë është ajo të përballojë krizat. Gjithashtu, krizat ekonomike të botës së sotme, ndonëse kanë të njëjtat faza të zhvillimit të tyre, nuk kanë ato pasoja shkatërrimtare të krizave "klasike" të njohura në periudhat e mëparshme të zhvillimit të ekonomisë së vendeve të ndryshme. Në rastin e ekonomisë së vendit tonë, mendoj se presionet inflacioniste të dy viteve të fundit, në menaxhimin jo eficient të borxhit publik, disa rrjedhoja të paparashikuara negative të politikave fiskale të ndërmarra nga qeveria gjatë kësaj periudhe, një lloj frenimi i investimeve private, problemet e krijuara nga hapja ekonomike me vendet e rajonit, alokimi i huave bankare për një kohë të gjatë në tregti dhe në pasuri të patundshme, ndikimi i krizës energjitike botërore etj., e kanë sjellë situatën në pragun e një krize të vërtetë ekonomike. Zhvillimi më i fundit është rritja e përgjithshme e çmimeve të mallrave të konsumit të përditshëm, e cila kulmoi me rritjen e çmimit të bukës dy ditët e fundit në mbarë vendin.

Padashur të spekuloj me rolin e qeverisë, mendoj se është e gabuar pikëpamja se, "shteti duhet të ndërhyjë dhe të kontrollojë çmimin" përndryshe të pengojë administrativisht rritjen e tij. Po aq e gabuar është edhe pikëpamja tjetër, se "rritja e çmimit të bukës është rezultante e zhvillimit të tregut dhe qeveria nuk ndërhyn fare në këtë çështje". Kjo e dyta, ka qenë edhe qëndrimi zyrtar i qeverisë aktuale. Nëse një deklarim i tillë do të ishte i vërtetë, atëherë me të drejtë lind pyetja: Përse tjetër duhet qeveria përveçse të moderojë dhe të pengojë efektet shkatërruese të forcave të tregut mbi shtresa apo grupe të caktuara të shoqërisë, të ndërtojë dhe të ruajë balancat shoqërore duke përfshirë edhe mbikëqyrje të tregut dhe rregullat bazë të këtij procesi? Më konkretisht, sipas mendimit tim, kemi të bëjmë me një situatë parakrize, një lloj frike dhe amullie të natyrshme të prodhuesve të bukës, që lidhet me rritjen e pritshme të çmimit botëror të tregtimit të drithërave, një lloj nxitimi të tyre "për të korrur fitime sot, se nesër nuk dihet se ç'mund të bëhet" e përzierë kjo me spekulimin aq të zakonshëm të llojit kartelizim të tregut dhe ngrirje të çmimeve në tregjet shqiptare të mallrave të konsumit, si me karburantet, etj. Qeveria dhe institucionet mbikëqyrëse të tregut nuk duhet të mjaftohen me thirrje "për të qenë objektive" drejtuar sipërmarrësve të prodhimit të bukës, as me "hetime" që nuk mbarojnë dhe as sjellin ndonjë përfitim për qytetaret, si ato që thuhet se ka nisur pikërisht për këtë problem javë me parë Autoriteti i Konkurrencës, por të bashkërendojnë punën në disa drejtime. Të tilla janë: rritja e transparencës mbi zhvillimet kryesore në tregjet botërore të grurit, etj., me synim minimizimin e panikut publik, informimin mbi këto zhvillime dhe ndëshkimin e spekulanteve që nuk mungojnë në raste të tilla. E çmoj shumë të rëndësishëm deklarimin korrekt të një zyrtari të lartë të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, të bërë para dy ditëve, se "nuk është fjala për një krizë të vërtetë botërore për këtë produkt (gruri)". Të gjithë e dinë se gruri është produkt me cikël prodhimi dhe jo si nafta, për më tepër që janë mundësitë për ta shndërruar krizën e drithërave (nëse vërtetë ajo do të ndodhë) në një stimul për shtimin e prodhimit vendas, si alternativë zëvendësuese dhe zbutëse të efekteve të zhvillimeve në ekonominë botërore.

Mënyra se si u rrit çmimi, fill pas deklarimit pohues të kryeministrit Berisha se qeveria nuk ka ndërmend të ndërhyjë, të shtyn të mendosh se karteli tashmë i njohur zyrtarisht i prodhuesve të bukës "mori leje" të rëndojë edhe legalisht më tej nivelin e jetesës së qytetarëve shqiptarë, sidomos të atyre me të ardhura më të pakta apo në kufijtë e varfërisë ekstreme. Them "legalisht" sepse për shkak të paaftësisë së organeve mbikëqyrëse të tregut dhe atyre kontrolluese të peshë-matjes, çmimi ka disa muaj që është rritur nëpërmjet përkeqësimit të cilësisë së miellit të përdorur për prodhimin e bukës dhe zvogëlimit të dukshëm të peshës së saj. Rritja e menjëhershme e çmimit të bukës në të gjithë vendin dhe mbas një deklarimi mediatik, është dëshmia më e mirë e marrëveshjes së ndaluar, që ka çuar në pengimin, kufizimin dhe në shtrembërimin e konkurrencës nëpërmjet caktimit të çmimit të shitjes së bukës, e përcaktuar shprehimisht në Nenin 4, të ligjit Nr.9121, datë 28.07.2003 "Për mbrojtjen e konkurrencës". Ndërhyrja e institucionit përkatës të mbrojtjes së konkurrencës (i cili në të vërtetë e ka konstatuar më herët këtë situatë) dhe strukturës së ngritur në Ministrinë e Ekonomisë dhe Tregtisë, është bërë e domosdoshme dhe një provë e vullnetit politik të qeverisë për të penguar varfërimin e mëtejshëm të qytetarëve të vendit. Ndërsa ndërhyrjen e deklaruar përmes kontrollit të fitimeve të tregtimit të bukës nga ana e tatimorëve e shoh si një problem konstant dhe funksion të përditshëm të këtyre organeve dhe jo si një aksion "blitz" thjesht për "show", por që nuk sjell dobi për qytetarët.

Por problemi më i madh nuk është vetëm rritja e çmimit të bukës, por edhe situata në importimin e grurit, në të cilat spekulimet me cilësinë dhe me çmimin njëkohësisht janë më të mëdha e më të mundshme. Ndoshta janë pjekur kushtet që, pas një analize të faktorëve të prodhimit bujqësor dhe të prirjeve të tyre aktuale, të ndërmerren edhe programe qeveritare nxitëse që mund të zbusin e efektet e mundshme të një krize botërore të paralajmëruar në këtë fushë. Personalisht i shoh me shqetësim edhe zhvillimet në tregun e inputeve bujqësore, sidomos në drejtim të rritjes së çmimit të plehrave kimike, si dështimin apo mos zëvendësimin e skemës së vjetër të naftës pa akcizë për fermerët. Edhe nxitimi qeveritar për privatizimin apo ndryshe për shitjen e shoqërisë ARMO brenda disa ditëve nuk mendoj se sjell ndonjë përfitim për ekonominë kombëtare. Deri me sot, nuk di të jetë prezantuar ende ndonjë program investimesh private i blerësve potencialë që mund të çonte në rimëkëmbjen e teknologjisë së përpunimit të naftës dhe përmirësimin e cilësisë së saj në dobi edhe të mbrojtjes së ambientit, sikurse po ndodh në vendet përreth, që kanë hedhur hapa përpara në privatizimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë së tyre.

Nëse kriza e filluar tashmë ndodh dhe merr përmasat e një krize të vërtetë ekonomike, është detyrë e qeverisë të ndërtojë politikat respektive duke përfshirë edhe ato që u përmendën më sipër. Të gjithë duhet të kuptojmë se arritjet qeveritare në grumbullimin e taksave apo në reduktimin e informalitetit kanë kuptim nëse shndërrohen në vende pune, në rritje të shanseve për një jetë më të mirë për familjet shqiptare. Përndryshe kriza fshin dhe merr përpara edhe arritje më të mëdha, në shtete më të mëdha dhe në ekonomi konkurruese dhe shumë më të fuqishme se ekonomia jonë kombëtare.
 

Al-Punk

Still here
Buka dhe funksionet e qeverisë

Nga Gjergj Erebara
06 Shkurt 2008

Dje në mëngjes, një gazetë pranë qeverisë njoftonte me të madhe se ministri i Financave, z.Bode, kishte besim se tregu nuk do të lejonte rritjen e çmimit të bukës. E lexova këtë lajm plot dhjetë minuta pas bleva bukën e përditshme 1 kilogram, 120 lekë. Në fakt, pyetja që i bëjnë gazetarët z.Bode në lidhje me çmimet e rritura, është disi e pavend, po aq e pavend sa është edhe përgjigjja e herëpashershme e tij mbi këtë temë, në mbrojtje të qeverisë. Pyetja është e pavend sepse çmimet i përcakton tregu, jo kostoja, siç deklaroi dy ditë më parë z.Bode.

Në një analizë më të detajuar mbi çmimet e rritura, vihet re: janë rritur çmimet e mallrave që prodhohen nga kompani me pozitë dominuese në treg, pra mielli, ku disa fabrika zotërojnë maxhorancën e prodhimit; vaji, ku janë shumë pak operatorë; vezët, ku ka vetëm dy dominues dhe shumë prodhues të tjerë të parëndësishëm; orizi, që importohet nga shumë pak kompani; nafta, që prej kohësh është nën hetim për praktika antikonkurrencë etj. Përkundër kësaj, mallrat e prodhuara në mënyrë "artizanale" si mishi, qumështi e nënproduktet e tij, sallami etj., nuk kanë pësuar rritje, sepse këtu nuk ka pozicion dominues.

Këto janë shkaqet. Pasoja më e rëndë është në faktin se normalisht nga rritja e çmimit të mallrave ushqimorë, përfitojnë fermerët. Në teori ky është një fenomen sa negativ aq edhe pozitiv, sepse fermerët do t'i përdorin fitimet e shtuara për konsum urban. Por në rastin tonë, nuk ka ndodhur kështu. Rritjen e çmimeve e ka përfituar industria dhe importi. Një grup i vogël njerëzish po shtojnë fitimet ndërsa maxhoranca urbane e rurale po e paguan.

Është e qartë se mielli e buka do të vijojnë në rriten, sepse kontratat për grurin që do të dorëzohet këtë verë kanë arritur në mbi 900 dollarë për ton në tregun ndërkombëtar. Në këto kushte, disa qeveri të botës, si Kina apo Rusia, i kanë hyrë një operacioni kirurgjikal për të zbutur rritjen e çmimeve në tregjet përkatëse. Por nga qeveria shqiptare, një gjë e tillë nuk mund të pritet, për shkak të kushteve që nuk varen prej saj, por edhe për shkak të mungesës së inteligjencës. Një qeveri e aftë, do ta kishte planifikuar një situatë të tillë, e normalisht do të shpallte nga shtatori i vitit të kaluar se do të blinte grurë me çmim promocional nga fermerët vendës, p.sh. dhe duke qenë se gruri vendës plotëson rreth 50% të konsumit, së paku, kjo masë do të zbuste rritjen e çmimeve gjatë këtij viti.

Rritja e çmimeve, është njëra anë e medaljes. Ana tjetër, dhe këtu përgjegjësia është drejtpërsëdrejti e qeverisë, është politika e dy viteve të fundit, që ka ofruar ulje taksash për kompanitë dhe rritje taksash për konsumatorin e për të punësuarit. Konkretisht, u ul tatim-fitimi për biznesin dhe u rritën akcizat e cigareve, karburantit, taksat ambientale për makinat, etj. U ngarkuan të gjithë shqiptarët, biznes i vogël apo punëtorë, me komisione të pakuptimta bankare, ku bankat vërtetuan se janë në gjendje të bëjnë gjithçka në këtë vend dhe se me ndihmën e qeverisë mund të sillen si padronë të Shqipërisë. Teorikisht, ulja e tatim-fitimit për biznesin nënkupton investime më të mëdha, por praktikisht, as kjo gjë nuk ka ndodhur. Kompanitë që përfituan uljen e tatim-fitimit, që qenë rreth dhjetë subjekte dhe që ndanë mes tyre mbi 100 milionë dollarë për vitin 2007, thjeshtë shtuan paratë që i kthejnë aksionerëve të tyre në Europë. Kjo është politika e të varfëruarit të vendit. Ndonëse nuk mund të akuzosh qeverinë për rritjen e çmimit të bukës, është e pamundur të mos e gjesh fajtore për varfërimin e përgjithshëm.
 

Daniel H

Primus registratum
Re: Buka dhe funksionet e qeverisë

Ne kuadrin e kesaj teme, po shkepus dhe une nje pjese nga intervista e ekspertit te ekonomis Adrian Civici dhene sot per Gazeten Shqip


Cili është pozicioni i Shqipërisë përballë këtyre zhvillimeve?

Efektet e krizës, tregu dhe çmimet shqiptare po i ndiejnë përditë. Buka është rasti më evident, por krahas saj, ku më shumë e ku më pak, rritja e çmimeve konstatohet dhe te frutat, perimet, mielli, misri, mishi etj. Ne jemi një vend që, për sa u përket produkteve agro-ushqimore importojmë 7-8 herë më shumë se sa eksportojmë, pra jemi në një masë të konsiderueshme të varur nga tregjet e huaja. Të importosh rreth 450-500 milionë euro produkte ushqimore në vit, natyrisht që të bën shumë të ekspozuar ndaj efekteve të tregut botëror. Por, problemi më i rëndësishëm për Shqipërinë është mënyra se si po e trajtojmë këtë situatë, që shumë vende të tjera e cilësojnë si "tejet preokupuese".
Institucionet tona vazhdojnë të insistojnë në shpjegimin se "është thjesht tregu ai që vendos çmimet", se "spekulatorët potencialë do të ndëshkohen", se "jemi ekonomi dhe vend i vogël dhe nuk kemi se ç‘të bëjmë", ndërkohë që politika dhe vendimmarrësit e rëndësishëm, përtej shqetësimit legjitim për pasojat sociale të këtij fenomeni, nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur politikave dhe masave strukturore afatgjatë për ta përballuar këtë situatë, që në të gjithë botën po perceptohet si afatgjatë. Kthimi i menjëhershëm i vëmendjes ndaj sektorit të bujqësisë dhe agro-industrisë, përpunimi i paketave speciale
mbështetëse e nxitëse për prodhimin nga ana e fermerëve tanë të drithërave, miellit, etero-vajoreve etj., në vend; orientimi dhe alokimi i investimeve dhe financimeve publike e private me përparësi drejt modernizimit të prodhimit të produkteve bujqësore e ushqimeve dhe rritjen e rendimenteve; mbështetjen e industrive agro-përpunuese që punojnë me lëndë të para vendase; zgjidhja urgjente e paqartësive mbi pronësinë e tokës etj., janë disa nga masat strukturore afatgjatë të nevojshme. Problem tjetër është dhe situata monopol apo numri i kufizuar i tregjeve të huaja në disa prej sektorëve të importit të produkteve agro-ushqimore. Natyrisht, n.q.s. ne vazhdojmë të blejmë rreth 50% të miellit apo grurit në tregun rus, është normale që masa drastike e qeverisë ruse për ta trefishuar taksën
mbi eksportet e grurit do të ndihet shumë edhe në tregun dhe çmimet shqiptare.

A duhet t‘u trembemi efekteve të mundshme zinxhir të rritjes së çmimit, të cilat mund të prekin edhe produkte të tjera ushqimore pas drithërave?
Ekspertët ndërkombëtarë të tregjeve vlerësojnë se viti 2008 pritet të reflektojë gjerësisht si ato që quhen efekte direkte, ashtu edhe efektet e raundit të dytë apo indirekte. Në nivel mesatar botëror, gjatë
2007-ës konsumatorët kanë i paguar 6.5% më shtrenjtë ushqimet e tyre, si pasojë e kësaj krize. Çmimi i grurit u rrit mbi 90%, çmimi i misrit në 45% etj. Si efekte zinxhir të pritshme në tregjet botërore konsiderohen rritja e çmimit të mishit, makaronave, sektorit të biskotave, vajrave ushqimore, qumështit dhe nënprodukteve të tij, miellit dhe ushqimeve të koncentruara për blegtorinë etj. Mekanizmi i çmimeve reflekton proceset prodhuese. Kështu, p.sh., sa më shumë rriten kërkesat për mish, aq më shumë rriten kërkesat për ushqim për blegtorinë si misër, grurë, foragjere etj. Në këtë pikë mendoj se duhet të jemi maksimalisht të kujdesshëm dhe duhet të fillojmë të ndërtojmë skenarët e mundshëm të prekjes nga ky fenomen kaskadë, si dhe politikat e masat më efektive për ta përballuar pa kosto sociale. Për herë të parë, pas shumë vitesh, Forumi Ekonomik i Davosit paralajmëroi se disa vende, kryesisht ato me të ardhura të ulëta dhe të mesme, krahas rreziqeve tradicionale rrezikojnë këtë vit të përballen edhe me vështirësi në sigurimin e ushqimeve.

Si e shikoni pozicionin e Shqipërisë përballë këtyre risqeve?

Alarmin më të madh në këtë drejtim, përveç Forumit të Davosit e ka dhënë FAO. Jacques Diouf, drejtor i përgjithshëm i këtij organizmi, deklaroi se "viti 2008 rrezikon të krijojë një rrezik ushqimor serioz në shumë vende të botës, sidomos te shtresat e varfra të popullsisë". Po sipas FAO-s, "rritja e çmimeve të shumë produkteve ushqimore mund të bëhet shkak dhe për probleme sociale në zona të caktuara. Më shumë se 36 vende të botës janë, apo mund të bien së shpejti në kriza ushqimore. Në total, fatura e importeve të drithërave për këto vende mund të arrijë shifrën rekord prej 28 miliardë USD në 2008-ën, ose 14% më e lartë se një vit më parë". Në total, për të gjitha vendet në zhvillim, vlerësohet se importet e drithërave do të kushtojnë në shifrat rekord të 52 miliardë USD. Edhe Shqipëria, si një vend importues neto, për sa i përket jo vetëm drithërave dhe miellit, por edhe shumë produkteve të tjera agroushqimore, duhet ta shikojë me urgjencë dhe me shumë kujdes politikën e saj agrare dhe ushqimore për t‘u paraprirë situatave, që tashmë nga shumë drejtime po paralajmërohen si të mundshme për të ndodhur.
Po përmend vetëm dy shembuj për të konkretizuar që tashmë shumë vende e qeveri kanë filluar të lëvizin me shpejtësi. Në Pakistan, Presidenti Musharraf, në përgjigje të krizës krijoi Komitetin Federal të Ushqimit, i cili po ndjek nga afër situatën dhe po përgatit një paketë speciale masash e politikash në përgjigje të kësaj krize.
Qeveria algjeriane bleu me një vendim të veçantë 4 milionë tonë grurë për ta pasur si stok rezervë për vitin 2008, në mënyrë që të ketë mundësi të ndërhyjë në treg dhe mbajtur në nivele të pranueshme çmimet e bukës e nënprodukteve të tjera të drithërave, si makaronat, miellin etj.
 
Top