Re: Bojken Lako
2 fjjale mbi Bojkenin dhe grupin e tij.
THE FISH HOOK
Kam pyetur gjithmonë veten se sa njerëz duke dëgjuar një këngë mund të gjejnë veten, mund të preken nga një fjalë ose një tingull. Ky tingull që prek lehtësisht shpirtin dhe e bën të ndjehet i paqtë. Zërin e tij e kemi dëgjuar shpesh herë si protagonist nëpër koncerte, gjithmonë me një kërkesë për një muzikë alternative.
Bojken Lako, artisti 28 vjeçar, hoqi dorë nga “vetmia” dhe së bashku me Heldi Krajën dhe Fabian Asllanin, i ridhanë jetë grupit “The fish hook”. Sapo janë kthyer nga një tur koncertesh në Prishtinë dhe Prizren, ku 18 këngët rrok të kënduara në klubet “Nek”, “BBC” dhe “Depo” trazuan muzikën e atjeshme. Organizatore e koncerteve ishte Delina Fico, e cila falë njohjes me filozofinë muzikore të “Fish hook” e kishte parashikuar se çfarë do të ndodhte. Sukses i padiskutueshëm dhe një dëshirë e madhe për të njohur përfaqësuesit e kësaj rryme muzikore. Intervista dhe prezantime në shumë prej mediave kosovare si dhe transmetim i koncerteve nga Televizioni21 i Prishtinës.
Kush janë…
Nuk ndryshojnë, janë të njëjtët si në skenë ashtu edhe në jetë. Mund të flasësh pa frikë për një grup miqsh me pasione të njëjta, adoleshencë të përbashkët, një ose dy muzikantë simbol të muzikës që ata duan, (U2, Simple Minds, Depeche Mode, Oasis), të rinj që dëgjohen gjatë ditës me telefon dhe në fund pas shtatë vitesh pauze vendosin të bëjnë diçka së bashku. Kur i sheh nga afër ndjesia e fortë e parë është se ata u përkasin një kategorie të vendosur artistësh. Të qartë, të aftë, të apasionuar, rebelë, në konflikt me shoqërinë fals, por jo me pjesën reale dhe të prekshme, larg meskinitetit dhe mendjemadhësisë. Ka një fije lidhëse mes të treve- talenti dhe besimi. Miqësia e tyre është një pjesë e qenësishme që shihet shpejt. Mund të largohen, por pavarësisht nga kjo janë përsëri bashkë në një pushtet të padiskutueshëm që është muzika. Ajo është Zot-i i tyre që i falen. Ndërsa duan dhe besojnë dashurinë, familjen dhe miqësinë. Mprehtësia e tyre nuk u lë kohë të harxhojnë energji për muzikë komerciale. Janë larg saj dhe e kanë shumë të qartë se të jesh “pjesë e grupit do të thotë të bësh një muzikë dhe art kolektiv”.
Rizgjimi
Muzika e tyre ka për qëllim të sjellë filozofinë e tyre të jetës, që në thelb përbën edhe sfidën e tyre “Ne jemi ata që dimë më shumë, më shumë se ç’duhet, atë që s’duhet”. Ndoshta prandaj edhe “çmendën” Prishtinën dhe Prizrenin në tur-in e fundit të tyre. Bojken Lako dhe ‘Fish hook” sjellin me muzikën e tyre një atmosferë komplekse, kitarë fenomenale në një sfond elektronik të çuditshëm dhe tinguj të fuqishëm vokalë. Ata janë unikalë dhe të papërsëritshëm në muzikën që krijojnë. Prandaj kanë për qëllim t’a shpërndajnë muzikën e tyre, këndojnë live dhe nuk kanë “frikë” nga ambjentet e hapura. Tur-et që do të pasojnë Prishtinën janë koncertet në Durrës, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan dhe ndoshta përtej kufijve mund t’i mirëpresë edhe Shkupi.
Muzika
Hapin e parë sapo e kanë hedhur . “Prishtina tregoi se ne jemi të njohur atje. Ndërsa unë kam besuar në kulturën muzikore kosovare dhe traditën e muzikës rrok”- thotë Boku që është tepër kënaqur nga eksperienca që kaluan. Ndërsa basisti i grupit Fabian Asllani tregon se “me grupin ndjehem sikur jam kthyer në adoleshencën time. Më pëlqen gjithë rizgjimi, përjetimi i koncerteve, duartrokitjet, e ndiej që më kanë munguar”. Heldi Kraja, bateristi, autori i shumë teksteve dhe njëherësh edhe krijues i disa këngëve të grupit shprehet se “asgjë nuk ka forcën e madhe për të më mbajtur, asgjë nuk është kaq e fortë sa muzika që unë krijoj dhe pjesë e të cilës ndjehem se jam. Uni im ka gjetur thelbin e shprehjes tek grupi dhe jam vërtet i lumtur për këtë”.
Suksesi
Rikthimi i grupit “The fish hook” është historia e suksesit që tregon edhe njëherë si mund të mbijetohet në tregun e sotëm muzikor, me rryma muzikore në krizë dhe në kërkim të hit-eve, me këngëtarë të supervetëkënaqur dhe të dalë mode. Ata do të vazhdojnë të krijojnë muzikën rrok, origjinale, ata boys-band, që ndonëse nuk i kanë xhepat e mbushura me para, arrijnë të prekin shpirtrat e trazuar shqiptarë dhe fansat që shkruajnë nëpër koncerte pankartat magjepëse “Këndoni për ne. Ne ju besojmë!”. The Good and Bad Boys premtojnë se do të vazhdojnë të krijojnë muzikë. Dhe ata kanë treguar se dinë t’a mbajnë fjalën!