Blushi: Duhet ti jepet fund bojkotit

Blushi: Duhet ti jepet fund bojkotit

Lëvizja për mendim ndryshe në PS: Të dëgjohet apeli i faktorit ndërkombëtar</p>


Grupi i pesë deputetëve socialistë të cilësuar si grupi “anti-Rama”, vazhdon të këmbëngulë në idenë se grupi parlamentar duhet të rikthehet në Kuvend për të zhvilluar betejën politike me mazhorancën. Në një komunikim me median, ata theksuan faktin se pavarësisht vendimit përfundimtar që do merret nga selia rozë, ata nuk do ta thyejnë qëndrimin e shumicës, duke mos shkuar të vetëm në Kuvend. Deputetët Arben Malaj, Ben Blushi, Andis Harasani, Kastriot Islami dhe Marko Bello shfrytëzuan deklaratat e ndërkombëtarëve për të komunikuar me publikun dhe median. Funksionarët socialistë bënë publike arsyet pse opozita duhet të ndërpresë bojkotin parlamentar. Deputeti Blushi ka ritheksuar: “Jemi të shqetësuar se bojkoti cenon rëndë imazhin e PS-së, duke e kthyer atë në qëndrime të vjetra e të tejkaluara. Jemi të bindur se bojkoti i Parlamentit po kushtëzohet e imponohet kryesisht nga zgjedhjet brenda PS-së, dhe është e sigurt se sot vendi ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë në Parlament, përballë një qeverie e cila nuk garanton reforma dhe proces të shpejtë të integrimit të vendit”. Bazuar te këto arsye, thekson ai, zëri ndryshe brenda PS-së i kërkon grupit parlamentar të partisë kryesore të opozitës të lexojë me qetësi e realizëm të gjitha qëndrimet e faktorit ndërkombëtar për zgjedhjet, dhe kërkesën e tyre unike për praninë opozitare në Kuvend. Ndaj, shtoi Blushi, në emër edhe të katër deputetëve të tjerë, PS-ja duhet të ndërpresë në një kohë sa më të shpejtë bojkotin e Parlamentit, duke përshtatur qëndrimin e vet politik me atë të institucioneve ndërkombëtare. Sipas Blushit, bojkoti i Parlamentit ka lidhje me zgjedhjet brenda PS-së, ndërsa shtoi se anëtarët e PS-së “kundër” bojkotit po intimidohen për të mos u futur në Parlament. “Qeveria ka një luks të cilin ne nuk duhej tia kishim garantuar. U miratua programi i qeverisë dhe nuk u dëgjua qëndrimi i PS-së mbi këtë program, sepse PS nuk është në Parlament, por duke bredhur nga një takim në tjetrin, duke intimiduar anëtarët e PS-së të cilët kërkojnë që PS të futet në shinat që ka përcaktuar ky sistem”, theksoi deputeti socialist, Blushi. Gjithashtu Blushi theksoi se si ai, ashtu edhe katër kolegët e tjerë që e mbështesin në këtë ide për rishikimin e qëndrimit përballë Kuvendit, nuk i tremben lëvizjes përjashtuese brenda Partisë Socialiste. Forca kryesore e opozitës e ka bojkotuar Parlamentin që në fillim të punimeve të tij, duke kërkuar transparencë për zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat i cilëson “krim elektoral”. Pesë deputetët e kësaj force politike nuk ndajnë të njëjtin mendim me 60 deputetët e tjerë të PS-së, ndaj kërkojnë rikthimin në Kuvend. Deri më tani duket se kërkesa e PS-së ka rënë në vesh të shurdhët, pasi mazhoranca dhe Kryeministri Sali Berisha e kanë vlerësuar si të pakuptimtë pretendimin e opozitës, duke theksuar se zgjedhjet e 28 qershorit kanë qenë më të mirat të realizuara deri më tani në Shqipëri. Por pavarësisht deklaratave kundërshtuese të opozitës, Kryeministri Berisha dhe eksponentët e tjerë të PD-së i kanë bërë thirrje grupit parlamentar socialist që të kthehet në sallën e Kuvendit për të vijuar betejën politike dhe për të dhënë kontributin e saj si opozitë për realizimin e reformave kryesore në vend.(Shqip)</p>
UaKSWVZy3Iw

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22569. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22569
 
Top