Berluskoni dhe betejat e lëna përgjysmë me gjykatën

Berluskoni dhe betejat e lëna përgjysmë me gjykatën

Në prillin e kaluar, Berluskoni mori pushtetin për herë të tretë si Kryeministër i vendit, duke përfituar nga zhgënjimi i madh i njerëzve me qeverinë problematike të rivalit të tij të vjetër, Romano Prodi. Ai triumfalisht formoi një parti të re, Populli i Lirisë, një shkrirje me Forza Italia dhe Alleanza Nazionale, një grup neofashist i drejtuar nga Gianfranco Finni. Madhështia më në fund kishte trokitur në derën e ish-ndërtuesit dhe manjatit të stërmadh mediatik të Italisë, Silvio Berluskoni, njeriu që transformoi politikën, shoqërinë dhe kulturën e vendit të tij kur erdhi për herë të parë në pushtet në vitin 1994 me Forza Italia. Sapo nisi mandatin e tretë kryeministror ai nisi të ushqente njëherazi edhe oreksin presidencial në të ardhmen jo fort të largët, ndërkohë që në pushtet ai parashikonte një qëndrim të gjatë të së djathtës. Por planet dhe parashikimet e tij të bazuara në përllogaritje thuajse të sakta dolën të gabuara vetëm një vit e gjysmë më pas. Ngjarjet që ka muaj që e kanë vënë në qendër të vëmendjes do të kishin rrëzuar nga pushteti çdo Kryeministër tjetër, por jo Berluskonin, i cili vazhdon të këmbëngulë se nuk do të ketë asnjë lloj arsyeje që ta bëjë të lerë përgjysmë mandatin 5-vjeçar. Nga ana e jashtme, Kryeministri që mbushi 73 vjeç një javë më parë mbetet ende një figurë e dashur për bashkëkombësit e tij. Ai është një showman i vërtetë që di se si ti bëjë për vete italianët, duke i vënë para faktit pa alternativë që ta duan sikundër është, pra me të mirat e të këqijat që ka. Kjo, sepse sipas vetë fjalëve të tij, ai është Kryeministri më i mirë që ka pasur vendi në 150 vjet histori. Italianët kanë qenë gjithmonë tolerantë me të, me gafat e shakatë pa kripë, me flokët e lyer dhe operacionet plastike, apo me veprimet skandaloze në publik që ai i bën për gallatë. Por vendimi i dy ditëve më parë i Gjykatës Kushtetuese mund tia ketë prishur humorin Kryeministrit plot imunitet. Është hera e dytë që Berluskoni është përpjekur që ti japë vetes imunitet nga drejtësia dhe hera e dytë që kjo tentativë nuk ka zgjatur shumë. Avokatët e tij gjatë mbrojtjes që i bënë në seancën e dy ditëve më parë deklaruar se Berluskoni “ishte i pari mes të barabartëve”. Vendimi i marrë për shfuqizimin e ligjit që e vishte atë me imunitet ndaj çdo hetimi apo gjykimi për sa kohë që do të ishte në pushtet ka shumë mundësi që të rihapë të gjitha çështjet e tij që nga ato për shmangie fiskale, e deri te korrupsioni. Avokatët e Berluskonit paraqitën faktin se Kryeministri nuk mund ta drejtonte vendin dhe të përqendrohej në detyrën e tij për sa kohë që i duhej që të merrej me gjyqet e shumta. Kjo edhe pse ai ka gjetur kohë mjaftueshëm për tiu kushtuar jetës seksuale që muajt e fundit ka qenë shumëngjyrëshe dhe mjaft e pasur. Përveç këtyre skandaleve të “kuqe” tashmë faqet e para të gazetave italiane pritet të mbushen edhe me skandalet “e zeza” të Kryeministrit. Një situatë e tillë mund të dëmtonte shumë pozitat e së djathtës italiane në zgjedhjet rajonale që do të mbahen marsin e ardhshëm. Kur bashkëshortja e Berluskonit, Veronica Lario, i kërkoi publikisht divorc, majin e kaluar ajo tha shprehimisht se “nuk mund të vazhdonte të qëndronte më me një njeri që frekuentonte minorenet”. Pas kësaj deklarate të fortë e tronditëse dolën në pah një sërë deklaratash e rrëfimesh të vajzave të ndryshme që kishin qenë të dashura me pagesë të Kryeministrit. Madje të shumtë ishin ata që mendonin se Berluskoni është thjesht një maniak pas seksit. Muajt e verës së kaluar ishin vërtet “shumë të nxehtë” për Kryeministrin italian dhe ka të ngjarë që kjo telenovelë të vazhdojë edhe më tej. Ajo që të bën përshtypje është se pjesa më e madhe e italianëve nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj liderit pavarësisht ngjarjeve. Ndërkaq, edhe marrëdhëniet e Berluskonit me Vatikanin janë ftohur ndjeshëm. Popullariteti i tij ka rënë disa pikë, por megjithatë mbetet ende shumë i lartë po të kemi parasysh se ai është një lider europian që qeveris vendin në një kohë krize ekonomike. Liderët e shumë vendeve të tjera shumë më poshtë se ai dhe në një gjendje shumë më të vështirë, edhe pa skandale seksuale. Ai ndërkaq shpreson se italianët do ta mbështesin edhe në vazhdimësi dhe për këtë do të tentojë që ti bindë se është viktimë e një konspiracioni që ka për qëllim largimin e tij nga pushteti dhe se vendimi i gjykatës është i padrejtë dhe i paramenduar. Sistemin italian të drejtësisë ai e ka cilësuar “kanceroz” dhe i ka quajtur gjykatësit “të çmendur mendërisht” dhe antropologjikisht të ndryshëm nga pjesa tjetër e njerëzimit. Njerëzit e pushtetshëm të së djathtës po përpiqen që të përvijojnë njeriun e mundshëm për të zëvendësuar Berluskonin nëse ky do të bjerë nga pushteti. Finni duket një nga pasuesit më të mundshëm të Berluskonit. Vetë Finni e mohon një ambicie të tillë, por ndoshta ora e tij po afron.(Shqip)</p>
TC64Ew63jto

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23818. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23818
 
Top