Berisha pergatit Unazen e Madhe si 'dhurate' per fushaten

Kryeministri Sali Berisha duket se e ka gjetur “gozhdën” se ku do të kapet në fushatën zgjedhore për Bashkinë e Tiranës. Bëhet fjalë për Unazën e Madhe të Tiranës, e cila pritet të zërë pjesë një të rëndësishme të betejës politike. Ky debat, i cili ka kohë që qarkullon mes palëve, dje u kthye në një fakt të kryer, nisur nga fakti se Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, mori vendimin për ndërtimin e segmenteve rrugore, pjesë të Unazës së Madhe të Tiranës.

Miratimi i këtyre dy akseve me vlerë 135 milionë euro u shoqërua nga akuzat e Kryeministrit Berisha, se kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, ka mbajtur peng prej kohësh zhvillimin e këtij projekti, ndonëse të ardhurat e qeverisë nuk kanë munguar. Sipas Kryeministrit, vendimi për të nisur me miratimin e këtyre akseve ka ardhur pasi Rama nuk ka dashur asnjëherë që ky projekt të ishte një investim i përbashkët, duke lënë qytetarët e Tiranës në baltë dhe brenda një kaosi që krijohet nga trafiku. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës. Nëpërmjet zëdhënësit të saj, bashkia deklaroi se ka qenë Kryeministri Berisha ai që ka bllokuar projektet për sa i përket ndërtimit të parkingjeve për makinat në kryeqytet.

KRRTRSH

Anëtarët e Këshillit të Rregullimit të Territorit miratuan dje segmentin “Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa e Kamzës” dhe “Rruga Komuna e Parisit – Rruga e re Tiranë – Elbasan”, në kuadër të ndërtimit të Unazës së Madhe të kryeqytetit dhe po kështu infrastrukturën rrugore mes Tiranës dhe Rrugës së Arbrit. Përgjatë miratimit të këtyre akseve rrugore, Kryeministri e akuzoi ashpër Ramën se nuk kishte qenë i “aftë” dhe “bashkëpunues” për ta ndërtuar më parë këtë projekt. Këtë vendim Berisha e justifikoi me faktin se ndonëse qeveria gjatë viteve të saj në pushtet ka trefishuar grantin për kryeqytetin, përsëri kjo rritje e të ardhurave nuk solli ndërtimin e këtij aksi të rëndësishëm rrugor. “Granti për Tiranën ka qenë 300 milionë lekë dhe tani është mbi 1 miliard.

Ne trefishuam grantin, por qytetarët e Tiranës mbetën në baltë, mbetën të mbytur në ujëra dhe në rrafshin e infrastrukturës, mbetën absolutisht nën standardin që gëzojnë sot dhjetëra e dhjetëra komuna të vendit”, theksoi Berisha. Po kështu, kreu i qeverisë e konsideroi të mjerueshme situatën infrastrukturore të kryeqytetit, duke theksuar se që nga themelimi i tij e deri më sot qyteti nuk ka përjetuar kurrë një braktisje totale siç ka ndodhur në këto katër vitet e fundit. “Mund të themi se Tirana hyri në kuti, pasi në Tiranë nuk pipëtin asgjë në infrastrukturën e saj, përveç disa ndërhyrjeve të fuqishme që u bënë në ujësjellësin e lagjeve të saj”, theksoi Kryeministri, duke e politizuar fjalën e mbajtur për miratimin e këtyre akseve rrugore.

Po kështu, Berisha e akuzoi Ramën se nuk po arrinte të vinte në dukje as monumentet historike të kryeqytetit, siç ishin kështjellat e Petrelës dhe ajo e Prezës. Por theksi i sulmeve të Kryeministrit u vendos te fakti se në Tiranë nuk ishte ndërtuar as një parkim i vetëm gjatë tre mandateve që ky qytet qeverisej nga kryebashkiaku Edi Rama. “Tirana është kryeqyteti me trafikun më problematik në Europë dhe ndoshta në botë. Tirana është kryeqyteti i vetëm i një vendi që nuk ka një parkim. I vetmi kryeqytet që ka një kryetar me tre mandate dhe nuk ndërtoi dot qoftë edhe një parkim të vetëm”, theksoi Berisha.

Bashkia

Pas miratimit të këtyre akseve të Unazës së Madhe të kryeqytetit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës. Zëdhënësi i kësaj partie, Florion Serjani, theksoi se prej vitesh qeveria ka bllokuar projektet e dy parkingjeve nëntokësorë te parku “Rinia” dhe sheshi “Italia”. Po kështu, në lidhje me ndërtimin e Unazës, Serjani theksoi se është po Kryeministri Berisha ai që mban bllokuar prej vitesh kredinë e BERZH-it për Unazën e Madhe, duke refuzuar të gjitha variantet e bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës, e cila ka marrë kredinë pasi ka realizuar një projekt të vlerësuar shkëlqyeshëm nga BERZH-i. “Fajin për parkingjet e munguara nëntokësore e ka Sali Berisha. Fajin për kredinë e bllokuar të Unazës së Madhe e ka Sali Berisha. Fajin për rrugët e fundit dytësore të pasistemuara e ka Sali Berisha”, deklaroi zëdhënësi i bashkisë. Sipas tij, këtë e di çdo qytetar i Tiranës.
 
Top