Bashkitë socialiste kërcënojnë me bojkot

Bashkitë socialiste kërcënojnë me bojkot

Cenimi i autonomisë lokale bën që bashkitë socialiste të hartojnë planin rezervë të reagimit. Përtej përpjekjeve për të sensibilizuar faktorin ndërkombëtar për cenimin e autonomisë vendore, krerët e bashkive dhe komunave që sot drejtohen nga opozita kanë menduar që të hedhin hapa të tjerë radikalë për të bërë që qeveria të tërhiqet nga arbitrariteti. Skema e parë e reagimit pritet të jetë pezullimi i shërbimeve që i takojnë pushtetit vendor për një afat të shkurtër. Nëse sërish nuk do të ketë një reflektim nga qeveria do të mund të kalohet në një tjetër masë që është radikalizimi i mëtejshëm. Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, konfirmoi dje në një prononcim për gazetën “Shqip” hapat e mëtejshëm të vendorëve socialistë. Duke vlerësuar se çdo veprim i kryer nga qeveria prek autoritetet vendore, Shalsi vuri në dukje se masat do të shkojnë në ekstrem. “Ky Kryeministër do të cenojë pushtetin vendor, atëherë krerët e bashkive do të shkojnë në masa ekstreme. Paralajmërojmë pezullimin për një kohë të shkurtër të shërbimeve. Por, nëse ai vazhdon me arbitraritet të mëtejshëm pa u konsultuar me vendorët atëherë do të reagojmë fort me masa e qëndrime mjaft radikale”, theksoi Shalsi. Në thelb ky konflikt midis pushtetit qendror dhe atij vendor është i vjetër. Duket se vendimet më të fundit të qeverisë kanë bindur vendorët socialistë që përpos sensibilizimit të faktorit europian dhe strukturave të posaçme që lidhen me autoritetet vendore, masat e reagimit të shkojnë më tej. Për shkak të këtij konflikti, qytetarët mund të përballen me mungesën e shërbimeve që i marrin nga bashkitë si shpërndarja e dokumenteve të identifikimit, pastrimi etj. Po ajo çfarë mund ta vështirësojë akoma më shumë situatën janë masat radikale që mund të përkthehen në një tërheqje apo bojkot të mundshëm të vendorëve socialistë nga funksionet që ata kryejnë. Nga ana tjetër një periudhë e vështirë e pret pushtetin vendor në muajt në vijim për shkak të paraqitjes në këshillat bashkiakë të buxheteve vjetore. Bashkëpunimi PD-LSI kanë sjellë mazhoranca të reja në parlamentet vendore, çka mund të krijojë situata si ajo e Tiranës dhe e Korçës në fillim të këtij viti. Veç të tjerash, deputeti socialist, Eduart Shalsi, një prej drejtuesve kryesorë të bashkisë së kryeqytetit për një kohë të gjatë, vë në dukje një tjetër problem, duke akuzuar qeverinë se nuk ka përmbushur asnjë prej detyrimeve që lidhen me demokracinë e autoriteteve vendore. Shalsi iu referua dokumentit të kongresit të autoriteteve rajonale e lokale, e cila në vitin 2006 i vuri një sërë detyrimesh Shqipërisë. Qeveria shqiptare duhet të kthente përgjigje që në dhjetor të vitit 2008, por sipas tij edhe gati një vit më vonë ky dokument nuk ka marrë ende përgjigje. Dokumenti i fundit që i është dorëzuar qeverisë shqiptare nga kongresi i autoriteteve rajonale e lokale shënon në vitin 2008 dhe qeveria shqiptare kishte detyrim të kthente përgjigjen për nivelin e demokracisë te pushteti vendor brenda vitit. “Rekomandimet e KE-së për pushtetin vendor flisnin për autonominë fiskale, administrimin vendor etj”, tha Shalsi.(Shqip)</p>
2vNS_k9ttek

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25824. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25824
 
Top