Bakiu: Tre ministrat që shkatërruan policinë

Bakiu: Tre ministrat që shkatërruan policinë

Kryetari i Shoqatës së ish-Policëve rrëfen se si do të veprohet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pensionet</p>


Policia e Shtetit duhet të marrë vendin që i takon. Gjykata Kushtetuese duhet të pezullojë ligjin për pensionet dhe me policinë të veprojnë vetëm ligjet që janë në fuqi. Kështu është shprehur Besnik Bakiu, kryetar i Shoqatës së ish-Oficerëve të Policisë, i cili shprehet se ata presin nga momenti në moment që Gjykata Kushtetuese të japë verdiktin mbi ligjin shumë të përfolur, ku të gjitha grupet e interesit e kanë hedhur poshtë dhe nuk janë pajtuar me të. Më tej, Bakiu rrëfen se e gjithë kjo situatë ka ardhur për shkak të tre ministrave që ka ndërruar Ministria e Brendshme, duke filluar që nga Toska, Olldashi dhe Nishani. Më tej, ai tregon që nëse nuk gjendet zgjidhje, atëherë do kërkojnë të drejtën në Strasburg. Ndërsa për ministrin e sapoemëruar, Lulzim Basha, Bakiu shprehet se shpreson që ai të mos ndjekë rrugën e paraardhësve të tij në këtë ministri.
Zoti Bakiu, kërkesa juaj për shfuqizimin e ligjit mbi trajtimin e punonjësve të policisë është pranuar për tu gjykuar nga Gjykata Kushtetuese. Më konkretisht, çfarë kërkoni ju nga kjo gjykatë?
Përpara se të flas për këtë problem konkret, dua të ngre një shqetësim në parim lidhur me trajtimin e ish-punonjësve të agjencive të sigurisë kombëtare. Në të gjithë botën (jo vetëm të qytetëruar) vlerësohen si resurse për punën që kanë kryer dhe për asistencën që vazhdojnë e japin. Te ne ndodh e kundërta, ata shikohen me një sy në mos armiqësor, mospërfillës dhe fyes. Kjo është e pafalshme. Tani të vijmë te pyetja juaj. Ne kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin si të papajtueshëm me parimet dhe dispozitat e Kushtetutës të të gjitha neneve të ligjit për pjesën që u referohet punonjësve të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, kërkojmë pezullimin paraprakisht të zbatimit të dispozitave të këtij ligji, po për punonjësit e Policisë së Shtetit, deri sa vendimi i kësaj gjykate të hyjë në fuqi.
A ekziston rreziku që edhe po vendosi në favorin tuaj gjykata, problemi të mos gjejë zgjidhje, por të zvarritet siç ndodhi para disa vitesh me ushtarakët?
Mendoj se jo, madje kam bindjen që nuk do të ndodhë. Kjo për arsye se siç e përmenda edhe më sipër nuk krijohet vakum ligjor. Do të hyjnë sërish në fuqi ligjet që janë miratuar në vitin 2000 dhe 2007 me konsensus nga të gjitha palët, së bashku me të gjitha aktet nënligjore, në zbatim të tyre. Arsyeja tjetër dhe më kryesore është se jemi në një stad të caktuar të funksionimit të shtetit ligjor. Në koshiencën time nuk mendoj se ka akoma politikanë e burokratë të cilitdo niveli kaq dritëshkurtër që të kenë “kurajën” të mos zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Të mos harrojmë se një nga parimet kryesore të shtetit të së drejtës është zbatimi i vendimeve të gjykatave, e cila është përcaktuar nga qeveria si një nga detyrimet prioritare të saj.
Po nëse do të gjendeni përballë një situate të tillë, cili do të jetë reagimi juaj?
Sinqerisht nuk e besoj se mund të gjendemi përballë një situate të tillë. Por nëse do të na imponohet, atëherë edhe ne do të reagojmë me të gjitha mjetet demokratike. Duke filluar me protesta, sensibilizimin e faktorit kombëtar dhe ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë do ti drejtohemi edhe Gjykatës së Strasburgut dhe do të bëjmë padi në prokurori. Megjithatë as që e çoj në mend një situatë të tillë konfliktuale. Nuk e di se kujt mund ti interesojë një gjë e tillë.
Në media ka ngritur shqetësim edhe Sindikata e Policisë lidhur me këtë ligj. Desha të dija cilët përfitojnë nga ky ligj?
Pyetje e vështirë dhe pa përgjigje. Desha të bëja me dije se në Gjykatën Kushtetuese kundër këtij ligji ka 4 kërkesa. Nga ne (pra ish-punonjësit e policisë), nga Sindikata e Policisë, nga ushtarakët në lirim dhe Avokati i Popullit. Vetë ky numër subjektesh që ankimon tregon se ligji po lë të pakënaqur të gjitha palët. Nuk dua të besoj se ky ligj është sponsorizuar nga segmente të krimit të organizuar, i cili kërkon të fyejë e poshtërojë dhe demonstrojë forcën ndaj atyre që luftuan kundër tij, si edhe të demotivojë ata që janë në detyrë, duke u thënë “shikoni ku do të katandiseni, për bukën e gojës”. Megjithatë kam predispozitën të besoj se inicimi i këtij ligji është më shumë si pasojë e dezinformimit për situatën dhe gjendjen e këtyre shtresave ose një kapriçio burokratike dhe inat i çastit.
Cili ka qenë reagimi i politikës shqiptare në mbështetje të kërkesave tuaja?
Zhgënjyes dhe në favor të interesave të veta, për të na shfrytëzuar. Po e filloj me zotërinjtë ministra, të cilët kanë “nderin dhe meritën” që mundësuan edhe krijimin e organizatës sonë. Po e filloj me reformën “Toska”, e cila filloi dhe mbaroi duke spekuluar me teorinë “rend brenda rendit”. Ndihej një kënaqësi me inkriminimin verbal të punonjësve të policisë në publik. Çdo raportim fillonte jo me rezultatet në rendin e sigurinë publike, por me numrin e të ndëshkuarve.
Vazhdojmë me reformën “Olldashi”, e cila filloi me denigrimin e specialistëve, që figuronin në listat e “personave të padëshirueshëm”, duke i transferuar në mënyrë të kundërligjshme në zonat e largëta me detyra të ulëta dhe jashtë gradave që ata kishin fituar. Kjo detyroi një numër jo të vogël specialistësh të largohen nga policia. I pangopur me këtë dhe në kundërshtim flagrant me ligjin u bë e ashtuquajtura “reformë e gradave”, reforma më tragjikomike që kam parë. Punonjësit e policisë u detyruan të bënin kërkesë (lutje) për tu zhgraduar me dëshirën e tyre. Edhe nga kjo reformë u larguan jo pak punonjës policie. Pra, ministri Olldashi, duke zbatuar parimin e asgjësimit të armikut pjesë-pjesë, sipas artit ushtarak të luftës popullore, largoi nga Policia e Shtetit mbi dy mijë punonjës policie. Sa për kujtesë dua të sjell në vëmendje se as në reformën e vitit 1992, kur kishim të bënim me ndryshim të sistemit politik, një numër të tillë as nuk i shkoi në mendje të largonte ministri i atëhershëm, zoti Kopliku.
Reforma “Nishani”. Me këtë reformë u larguan nga policia mbi 800 punonjës, pa përcaktuar dhe respektuar asnjë kriter. Edhe kjo e ashtuquajtur reformë ishte në vazhdën e të parave, në atë të pastrimit të personave jo të “besueshëm”. U fol se do të ndiqej kriteri i moshës, trajnimeve të kryera apo i shkurtimit të vendeve të punës, por realiteti është tjetër, kemi dy standarde për zbatimin e saj, një për “të besuarit” dhe një për “të pabesuarit”. Reforma “Nishani” ngeli peng dhe vazhduese e reformave butaforike të Olldashit. Si konkluzion, dua të them që në një institucion që përgjigjet për sigurimin e zbatimit dhe ruajtjes së ligjit, kur dhunimin e ligjit nga një qytetar i thjeshtë e quan krim, dhunimin e ligjit nga titullarët e saj e quan reformë.
Në të gjithë këto largime e të ashtuquajtura reforma nuk doli ndonjë politikan apo forcë politike të fliste apo të protestonte, megjithëse ndërkombëtarët u ngjirën duke folur për atë që me të drejtë ata e quanin humbje të kapaciteteve në luftën kundër krimit, politizim të strukturave policore dhe shpërdorim të parave të taksapaguesve euroatlantikë. Ky qëndrim i politikës ndaj nesh u manifestua edhe gjatë kalimit të ligjit të sipërcituar nga Parlamenti. Njëra palë vrapoi me shpejtësinë “Usain Bolt” për ta miratuar, kurse pala tjetër me sjelljen e “Ponc Pilatit” lau duart me një konferencë shtypi, duke mos marrë pjesë as në seancë për të debatuar dhe kundërshtuar këtë të ashtuquajturin ligj.
Zoti Bakiu, dukeni shumë të zhgënjyer nga politika, mos doni të krijoni ndonjë lëvizje politike, siç po përflitet?
Aktualisht kemi prioritete të tjera, përfundimin me sukses të gjyqit në Gjykatën Kushtetuese dhe rivendosjen e standardeve të cenuara në trajtimin e punonjësve të Policisë Shtetit në detyrë dhe lirim. Më vonë nuk i dihet. Asnjëherë nuk duhet thënë kurrë.
Cili është mendimi juaj për performancën e Policisë së Shtetit dhe gjendjen e siguris
Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23508. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23508
 
Top