At Gjergj Fishta (Homeri Shqiptar) nje personalitet i pa harrueshem historik.

Pe.ili.sh

Primus registratum
At Gjergj Fishta (Homeri Shqiptar) nje personalitet i pa harrueshem historik.

Per me shume lexoni me poshte:
Pothuajse mbas gjysme shekulli "zhdukjeje" veprat e famshme te Homerit Shqiptar At Gjergj Fishta jane kthyer perseri ne duart e popullit shqiptar.

Kush eshte At Gjergj Fishta dhe perse quhet Homeri Shqiptar?

Cfare ka shkruar At Gergj Fishta per atdheun e tij dhe si e ka bere per veten e tij nje popull si ky i yni?
A ka pasur si qellim bashkimin e shqiptareve nepermjet veprat e tij apo ......?
Ku ka studiuar dhe me ke ka punuar?

Cfare te mirash ka krijuar ky njeri per brezat e ardhshem?

Perse e perndoqen komunistat dhe Enver Hoxha, duke bere edhe me te keqen qe dhe eshtrat e tij i hodhen ne lume dhe sot ato nuk prehen gjekundi?


Deshironi te dini gjithshka mbi At Gjergj Fishten dhe punen e tij dhe veprat e tij e shume gjera te tjera?

Atehere lexoni me poshte:


GJERGJ FISHTA (1871-1940)
I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë.Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.
Lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt , kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulFishtësltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe "Ushtrimet e para poetike". Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.
Deri më 1899 Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të atj viti ai bëhet bashkthemelues dhe pjestar aktiv i shoqërisë "Bashkimi", të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër gjer atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai fut gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Arrin të botojë këngët e para të "Lahutës së Malësisë", kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Më 1907 boton përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit", më 1909 përmbledhjen lirike "Pika voëset" më 1913 "Mrizi i Zanave".
Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë "Bashkimi". U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit.
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e kishte pritur me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publiçistike që boton në revistën "Hylli i dritës", revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën "Posta e Shypnisë" (1916-1917), më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Komisinë letrare që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, si politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar zgjidhet nënkryetar. Si nënkryetar i Parlamentit kreu veprimtari të dënduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Ndërkohë, krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i "Lahutës së Malësisë", (1937).
Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931 Greqia i jep dekoratën "Foenix". Më 1939 Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.
Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.
VEPRA
Poezinë e parë Fishta e botoi në "Albania", më 1899, me peudënimin E popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila, përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimatia e tij përfshin 40 vite të jetës, ai përdori 24 pseudonime.
Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. "Lahutës së Malësisë", veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa vepra tjetër epike "Moisi Golemi dhe Deli Cena" u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve, rrethanave që kanë bërë që Fishta, si epik të quhej "Homer i Shqipërisë". Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit , mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.
GJUHA SHQIPE ...
Porsi kanga e zogut t'verës,
qi vallzon n'blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t'detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â' gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â' e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m'nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka'i bien qiellvet tue flutrue
n't'zjarrtat valle t'amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t'enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik' mâ para,
n'agim t'jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s'pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n'dorë t'shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të't'Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi'i rruzllim mbretnin s'i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t'drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t'jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t'uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t'jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t'mbani gjuhën t'uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s'huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n'za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n'e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t'brohrisim:
Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnia!

SHQYPNIA ...
Edhè hâna do t' a dije,
Edhè dielli do t' két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká !
Fusha t' gjâna e kodra t' blera,
Zijes s' mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t' vet ktû i veshë Prendvera,
Si t' Parrizit t' larmet shtroja.
Nën nji qiellë përherë t' kullueme,
N' rreze e n' dritë përshkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n' ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t' kjarta e t' cemta gurra,
Tue rrëmbye npër mriza hale,
Gurgullojn npër rrâjë e curra.
Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande' ata djelm si Zâna,
Armët e t' cillvet, përherë besnike,
Janë përmendë ndër fise t' tana.
Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n' flakë t' nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.
Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rijtun gjakut kah çeliku
N' dorë t' ktij shndritë për vend t' të Parit.
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N' turr t' Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka' i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhën dete e male;
Mbretënt fjalën s' mund t' i a shkelin,
Turrin ferri s' mund t' i a ndalë.
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n' gjí,
Nuk mund t' quhesh, jo, robneshë.
Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanát ka besë e fé,
Për Lirí, për fron të Mbretit
Me dhânë jetën ka bâ bé.
Sy për sy, po, kqyr anmikun;
Përse djemt, qi ti ke ushqyue,
S' i ka pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s' i ka thye,
Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perëndija t' fali i Amshueshëm,
Sá 'dhe deka âsht për tý e shieshme:
N' gjí t' and vorri âsht i lakmueshëm.
Po, edhè hâna do t' a dijë,
Edhè dielli do t' két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká !
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t' jetës të rrnoftë tý ndera.


28 NANDUER 1913 ...
Oj Zanë, t'këndojm... t'vajtojm, deshta me thanë;
Pse sot ditë kangët s'asht për mue e tye.
Po ç'gzim kjo ditë ne mundet me na dhanë,
Kur, qe; mbas nji motmoti q'iu pëlqye
Europës shqiptarin zot n'shpi t'vet me lanë
E kujt pose Hyut, n'këtë jetë mos me i shërbye,
Shqiptari i ndam' prap me vedvedi gjindet
E shk'asht ma zi, prej vedit edhe s'bindet...
............................................................................
Flamuri kombtar nuk ka ç'ka ban nder ne,
Po kje se dashtni nuk kem' për Atdhe!
E, drue dashtni për Atdhe nuk ka shqiptari;
Me gjasë, s'çan krye shqiptari për komb t'vet,
As për at gjuhë të ambël qi i la i Pari,
As pse Shqipnia n'vedi u ba sot shtet;
Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari
Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget,
Si Krishtin i Juda Iskarjot,
Drue Adheu ndër ne po et për një zallotë...
A thue mos fola keq?... Po lypi t'falun,
Përse ktu vetë me fue nuk due kërkëndin,
E pse asht mirë fjalën n'zemër t'fryt m'e ndalue,
Por ai, qi të liruem me e pasë s'don vendin,
A prej së tjerëve s'don me ia lshue rendin
A thue ai s'asht Judë? Po, kambë e krye Iskariota!,
E pra kso nipash ka edhe shum Kastriota...
E po për ata qi detyrë e nder harrue,
Qi marrë e turp kaherë flakërues mbas shpinet,
M'visar t'Atdheut me t'huej shkojn tue tregue
Kush ndyet mbas Frankut rrejtë, kush mbas stërlinet
Kush pse dinari tepër i ash lakmue.
E Atdheun' prej t'huejsh me e qitun duen bashtinët,
Thue edhe për ta ndokuj do t'i vijë çuda,
Kur them se nuk janë tjetër veçse Juda?...
Po, Juda janë e gjinde janë tradhtarë.
Mori
M'kamë kryekungujt prej si u vunë,
Duel padija n'krye të vendit;
Njerzt e kënuen u poshtnune,
Metën t'urtit jashtë kuvendit.
Duel me faqe t'bardhë trathtari,
Shpirt e fis qi ka kuletën;
U ndëshkue pa dhimë Shqyptari,
Qi për fis nep gjan e jetën.
Shqynis zani atbotë i humi,
T'huejt mi qafë i a vunë themrën,
E e mloj skami, terri e gjumi,
Djelmt e vet i a lnurën zemrën.
E Shqyptarët jo veç s'e nisen
Për kto punë përjashta Momin.
Por ma fort, medje, e konisen.
Msue gjithmonë me ndërue llomin...
E njikshtu, qitash, njaj i cilli
S'e la mrendë e detit vala,
S'e la ferri, toka e qilli,
N' Shqypni majet porsi njala.

SHQYPNISË ...
T'falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!
I lum njimend jam un n'gji tand tue rrnue,
Tue gzue t'pamt tand, tue t'hjekë atë ajr t'kullue
Si Leka i Madhi e Skandërbegu i biri
Kje i Lumi vetë, qi mue m'dërgo ksi hiri
Për nën qiellë tande t'kthielltë un me u përftue.
Malet e hjedhta e t'blerta me shikjue,
Ku Shqypnija e Burrit s'dron se i qaset niri.
Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana
E armvet n'za, qi shndrisin duert e t'lumit,
Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:
Eden n'Balkan ti je; ti prej t'Amshumit


GJERGJ FISHTA (1871-1940)
"Lahuta e Malësisë", me 30 këngë, rreth 17.000 vargje është quajtur nga shumë studiues "Iliada" shqiptare, është vlerësuar si i vetmi epos kombëtar i letërsisë sonë, madje edhe si epos i Ballkanit. Si vepër epike që është, megjithatë "Lahuta e Malësisë" nuk ka një subjekt të mirëfilltë qendror, rreth të cilit të vërtiten ngjarjet, rrethanat, personazhet përfytyrimet. Nëse do të kërkonim një hero qëndror të veprës, ai do të ishte heroi anonim, populli. Unitetin e veprës në të vërtetë, e krijon një përsonazh që, herë vihet në plan të parë, herë është i nënkuptuar. Është Fati i Shqipërisë, jo më me këtë emër si në poemat e tjera epike si "Skënderbeu i pafat" i Jeronim De Radës, "Historia e Skënderbeut" të Naim Frashërit etj. Këtu Fati i Shqipërisë qëndron prapa simbolit mitologjik "Ora e Shqipërisë". Dhe, sipas besimit shqiptar, rrotull kësaj ore, grupohen orët e fiseve, bajrakëve, trojeve, orët e shtëpive, së fundi, orët e çdo luftëtari, të çdo shqiptari. Këto krijojnë ansamblin më simpatik të personazheve në grupin e personazheve mitologjike dhe përgjithësisht në vepër meqë përcjellin edhe mesazhin madhor të mbijetesës së shqiptarit dhe të kombit të tij, pavarësisht nga befasitë më tragjike të çfarëdo kohe që mund të vijë. Në unitetin e veprës ndikojnë drejtpërdrejt edhe zanat, ndër të cilat njëra përcakton unitetin formësor të veprës. Kjo është Zana shqiptare që ka kuptimin e Muzës së "Iliadës" të Homerit. Në pikëpamje të rolit që luan në poemë, përbën binom me Orën e Shqipërisë. Në këtë grupim bëjnë pjesë edhe kuçedrat, dragonjtë, lugetërit, hijet etj., etj.
Ngjarjet e poemës kanë një shtrirje kohore prej dy brezash njerëzore. Ato fillojnë më 1858, kur Mali i Zi i nxitur nga Cari i Rusisë, kërkon të zaptojë tokat tona. Filli i poemës mbaron kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë dhe Konferenca e Londrës ka vendosur copëtimin përgjysmë të këtyre trojeve. Kobi, kështu ekziston në poemë, në të njëjtin binom me Fatin.
Fishta bën njëfarë grupimi të këngëve, sipas kronologjisë historike të ngjarjeve. Kështu, kemi disa cikle këngësh, kemi ndërmjet tyre edhe këngë që qëndrojnë disi më vete, por që luajnë rolin e rrugëkalimit nga njëri cikël në tjetrin. Në pikëpamje të leximit të veprës ato përkohësisht e shkëputin lexuesin nga terreni historik real dhe e çojnë në sfera fantastike. Cikli që hap poemën është ai për Oso Kukën - pesë këngët e para. Ngjarjet vazhdojnë pothuaj njëzet vjet më vonë, të ndërmjetësuara nga këngët "Dervish Pasha" dhe "Kuvendi i Berlinit". Këto dy këngë japin atmosferën që ishte në dëm të fatit tonë kombëtar. Cikli vijues, që zë hapsirën më të madhe në poemë, është ai i Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. I vetmi personazh qendror i ngjarjeve të ciklit është nga pala armike, Mark Milani i Malit të Zi. Krahas tij, shfaqet nxitimthi figura e Krajl Nikollës. Cikli strukturohet në disa nëncikle. Nëncikli i parë (tre këngë ka në qendër Çun Mulën. Pas ekspozesë që bën kënga "Kulshedra" vjen nëncikli prej pesë këngësh që sjell skena masive të përmasave vigane. Nnëcikli vijues ka në qendër Tringën para dhe pas vdekjes. Ngjarjet, pas një pushimi tjetër prej tridhjetë vjetësh, vijojnë me kryengritjet e Pavarësisë. Këngët përmbyllëse pothuaj janë të pavarura nga njëra-tjetra. Kënga e fundit "Konferenca e Londonit", është në vend të epilogut të poemës.
Studiuesit e ndryshëm janë përpjekur të gjejnë pikëtakime mes "Lahutës së Malësisë" dhe "Iliadës" së Homerit, sidomos në atmosferën që i zotëron dy poemat. Ata kanë krahasuar personazhet që kanë tipare të përbashkëta, skenat e ngjarjeve etj. Por përfundimi i tyre ka qenë se poema homerike, përveçse model i largët, ku është bazuar poeti, me poemën fishtjane kanë të përbashkët përkatësinë ballkanike. Në të vërtetë këto lidhje i bën më të qëndrueshme një burim i mirëfilltë i eposit të Fishtës me eposin tonë legjendar, kryesisht me thelbin e këtij eposi, ciklin e kreshnikëve.
Konflikti në poemë, në mes shqiptarëve dhe sllavëve, mes dy kombeve arsyetohet si një konflikt natyror, me prejardhje nga gjeneza, në vargun e famshëm, proverbial "n'mni t'shoshoqit kemi le". Megjithatë, poeti bën thirrje që të shmanget ky fatalitet i pashmangshëm. Zoti n'qiell e na mbi tokë/ por gjithnji vllazën e shokë. Sidoqoftë, tensionon skajshëm ngjarjet, duke i dhënë "Lahutës së Malësisë" trajtën e një eposi dramatik krejt origjinal nga eposet e kombeve të tjera, me trajta kryesisht tregimtare. Është në mes të dy palëve urrejtja patologjike jo vetëm mes njerëzve, por edhe mes qenieve mitologjike përkatëse, mes natyrës, dukurive natyrore etj. çfarë e bën të pamundur që të pushojë a të prehet së luftuari shpirti i asnjërës racë, qoftë për një çast të vetëm.
Te "Lahuta e Malësisë" urrejtja ndërmjet ky kampeve armike është plazma ngjitëse e poemës. Ajo vë në marrdhënie grupimet e personazheve. Në radhë të parë dy grupimet më të mëdha, që përcaktojnë frymën realisto-fantastike të poemës: grupimin e personazheve historike nga njëra anë dhe grupimin e personazheve fantastike, të përfytyruara ose mitologjike. Duke pasur të dy grupimet të drejtën për të hyrë natyrshëm në çdo ngjarje, në çdo mjedis a rethanë, të bisedojnë bashkë, të grinden, të rrihen, të luftojnë, të besatohen, të urrehen e të dashurohen, edhe në realitet ato u përkasin, shkrihen në një të vetëm. Realiteti mitologjik, qiellor s'është aspak më hyjnor se sa realiteti i jetës së përditshme. Realiteti njerëzor, gjithashtu s'është aspak më tokësor se sa i përfytyruar e i fantazuar, se sa realiteti i largët i paprekshëm, mitologjik, qiellor. Një familjaritet krejt malësor , krejt i natyrshëm zotëron mës grupimit të personazheve mitologjike dhe grupimit të personazheve historike. Ora e Shqipnisë krijon marrëdhënie krejt njerëzore, gati prindërore me Ali Pashën e Gucisë kur është çasti që po luhet me fatin e kombit. Zana e madhe është simotër e përhershme e poetit, i jep trimëri, i jep shpirt për të ndjekur zhvillimin e ngjarjeve, si poeti, uron, mallkon, prandien. Po kështu, orët e tjera, sipas emrave të fiseve ose zanat e tjera sipas emrave të maleve. Familjariteti tipik i kësaj natyre krijohet në këngën Zana e Vizitorit që shquhet edhe për vlerat e rralla artistike.
Poeti kujdeset që personazhet historike të veprës ti vendosë në binom me personazhet mitologjike. Zakonisht, këta janë shëmbëllesa të njëri-tjetrit. Tiparet e njërës palë pasqyrohen te tjtra palë. Bukuria, fisnikëria, dlirësia e Tringës pasqyrohen tek Zana e Vizitorit dhe ndërsjelltas. Zana e Vizitorit, zanë shqiptare, ndërkohë është në konflikt me Zanën e Durmitorit, zanë malazeze, nxitëse e Mark Milanit ndaj shqiptarëve. Në fund të luftimeve zana e huaj ngelet robinë te varri i Tringës duke realizuar edhe hakmarrjen për simotrën shqiptare. Vetë natyra, përbërësit e saj do të ishin një grupim tjetër personazhesh po aq njerëzorë sa edhe dy grupimet e tjera. Autori, ndonëse e hedh vështrimin herë pas here nëpër gjithë trojet shqiptare, skenën e ngjarjeve e kufizon në malësitë e Veriut. Qendër simbolike të zhvillimit të ngjarjeve, siç e pohon mendimi i studjuesve, është Shkodra. Megjithatëai nuk bie në religjionalizëm. Ai, siç thotë profesor Eqerem Çabej, përdor njësinë e fisit për të dhënë njësinë e kombit. Tek fisi janë pikëzuar tiparet e kombit, tiparet e racës. Kjo i jep veprës përmasat kombëtare dhe universale.
Vargu me të cilin është ndërtuar poema është tetërrokshi i poezisë popullore të epikës historike të Veriut. Ai arrin që në këtë varg të sjellë me dhjetra personazhe, secili prej tyre krejtësisht i individualizuar, me tipare krejtësisht të vetat, që nuk mund të largohet nga kujtesa e lexuesit. Ai, po ashtu, individualizon me dhjetëra beteja, me dhjetëraskena betejash madhështore, ku secila prej tyre pikturohet me ngjyrat e dritat e veçanta, për t'u dalluar qartësisht nga moria që e rrethon.
Fjalori i Fishtës, pjesa më e madhe e të cilit nuk është përdorur më parë në veprat letrare aq më pak në poezi, me fjalë të panjohura, me arkaizma, solecizma, me fjalë kompozita, shpesh të ndërtuara prej tij sipas gjedheve burimore, arrin të krijojë jo vetëm figura pamore, por edhe dëgjimore.
Rima është një ndër dukuritë më thelbësore të poemës. Aty shprehet edhe qëndrimi ideoemocional i poetit. Rimat herë janë të përputhura, herë të alternuara ose të kryqëzuara etj.
Ritmet, gjithashtu, janë shumtrajtëshe, varësisht nga vendet ku bëhen pushimet e vogla ose të mëdhatë gjatë leximit, ku në pikëpamjet sintaksore mbarojnë pjesët e fjalive ose fjalitë. Fishta përdor në mënyrën e tij përsëritjet në fillim, në mes ose në fund të vargut, refrenet, përsëritjet e teksteve të plota, citimet nga kryeveprat e folklorit, rendin e përmbysur të fjalëve etj. Dialogët e shpejtë, sentencat filozofike, përbetimet, lutjet, urimet, mallkimet, sharjet e ashpra, pasthirrmat, pyetjet retorike, pyetjet në përgjithësi krijojnë larmi ritmesh, larmi gjendjesh shpirtërore te lexuesit.
Ritmin e shprehjes së shprehësisë artistike, të leximit e përcakton fuqimisht figuracioni. Hiperbola është mjeti kryesor i eposit fishtjan, por një hiperbolë sa fantastike aq edhe realiste. Fantastike për përmasat zmadhuese të tiparit ose efektit të tiparit, realiste për konkretësinë e tyre.
Karakteristik është krahasimi, sidomos krahasimi i gjatë, shpesh i ndërlikuar me disa krahasime e të tjera në përbërje të tij, që zotëron tekste të tëra këngësh. Gjithashtu, metafora përdoret me origjinalitet me nëntekste të shumfishta të folklorit.
I papërsëritshëm në krejt letërsinë tonë është përdorimi i eufemizmave me efekte artistike, herë përkëdhelëse, adhurues, e himnizues, herë paditës, i ashpër, e makabër. Eufemizmi funksionon në vend të emrave të perëndive, qenieve mitologjike, por edhe të personazheve kryesore të grupimit historik. Epiteti ka gjithnjë ngarkesa metaforike, është pjesmarrës në krahasime ose hiperbola. Animizmi dhe personifikimi sikurse dendur prozopopea janë mjetet më efikase të drejtpeshimit fishtian në mes të realitetit tokësor, të zbritur në rrafshin më intim e më konkret tokësor. Disa ndër këngët më të përkryera të poemës si "Kulshedra", "Te ura e Sutjeskës", "Zana e Vizitorit" etj. janë një manifestim pothuaj marramendës i të gjitha llojeve të figurave stilistike. Dhe i gjithë ky univers artistik i realizuar me tetërrokëshin e famshëm fishtjan!

LAHUTA E MALËSISË ...
- Kanga e Parë -
Gjendja historike e vjetit 1858 dhe plani i poemit. Turqija nisë të ligështohet. Popujt e Ballkanit i dalin doret. Shqiptarët zgjohen: mendojnë edhe ata të fitojnë lirinë. Ndeshen me nji anmik tjetër. Knjaz Nikolla i Malit të Zi synon të shtijë në dorë pjesën veriore të Shqipnisë, i nxitun dhe i mësuem nga Cari i Rusisë. Ky i shkruen nji letër tanë dredhì e përkëdhelje Krajl Nikollës: i premton bukë e fishekë, mjaft që mos ta làjë Turkun të qetë. Letrën ia ep lajmëtarit (kasnecit) të vet, i cili mbas nji udhëtimi të gjatë, kapet në Cetinë, ku edhe dorëzon shkresën. Knjazi e këndon me vëmendje. Menjiherë çon e thërret serdarin e Vasoviç-it, Vulo Radoviç-in. Mbasi e merr me të mirë e ngarkon të formojë nji çetë cubash dhe me ta të biejë në Vraninë, për me plaçkitë e për me vrà.
C U B A T
Ndihmò, Zot, si m'kè ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
Çëse të buk'rën ketë Shqipni
Turku e mbate në robnì,
krejt tu' e là t'mjerën në gjak, (5)

frymën tue ia xanun njak,
e as tu' e lanë, jo, dritë me pà:
kurr të keqen pa ia dà:
rrihe e mos e lèn me kjà:
me iu dhimbtë, po, minit n' murë, (10)
me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!
Veç si 'i dèm, vu n'lavër spari,
qi, ka' e vret zgjedha e kulari
kah nuk bàn m'e thekë strumb'llari,
s'ndigjon me tërhjekun m'pluer: (15)
e tue dhanë kryq e tërthuer,
tu' i dhanë bulkut shum mërzì,
me u vu s' ryset për hullì
e as me shoq ai pendë me shkue:
kështu Shqiptarët, të cilt mësue (20)
s'din' me ndejë rob nën zgjedhë t'huej,
pagë e t'dheta me i là kujë:
por të lirë me shkue ata motin,
veç mbi vedi tue njohtë Zotin,
e as kurrkujë n' këto troje t' veta (25)
mos me i bà kurr tungjatjeta,
n'braz me Turk kurr nuk kanë rà
e as kurr pushkën s' ia kanë dà;
por t'janë grì me tè e t'janë vrà,
si me kenë tu' u vrà me Shkjà (30)
E prandej si pat fillue
Turkut Ora m' iu ligështue,
e nisë pat m' iu thy' atij hovi,
m' qafë përditë tu' i mbetë Moskovi:
e ato fiset e Ballkanit, (35)
zunë me i dalë dore Sulltanit,
nisë Shqiptarët kanë me u mendue,
si Shqipninë me e skapullue
zgjedhet t' Turkut : qi si motit
n' ato kohët e Gjergj Kastriotit, (40)
krejtë e lirë kjo t'ishte, e askujë
n'daç t'jetë Krajl a Mbret i huej,
me i bà kurr mà tungjatjeta,
kurr me i là mà pagë e t'dheta:
edhe Flamuri i Shqipnisë, (45)
si fletë Engj'lli t'Perëndisë,
si ajo flaka e rr'fesë zhgjetare,
me u suvalë prap n'tokë shqiptare.
Kur qe ai Knjazi i Malit t'Zi,
Knjaz Nikolla, 'i gërxhelì: (50)
gërxhelì, por belaçì:
na dyndë top, na dyndë ushtrì
edhe del e bjen n'Shqipnì,
për me shtrue këto bjeshkë e vërrì,
shka merr Drinin për s'të gjatit (55)
der' n' Kalà të Rozafatit,
ku ai me ngulë do' "trobojnicën",
do' m' ia vu Shkodrës "kapicën":
me bà Shkodrën Karadak,
mbasi 'i herë ta kisht' là n'gjak! (60)
Ka ndejë Turku e këqyrë haru,
pika-pika lotët tu'i shkue,
kah s'ka Shkjaut si me i qindrue;
se Moskovi e ka rrethue:
ka Stambollën muhasere! (65)
Bàjnë shtatë Krajlat muzhavere
Shoq me shoq, tue shartue zì
-si ata e zeza m'i pastë mb'lue!-
për të buk'rën këtë Shqipnì,
si m'ia lëshue n'dorë Malit t'Zì. (70)
M'kambë Shqiptarët atëherë t'janë çue.
Sa mirë n'armë na janë shtërngue!
T'fortë kanë lidhë nji besë të Zotit,
si të Parët ua lidhshin motit
n'ato kohë t'Gjergj Kastriotit: (75)
me 'i kambë mbathë e tjetrën zbathë,
gjanë e gjallë pa grazhd mbyllë n'vathë,
diku ngranë, diku pa ngranë,
harrue grue, motër e nanë,
sy'n agzot, zemrën barot, (80)
e si ai plajmi me furì,
t'kanë rrà ndesh Malit të Zì,
për t'gjatë t'Cemit n'atë kufì,
ku edhe trimat t'janë përlà:
t'janë përlà Shqiptarë e Shkjà, (85)
ballë për ballë ata tu'u vrà,
fyt-a-fyt, ofshè! tu' u prè:
tue mbetë shakull përmbi dhè,
mish për shpez e kaçubeta,
gjithku kje ajo pika e djalit, (90)
gjithku kjenë sokola malit,
pa kjà m'ta as nanat e shkreta.
Veç se, po, me parzme t'veta
Aty Shkjaut sulmin kanë thye.
Mbasi Shkjaut sulmin kanë thye, (95)
bàjnë kuvend Shqiptarët n'mjet vetit
e 'i fjalë t'madhe çuekan Mbretit:
se jo veç qi Knjaz Nikollës
nuk i lajnë kurr pagë e t'dheta,
porsè as Mbretit të Stambollës (100)
s'duen me i bà mà tungjatjeta,
e se dore duen me i dalë:
se Shqipninë nuk po e kisht' falë
Perëndia për çerkez,
Turq, manovë, likurazez; (105)
por për do sokola mali,
qi "Shqiptarë" bota po i quete,
për ta gëzue këta djalë mbas djali,
der' qi jeta mos t'u shuete.
Turku fjalën e ka ndì': (110)
se ç'asht mbushë ai me mënì!
Se edhe lëshue ç'ka mbi Shqipnì,
gjallë Shqiptarët ai me i përpì!
Por Shqiptari gjallë s'përpihej,
e as me u shkelë, besà, s'po lihej, (115)
kur po i mbushej mendja e vet,
për Shqipnì me bà gajret,
n' dashtë ta mësyjnë Krajl edhe Mbret.
Edhe kështu t'janë kapërthye
grykë për grykë Turq e Shqiptarë, (120)
pa dhimbë krenash tue u thye
si me thye kunguj npër arë.
T'iu dha zjarm atëherë Ballkanit,
Shkjau: kah drote se Shqipnia
Nji herë shkëputë dore s' Sulltanit, (125)
mà s'do t'bite n'kthetra t'tija,
si atij hangër ia kisht' palla:
merr e mësynë m'Turk fulikare,
e si derrat me çakalla
t'janë mbërthye, t'janë kapërthye: (130)
haju, ngaju, çaju, vraju,
m' pushkë e m'top gjueju batare,
gjaku rrëmbè npër rrahe e qare,
e npër fusha e npër gajusha,
der'qi s'mbramit, n'p'r' atë zhumhùr, (135)
zgjedhë s' Turkut pështoi Shqipnia
e duel m'veti si dikùr:
si premtue kisht'Perëndija;
por si dashtë, besà, lum vëllau,
s'do t'kisht' pasë as Turku, as Shkjau. (140)
Se s'ka dashtë Turku lirì,
ma merr mendja; veç un s'dij
Knjaz Nikollës kah gjith kjo zemër
ardhë i paska, qi nën themër
rob Shqiptarët po don me i shtrue, (145)
edhe atë tokë ai me pushtue,
për të cilën vetoi motit
shpata rr'fè e 'i Gjergj Kastriotit?
E qi s'paska dert aspak,
se Shqipnì dhe Karadak (150)
krejt me atë punë po i làte n'gjak?
Zemra i ardhka prej Moskovit!
N'Petrograd Cari i Moskovit
Nji bè t'madhe po e kisht' bà:
m' e ndie plak e kalamà: (155)
se ai natë t'madhe s'do t'kremtote,
se ai kumbarë as krushk s'do t'shkote:
gostë as darsëm nuk do t'ngrifte,
s'do t'u late as s'do t'u krifte,
as s'do t'dilte n'log t'kuvendit, (160)
për pa i hi Stambollës përmbrendit,
për pa këcye mbi post të Mbretit,
me u bà zot i tokës e i detit;
edhe Europës tregun m'ia prè,
mos m'e lanë me ë, me blè, (165)
mos m'e lanë me çilë kund punë;
por me bà qi ajo përdhunë,
për me çue 'i grimë bukë te shpija,
rob të ngelte n'kthetrat t'tija,
n'ato kthetra me gjak zhye, (170)
mësue gjithmonë n'gjà t'huej me gërrye!
Por, pse ishte 'i skile e vjetër,
si për fjalë ashtu për letër,
mos m'iu gjetë kund nji shoq tjetër,
ai po e dite mirë e hollë, (175)
se isht' do punë me hi n'Stambollë:
se isht'do punë Turkun me e thye,
pa sharrue vetë mbrendë me krye.
Prandej xèn ai me trillue,
m'shpinë Shkjeninë Turkut m'ia lëshue: (180)
m'ia lëshue m' shpinë Shkjetë e Ballkanit,
qi me i qitë këta punë Sulltanit;
me i qitë punë këta 'i herë mà para
me trazime e punë t'pambara,
e mandej vetë prej Rusiet, (185)
si harusha prej pusiet,
me i rà Turkut fulikare,
m'zhbì n'vend, m' e qitun fare;
për pa bà me mend pleqnì,
se me atë punë botën unjì (190)
mujte ndoshta, m' e pështjellë n'zì
Kur ketë punë e ka pleqnue,
ka marrë trimi e n'odë ka shkue,
ka ndejë n'tryezë e asht vu me shkrue,
me u shkrue miqve kah Serbia, (195)
kah Zagrebi e kah Sofia
me lidhë besën shkaf asht Shkjà,
mbi Budin, m'çanak-kalà,
edhe tok këta ndërmjet vetit
mos m'ia dà të keqen Mbretit; (200)

por m'e nxitë, por m'e mërzitë,
m'iu vardisë si 'i ditë për ditë,
herë për shtek, herë për kufì,
tash me peng tash me pleqnì,
por gjithmonë, po, pa kanu, (205)
veç si t'mujnë n'teposhtë m'e vu.
Mbasandej, ky zogu i Shkinës,
merr e i shkruen Knjazit t'Cetinës,
merr e 'i letër, ia angllatisë,
me dredhì tue ia qindisë: (210)
Ti, qi jè qaj Knjaz Nikolla,
falmëshëndet Cari i Rusisë,
se zà t'madh për ty kam ndie
qi jè trim e gërxhelì,
qi jè burrë e kuvendtàr, (215)
me ta drashtë hijen anmiku,
por, me gjasë, kjo fjalë s'isht' gjà;
pse qe ti m'atë rrasë Cetine
më kè ndejë me 'i gjysmë opinge,
e jè bà, po, gazi i dheut, (220)
tue mërzitë miq e kumbarë,
veç e për bukë thatë në gojë.
Mje sa Turku, përbri tejet,
dredhun çallmën m'vetull t'synit,
derdhë shallvarët ai pala-pala, (225)
rrin e ban kokrrën e pallës,
e as m'e pà ti s'mund ta shofish
përmbas kodrës së pilafit
Po a thue, t'la ty kamba e dora,
ase ngjitë jè ndoshta n'rrogë, (230)
jo se hi kè bulk n' e huejën,
qi s'po ndihesh kund për s'gjalli?
Mo', bre burrë, se nuk ka hije
Urtë me ndejë Cubi i Cetinës,
edhe n'shpì me e shkuem ai motin, (235)
tue u ndeshë npër furka t'gravet!..
Po a s'ta mbushë synin Shqipnia,
me ato male të madhnueshme,
me ato fusha të blerueshme,
qi kurrkund s'jè kah orvate, (240)
me ia shkye 'i skundillë për veti?..
M' tè, krah-thatë, e mos rri fjetun!
Pse pa luejtë ti kambë e dorë,
s't' ndihmon Zot as i Shën Nikollë:
Por ti luej, nafaka luej, (245)
ka pasë thanë ai burri i huej;
sa për bukë e për fyshekë,
piqu n'mue, se t'i qes vetë;
edhe kësulën vène n'sy,
se të nget Mbreti i Stambollës: (250)
nuk ta là me t'prekë me pupël -
Letrën kështu Cari e ka shkrue,
edhe mirë e ka palue,
e e ka mbyllë me dyllë të zi;
ia ka dhanë kasnecit t'rì, (255)
me ia çue Knjazit n'Mal t'Zì.
Letrën n'gjì ka qitë kasneci,
ka thekë kambët ai sa mund heci:
ka lanë mbrapa fushë e zalle
kapërcye ka bjeshkë e male, (260)
edhe dalë ka lum e shè:
ka shtegtue për ujë e dhè,
der'qi'i ditë, tue marrun dielli,
në Cetinë ka behë ai filli:
shtjerrë opangat, grisun setrën; (265)
Knjazit n'dorë ku ka dhanë letrën,
me dyllë Cari si e kisht' mbshilë.
Ka marrë Knjazi edh' e ka çilë,
e ka çilë edh' e ka këndue,
tri herë rresht ai e ka këndue, (220)
tri dit rresht edh' e àsht mendue;
mbasandej ai fjalë ka çue
njatij Vulo Radoviçit,
kërkserdarit t'Vasoviçit,
qi me dalë me rà n'Cetinë, (225)
pa këqyrë shteg, pa këqyrun stinë:
me flut'rue si gjeraqinë,
për me u pjekë me "Gospodarin".
Njeky Vuloja Serdari
Kisht' pasë kenë nji trim i çartun: (280)
m'e pasë randë toka m'e bartun.
Pa tè prè kund s'ishte marrë,
pa fjalë t'tij ngarkue s'ishte marrë,
pague s'ishte varrë as gjak,
s'kishte vu nuse duvak, (285)
as s'isht' dà gjyqë a pleqnì.
Pse edhe Turku i Malit t'Zì
po e kisht' pasë shqipe mbi kry',
mos m'e lanë me pà me sy.
-Se edhe 'i punë, ky zogu i Shkinës, (290)
po e kisht' bà m'atë udhë t'Cetinës.
Paska marrë e shi në rrugë
Për tërthuer shtrika nji stugë,
edhe i çueka fjalë tërthores,
qi shka àsht Turk i Cernagores, (295)
mos me mujtë m'e shkapërcye,
për pa là 'i dukat për krye -
Bre! kish' kenë edhe 'i farë burri,
larg e larg me i dajtun turri.
Fëtyra e tij porsi duhia, (300)
syni i tij, tanë zjarm e shkëndia;
vet'llat trashë ngèrthye kulàr,
porsi lesh derrit bugàr;
vesh e m'vesh dega e mustakut,
si dy korba lidhë për lakut; (305)
edhe i mbrrijte kryet në trà:
burrë i atillë me sy me u pà.
Veshë e mbathë e m'armë shtërngue,
kishe thanë se àsht lè drangue.
Se këtè Knjazi fort e dote, (310)
fort e dote edhe e ndigjote;
pse edhe i urtë ai kishte ndodhë,
me ia prè mendja fort hollë.
Prandej Knjazi i çueka fjalë
Në Cetinë për ngut me dalë. (315)
Edhe Vulja bjen n'Cetinë,
pa këqyrë shteg, pa këqyrun stinë,
tue flut'rue si gjeraçinë.
N'atë Cetinë kur Vulja zbriti,
atè Knjazi mirë e priti, (320)
mirë e priti e n'odë e qiti,
i qiti duhan e kafe,
edhe nisi kështu t'bajë llafe: -
Ku jè, Vulo, eh kopilane!
Se ti ujk, po, né na u banè, (325)
ke s'po duke kah Cetina,
ku kè miq e probatina,
qi s'të ndërrojnë me sy të ballit?
Po, a kè mujtë? a kè farë hallit?
Si po t'shkon n'Vasoviq moti? (330)
Për jetë tande ! si do' Zoti,
merr e i thotë Vulo Serdari;
pse sivjet, lum "Gospodari",
nuk ka pasë toka valigë,
e ka ardhë nji kohë e ligë, (335)
sa nuk dij si ka m'iu bà,
për me pështue do rob e gjà,
pse edhe buka asht tue na lànë.
Hajt, eh qè'! Knjazi i ka thanë.
Se s'po gjenë cubi me ngranë. (340)
Se s'po gjenë skyfteri mish.
Se ti e nxjerrë korën dy fish!.
Mjaft t'i biesh ndo'i vendit prè,
se po e ban me lopë e qè,
sa me mbajtë njerztë e kujrisë, (345)
jo se mà gjindën e shpisë.
A din shka, Vulo Serdari,
ndiej shka t'thotë ty "Gospodari":
pështilli bashkë nja disa cuba:
t' idhtë si gjarpni ndër kaçuba, (350)
t'lehtë e t'shpejtë si gjeraçina:
edhe lëshoj ti kah Vranina,
për me vrà ata e për me prè,
për me djegun gur e dhè,
mbrendë tue vjedhë e tue plaçkitë, (355)
tue grabitë e tue robitë,
n'daç me natë e n'daç me ditë;
se un prandej të kam çue fjalë,
der' n'Cetinë nji herë me dalë,
pse dishka mue tash m'ka këcye, (360)
prap me Turk me u kapërthye:
prap me Turk, po, na me u vrà.
Pse edhe as hije, thom, nuk kà,
urtë ma ndejun Turk e Shkjà.
E kështu, tue ligjërue, (365)
krye më krye tue bisedue,
hollë e gjatë e ka qortue,
si me u sjellë e si me u mprue,
për m'e là Vraninën n'gjak.
E si vesht janë marrë me fjalë, (370)
Knjazi n'bukë atè e ka ndalë,
edhe falë i ka do pare;
e i ka falë nji "xheverdare",
krejt n'argjand kondakun ngrì,
mos m'e gjetë shoqja n'Mal t'Zi: (375)
m'e drashtë vjerrun në sërgjì,
jo mà n'krah të nji luftarit,
jo mà n'krah t'Vulo Serdarit,
qi isht' me brè hekur me dhambë!
Atëherë Vulja àsht çue në kambë: (380)
ka bà Knjazit "tungjatjeta",
edh' àsht nisë malit përpjeta,
udhës me mend ai tue përblue,
si Vraninën me shkretnue,
Knjazi ashtu si e kisht' qortue. (385

LAHUTA E MALËSISË ...
(Dëshmorëve)
O ata t'lumtë, qi dhanë jetën,
o ata t'lumtë, qi shkrinë vehten,
qi për Mbret e vend të Parëve,
qi për erz e nderë t'Shqiptarëve
derdhën gjakun tue luftue,
porsi t'Parët u pa'n punue!
Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
but u kjofshin moti e stina,
ak'lli, bora e serotina:
e der' t' këndojë n'mal ndo' i Zanë,
e der' t' ketë n' detë ujë e ranë,
der' sa t'shndërisin diellë e hanë,
ata kurr mos u harrojshin,
n'kangë e n'valle por u këndojshin.
E njaj gjak, qi kanë dikue,
ban, o Zot, qi t'jesë tue velue
për m'ia xe zemrën Shqiptarit,
për kah vendi e gjuha e t'Parit!
LAHUTA E MALËSISË ...
(Çohi të dekun)
E n'kjoftë se lypet prej s'hyjnueshmes Mni,
Qi flije t'bahet ndo'i shqyptar m'therore,
Qe, mue tek m'kini, merrni e m'bani fli
Për shqyptari, me shue çdo mni mizore. -
Oh! edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rroftë,
E nami i sajë përjetë u trashigoftë!
Po: rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n'Dri
E porsi krandja e that n'nji flakada,
U shoftë me arë, me farë me mal e vrri
Kushdo shqyptar, qi s'brohoritë me za,
Kushdo shqyptar, qi s'brohoritë me uzdajë:
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i sajë!
LAHUTA E MALËSISË ...
(Fragment)
N'mos i paça mendt mbi hatull,
Mali i Zi e ka i vorr n'shpatull.
Venu shej ti fjalve t'mija,
Pse do t'vijë po lum zotnija,
Koha n't'cilën Shqyptarija,
Zojë n'vetvehte ka me dalë,
Por m'fal faj'n ti për këtë fjalë:
Mal i Zi ma s'ka me pasë,
Serbi vëlla do ta humbasë,
Pa kqyre t'drejtë paa kryre arsye,
Serbin shqype ke mbi krye.
Ka me t'lanë ky i ditë pa sy,
Thellë n'rrashte, po t'ue t'i gërrye,
Se kshtu ecte në shekull lodra,
Ulu maje e çohu kodra...
LAHUTA E MALËSISË ...
(Kënga 12, MARASH UCI)
Amanet un'jam t'u lanë
Me ruejtë gjanë, me kqyrun sta'n,
Armët e mbushme mos me i dhanë,
Me shokë tuej kurr mos m'u xanë,
Mos m'u xanë, as mos m'u nga
Pse n'ditë t'gushtë këta u gjinden vlla
Si me pushkë ashtu me uha.
T'huejn me fjalë mos ta poshtroni;
Bukën para, por t'ia shtroni
N'Shqiptari si a kenë zakoni:
Me i besue, mos i besoni!
Edhe n'mend kinje nji fjalë:
Zemrës s'frytë me i lanun dalë;
Fjalët për pajë kurr mos me i dalë,
Ujit turbull mos me i ra,
Mos me dalun n'va t'pa va;
Me iu ruejtun shakës turbueme,
Me iu ruejtë, po, grues së lshueme;
Vendin tuaj m'e dashtë përore,
Me ruejtë besë, mos me çartë ndore.
LAHUTA E MALËSISË ...
(Fragment, Shqipnia e lirë
Do t'valvitet m'Kaçanik
M'Kaçanik, po, do t'valvitet
Kuq e zi Flamuri i shqyptarëvet,
Përse toka, shqyp ku flitet,
Ajo vetë asht, qi prej t'Parvet
Trashigim na e kemi pasë:
Mbrendë i huej, jo, ma s'do t'shklasë,
Posë atëherë, kur vjen për mik.
Jo, po: na sod ktu sundojm;
Ktu s'hecë fjala e tjetër kuej;
Gjall Lirin' na nuk e lshojm,
S'njohim mbret as krajl të huej.
Zoti n'qiell e na mbi tokë:
Me gjithkënd vllazën e shokë,
Por se i cilli m'cak të vet.
Prande i huej, n'andërr m'e pa
Se vjen kurr e shklet ndër ne,
Drue se keq kishte me i ra;
Pse shqyptarët kanë ba nji bè
Bè të madhe ata kanë ba:
Për Shqypni në luftë me rra,
Me rra n'luftë me krajl e mbret,
E kur bjen në luftë shqyptari
Lidhë me besë ai ndërmjet veti,
E din hasmi se aty pari
Shungullon toka e gjimon deti:
Se bijn krenat fushës s'mejdanit

MRIZI I ZANAVE ...
(Fragment, BURRNIA)
Qitë dhambët përjashta, por si lata t'prehta
Zgavërr kërrçikët e plasarit shtanguem,
Kosën pështetun përmbi kocka t'ngrehta
T'cepit t'shpulpuem,
Atje n'moje t'mjerueme t'rruzullit,
Zymtë e me i hije t'trishtueme, t'përmnershme
Lshue krahëve' i havër t'zezë, si re thellimit,
Rrin Deka e tmerrshme.
Prej avisit t'humnerëve t'zgavrueme
Kthellët në rrashtë të thatë, plot mizori,
Të hapët tërthoren e natyrës s'krijueme
Kundron në mni,
E idhtë asa' i kërcënohet. Nji t'përqethët
Acar, at botë, natyrës i shkon, n'për tejza,
Amull të cilët mbrendë ia ngurron të njethët
E jetës ndër fejza.
Me u zbe nisë rrezja shi n'krue t'vet shkëlqyeshëm
Bres dryshku njeshet, n'atë shauret mbi rrota
Së moknes s'rrokullis e boshtit rryeshëm
I vjen rreth bota.
Felgruemun njerzit nën tjara struken;
Për nën kunora pshtimin ato lypin!
Depërtojnë retë e nalt kah qiella zhduken;
N'andrra t'dheut zdrypin.
Por kot. Mizore ajo kosë t'vet ka sjellë,
Shungllon thellimi për nën kupë t'Empirit;
Gjarpër rrufeja lvitet nëpër qiell
E nën kambë të nierit.
Kthellë shpërthe gjini i tokës. Tue bulurue
Gugson vullkani zhari, flakë e shkndija;
Tallaz m'tallaz nis deti me gjimue,
Ulëron stuhia.
E para dekës, atë herë, bijnë rob e mbreta;
Shkrehen mbretni, qytet kulm rroposen;
Shuhen krenija, po, dhe shkimet jeta
Ka' ajo sjell kosën.
T'poshtrat me t'eprat vise pshtiellen n'vaj,
E mnert kah kosa cepit t'dekës të shkulet;
Kah m'kërdhokla londit kërçiku i saj
Shekulli përlulet.
Vetëm s'përkulet para Dekës njai trimi,
N'zemër t'cilit nuk randojnë punë t'liga,
E që s'e ndalë ku atë ta lypë perlimi (detyra)
As paja as friga.
Për nën mburojë t'ndërgjegjes s'vet t'kullueme;
Atje n'kufi t'Atdheut ase n'truell
T'elterit shenjtë, pa u tutë, ai dekës s'shëmtueme
I rrin kundruell.
Përpara tijë shkon moti t'uj u endun:
Vjen fati i nierit tu u terrnue pa da;
Tash mreten n'burg, tash shkartha n'fron t'përmendun
Kanë për t'u pa.
Por, ngulë ai synin n'ideal t'naltueshëm,
Si' i kep, qi vala smundet n'det m'e e lkundun,
Sido qit t'dajë ndeshtrasha e dheut t'mjerueshëm,
Ngelë n'vend pa u tundun.
Jo po: as n'flakë t'armëve nuk veton ai sye,
As buzës humnerës nuk i dridhet themra:
Sheklli, po, mbarë me pasë për t'u shpërthye
S'i ban lak zemra.
Rekton mbarë jeta për nën fyell t'kërçik'e
Të dekës s'shëmtueme, s'përmnerëshme mizore:
Vetëm BURRNIJA - një BURRNI çelike
Asaj i rrshet dore.
GOMARI I BABATASIT ...
(Fragment, METAMORFOZA)
Ju rrugaca sallahana
vagabonda shakllabana
rricna t'ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t'na qelbi fis e atdhè?
Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,
se tash ma jemi tue u njoftë,
se kush jini e shka jini
se kah shkoni e se kah vini
plang e shpi se kah i kini
e sa pare u ban gjaku:
se për ju, po, duhet laku,
për me u vjerrë o kund m'do i shpat!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
me 'i gjysmë setre t'pa astar,
lshuemum krahve kalavar
e me 'i komçë t'njtitme nën grykë:
pantallonat me "gjyslykë"
kto edhe lidhun me nji spagë:
shtatit rreshke e ba saragë,
t'tanë gordec e berbalec
pa ndo 'i msim, pa ndonji dije,
me 'i fillore a nji iptadije,
erz e shpirt qitun nën themër:
turq a sllave a grek me zemër,
falun barkut veç Shqipnisë,
si ajo marrja e t'gjith njerzisë...
tuj u e ju për gjithë treg,
sod na mbahi "Skandërbeg",
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n'"smoking", tash në "bon-jour"
ju, qi dje s'ki as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë
m'sahan t'huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m'pash,
edhe besa me "gulash"
me "afishe" e me "sultjash",
me "kjumshtuer" e me "ashurè",
"kosha gjelash" si kubure,
"tarator", "pilaf me kos",
"mish me qepe" e "majdanos"
"shish qebap", "brizholla viçi",
"kunguj t'mbushum", "kuzuici",
"kabuni"- e "mualebi".
Barku sod ju rri ju kodër,
kargatisë e bamun lodër:
der sa ata burrat e dheut,
qi për jetë e nderë t'Atdheut
kane ra n'luftë si shqipe t'leta,
kanë shkri gja e shpija t'veta,
kanë tuj dekë rrugave unit,
me iu dhimbë gurit e drunit.
Përse, po, kta matrahulla,
kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
n'vend qi ju me u vu n'konop,
a se brinjt m'jau zbru me shkop,
a, mos tjetër, me u ngushtue
me xjerrë zhuri kund m'ndo 'i prrue
për me shtrue ndo 'i rrugë të shtetit
a me dlirë ndo 'i skelë detit,
lavjerre buzësh, harru si viça
kqyrin m'ju si t'ishi ogiça,
për me u pri udhës s'qytetnisë
e me i sjellë t'marën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i pri kombit:
ju, do pyka bijtë prej llomit
qi "shqiptarë" vedit i thoni,
jo pse ju Shqipninë e doni,
jo pse ju ndo 'i send kuptoni
shka asht Atdheu e shka asht Liria,
shka asht Vllaznija a Parasija,
Përparimi e Qytetnia,
por veç pse ende der më sot
nji tyran s'po e gjeni dot,
nën kambë t'cillit ju me u shtrue,
se un ma tash ma jam regjë me jue,
e jau njof shpirtin der m'palc,
pleh i ndytë me u bartun n'shalc
e me u qitë jashta Shqipnije.
GJERGJ FISHTA (1871-1940)
Një vend të vëllimshëm në krijimtarinë e Fishtës zë dramaturgjia. Ai shkroi drama, drama lirike (melodrama) dhe tragjedi. Në dramat dhe tragjeditë konflikti është i ndjeshëm. Tonet që i përshkrojnë janë ato heroike. Personazhet dhe karakteret arrihen të skaliten. Në dramat lirike dialogu është më tepër mjet organizues i jashtëm sesa element ndërtues i brendshëm që t'i japë mundësi zhvillimit të veprimeve dhe ashpërsimit të konflikteve. Përsa i përket mjeshtërisë artistike, zotërojnë po ato cilësi që i mishëron edhe krijimtaria poetike. E gjithë dramarturgjia e Fishtës është e shkruar në vargje. Tema e atdhedashurisë është në qendër të pjesës më të madhe të veprave: në dramat "Odisea" dhe "Kthimi i Uliksit në Itakë", në dramat lirike: "Shqyptari i qytetnuem", "Shqyptarja e qytetnueme", "Jerina ose Mbretëresha e Lulevet", e sidomos tragjedinë "Juda e Makab", e cila çmohet si vepra më e mirë dramaturgjike e Fishtës. Tema biblike, e pastrimit shpirtëror të njeriut në luftë me veset për hir të virtyteve dhe të amshuesmërisë së qenies njerëzore është në qendër të dramave lirike. "Baritë e Betlemit", "Luigj Gonzaga". Tema e padrejtësive shoqërore është në qendër të tragjedisë "Hajria" ku mbizotëron realizmi, fryma demaskuese ndaj klasave të pasura.
Një lëndë prej qindra faqesh përmban proza e Fishtës. Është një prozë e frymëzuar, ku lirizmi krejt natyrshëm ndërthuret me humorin, satira me groteskun. Shtresat e fjalorit janë më të larmishmet. Bashkëjetojnë fjalët, shprehjet, ndërtimet sintaksore krahinore me arkaizmat, barbarizmat, zhargonet, me fjalët e shprehjet e latinishtes, të gjuhëve moderne, perifrazimet, citimet etj., etj. E pasur në llojet e lëvrimit është publiçistika. Për patetikën e fuqishme, argumentin, kritikën shëndoshëse si dhe stigmatizuese dallohen shkrimet me temë shoqërore.
Në shënjestër ai vë dembelizmin, përtacinë, indiferencën e shtetasve të shtetit të ri shqiptar, por edhe lakminë ndaj kolltuqeve, grykësinë ndaj privilegjeve, prirjen regresive ndaj aziatizmit si dhe imitimin banal ndaj perëndimores. Ai bënte thirrje që në krye të shtetit të vinë njerëz të kulturuar, atdhetarë, vizionarë largpamës të shtetit e të kombit. Fishta është edhe polemist i fuqishëm, ai polemizon me pena të shtypit vendës si dhe me ato të letrave të huaja. Merr në mbrojtje kulturën, dinjitetin, pastërtinë shpirtërore të kombit. Në polemikat nuk mungon kurrë argumenti bindës autentik, si dhe shoqërimi i tyre me argumente nga filozofitë e ndryshme, shkencat shoqërore e natyrore, por edhe vërshimet patetike ku shpotit, tall e dermon pa mëshirë kundërshtarin. Të njohura janë dhe ligjëratat e Fishtës, ku mbizotëron fryma solemne dhe argumentuese.
PUBLIÇISTIKA
Për vlera të rralla artistike, për frymën objektive e shkencore, shquhet prova eseistike e Fishtës. Një model i përkryer në llojin e vet është reportazhi. "Një udhëtim në Turkinë e re". Njohës i thellë i botës shqiptare, adhurues i saj gjer në kult paraqitet ai në parathënien kushtuar "Kanunit të Lekë Dukagjinit" të Shtjefën Gjeçovit. Njeri me kulturë të gjerë e pasione të mëdha na shfaqet në esetë për Gëten, për arkitekturën, muzikën etj.
Në trashigimninë e tij kanë mbetur edhe qindra faqe të epistolarit, dorëshkrime të ndryshme.
Fishta duke qenë njohës i latinishtes, greqishtes së vjetër, italishtes, frengjishtes, gjuhëve sllave, në disa prej të cilave edhe krijoi, duke qenë njohës i përkryer i shqipes që flitej në viset e Veriut, si dhe i traditës letrare shqiptare që nga Budi e Bogdani, dha shembullin e tij se si mund të sillen në kulturën vendëse thesaret shpirtërore të njerëzimit. Të freskëta e trasparente janë përkthimet nga poezia e Silvio Pelikos, Aleksandër Manxonit, Metastazios etj. Shembull për përkthyesit e Homerit, përgjithsisht të poezisë antike e asaj klasike mbetet Kënga V (fragment) e "Iliadës", përkthyer prej tij. Frymën e lashtësisë heroike, madhështinë e heronjve dhe të betejave ai i mishëron në kompozitat burimore të shqipes, në fjalët e ralla të të folmeve të saj, në brumin e gjallë të shqipes. Tepër kërkues e i saktë është edhe në përkthimet e Kanconiereve të Petrarkës. Fishta përshtati në shqip edhe komedinë "i sëmuri për mend" dhe "Dredhitë e Patukut" të Molierit, përshtatje që shquhen për kolorit e pasuri gjuhësore.
Me veprën e tij të gjerë dhe komplekse Fishta pasuroi ndjeshëm në radhë të parë poezinë, por, gjithashtu, letërsinë tonë dhe kulturën në përgjithësi. Vepra e Fishtës ndikon gjithnjë në zvillimin e letërsisë me vëllimshmërinë e saj, me llojshmërinë e gjinive, me pasurinë e mjeteve të shprehjes, me autencitetin e saj. Ajo ka meritën e veçantë të ketë prekur terrene që deri atëherë, dhe më vonë mbetën të paprekura në letërsinë tonë. Ai ka, gjithashtu, meritën tjetër se kultivoi për herë të parë edhe me mjeshtëri të lartë shtresa gjuhësore të gjalla deri atëherë të pashfrytëzuara. Prandaj ndikimi i tij në letërsinë tonë është i madh ei shumllojshëm.
GJERGJ FISHTA (1871-1940)
Satira e tij u tregua e pamëshirshme ndaj veseve të kohës. Pa kompromis, ai goditi dukuritë e shëmtuara negative dhe mbartësit e tyre, cilëtdo që qenë ata. Këto vese e dukuri ai nuk i luftonte vetëm brenda individit, por në rrafshin e gjithë shoqërisë kombëtare. Ai nuk fal askënd që të abuzojë me postin që mban dhe të zhvatë financën kombëtare, të marrë ryshfete, të bëjë veprime prej kopuku e dallkauku, të trajtojë Atdheun si çiflikun e tij, si tapet për karrigen e tij. Në radhë të parë ajo është satirë kundër tradhtarëve, atdhemohuesëve, parazitëve të kombit. Në radhë të dytë është satirë kundër elitës zyrtare dhe veseve klasore të saj. Këtu Fishta na shfaqet si realist i fuqishëm. Vepra artistike më e përkryer artistikisht e Fishtës mbahet "Palokë Cuca", (1912), bashkë me "Gomarin e Babatasit" (1913) që e botoi me pseudonimin Gegë Toska, janë dy kryeveprat e satirës sonë. "Palok Cuca" është poema e heroit komik. Në thelb, Fishta mbron me këtë vepër shkollën kombëtare. Ai stigmatizon e neverit atë kategori të caktuar njerëzish, që nëpërmjet klerit italian u italianizuan në atë masë, saqë ndihen inferiorë ndaj kulturës dhe gjuhës italiane, aq sa ta quajnë poshtëruese gjuhën amtare. Nga njësia e familjes Fishta zgjeron rrethin e objektit të satirës së tij në njësinë e shoqërisë, duke e shndërruar veprën në tablo të të gjithë shoqërisë. Për të tallur, përqeshur e goditur Fishta gjen mjetet shprehëse më të përshtatshme. Këtë e realizon përmes fabulës së shtruar në trajtën e tregimit poetik. Një ngarje të caktuar ai e shtjellon me hollësi, e shqyrton nga të gjitha këndet, duke zbërthyer të gjitha mangësitë, shëmtitë, të këqijat që burojnë prej saj dhe infektojnë, sëmurin atmosferën shoqërore e kombëtare. Konkretësia e mjediseve përmes detajizimeve, gjer në hollësitë më intime e më të turpshme, shndërrohet në qëllim artistik në vetvehte. Përgjithsimet artistike të fuqishme realizohen me një gjuhë të gjallë, plot kolorit. Përmes një qesëndie që gërryen ngadalë e qetë, në mënyrë të shkallëzuar ai vë pranë në të njëjtin tekst mjedisin konservator, primitiv, arkaik, me atë pseudomodern, pseudoqytetërues të kohës, duke zbuluar anët e shëmtuara të tyre. Ngjyrimet më popullore satirike, formulat më të spikatura vihen pranë krahasimeve e metaforave nofka, pranë situatave krahasuese e metaforike fyese. Fjalët e shprehjet e huaja, krahas fjalëve shqipe, si kudo në satirën e tij, krijojnë një atmosferë gjuhësore satirike të veçantë. Sidomos kontrastet mes barbarizmave orientale e atyre oksidentale. Ai vëren se si shartohen në një pemë pa rrënjë të kategorisë mediokre të pseudoelitës, aziatizmi me oksidentalizmin e rrejshëm: te folurit e personazheve është edhe mjeti më demaskues i kategorive njerëzore që ata përfaqësojnë. Kritika është shprehur me të drejtë se këtu, më shumë se kudo gjetkë, realisti e ka tejkaluar romantikun e klasicistin, satirikun, epikun e lirikun.
"Gomari i Babatasit", u botua në situatë që përkonte me beteja të ashpra politike rreth formës që do të merrte organizimi i ardhshëm shtetëror. Kritika fishtjane me ashpërsinë e saj, që nuk fal askënd, lëshoi mbi kokat e deputetëve, ministrave, gjithfarë zyrtarëve të kohës, talljen, fyerjen, sharjen, nëmën e mallkimin, ironinë, sarkazmën, satirën. Nën moton "Populli i falë ata që e mundojnë por nuk ka për të falë ata që e rrejnë", ai shpartallon klikën zyrtare, të cilën i vetmi ideal që e bashkonte, ishte marrëveshja e tyre me gjithë mjetet që u kishte dhënë pushteti në dorë, të zhvatnin trupin dhe shpirtin e shtetit të mjerë të sapofromuar dhe ta linin me turpe e shëmtitë jashtë, ndaj syve të botës. Poeti Babatasi arkeolog, njeriu i kthyer në gomar e anasjelltas, muzeu formal, injoranca që ka veshur petkun e dijes, së qytetërueses, mjedisi i trashëguar anadollak që belbëzon me gjuhën "oksidentale", janë mjetet më efikase përmes të cilave Fishta arrin të nxjerrë në pah kontrastet që kthenin në regresin më poshtërues shoqërinë. Klika që kërkonte të majmej dhe populli që më kot shpresonte, njeriu që s'dilte dot prej thelbit të vet prej gomari, që ngul këmbë në të vjetrën dhe nuk bën asnjë hap drejt të resë, drejt qytetërimit. Fishta gris pa mëshirë fasadën, që dëshiron të krijojë burokracia shtetërore e sapolindur. Një shtet që po formohet nuk mund të durojë në themelet e veta zhvatës makabër, shtinjakë, hipokritë e servilë. Ai prek ato plagë, që më vonë shoqërisë shqiptare iu bënë pjesë e natyrshme biologjike e qënies, iu bënë sëmundje, pa të cilat nuk e kuptonte dot ekzistencën e vet. Duke e kuptuar që atëherë rrezikun, poeti nuk e ruan aspak gojën, përmes fjalorit dhe vizioneve më lakuriqe, të zhveshura nga çdo paragjykim, bën autopsinë e saktë të shoqërisë që po lindte me vese fizikee shpirtërore, nga më fyeset për një komb që krejt ndryshe e meritonte t'i shpërblehej gjaku dhe mundi mbinjerëzor, që i kishte kushtuar së ardhmes së vet.
Marre nga I. Gjoka ne www.edsh.org
 

nike palkola

Primus registratum
Re: At Gjergj Fishta (Homeri Shqiptar) nje personalitet i pa harrueshem historik.

Pe.ili.Sh. Të falënderoj për shkrimet dhe mendimet për Fishten. I kam dhe i kam lexuar në vitet e 60ta veprat e tij (kam jetuar në Ulqin).
E çmoj si më të madhin e letrave Shqipe. Në këtë forum ka që mendojn se më i madhi është Migjeni??!!
 

Pe.ili.sh

Primus registratum
Re: At Gjergj Fishta (Homeri Shqiptar) nje personalitet i pa harrueshem historik.

Mistiko nuk ka perse te me falenderosh per dicka qe eshte detyre e cdo shqiptari.
Edhe Migjeni edhe Homeri Shqiptar Fishta ishin dhe jane percuesit e rruges sone drejt se ardhmes.

Te gjithe kane bere dhe te gjithe duhen pare me syrin e se mires ne sherbimin tone.
Ata no sollen deri ketu,mire apo keq sot jemi ata qe shijojme vuajtjet e pambarueshme te Fishtes e Migjenit.
E ndersa ata nuk kishin buke te hanin, drita uje e asgje tjeter, dora e tyre ishte dore e florinjte.

Po ne kush jemi?
Besoj as cereku i tyre nuk jemi, kur sot kemi mundesine te bejme dicka per pasardhesit.
 

AnaBlue

Forumium maestatis
Re: At Gjergj Fishta (Homeri Shqiptar) nje personalitet i pa harrueshem historik.

Lahuten e Malsise e kane pasur gjysherit e mij, por nuk me kane lene ta prek me dore se kishin frike se si femije do flisja per te jashte shtepise dhe ne kohen e monizmit te fusnin ne burg per nje gje te tille. Kjo kryeveper ishte e ndaluar me ligj ne ate kohe! :mad:
 

Vis Elbasani

Forumium praecox
Re: At Gjergj Fishta (Homeri Shqiptar) nje personalitet i pa harrueshem historik.

Pergezime! Vetem nje saktesim, Gjergj Fishta nuk eshte Homeri shqiptar. Sot jane kryer, botuar dhe bere objekt studimi mjaft punime ne lemin e historigrafise dhe toponimisitikes, te cilet na e paraqesin Homerin si nje bashkesi rapsodesh dhe veprat qe ai ka shkruar si pasqyrime te luftrave pellazgjike te viteve 1300-1200 para K. Njekohesisht, jane bere zbulime dhe vijon te punohet per faktin qe Pellazget e pare flitnin nje shqipe te vjeter, si rrjedhim edhe Homeri i perket nje bote shqiptare te vjeter.

NDAJ, mendimi im per Fishten eshte se AI ESHTE HOMERI BASHKEKOHOR SHQIPTAR. Meqe forumi eshte yni dhe tema eshte jona(e shqiptareve), nuk e marrim parasysh, bie fjala, opinionin e grekeve te sotem.

Ne nje shkolle te mesme ne Elbasan kam lexuar ne kendin e letersise se shkolles kete citat:
"Me kot mundohen greket te gjejne nje veper me te kompletuar se Lahuta e Malcis' "
 

Vis Elbasani

Forumium praecox
Re: At Gjergj Fishta (Homeri Shqiptar) nje personalitet i pa harrueshem historik.

Megjithate, pavaresisht respektit per kete figure historike shqiptare, ka patur edhe ka debate mbi ate fjalimin qe Fishta mbajti ne varrimin e Avni Rustemit. Rustemi, antizogist, vrau Esad Toptanin ne Paris. Me pas u vra, dhe Gjergj Fishta ngriti lart figuren e tij ne ate fjalim te fundit.

Pa i hyre debateve qorre, a ka ndonjeri ndonje informacion me te plote per fjalimin e Fishtes dhe vdekjen e Rustemit? Disa qarqe kombetarike(nacionaliste) shqiptare ende sot e kesaj dite jane te mendimit qe Fishtes nuk i takonte ai fjalim per Rustenmin, pasi ky(R) i ishte bashkuar forcave destabilizuese ne vend. A dini gje konkrete, se edhe une vetem kam degjuar...?
 

nike palkola

Primus registratum
Re: At Gjergj Fishta (Homeri Shqiptar) nje personalitet i pa harrueshem historik.

Për Toptanin kam lexuar se ka qenë tradhëtar i madh i Kombit tonë. Sa është e vërtetë nuk e di. Nuk kam lexuar rreth A. Rrustemit dhe fjalimin e Fishtës, por nëse ka qenë tradhtar Toptani dhe e ka vrarë, për kohën ka bërë mirë.
Historia jonë duhet të shkruhet rishtazi nga ekspertë të ndershëm. Kjo që kanë shkruar historianët komunistë është për mua paçavure!
 

Klinton

Primus registratum
Re: At Gjergj Fishta (Homeri Shqiptar) nje personalitet i pa harrueshem historik.

<ul type="square">
[*]Gjergj Fishta sociolog?
[/list]
Nga Lekë Sokoli

Në gjykimin tim hyn edhe rehabilitimi zyrtar i Gjergj Fishtës, kësaj figure që u vlerësua “Nderi i Kombit”, nga Presidenti i Republikës, titull që kaloi pa jehonën e merituar dhe, siç duket, studiuesit socialë e përfaqësuesit e sotëm të kulturës nuk janë çliruar plotësisht nga njëfarë kompleksi mbi veprën e tij.

<ul type="square">
[*]Hipotezat
[/list]
Gjergj Fishta kreu studimet e larta për filozofi e teologji. Ai e filloi veprimtarinë studimore në Gomsiqe ku, siç rezulton, shkoi i nxitur edhe nga interesa hulumtuese, shkencore. Në këtë zonë përfaqësuese, nga pikëpamja historike dhe etnokulturore, ai njohu “shpirtin e racës”, mënyrën tradicionalisht shqiptare të jetesës, gojëdhënat, doket, zakonet, normat juridike etj., të cilat do t’i shfrytëzonte mjeshtërisht për veprat e tij. Ai dhe Shtjefën Gjeçovi bënë që Kisha e Gomsiqes të shndërrohej në një institut të vërtetë hulumtimi shkencor.
Fishta kryesoi Komisionin për Hartimin e Alfabetit, të cilin Kongresi i Manastirit (1908), e miratoi si alfabet të vetëm të shqipes. Shkencëtari i gjuhësisë, Gjergj Fishta, dha një kontribut të çmuar për krijimin e gjuhës shqipe të njësuar. Ai ishte i bindur se gjuhët nuk krijohen nga bashkimi apo shkrirja e dialekteve, por nga zgjedhja e një dialekti. “Alfabeti shqiptar i asaj kohe është gati i përkryer, thotë Kadareja, dhe po ju kujtoj se kryetari i komisionit të Manastirit të alfabetit shqip ka qenë Gjergj Fishta. Pra nuk ka qenë një njeri nga Jugu, po ka qenë një nga shkrimtarët më të shquar nga Veriu”.
Fishta është një personalitet profetik i kulturës shqiptare, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si kritik, historian, estet, filozof etj. Të huajt e kanë cilësuar atë, siç vëren A. Plasari, themelues të një shkolle filozofike shqiptare sepse krijimtaria e tij, pavarësisht formës, vjen e ngarkohet me peshë filozofike. Për disa studiues, Fishta filozof është quajtur më së shumti si një përfaqësues i filozofisë kristiane. Të tjerë, përkundrazi, kanë vënë në dukje faktin se ai është ndikuar po aq nga Platoni e filozofë të tjerë të lashtë, nga idealizmi gjerman i Hegelit etj.
Nuk ishte vetëm njeri me vullnet politik, por politikan, madje edhe politolog. Ai, në stilin e Makiavelit të disa shekujve para tij, vrojtoi sjelljen e klasës politike të fillimit të shek. XX dhe fshikulloi, siç dinte ai, mediokritetin e qeverive të kohës, politikat e mbrapshta etj. Një mendimtar si ai, aktiv në politikë e diplomaci (deputet i Shkodrës, anëtar i Parlamentit të parë Shqiptar dhe nënkryetar i tij, përfaqësues në konferenca ndërkombëtare etj.), nuk mund të mos ishte edhe politolog.
Si studiues i sociologjisë, jam i prirur të pohoj se Fishta ka arsye të cilësohet edhe si një ndër pararendësit e sociologjisë shqiptare, në mos sociolog. Dihet se, si çdo shkencë shoqërore, edhe sociologjia nuk lindi në një boshllëk historik. Nga kjo formë latente zhvillimi, nuk mund të përjashtohet edhe sociologjia shqiptare. Fishta ka trajtuar një problematikë e cila është, gjithsesi, në fokus të sociologjisë bashkëkohore: të sociologjisë religjoze, të kulturës, artit e komunikimit, të moralit e të edukimit, të sociologjisë së familjes (kompleksi i marrëdhënieve familjare, martesa, familja, divorci etj.). Pra mund të pohojmë se ai ka vendosur një gur themeli në godinën sociologjike shqiptare.
Me “Lahuta e Malcis”, Fishta është quajtur “Homeri i shqiptarëve”. Por Homeri ishte edhe një eksplorator i madh, që ka bërë të njohur jetën e popujve që ka takuar dhe, në këtë vështrim, ai është quajtur si një ndër etnologët e parë. Me të njëjtën logjikë kemi të drejtë të pohojmë se Fishta ishte një ndër etnologët e parë shqiptarë. Ai ishte edhe psikolog apo etnopsikolog, në kuptimin që kanë marrë në kohën tonë këto fjalë.
Pohimi se Fishta është edhe shkencëtar social mund të kontestohen me “argumentin” se ai nuk ka shkruar vepra të veçanta mbi filozofinë, sociologjinë, antropologjinë, politologjinë apo degë e nëndegë të tjera të shkencave sociale, siç shkruajnë studiuesit e këtyre fushave në kohën tonë. Megjithatë duhet të mbajmë parasysh faktin se këto degë të shkencave sociale nuk kanë qenë gjithmonë qartësisht të diferencuara nga njëra-tjetra. Në Francë, për shembull, Monteskje quhet si një ndër themeluesit e sociologjisë, megjithse hibridi latino-grek, sociologji, do të përmendej për herë të parë gati një shekull pasi ai shkroi veprën e tij “Mbi frymën e ligjeve”. Kur gjykojmë për filozofinë e Fishtës apo për Fishtën filozof, mund të përmendim faktin se edhe Aleni, një filozof francez i shek.XX, nga filozofët më të lexuar, në të vërtetë është vetëm autor esesh. Por “filozofi e Alenit” është quajtur tërësia e ideve të tij, ide të shprehura në vepra jo të mirëfillta filozofike e të vendosura në një sistem. Makiaveli, gjithashtu, nuk është një studiues “i pastër” i shkencave sociale. Por ai trajtoi dhe vuri themele mbi një varg çështjesh që janë në fokusin e shkencave sociale bashkëkohore, sidomos të sociologjisë politike e politologjisë. Ne kemi të drejtë të përdorim të njëjtën logjikë për Fishtën.
Unë bashkohem me mendimin e disa studiuesve, A. Plasari etj., që e quajnë si të papranueshëm faktin që në strukturat e kurseve të një fakulteti të letrave apo të filozofisë, të mungojnë studimet fishtjane; se një kurs i tillë do të funksiononte si shtyllë kurrizore në një sistem shkollor me drejtim humanist; se botimi (dhe ribotimi) i mendimit fishtjan bëhet sot i domosdoshëm për rishtënien në dorë të vlerave të fshehura ose të huajsuara prej kulturës sonë.

<ul type="square">
[*]Rivlerësime e (mos)vlerësime
[/list]
Deri më 1940, Gjergj Fishta u nderua me çmime e tituj, u bë anëtar i Akademisë Italiane, u propozua për çmimin Nobel etj. Më pas u denigrua nga regjimit komunist. Eshtrat e tij u hodhën në lumin Drin, në përpjekjen për të varrosur një herë e mirë veprën e tij, për të ardhur te ”Nderi i Kombit” (dhjetor 2002). Edhe pse ky rivlerësim duhej të ishte bërë më parë (Alfred Moisiu është presidenti i katërt i periudhës paskomuniste dhe jo i pari), edhe pse ai përfaqëson një akt dinjitoz që nderon shtetin e shoqërinë shqiptare, ky rivlerësim duhej paraprirë nga rivlerësimi i veprës së tij, të paktën prej disa institucioneve shtetërore, duke filluar nga Akademia e Shkencave, e cila ka dhënë “vlerësimin zyrtar” (ende në fuqi) për Fishtën, të formuluar në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Them “ende në fuqi”, sepse deri më sot ai nuk është zëvendësuar nga një i ri, ndonëse kanë kaluar 12-13 vjet nga fillimi i proceseve demokratike, pra rivlerësuese.
Në këtë botim për Gjergj Fishtën është shkruar, si vëllim, sa 1/20 e asaj që është shkruar për E. Hoxhën, 2-5 herë më pak se për B. Currin, L. Gurakuqin, D. Agollin, M. Asllanin, L. Çukon, H. Çelikun... (!). Por më tepër rëndësi ka cilësia e (mos)vlerësimit të Fishtës (fq. 270-71): “Fishta, Gjergj. Shkrimtar dhe publicist reaksionar, përfaqësues kryesor i letërsisë klerikale-katolike, mori pjesë gjallërisht në jetën politike dhe kulturore për të forcuar në të ndikimin e klerit katolik..., drejtoi revistën “Hylli i Dritës”, një nga tribunat më aktive të reaksionit klerikal…, luftoi me tërbim kundër ideve përparimtare, përshëndeti pushtimin e vendit nga forcat fashiste italiane...”
Iu referova këtij fjalori, sepse ai përfaqëson veprën më të madhe e më voluminozë të hartuar te ne, si për nga vëllimi (1250 faqe), sikurse nga numri dhe cilësitë akademike të njerëzve të angazhuar në hartimin e tij. Hartimi i tij u drejtua nga një redaksi e përgjithshme, e përbërë nga 34 akademikë e shkencëtarë, për të ka funksionuar një sektor i veçantë (Sektori i Encilopedisë Shqiptare), njëzet redaksi të fushave të shkencave, mbi 800 studiues, autorë të zërave të Enciklopedisë, pa përmendur rreth 30 grupe të mëdha të punës për qendrat e banuara sipas rretheve, për Shqipërinë e Kosovën.
Të bën përshtypje zelli i regjimit politik të para viteve ’90-të, për t’u dhënë një veshje shkencore vendimeve e vlerësimeve të paravendosura politikisht. Por si për inerci, gjurmë të një (mos)vlerësimi të tillë për Fishtën vazhduan edhe në vitet e paskomunizmit. Ndoshta një reagim më realist mund të bëhet për të kapërcyer një herë e mirë logjikën “bardhë e zi”, për vlerësimin e gjithanshëm të Fishtës, këtij sovrani të letrave shqipe, këtij dijetari, eruditi të gjithanshëm, publicisti, polemisti, përkthyesi e shkencëtari të disa fushave të shkencave sociale. Nëse Fishta ka shkruar: “Dhe ta dijë bota mbar/se un mbas sodit s’jam ma shqiptar”, këto vargje kanë shprehur, siç vëren prof. Hamit Beqja, zemërimin e tij ndaj bashkatdhetarëve., sikurse edhe Noli (Skllevër, bij skllevërish/s’e meritoni, se liri s’doni), Pashko Vasa, Konica etj. etj. Kur ishte fjala për Shqipërinë, Fishta nuk kurseu jo më shqiptarët, por as Evropën (Moj Evropë, moj kurv’ e motit…), madje as vetë Perëndinë. “O Perendi a ndjeve/tradhtarët na lanë pa atdhe/e ti rrin e gjun me rrfe/lisat nëpër male kot”. Ky ishte “reaksionari” dhe “antishqiptari” Gjergj Fishta.
Sociolog
 

Kollarja

Primus registratum
Re: At Gjergj Fishta (Homeri Shqiptar) nje personalitet i pa harrueshem historik.

Respekti per Fishten eshte i madh, dhe si gjithe njerzit e ksaj bote ai u be i madh per ate qe beri, jo se nuk ishte i pagabushem, dhe nuk u qortua kurre.

Sa per hurmaxhiun qe dyshon per fjalimin e Fishtes mbi varrin e Avni Rustemit, ne Bibloteken Kombetare e ka fjalimin e tij bashke me foto, po deshi.

Por **** qe solli temen nuk kishte per qellim te tregonte sa i madh eshte Fishta, ai pasi i beri disa *****************, donte ta vinte Fishten mbi kedo, duke mos permend Thot-at shqiptare, pasi si mysliman duhe varur, sipas kelyshit te sorres se zeze(Kryepedofilit) te Vatikanit.

Se Fishta, or *********** ka mbajt fjalime mbi shume varre myslimane, shyqyr qe qendroj shqiptar dhe nuk u be pedofil si disa te tjere, qe ********* ti benit ***** qe keni aq per zemer.

[Ju lutem kini kujdes piken 2 te rregulores.[/i]
 

romeo

Forumium maestatis
Re: At Gjergj Fishta (Homeri Shqiptar) nje personalitet i pa harrueshem historik.

mendoj se Fishta ka qene nje nga figurat me te shquara te kombit tone,do duheshin disa si puna e tij per te ndryshuar Shqiperine sot.

fishta.jpg
 
Top