Arrestohet ekstremisti për terrorizëm

Arrestohet ekstremisti për terrorizëm

Gjykata vendos “arrest me burg” për Artan Kriston. Bënte thirrje për terrorizëm në një faqe interneti</p>


Një ekstremist është vënë në pranga nën akuzën e nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste. Artan Kristo, nëpërmjet faqes së internetit www.albselefet.net, e përdorur nga të ashtuquajturit grupet e rinj të besimtarëve myslimanë, bënte propagandë për sulme terroriste. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës thanë se disa besimtarë myslimanë kanë denoncuar postimet e shtetasit Artan Kristo, më parë i dyshuar për vrasjen e ish-sekretarit të përgjithshëm të Komunitetit Mysliman, Salih Tivari, në website ku bënte thirrje publike për sulme terroriste. Hetuesit e çështjes thanë se procedimi ka filluar në fund të muajit gusht të këtij viti dhe gjatë kësaj kohe janë bllokuar postimet e tij të dërguara me një emër tjetër.</p>


Arrest me burg
Gjykata e Tiranës ka dhënë pasditen e djeshme masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Artan Kristo, i akuzuar për nxitje të terrorizmit. Vendimi i trupit gjykues erdhi pasi prokuroria provoi se Kristo ishte i përfshirë në akte terroriste. Ai ishte përfaqësues i fondacionit “Al Haramain”, i konsideruar si ndër financuesit kryesorë të terrorizmit ndërkombëtar. Pavarësisht masës së sigurisë, pala e akuzës ka bërë të ditur se do të vazhdojë hetimet për shtetasin shqiptar. Kristo, i njohur me emrin fetar Muhamed Abdullai, është arrestuar nga policia në Durrës, pas një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata e Tiranës. Ai hetohej prej afro tre muajsh nga prokuroria e kryeqytetit nën akuzën e nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste. Gjithashtu ishte denoncuar nga disa besimtarë. I arrestuari ka qenë përfshirë më herët në listën e personave të vënë nën vëzhgim, pasi bënte pjesë në rrymat me tendenca ekstremiste të besimit mysliman në Shqipëri. Faqja e internetit, “albselefet”, ku janë postuar kërcënimet publike, hapet vetëm për anëtarët e regjistruar dhe përmes saj Kristo lëshonte apele për përdoruesit. Pas fillimit të procedimit penal, nga ana e prokurorisë organizatorët e faqes kanë fshirë nga forumi postimet e tij, duke i cilësuar si “vepra që nuk kanë lidhje me diskutimet”, ndërsa i janë servirur prokurorisë.</p>


Bashkëpunimi me SHBA-në
Thirrjet për terrorizëm janë marrë në konsideratë nga zyrtarët më të lartë të Prokurorisë së Tiranës, të cilët njoftuan menjëherë eprorët në akuzën qendrore. Këta të fundit kanë lajmëruar strukturat e shërbimeve amerikane për gjetjen e prejardhjes së këtyre kërcënimeve. Në bashkëpunim të plotë midis amerikanëve dhe Prokurorisë shqiptare, duke përdorur të gjitha mjetet teknike, është arritur të gjendet prejardhja e këtyre thirrjeve për terrorizëm. Mësohet se Kristo i lëshonte thirrjet në një tjetër emër. Pas nxjerrjes së urdhër arrestit, policia nisi kërkimet në Durrës e Kavajë dhe bëri të mundur ndalimin e Kristos në qytetin e tij të banimit, në orën 16.30. “Në datën 27 gusht 2009, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave terroriste, në ngarkim të shtetasit Artan Kristo. Për hetimin sa më të plotë të çështjes, janë shfrytëzuar një numër i madh mjetesh për kërkimin e provës, përfshi dhe ato të karakterit teknik”, thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas saj, deri në këtë fazë të hetimit, në një analizë të të gjithë të dhënave të grumbulluara, është konkluduar se ka të dhëna të mjaftueshme që shtetasi Artan Kristo ka kryer veprën penale të mësipërme dhe po vijohet për mbledhjen e provave të tjera.(Shqip)</p>
PYCqK5JaWlU

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24020. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24020
 
Top