Tiranë-Një shtetas i dënuar me 18 vjet burg për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje i ka ikur nga duart policies, ndërsa transportohej nga Drejtoria e Policisë Tiranë drejt burgut të Fushë Krujës.
Nirgen Ymeraj, 22 vjeç, një personazh njohur për blutë e Tiranës, në rrethana shumë misterioze ka arritur të dalë nga makina që po e dërgonte drejt qelisë së burgut.
Ymeraj ka zgjedhur një moment, ndoshta edhe mosvëmendje të efektivëve që e shoqëronin duke hapur derën e mjetit dhe ka fituar lirinë, megjithëse supozohet se 22-vjeçari është me duar të prangosura.
Ngjarja u shënua në zonën e Kamzës, vetëm disa metra larg komisariatit. Ndërkaq, është në vijim një operacion ku janë përfshirë edhe forcat speciale për arrestimin e tij.
Policia ka ngritur postblloqe në të gjitha hyrje-daljet e kryeqytetit. Operacioni më intensiv i kërkimit për kapjen e të riut të arratisur po zhvillohet në zonën e Yzberishtit, Kasharit dhe Kamzës, aty ku Ymeraj ka banesën,familjen dhe të afërmit e tij.
Fillimisht u dha informacion se i riu ishte arratisur nga ambientet e paraburgimit në Kamëz, por më pas u konfirmua që ai ishte arratisur nga makina e policisë që po e trasportonte drejt burgut.
22-vjeçari ishte arrestuar në datën 5 shtator dhe është mbajtur këto 10 ditë në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit,në pritje të trasferimit.
Ndërkohë një hetim ka nisur dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, për të kuptuar mekanizmin që ka përdorur i riu për tu arratisur dhe për të konfirmuar nëse policët që e shoqëronin kanë zbatuar rregulloren e shoqërimit.
(Në foto: Vendi ku Nirgen Ymeraj i shpëtoi policisë)
Njoftimi i policisë
“Më datë 16 Shtator 2014, rreth orës 11.00’, grupi i shoqërimit të Drejtorisë së Policisë Tiranës, kanë qënë duke trasportuar me automjet, nga dhomat e paraburgimit në drejtim të vendit të vuajtjes së dënimit Fushë – Krujë, të dënuarin Mirgen Ymeri, vjec 22, i dënuar me 18 vjet burgim për veprën penale të “Vrasjes së mbetur në tentiivë”.
I dënuari, ka mundur të largohet nga mjeti i policisë. Aktualisht nga strukturat e policisë, janë ngritur disa pika kontrolli me synim kapjen e të dënuarit. Ndërkohë që po analizohen edhe veprimet dhe procedura standarte e punonjësve të policisë, përgjatë shoqërimit, nga Struktura e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm”.