"Dr.Dituria"
Primus registratum
Armiqtë e shqiptarëve: Në kërkim të themelit të po
Armiqtë e shqiptarëve: Në kërkim të themelit të politikës
Enis Sulstarova , dhjetor 2006-janar 2007
Fqinjët tanë janë cmirëzinj vetëm ndaj faktit që ekzistojmë. Ata kërkojnë të
na e grabisin mendimin e ekzistencës sonë. Le të mendojmë dhe të punojmë për
vete dhe të mos ketë asnjë ndryshim midis toskëve dhe gegëve, ne jemi të
gjithë shqiptarë dhe duhet të formojmë një Shqipëri të bashkuar.
Abdyl Frashëri
Do të ishte qesharake të besosh se një popull i pambrojtur ka veç miq dhe
një llogaritje e çmendur të supozosh se ndoshta armiku mund të mallëngjehet
nga mungesa e qëndresës
Karl Shmit
Një përkufizim i politikës
Karl Shmiti në esenë Koncepti i politikës shkruan se kategoritë themelore
politike janë "miku" dhe "armiku" dhe thelbi i sjelljes politike të një
kolektivi njerëzor është dallimi midis miqve dhe armiqve (Schmitt, 1996:
26). Ai arrin në këtë përfundim duke e veçuar sferën e politikës nga sfera
të tjera të veprimtarisë njerëzore, pikësëpari morali, estetika dhe
ekonomia. Për përcaktimin e armikut të tij, një kolektiv nuk niset nga
karakteristikat morale, apo estetike të armikut, ose thjesht nga interesa
ekonomike, armiku as nuk përcaktohet nga ndonjë i tretë neutral. Armikun e
njohim atëherë kur ndjejmë se ai është ekzistencialisht i huaj për ne dhe
se, në rastin më të skajshëm mund të angazhohemi në luftë kundër tij. Pra,
armiku zbulohet në rrethana konkrete prej pjesëmarrësve:
Vetëm pjesëmarrësit aktualë mund ta njohin, kuptojnë dhe gjykojnë në mënyrë
të saktë rrethanën konkrete dhe të vendosin mbi rastin e skajshëm të
konfliktit. Secili nga pjesëmarrësit është në pozitën për të gjykuar nëse
kundërshtari i tij ka për qëllim të mohojë mënyrën e jetesës së tjetrit dhe
prandaj ai duhet ta zmbrapsë apo luftojë atë me qëllim që të ruajë trajtën e
vet të ekzistencës (po aty: 27).
Shmiti nuk e ka fjalën për armiq vetjakë, por për armikun publik, atëherë
kur "potencialisht një kolektiv luftarak njerëzor përballet me një kolektiv
të ngjashëm" (po aty: 28). Në përballjen e mundshme me armikun lindet
politika. Politika nuk ka për qëllim luftën, por mundësia e luftës shkakton
mendimin dhe sjelljen politike, sepse nga "kjo mundësi më e skajshme jeta
njerëzore merr tensionin specifik politik" (po aty: 35). Atëherë kur
njerëzit shtyhen prej rrethanave në një pozitë kur ndoshta do t'u duhet të
japin jetën e tyre apo të marrin jetën e armikut, pikërisht grupimi i tyre
me të ngjashmit për të zmbrapsur rrezikun e përbashkët i jep përmbajtje
politike sjelljes së tyre dhe institucioneve që ata themelojnë, d.m.th.
shteteve. Në këtë mënyrë politika ka përparësi ndaj ligjshmërisë dhe kjo e
fundit bazohet mbi vendimin politik që merret në rrethanën e jashtëzakonshme
kur ligjet janë të pezulluara.
Mundësia e konfliktit me armikun zbulon natyrën e kolektivit, sepse pyetja
"kush jemi ne?" (miqtë) gjen përgjigje nëse arrijmë t'i përgjigjemi pyetjes
tjetër: "Për cilat bindje jemi gati të vdesim?" (Valk, 2002: 43). Nëse
mendimtarë të tjerë me "miq" kuptojnë atë grupim të njerëzve që me anë të
arsyes kërkojnë të zbulojnë të Mirën, apo arritjen e rendit shoqëror më të
drejtë, "miqtë" e Shmitit grupohen për një shpallje të ekzistencës së tyre
si kolektiv (po aty: 50).
Lidhja e Prizrenit si shfaqje e kombit shqiptar
Ideja e kombit shqiptar kishte kohë që artikulohej prej intelektualëve, më
së shumti nëpër kolonitë e shqiptarëve dhe të arbëreshëve, por hera e parë
kur kombi shqiptar u shfaq si një kolektiv politik në trojet etnike
shqiptare ishte Lidhja e Prizrenit. Nënshkrimi i Traktatit të Shën-Stefanit
tregoi se Perandoria Osmane nuk ishte më në gjendje të ofronte mbrojtje të
trojeve shqiptare. Përballë rrezikut të sulmit sllav në veri dhe lindje dhe
paraqitjes së pretendimeve greke në jug, shqiptarët nisën të
vetëorganizoheshin për mbrojtje. Thirrja e Kongresit të Berlinit nga Fuqitë
e Mëdha të Evropës u dha kohë shqiptarëve dhe mundësi që të paraqisnin edhe
ata mendimet dhe kërkesat e tyre mbi ndryshimin e kufijve evropianë të
Perandorisë. Fiset e veriut kishin nisur tashmë të lidheshin me
njëri-tjetrin përballë përparimit të ushtrive serbe dhe malazeze (Skëndi,
2000: 44), mirëpo rrezikimi njëherazi i të gjithë popullsive shqiptare në
kufi me shtetet ballkanike i bashkoi për herë të parë shqiptarët në një
kolektiv për të përballuar armiqtë e tij. Noël Malkolmi mund të ketë të
drejtë kur shkruan se shumica e krerëve të fiseve dhe krahinave që u
mblodhën në Prizren më 1878 e shihnin mbledhjen e tyre veçse si një zgjatim
të kuvendeve të mëparshme ndërfisnore për të shuar gjakmarrjet dhe mbrojtur
lirinë e tyre ndaj rrezikut të jashtëm dhe se pak prej tyre kishin dijeni
mbi planet nacionaliste të Komitetit të Stambollit (Malcolm, 1998: 219),
mirëpo ata në atë ditë ishin grupuar në kërkim të miqve sepse e ndjenin
kërcënimin e ekzistencës së tyre. Me anë të kundërshtimit të armiqve, tashmë
shqiptarët kishin filluar të artikulonin idenë e kombit, si një kolektiv i
vetëm përballë kolektivëve të tjerë, kombin si një "miqësi politike" të
shqiptarëve.
Le të shohim disa prej dokumenteve të hartuar prej udhëheqësve shqiptarë në
prag dhe gjatë Lidhjes së Prizrenit. Përfaqësuesit e popullsisë shqiptare të
Shkodrës, Podgoricës, Shpuzës, Zhabjakut, Tivarit, Ulqinit, Grudës,
Kelmendit, Hotit dhe Kastratit i dërgojnë nga qyteti i Shkodrës më
08.05.1878, një protestë ambasadorit francez në Stamboll, ku midis të
tjerash shënojnë:
Fqinjët tanë malazezë, me anë të sulmeve të vazhdueshme kundër qyteteve tona
na kanë detyruar prej shekujsh të jetojmë në gjendje mbrojtjeje të
përhershme dhe nëpërmjet veprimeve të tyre të egra kanë bërë që të mos kemi
asnjë lloj sigurie. Ne katolikët dhe myslimanët, vëllezër që prej shekujsh
dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh, kemi qenë gjithnjë të
bashkuar për t'u rezistuar akteve të kusarisë [të malazezëve] dhe kemi
derdhur lumenj gjaku për të mbrojtur qytetet dhe fshatrat
tona...Shkurtimisht, ne e shohim rrezikun që na kërcënon dhe sa të vdesim
nesër të poshtëruar dhe të skllavëruar, pëlqejmë të asgjësohemi sot duke
mbrojtur nderin dhe lirinë tonë, prandaj kemi vendosur të mos biem në
skllavërinë e Malit të Zi (Pollo & Pulaha, 1978: 12-13).
Në një protestë tjetër drejtuar Kongresit të Berlinit më 15.06.1878 nga
popullsia e Podgoricës, Shpuzës, Zhabjakut, Grudës e Kuçit theksohet dallimi
që ekziston midis vendasve dhe malazezve: "...nën presionin që i bëri Rusia
shtetit të lartë osman, madhëria e tij padishahu ynë, u detyrua që të na
lëshojë nën sundimin e malazezve barbarë, të cilët qysh prej katër shekujsh
janë armiqtë tanë" (po aty: 30). Armiqësia e shqiptarëve shprehej edhe ndaj
serbëve e bullgarëve. Popullsia e Prizrenit më 24.05.1878 i shkruan
ambasadorit francez në Stamboll:
Në të gjitha viset e vendit tonë ose të fqinjëve, që janë pushtuar, serbët e
bullgarët kanë shkatërruar dhe kanë marrë nëpër këmbë siç nuk është parë më
parë kurrë ndonjëherë, pasuritë tona, shtëpitë tona, fëmijët tanë dhe nderin
tonë...prandaj do të ishte një veprim jonjerëzor dhe i padrejtë që në t'i
liheshim [në dorë] një qeverie dhe një administrate sllave dhe bullgare, të
cilat nuk kanë asnjë afri me ne dhe kanë treguar [me kohë] armiqësitë e tyre
(po aty: 16).
Nëse në citimin e mësipërm shkruesit e protestës nuk pranojnë asnjë qeveri
që "nuk kanë asnjë afri me ne", në protestën e shqiptarëve të Stambollit
drejtuar Kongresit të Berlinit kundër pretendimeve territoriale greke,
flitet në emër të kombit shqiptar si një subjekt, si një kolektiv i
dallueshëm qartë prej kolektivëve të tjerë dhe me një atdhe integral:
Ne protestojmë kundër copëtimit të atdheut tonë të dashur. Humbja e vendeve
aq të shtrenjta për qënien tonë kombëtare, si Janina, Narta dhe Preveza, nuk
do të jetë për ne përveç një dënim me vdekje. Ne do të pranojmë më mirë të
vdesim bashkë me gratë dhe me fëmijët tanë se sa të nënshtrohemi. Populli
shqiptar është i vendosur të ngrihet si një trup i vetëm, kundër lëshimit
qoftë edhe të një pëllëmbe toke të vendlindjes (po aty: 37-38).
Ndër vendimet e para të Lidhjes së Prizrenit ishte shpallja e një bese të
përgjithshme që ndalonte gjakderdhjen mes shqiptarëve dhe përqendronte
vëmendjen dhe energjitë e tyre ndaj armikut të jashtëm (Myzyri, 1994: 100;
Skëndi, 2000: 46). Një interpretim të kohës për këtë besë na e jep Sami
Frashëri në artikullin e botuar më 05.07.1878 në shtypin e Stambollit:
Ata kanë marrë vendim të prerë dhe njëri-tjetrit i kanë dhënë besën se [në
rast pushtimi] do të luftojnë për të çliruar atdheun derisa të mos mbetet
qoftë edhe një njeri i vetëm. Madje kanë hapur edhe listat në të cilat po
regjistrohen të gjithë ata që janë të armatosur. Po ashtu kanë hequr dorë
nga hasmëritë e vjetra e nga gjaqet që kishin mes veti dhe janë pajtuar të
gjithë me njëri-tjetrin (S. Frashëri, 2000: 98).
Nga ky citim kuptojmë se bëhet fjalë për një mobilizim dhe përgatitje të
ethshme për luftë kundër armikut dhe besa është shpallur si një mjet paqtimi
brendashqiptar në funksion të luftës së mundshme. Sipas Kristo Frashërit,
mbledhja e parë e Lidhjes më 10.06.1878 mori katër vendime të rëndësishme.
Besa e përgjithshme vinte e treta, ajo paraprihej nga vendimi që të
njoftohej Kongresi i Berlinit me anë të një peticioni popullor që asnjë
shteti të huaj nuk do t'i jepej asnjë pëllëmbë tokë, nga vendimi për
ngritjen e një fuqie të armatosur nën komandën e Lidhjes dhe pasohej nga
vendimi për barazinë politike dhe juridike të mbarë shqiptarëve, pavarësisht
nga përkatësia e tyre fetare (K. Frashëri, 1997: 92-93). Mendojmë se besa
luan në këtë rast një rol qendror si një mekanizëm ndërmjetës për shfaqjen e
subjektit politik shqiptar. Në malësitë shqiptare besa rregullonte
marrëdhëniet shoqërore fisnore dhe ndërfisnore. Në fillim mbledhja e krerëve
në Prizren u quajt "besëlidhje", pra një bashkim fisesh kundër armikut të
jashtëm, përpara se të merrte më vonë emërtimin "Lidhja Shqiptare" (Omari &
Luarasi, 1997: 76), si pasojë e shtrirjes së besës në të gjitha krahinat
shqiptare. Gjithashtu barazia politike e juridike e të gjithë shqiptarëve e
ka burimin te tradita e besës, e cila në të drejtën zakonore të viseve të
veriut "nuk i përkiste një kaste të vogël kalorësish, një elite, por ishte
një institucion që zbatohej gjerësisht në jetën e popullit" (po aty: 13).
Besa kështu vendoste atë barazi politike mes shqiptarëve që në shtetin
modern sigurohet me anë të konceptit të "qytetarit". Besa e përgjithshme e
Lidhjes në funksiononin e një armëpushimi të gjakmarrjeve e grindjeve
vetjake shënon për herë të parë shqiptarët si subjekt politik përballë
armiqve, ajo ndan sferën e brendshme (të paqes dhe rendit) prej asaj të
jashtme (të luftës dhe kaosit) si edhe sferën private (gjakmarrjet dhe
mosmarrëveshjet vetjake e fisnore) prej asaj publike (shqiptarët si
kolektiv).
Gjithashtu besa shënon edhe atë që Shmiti e quan "gjendje e
jashtëzakonshme", me fjalë të tjera pezullimin e ligjeve dhe normave që
rregullojnë jetën e zakonshme si pasojë e shfaqjes së një kërcënimi të
jashtëm. Shmiti thotë se "sovrani është ai që vendos mbi të
jashtëzakonshmen" (Schmitt, 2005: 5) dhe kjo duhet kuptuar se sovrani vendos
se kur ekziston gjendja e jashtëzakonshme dhe se çfarë duhet bërë për ta
eliminuar atë (po aty: 7). Me besëlidhjen e tyre në Prizren, krerët
shqiptarë tregonin se diçka e jashtëzakonshme po u ndodhte të gjithë
shqiptarëve dhe se u takonte së pari atyre të vendosnin se si duhej zgjidhur
kjo rrethanë dhe jo Portës së Lartë. Lidhja e Prizrenit po merrte përsipër
atributet e sovranit, që deri atëherë i takonin Sulltanit. Besa e
përgjithshme i anashkalonte institucionet e shtetit osman ndërkohë që
bashkonte në një kolektiv shqiptarët, gegë a toskë, myslimanë a të krishterë
qofshin. Këtu duhet shënuar se Shmiti gjendjen e jashtëzakonshme e dallon
prej gjendjes së urgjencës. Kjo e fundit kërcënon atributet e subjektit dhe
jo vetë subjektin. Kur ekzistenca e subjektit si i tillë kërcënohet,
atëherë kemi të bëjmë me gjendje të jashtëzakonshme (Lazar, 2006: 259).
Gjendja e krijuar pas Traktatit të Shën-Stefanit për Portën e Lartë ishte
urgjente, sepse viheshin në dyshim zotërimet e saj në Ballkan, por jo vetë
Perandoria si subjekt, përderisa Perandoria ishte nënshkruese e Traktatit
dhe u ftua të merrte pjesë në Kongresin e Berlinit. Ndërsa shqiptarët e
interpretuan si gjendje të jashtëzakonshme, sepse, siç e pamë te protestat e
tyre, pushtimi i tokave të tyre nga shtetet ballkanike ishte çështje
ekzistenciale e kombit. Përballë armiqve, Lidhja e Prizrenit afirmoi kombin
shqiptar si subjekt.
Marrëdhëniet e Lidhjes së Prizrenit me Portën e Lartë ishin të ndërlikuara.
Kur morën vesh për pranimin nga ana e shtetit osman së lëshimeve të
territoreve shqiptare, popullata e zemëruar e Prizrenit i vuri Portës vulën
e tradhtisë (Shpuza, 2000: 82). Nga ana tjetër duke i patur duart e lidhura,
Porta e Lartë e nxiti mbledhjen e krerëve shqiptarë në Prizren, duke dashur
t'i jepte asaj një karakter islamik. Për këtë shkak shpeshherë argumentohet
se dokumentet e para të Lidhjes, Kararnameja (Vendimet) dhe Talimati
(Urdheresat) kanë përmbajtje pro-sulltanore e islamike, jo kombëtare
shqiptare. Në fakt një analizë e vëmendshme e këtyre teksteve brenda
kontekstit të zhvillimeve të kohës, arrin në përfundimin se në to interesat
e Portës paraqiteshin dytësore përballë interesit për të mbrojtur trojet
etnike prej pushtimit të fqinjëve dhe se referimet te sheriati nënkuptojnë
respektimin e ligjeve në fuqi. Interesante është thirrja e parimeve të
sheriatit për të garantuar jetën dhe pasurinë e të gjithë shqiptarëve
jomyslimanë në emër të vëllazërimit të përgjithshëm përballë armiqve të
njëjtë (po aty: 104-121).
Në të gjithë veprimtarinë e saj, Lidhja e bënte dallimin midis shqiptarëve
dhe osmanëve, apo turqve. Për të dhënë një shembull, Lidhja Shqiptare në
Gjirokastër në gusht të vitit 1880 merr vendimin se në rast se turqit ua
lëshojnë tokat shqiptare grekëve, atëherë do të formonte një qeveri
provizore. Nëpunësit e administratës aktuale osmane do të liheshin në punë
vetëm në qoftë se ishin shqiptarë, pa dallim feje (Pollo & Pulaha, 1978:
112). Me fjalë të tjera, do të zbatohej parimi nacionalist që të qeverisurit
duhet të kenë të njëjtin identitet me ata që qeverisin. Organet e Lidhjes
vepronin paralelisht me ato osmane, në disa vende duke i zëvendësuar krejt
këto të fundit. Në fazën e fundit të Lidhjes kur u shpall autonomia dhe u
formua qeveria e përkohshme, ndaj osmanëve u kalua në veprime të hapura
armiqësore, si ndaj pushtuesve fqinjë. Kjo erdhi si pasojë e dorëzimit të
Ulqinit Malit të Zi, ku vullnetarët shqiptarë u përleshën me ushtrinë e
Dervish Pashës. Taksat mblidheshin për llogari të Lidhjes dhe në vilajetin e
Kosovës u ngritën gjykatat shqiptare që përdornin sheriatin dhe jo
legjislacionin në fuqi osman. Parapëlqimi i sheriatit prej gjykatave
shqiptare nuk duhet parë si parapëlqim fetar, sepse me sheriat kuptohej
sistemi i vjetër ligjor osman, përpara reformave përqendruese të Tanzimatit,
i cili lejonte trajtat e autonomisë vendore dhe në këtë rast "ka rëndësi
fakti se 'sheriati' nuk u zbatua në interes të Perandorisë Osmane, por të
revolucionit çlirimtar" (K. Frashëri, 1997: 379).
Lidhja u kujdes që të mos hynte në konflikt me të gjithë armiqtë në të
njëjtën kohë. Për sa ishte e mundur dhe meqenëse interesat e dy palëve
përputheshin, Lidhja nuk dëshironte përballjen e hapur me Portën. Nisur nga
kjo rrethanë dhe të tjera pas saj në historinë moderne të shqiptarëve,
Hysamedin Feraj nxjerr parimin themelor të politikës shqiptare:
...shqiptarët asnjëherë nuk janë ndodhë në situatë ekzistenciale historike
për të zgjedhur ndërmjet së mirës dhe të keqes, por vetëm ndërmjet të keqes
dhe me të keqes: kush angazhohej për 'të mirën', çlirimin nga të gjithë
pushtuesit, sunduesit, armiqtë hynte në aventurë politike që kërcënonte
ekzistencën e shqiptarëve; kush bashkohej me më të keqen, me pushtuesin
sundimtarin, armikun më të rrezikshëm kundër armikut më pak të rrezikshëm,
po ashtu kërcënonte ekzistencën e shqiptarëve. E mirë mbetej vetëm angazhimi
për 'të keqen' më të vogël: bashkimi me pushtuesin sundimtarin më pak të
rrezikshëm kundër armikut më të rrezikshëm, e pastaj çlirimin edhe prej tij.
Kjo situatë ekzistenciale politike e shqiptarëve si qenësues politik përbën
metafizikën, parimin fillestar, arhenë në të cilën mund të nxirren të gjitha
parimet e tjera për shpjegimin situacionalist të politikës shqiptare (Feraj,
1998: 86-87).
Ajo që thekson Feraj është se sapo shqiptarët e bënë zgjedhjen midis miqve
dhe armiqve në një rrethanë reale ku kërcënohej ekzistenca e tyre, duke u
shfaqur kështu si një kolektiv politik, ata duhej të zgjidhnin edhe midis
armikut dhe armikut. Këtë dilemë ai e quan "metafizika politike shqiptare".
Me fjalë të tjera mund të shprehemi se në Lidhjen e Prizrenit u bë dallimi
midis "miqve" (kombi shqiptar), "mikut të përkohshëm" (Porta e Lartë, për sa
kohë që ajo kishte armiq të përbashkët me shqiptarët) dhe "armikut"
(shovinistët fqinjë).
Dyzimi i Lidhjes për qëndrimin ndaj "mikut të përkohshëm" ishte një nga
arsyet e shkatërrimit të saj. Kuvendi i Lidhjes në Dibër më 20.10.1881 doli
me dy rezoluta drejtuar sulltanit. Krahu i moderuar kërkonte prej sulltanit
një vilajet të vetëm me autonomi të kufizuar, kurse krahu radikal kërkonte
me një ton paralajmërues krijimin e vilajetit shqiptar me autonomi të gjerë.
Radikalët kërkonin edhe formimin e një qeverie të përkohshme, diçka që i
dukej e pamundur krahu të moderuar (K. Frashëri, 1984: 284-285; 1997: 372).
Pas dorëzimit të Ulqinit dhe shpalljes së qeverisë shqiptare, ushtritë
osmane e shtypën Lidhjen dhe arrestuan shumë prej krerëve të saj.
Megjithatë, Lidhja e Prizrenit mbeti si pikë referimi e politikës kombëtare
shqiptare.
A janë shqiptarët subjekt politik?
Shqiptarët shpallën pavarësinë nga Perandoria Osmane, por shtetet
ballkanike dhe Fuqitë e Mëdha e reduktuan shtetin shqiptar në një hinterland
për të mbrojtur portet e Adriatikut e të Jonit. Copëtimi i trojeve etnike
solli problemin e qenësimit të kombit shqiptar si subjekt politik. Karl
Shmiti thotë që një popull të ekzistojë në sferën politike duhet që ai të
jetë i aftë, qoftë në rrethana të skajshme, ta bëjë vetë dallimin midis
miqve dhe armiqve: "atëherë kur ai nuk e ka më kapacitetin ose vullnetin ta
bëjë këtë dallim, ai pushon së ekzistuari politikisht" (Schmitt, 1996: 49).
Mund të mendohet se për shqiptarët nën pushtim nuk do të kishte dyshime në
përcaktimin e armikut, me të cilin në rastin e skajshëm do të shkohej në
konflikt, por kjo nuk mund të merret gjithmonë si e dhënë. P.sh. elita
politike shqiptare në ish-Jugosllavi gjatë shpërbërjes së federatës tregoi
pavendosmëri në përcaktimin e qartë të kërkesës politike së cilët shqiptarët
do t'i përmbaheshin me çdo kusht. Ukshin Hoti pak më vonë do të shkruante:
Partitë politike në Kosovë i artikulonin qëllimet politike kryesisht përmes
shprehjeve në kondicional: 'në qoftë se', 'nëse' dhe 'po qe se...atëherë'.
në qoftë se p.sh. do të ruhet integriteti territorial i Jugosllavisë,
atëherë do të luftohet për një republikë të barabartë sovrane në Jugosllavi;
në qoftë se do të lejohej prishja e kufijve të brendshëm, atëherë do të
luftohet për një republikë shqiptare në Jugosllavi, e nëse nuk do të ketë
Jugosllavi, atëherë do të ketë Shqipëri edhe për shqiptarët në Kosovë! Fort
bukur! Mirëpo për cilin opsion duhet luftohet? (Hoti, 1996: 142; kursivi
ynë).
Ajo që do të thotë Hoti është se shqiptarët nuk po vepronin si subjekt
politik, si një kolektiv, por po përshtateshin ndaj rregullimeve
institucionale që i përcaktonin subjektet e tjera politike. Edhe pas luftës
së viteve 1998-1999, elita politike shqiptare në Kosovë duket se republikën
e pret dhuratë nga të tjerët, Beogradi dhe faktorët ndërkombëtarë, kur dihet
se i pari kurrë nuk do të pranojë vullnetarisht të heqë dorë nga Kosova dhe
se faktorët ndërkombëtarë do të detyrohen kësisoj të marrin parasysh
vullnetin e tij. Adem Demaçi qysh në fillimet e viteve 1990 paralajmëronte:
"Bota sheh a janë më të gatshëm shqiptarët të flijohen për lirinë e tyre,
apo serbët për t'i mbajtur të okupuar këta dhe po shohim se më të vendosur
janë serbët" (cituar nga Baleta, 1995: 7). Megjithëse u betuan e u
stërbetuan se statusin e Kosovës do ta vendosnin brenda vitit 2006,
ndërkombëtarët e shtynë vendimin dhe nuk ka asnjë siguri se nuk do ta
shtyjnë përsëri. Ministri i jashtëm i Serbisë këtë shtyrje e brohoriti si
fitore për Serbinë. A ka ndonjë fuqi politike në Kosovë që ta brohorasë si
fitore të shqiptarëve?
A e ka ndihmuar shteti shqiptar subjektifikimin politik të kombit? Nga vetë
pozita e dobët, për pjesën më të madhe të ekzistencës së vet, Shqipëria e
ka patur të pamundur t'i deklaronte shtetet fqinje "armiq konvencionalë" të
shqiptarëve, sipas termit të Shmitit (Slomp, 2005: 508-509). Ruajtja me çdo
kusht e paqes me fqinjët është parë si kusht themelor për ruajtjen dhe
fuqizimin e shtetit shqiptar, më mënyrë që kur të vinte çasti i
përshtatshëm, ky i fundit të vepronte si subjekt për zgjidhjen e çështjes
shqiptare, ashtu si shteti i Piemontit ndihmoi për bashkimin e Italisë. Më
qartë këtë argument e ka paraqitur Mitat Frashëri më 1921, në trajtën e disa
tezave:
1. Kosova asht tokë shqiptare.
2. Kosova nuk e shpëton Shqipninë, Shqipnia e shpëton Kosovën.
3. Pra, ne dim me shpëtue Kosovën, duhet ma par me forcue Shqipninë, se
anija do nji hu që të lidhet.
4. Për me forcue Shqipninë duhet që të ketë paqe.
5. Për me pas paqe, duhet me jetue mirë me fqinjët.
6. E shoh një punë kriminale me u dhanë kosovaret shpresë të kotë dhe me i
marr në qafë.
7. Duhet me i bindë kosovarët si me jetue urtë e me ruejtë interesat e tyre
në rrugë të nomit [ligjit] (M. Frashëri, 1997: 279-280).
Mirëpo shteti shqiptar deri tani nuk ka qenë në gjendje ta luajë rolin e
Piemontit dhe për këtë është kujdesur politika e fqinjëve tanë, të cilët
nëse nuk bien në një mendje mbi ndarjen e Shqipërisë, ishin në një mendje që
shteti shqiptar duhet mbajtur përherë i dobët. Nëse Mitat Frashëri ishte i
sinqertë në shpresën e tij se Shqipëria një ditë do të vepronte si subjekt
politik shqiptar, tezat e tij u morën dhe u përdorën pikërisht prej atyre që
kërkojnë t'ia mohojnë këtë rol Shqipërisë dhe që për miq të shqiptarëve kanë
deklaruar fqinjët, qoftë edhe me anë të parullës "rruga e Shqipërisë për në
Evropë kalon nga Athina", apo "Millosheviçi siç di të bëjë luftën, bën edhe
paqen", ose ata që janë mjaftuar vetëm me një "hapësirë demokratike për
shqiptarët në Ballkan". Prandaj Ukshin Hoti u thotë shqiptarëve të Kosovës
që t'i heqin shpresat nga "shteti amë": "...ne shqiptarët e Kosovës, që
dikur e kemi luajtur rolin e dorës së parë në themelimin e shtetit shqiptar,
tani iniciativën për bashkim ua kemi lënë atyre të cilëve u mbetet që
fillimisht të modernizohen, ndërsa në ndonjë të ardhme edhe të bashkohemi!
(Hoti, 1996: 197). Ndërsa Hysamedin Feraj shkon më tej kur u thotë
shqiptarëve në Kosovë të supozojnë se Shqipëria nuk ekziston fare si shtet:
"Çka do të bënte Kosova sikur të mos ekzistonte shteti shqiptar? A do të
pranonte të jetonte nën sundimin serb, apo do të përpiqej për fitimin e
pavarësisë politike?" (Feraj, 1997: 115). Megjithatë, nëse ndiqet kjo
logjikë duhet bërë kujdes nga kurthi i të quajturit të Kosovës një subjekt
tjetër joshqiptar. Rexhep Qosja ka shkruar se tentativat për krijimin e një
"kombi kosovar" kanë ndikime shpërbërëse ndaj identitetit të kombit
shqiptar. Kosovarizmi zëvendëson shqiptarizmin duke qenë "rrjedhimisht,
ideologji kundërhistorike me të cilën do të mposhtej përgjithmonë ideja që e
ka lëvizur historinë e popullit shqiptar prej Lidhjes së Prizrenit e këndej:
ideja e bashkimit kombëtar" (Qosja, 2006). Në fakt, është Kosova ajo që
gjatë shek. XX e ka marrë përsipër përfaqësimin si subjekt të kombit:
"...historia na ka treguar se Kosova tregoi pathyeshmërinë e kombit
shqiptar, i shërben si mur mbrojtjeje shtetit shqiptar nga rreziku serb, po
i shërben kombit shqiptar si ushtar pararojë dhe si kundërpeshë ndaj
kërcënimit të shovinizmit grek" (Baleta, 1995: 21).
Politikën zyrtare të Shqipërisë gjatë komunizmit mund ta karakterizojmë me
termat e Karl Shmitit si një "revolucionar global" që luftonte për idealet
abstrakte te revolucionit proletar botëror dhe që tek kapitalistët dhe
revizionistët e të gjitha ngjyrave shihte "armiq absolutë" (Slomp, 2005:
512). Brenda vendit ishte krijuar psikologjia masive se e gjithë bota ishte
armiqësore ndaj shqiptarëve dhe në këtë mënyrë enverizmi u hiqte shqiptarëve
aftësinë për të dalluar miqtë nga armiqtë. Pas rënies së komunizmit, elita
politike thekson vazhdimisht se Shqipëria nuk ka armiq dhe parullën "të
gjithë janë armiq" e ka zëvendësuar me parullat "nuk kemi armiq", apo
"gjithë botën i kemi miq". Ndikimi i këtyre parrullave në psikologjinë
masive është po ai i enverizmit, sepse shqiptarëve u mpihet aftësia për të
dalluar miqtë nga armiqtë (Feraj, 1999). Prandaj, në Shqipërinë e sotme kemi
mungesë të politikës, sepse është hequr dorë nga kategoritë klasike të
politikës: miku, armiku, sovraniteti, interesi kombëtar, reciprociteti,
agjentë në shërbim të të huajit, etj. (Feraj, 2003: 9-13). Sfera publike
është zëvendësuar nga ajo private, me politikanët që ndjekin interesat
vetjake, ato të pasuesve të tyre, apo të vendeve fqinjë, por jo interesat
kombëtare. Hysamedin Feraj thotë:
Problemi i Shqipërisë nuk është se ka shumë politikë, po se nuk ka fare
politikë. Po ashtu thuhet se në Shqipëri duhet ndërtuar "shoqëria civile",
ndërsa problemi i Shqipërisë është ndërtimi i "shoqërisë politike". Problemi
i Shqipërisë është se ka vetëm "shoqëri civile", sferë të privates, por nuk
ka "shoqëri politike". Sigurisht duke mos pasë "shoqëri politike" edhe
"shoqëria civile" nuk është mirëfilli civile. Por problemi madhor i
Shqipërisë është ndërtimi i shoqërisë politike dhe jo i shoqërisë civile. Pa
ndërtimin e një shoqërie politike, Shqipëria nuk mund të dalë nga kriza e
saj totale (po aty: 19-20).
Këtu është vendi të ngremë pyetjen se ç'duhet të bëjmë, ose me fjalët e
Ukshin Hotit, "çka mund të bëhet që shqiptarët të jenë subjekt politik
ndërkombëtar dhe jo vetëm objekt?" (Hoti, 1996: 261). Përgjigja është se
duhet të rizbulojmë miqtë dhe armiqtë tanë. Shqiptarët kudo ku ndodhen, në
Shqipëri, Kosovë, Ish-Republikë Jugosllave të Maqedonisë (IRJM), Mal të Zi,
Greqi e diasporë duhet të binden se armiqtë i shohin ata si kolektiv dhe për
t'u mbrojtur sa më mirë duhet edhe ata të veprojnë si kolektiv. Kjo do të
thotë se miqtë e shqiptarëve në radhë të parë janë vetë shqiptarët. Me
fuqizimin e faktorit shqiptar, pavarësisht ndarjeve shtetërore, krahinore,
fetare e gjeografike, shqiptarët do të gjejnë miq ndërkombëtarë. Pa i bindur
faktorët ndërkombëtarë se kombi shqiptar është faktor pa të cilin nuk mund
të realizohen interesat gjeopolitike në Ballkan e më gjerë, nuk mund të
bëjmë miq ndër faktorët ndërkombëtarë.
Duhet të pyesim veten "ç'do të thotë të jesh shqiptar?" në rrethanat e
sotme. Përgjigja duhet të jepet jo thjeshtë me anë të miteve të së shkuarës,
as me anë të ndonjë abstraksioni filozofik, por kryesisht nisur nga
rrethanat ekzistenciale në të cilat gjendet kombi tani. "Cili është
shqiptar?" ishte një pyetje vendimtare në vitet 1912-1913, atëherë kur
caktoheshin kufijtë e shtetit shqiptar. Ishte pyetje që përcaktonte jetën
dhe vdekjen. Ishte pyetje që në jug të Shqipërisë e bënte Komisioni
Ndërkombëtar: A duhej marrë për bazë gjuha, siç donin nacionalistët
shqiptarë, apo feja, siç donin grekët? Një pyetje e tillë shtrohet edhe sot:
"A janë 'homogjenët' shqiptarë apo grekë?", "A janë himariotët shqiptarë apo
grekë?", "A janë eshtrat e zhvarrosura në Kosinë të grave dhe fëmijëve
shqiptarë apo të ushtarëve grekë?". Nga përgjigjet e këtyre pyetjeve varet
shumëçka. Nuk janë thjeshtë çështje individuale apo të të drejtave të
njeriut, por të kolektivit të quajtur "shqiptar". Në mënyrë të ngjashme kur
ambasadorët grekë në Tiranë deklarojnë me cinizëm se përveç atyre në Alpet e
Veriut, të gjithë shqiptarët janë me prejardhje helene dhe se duhet të
kthehen sa më parë në etninë dhe fenë e të parëve, apo se çamët nuk u
përzunë nga trojet e tyre, por ikën vetë, nuk është thjeshtë çështje e
mohimit dhe e mbrojtjes së vërtetës, por një sulm, një qëndrim armiqësor i
një kolektivi tjetër kundër shqiptarëve. Ashtu sikundër edhe ligji grek i
luftës me Shqipërinë nuk është një anakronizëm apo i drejtuar vetëm kundër
çamëve, por pjesë thelbësore e sulmit kundërshqiptar.
Le t'i braktisim iluzionet: kemi apo nuk kemi interes të quhemi shqiptarë,
të tjerët na shohin si të tillë, si një kolektiv. Ata na llogarisin si
kolektiv edhe kur veprojnë kundër një pjese prej nesh dhe ne duhet të
reagojmë si kolektiv që të kemi sukses. Spastrimi etnik në Kosovë u drejtua
kundër shqiptarëve. Në vend që të kërkonin falje për krimet e përbindshme
dhe t'u përgjëroheshin shqiptarëve për sigurinë e pakicës serbe në Kosovë,
serbët me arrogancë krekosen se kanë në dorë çelësin e statusit dhe janë në
sulm për të rifituar atë që humbën. Me anë të "ekstraterritorialitetit" të
manastireve dhe komunave te reja strategjike me shumicë serbe që po krijohen
po përgatitet boshnjakëzimi i Kosovës. Shqiptarët duhet të shikojnë se si po
shkon shtet-formimi në Bosnjë-Hercegovinë, të pyesin nëse mund të quhet ajo
një shtet sovran dhe pastaj të vendosin nëse është ajo trajtë sovraniteti që
dëshirojnë për Kosovën. Kushtetuta e vjetër e IRJM, prej së cilës
sllavomaqedonasit hoqën dorë vetëm nën kërcënimin e armëve të UÇK, i
trajtonte shqiptarët si pakicë etnike. Nëse partitë shqiptare në IRJM do të
vazhdojnë të jenë armiq të njëra-tjetrës, atëherë pozita faktike e
shqiptarëve në atë shtet do të mbesë ajo e qytetarëve të dorës së dytë.
Greqia ndërsa ua mohon shtetësinë greke çamëve ua dhuron me "bujari" atyre
që shpreson se do të jenë kolonë e pestë në Shqipëri. Shqiptarët që shpallen
grekë ta kenë të qartë se qoftë edhe pasivisht, thjeshtë si numër, po i
shërbejnë shovinizmit grek. Nëse një pjesë e popullatës shpall se nuk e njeh
armikun, atëherë ata rreshtohen përkrah tij (Schmitt, 1996: 51).
Në këto rrethana ekzistenciale për kombin, atyre që qahen për mungesë të
një programi të shtjelluar kombëtar, duhet t'u përsërisim fjalët e Abdi
Baletës: "Programi i shqiptarëve është me dy fjalë: kemi programin e Lidhjes
së Prizrenit" (Kabashi & Baleta, 2005: 39). Programi është bashkim,
organizim dhe mobilizim i të gjithë shqiptarëve që të japin ndihmesën e tyre
në forma të ndryshme dhe në ballë të ndryshëm kundër armiqve. Të mos
mendojmë se po shpallëm se nuk kemi armiq, kjo ka për t'i shkurajuar ata:
"Do të ishte qesharake të besosh se një popull i pambrojtur ka veç miq dhe

nga mungesa e qëndresës" (Schmitt, 1996: 53).
Burimet:
Baleta, A. (1995) Shqiptarët përballë shovinizmit serbo-grek. Tiranë: Koha.
Feraj, H. (1997) Pavarësia është e shenjtë. Tiranë: Koha.
Feraj, H. (1998) Skicë e mendimit politik shqiptar. Tiranë: Koha.
Feraj, H. (1999) "Kadare kërcënon shqiptarët". Gazeta Rimëkëmbja. Tiranë,
09.03.1999.
Feraj, H. (2003). Kriza e përkryer e Shqipërisë. Tiranë: Eurorilindja.
Frashëri, K. (1984) Abbdyl Frashëri. Tiranë: 8 Nëntori.
Frashëri, K. (1997) Lidhja shqiptare e Prizrenit (1878-1881). Tiranë: Toena.
Frashëri, M. (1997) Kthimi i Mitat Frashërit. Tiranë: Phoenix.
Frashëri, S. (2000) Kush e prish paqen në Ballkan: Publicistika e Sami
Frashërit turqisht. Pejë: Dukagjini.
Hoti, U. (1996) Filozofia politike e çështjes shqiptare. Prishtinë.
Kabashi, B. & Baleta, A. (2005) Vetëm nacionalizmi e shpëton kombin
shqiptar. Tiranë: Rimëkëmbja.
Lazar, N. C. (2006) "Must Exceptionalism Prove the rule? An Angle on
Emergency Government in the History of Political Thought". Politics &
Society, 34 (2): 245-275.
Malcolm, N. (1998) Kosovo: A Short History. New York: New York University
Press.
Myzyri, H. (red.). (1994) Historia e popullit shqiptar. Tiranë: Shtëpia
Botuese e Librit Shkollor.
Omari, L. & Luarasi, A. (red.). (1997) Historia e shtetit dhe e së drejtës.
Tiranë: Luarasi.
Pollo, S. & Pulaha, S. (red.). (1978) Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare
1878-1912. Tiranë: Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave të RPS të
Shqipërisë.
Qosja, R. (2006) "Identiteti shqiptar dhe identiteti kosovar". Gazeta
Korrieri. Tiranë, 07.02.2006.
Schmitt, C. (1996) The Concept of the Political. Chicago, London: The
University of Chicago Press.
Schmitt, C. (2005) Political Theology: Four Chapters on the Concept of the
Sovereignty. Chicago, London: The University of Chicago Press.
Skëndi, S. (2000) Zgjimi kombëtar shqiptar 1978-1912. Tiranë: Phoenix &
Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit.
Slomp, G. (2005) "The Theory of the Partisan: Carl Schmitt's Neglected
Legacy". History of Political Thought, 26 (3): 502-519.
Shpuza, G. (2000) Kuvendime për historinë kombëtare. Tiranë: Dituria.
Valk, F. V. (2002) "Decisions, Decisions: Carl Schmitt on Friends and
Political Will". Rockfeller College Review, 1 (2): 38-52.
Paraqet, Sabri Selmani