Aristokrati i dinosaurëve - [Astrit Lulushi's Blog]

admin

Administrator
Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Londër 1906. Një burrë shtat-shkurtër, me veshje elegante, ecën drejt skeletit gjigand të Dinosaurit në Muzeun e Historisë së Natyrës. Merr një nga eshtrat e këmbëve dhe e kthen në anë të kundërt; “ky është pozicioni i duhur!”, thotë. Shumë vizitorë e panë me habi, por zyrtarët e muzeut e njihnin. Quhej Ferenz. Ishte aristokrat, por edhe autoritet me famë në fushën e studimit të fosileve të kafshëve parahistorike.
Ndër paleontologët, Ferenz njihet si zbulues dhe përshkrues i dinosaurve në Evropën qendrore e jugore, rajone të cilat i përshkoi me motorçikletën e tij në kërkim të miqve dhe kafshëve të fosilizuara. Megjithatë, hollësitë e jetës personale, shpesh e kanë lënë në hije trashëgiminë e tij intelektuale. I pasur, aventurier, ambicioz pa kufi, i varfër, 56 vjeç, në vështirësi financiare, vrau veten – thonë biografët. Me pasurinë e tij Ferenz kishte ndihmuar popuj të Ballkanit për t’i çliruar nga perandoria osmane, spiun i dyfishtë gjatë Luftës së Parë dhe gati u bë mbret. Nga lufta doli i rrënuar; humbi pronat dhe titujt, varfëria e shtyu të punonte për të jetuar, ndërsa koleksionin e fosileve ia dha, kundrejt të hollave, Muzeut Britanik.
Vetëm kohët e fundit shkenca botërore sikur ka filluar t’ia njohë vlerat dhe rreth tij tani flitet jo vetëm për bëmat personale e politike apo stilin e jetesës. Në studime të ndryshme paleontologjike ai njihet si krijues i teknikave për analizimin e fosileve. Për më tepër, tani shkencëtarët thonë se teoritë e tij mbi evolucionin e dinosaurve ishte shumë të avancuara për kohën e tij.
Deri pak dekada më parë, shkencëtarët mendonin se dinosaurët ishin zhdukur. Por Ferenz mendonte ndryshe. Sipas tij, dinosaurët kane ekzistuar në të gjitha format dhe madhësitë – të mëdhenj e të vegjël, dy-këmbësh, katër-këmbësh, tokësorë, ujorë e flutures.
Dihet se dinosaurët së pari u shfaqën rreth 230 milionë vjet më parë. Ata sunduan Tokën për rreth 135 milionë vjet dhe një ngjarje 65 milionë vjet më parë, solli shuarjen e tyre. Shkencëtarët nuk pajtohen tërësisht mbi atë që ndodhi, por thonë se ishte një ndikin i dyfishtë apo trefishtë përfshi përplasje asteroidesh, helmim nga kimikatet dhe llava vullkanike, ndryshimet klimatike dhe faktorë të tjerë të mundshëm. Dinosaur rrjedh nga greqishtja “deinos” – “tmerr dhe “saur” – “zvarrë”.
Në fillim të shekullit të 20-të, Ferenz doli me teorine se vetëm dinosaurët e mëdhenj janë zhdukur, zogjtë janë pasardhës të dinosaurëve, ndërsa puplat evoluan për t’iu peershtatur fluturimit kur kushtet e jetees në tokë ndryshuan. Ferenz mendonte gjithashtu se miliona vjet më parë Evropa qëndrore dhe gadishulli Ballkanik përbënin një ishull dhe jeta e izoluar bëri që dinosaurët të evoluonin duke u bërë më të vegjël e së fundi zogj a kafshë deti, ndërsa fosilet e dinosaurve të gjetura në Evropën qendrore e jugore përbëjnë çelësin për të kuptuar evolucionin e dinosaurve në shkallë globale. Të gjitha këto teza të parashtruara nga Ferenz rreth 80 vjet më parë dhe që u pritën me shpoti, sot cilësohen të mirëqena nga paleontologët.
Vitet e fundit, me zbulimet e reja të fosileve, shkencëtarët kanë filluar të pohojnë se sa të drejtë kishte Ferenz, që s’ishte tjetër veçse Franc Nopça, baron i Saçalit në Transilvani, mik i shqiptarëve, lindur më 1877, vetëvrarë më 1933 në Vienë, pak minuta pasi kishte vrarë sekretarin.
Baron Nopça urrente Ismail Qemalin; ishte mik i Faik Konicës; kandidoi per fronin e Shqipërise, por hoqi dorë kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) njohu një Shqipëri të cunguar.
Franc Nopça la pas rreth 180 punime e vepra shkencore, dhe gati1/3 e tyre kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën, etnografinë dhe gjeografinë shqiptare. Pas vdekjes ato u bënë pjesë e trashëgimise se albanologut Norbert Jokli, ndërsa sot ndoshta vazhdojne te mbeten mbuluar nga pluhuri i natyrës dhe harresës diku në arkiva austriake a gjermane, te papërkthyera e të pabotuara ne shqip. Thonë se “Institutet Albanologjike merren kryesisht me gjuhësi dhe se etnografia dhe gjeografia nuk eshtë sferë e veprimtarisë së tyre”.

b.gif
 
Top