Re: Albert Minga - i paharruar!
Lajmi i kobshëm erdhi nga përtej oqeanit. Arben Minga, futbollisti i shquar i Tiranës dhe i kombëtares, ky kolos i futbollit shqiptar, në orët e para të së mërkurës së 31 janarit, i ka dhënë lamtumirën e parakohshme jetës së tij, familjes, miqve, shokëve, por edhe atyre mijëra e mijëra sportdashësve, të cilët e kanë brohoritur për vite e vite në fushat e blerta të futbollit...
Jeta e njeriut, çuditërisht, përngjan me qiriun. Dihet vetëm se kur ndizet, pra ditëlindja, e cila mbahet mend dhe festohet vit pas viti, apo në përvjetorë të ndryshëm. Me kalimin e kohës, flaka e qiriut, herë plot shkëlqim dhe herë e zbehtë, me nuanca ngjyrash krejt individuale, dalëngadalë vjen e venitet e venitet, derisa shuhet fare... Këtë fund të pashmangshëm, edhe pse jemi në mijëvjeçarin e tretë të njerëzimit, askush nuk e di se kur do t'i ndodhë. Dikush, këtë ndarje nga jeta, nga shoqëria, e ka më të parakohshme dhe më të papritur, çka e bën dhimbjen edhe më të madhe...
Në një gjendje të rëndë shëndetësore, çastet e këtij fundi të parakohshëm ka përjetuar në këto ditë në qytetin e vogël të Uindsorit në Kanadanë e largët edhe një prej figurave më të mëdha të futbollit shqiptar, kolosi Arben Minga, për aftësitë dhe bëmat e të cilit sot këndohet, duke e veshur figurën e tij me madhështinë dhe ndriçimin e një legjende të ekipit të Tiranës.
Edhe pse miqtë dhe shokët e tij e dinin se Beni i tyre prej gati dy vitesh po përleshej ashpër me sëmundjen e rëndë, përsëri rrinin me veshët ngritur, me shpresën dhe besimin për të mësuar se ai, me fizikun e fuqishëm, me karakterin e tij të paepur, do t'ia arrinte ta mposhtte dhe ta vinte përfund të keqen e pashërueshme. Por ja që nuk ishte thënë. Jeta nuk e përjashtoi dhe nuk e fali nga rregulli i saj universal edhe Arbenin tonë, i cili edhe pse ende nuk i ka mbushur të 48 vitet, i dha lamtumirën e parakohshme jetës së tij, bashkëshortes, basketbollistes së shquar Nora Goxhi, dy djemve, Gridit 15‑vjeçar dhe Jornit 5 vjeç, nënës dhe motrave në Tiranë, të dashurve të tjerë të farefisit dhe miqve, që iu gjendën gjithnjë pranë fizikisht dhe moralisht.
Për njerëzit që i njeh mirë, duket sikur e ke më të lehtë të shkruash, por nuk është kështu. Ngjarjet e shumta, kujtimet, të ngatërrohen njëra me tjetrën dhe befas nuk di kë të përzgjedhësh më parë për të treguar. Ta nisim me atë gol fantastik e të shkëlqyer ndaj Belgjikës, që edhe pse është kthyer në një emblemë për futbollin shqiptar? Sërish na duket fare pak për ta identifikuar vetëm me të këtë futbollist të madh. Ta nis me lojërat ndaj Spanjës së Butragenjos apo Polonisë së Bonjekut? Përsëri na duket e pamjaftueshme për këtë lojtar, i cili ka veshur në 28 ndeshje fanellën kuqezi, madje ka arritur të mbajë në krah edhe shiritin e kapitenit të kombëtares. Të tregojmë për ato lojëra aq të bukura dhe dinjitoze ndaj Dinamos së Bukureshtit, Goteborgut apo Bajernit të Mynihut? Të rrëfejmë për gëzimin e pamatë të djaloshit të ri Minga, kur varte për herë të parë në qafë medaljen e kampionit të Shqipërisë në vitin 1982? Nuk na duket e mjaftueshme, pasi ai do ta përsëriste këtë rit edhe 5 herë të tjera në vitet pasardhës, ku secili prej tyre mbart mbresa dhe emocione të veçanta nga njëri‑tjetri, për Benin dhe shokët e tij të ekipit...
Si të gjithë fëmijët, edhe Arbenin, i lindur në Tiranë në një familje me origjinë korçare, e rrëmbeu pasioni për sportin që në moshë fare të re. Por ndryshe nga mjaft moshatarë, edhe pse ishte shumë shtatlartë, ai për çudi zgjodhi futbollin, si sportin e tij të zemrës. Mësimet e para të futbollit i mori në klasat sportive të shkollës "Alqi Kondi" nga mësuesi Robert Roshi. Pas katër vitesh kaloi menjëherë me ekipin e të rinjve të Tiranës, për të rënë në duart e Fatmir Frashërit. Ky i fundit, i njohur për idetë dhe simpatinë ndaj futbollit anglez, duke parë aftësitë, cilësitë dhe karakterin e Mingës, "ia mori shpirtin" me stërvitje djaloshit të ri. Mirëpo që të dy kishin rënë në "dashuri" me njëri‑tjetrin. Fjala dhe këshillat e Frashërit ishin ligj për Benin, i cili po hidhte hapat e parë në futbollin e vërtetë. Talenti i këtij të riu shtatlartë nuk kishte se si të mos vihej re. Me rekomandimin e Frashërit, trajner i asaj kohe i 17 Nëntorit, siç quhej në ato vite Tirana, Zyber Konçi, e afron Mingën pranë ekipit të të rriturve, si një ndër të rinjtë me perspektivë, për të përfituar privilegjet e rastit. "Në vitin 1977, kur kam shkuar te Tirana, ‑ kujton mesfushori Sulejman Mema, një bashkëlojtar dhe më pas edhe trajner i personazhit tonë, ‑ e kam gjetur Mingën në ekipin e të rriturve. Madje ai kishte nisur të luante herë pas here si zëvendësues. Edhe pse ishte fare i ri, vetëm 18 vjeç, me thënë të drejtën, ai më habiste me lojën e tij. Sulmues aq shtatlartë nuk kishte në futbollin shqiptar, por ajo të linte më tepër përshtypje, ishte lufta sportive që bënte ai djalosh i ri. Vraponte gjatë gjithë kohës dhe nuk i hapte rrugë askujt. Nuk i bënte syri dritë dhe nuk impresionohej, edhe pse luante kundër emrave të shquar të Tiranës në ato vite, si Dhalesi me shokë. Gati, gati, të gjithë kishin frikë të dyluftonin dhe përplaseshin me të," ‑ të thotë Mema.
Fati e deshi, që pas Konçit, trajner i ekipit të të rriturve të Tiranës të caktohej Fatmir Frashëri. "Çifti" Frashëri‑Minga u bashkua sërish, për të vazhduar një punë të nisur që në ekipin e të rinjve. Kritikat, qoftë shoqërore, por edhe të shtypit sportiv të kohës, pse Frashëri aktivizonte një sulmues të tillë shtatlartë si Minga, ishin të shumta. Por ato binin në vesh të shurdhër, Frashëri me kokëfortësi vazhdonte të tijën. Por edhe Minga, ashtu me ngadalë, nisi ta justifikojë besimin e trajnerit dhe të fitonte simpatinë e sportdashësve. "Arbeni ishte shembulli i një sportisti të vërtetë, serioz dhe shumë punëtor. Nga goja e tij kurrë nuk kam dëgjuar të thotë "u lodha". Ai ishte i pari në çdo ushtrim dhe mjaft i sakrificës në lojë për ekipin dhe shokët. Mbi të gjitha, do të thosha se Beni ishte edhe një njeri i mirë, mjaft i respektueshëm dhe mirënjohës, cilësi këto, që rrallë i gjen të gjitha të mbledhura së bashku tek njerëzit. E kam takuar kohët e fundit kur erdhi në Shqipëri. Më erdhi keq që ishte pak i dobësuar, por për mua pak rëndësi kishte, unë mbaj mend Mingën 20‑vjeçar, të fortë dhe të fuqishëm", ‑ kujton me zë të dredhur, pa e fshehur keqardhjen për të, ish‑trajneri Fatmir Frashëri.
Ndërkaq, në fundin e viteve '70 dhe fillimin e viteve '80, te Tirana, njëri pas tjetrit vjen një grup futbollistësh të rinj dhe të talentuar. Po përgatitej një tjetër "revolucion" bardheblu pas atij të viteve '60‑'70. Një prej tyre do të ishte edhe i riu Minga. Ai do të rrethohej dhe mbështetej në lojën e tij fuqishme nga Mema, Muça, Kola, Baçi, Naçi, Bimo, Liti, Hodja, pa i përmendur të gjithë, të cilët, së bashku do të formonin një ansambël të shkëlqyer, që do të bënte "ligjin" në futbollin shqiptar. Asokohe, për shkaqe shëndetësore, do të largohej nga Tirana trajneri Frashëri dhe në vend të tij do të rikthehej Enver Shehu. Nën drejtimin e tij, Minga do të kishte kulmin e karrierës së tij, do të shpërthente. Do të fitonte titullin e parë të kampionit më 1982, ndërkohë që dy vite më parë, trajneri Konçi do ta thërriste në ekipin kombëtar për t'i besuar fanellën kuqezi në një ndeshje ndaj Finlandës. Këto suksese, në vazhdim do ta pasuronin më tej biografinë sportive të këtij futbollisti. Gjoksi i djaloshit të fuqishëm, vit pas viti do të stolisej nga medaljet e shumta të trofeve të fituara. Tirana, apo 17 Nëntori i atyre viteve, gati‑gati do të identifikohej me sulmuesin shtatlartë Minga, të cilin kundërshtarët e kishin thuajse të pamundur ta përballonin. Ata që kanë arritur ta shikojnë Arbenin në fushat e blerta, besojmë se e kujtojnë se sa e vështirë ka qenë për mbrojtësit e ekipeve rivale t'ia shkëpusnin topin nga këmbët këtij gjiganti. Për t'u përplasur me të as që bëhej fjalë, mjerë ai futbollist që i hynte kësaj aventure, pasi në çdo rast do të dilte i humbur, në mos i dëmtuar. Madje nuk do të gabojmë aspak, nëse do të shprehemi se Minga me lojën e tij do të ishte sulmuesi modern i avancuar i kohëve të sotme. Ai ishte pararendësi, shembulli më i mirë në futbollin shqiptar, për vlerat dhe domosdoshmërinë e sulmuesve shtatlartë në ekipet tona.
Por vlerat dhe bëmat e Arben Mingës i kishin kapërcyer edhe kufijtë e Shqipërisë, qoftë në radhët e kombëtares, por edhe me Tiranën, në ndeshjet për kupat e Europës. Rumunëve të Dinamos së Bukureshtit u kishte mbetur gozhdë dhe nuk e harronin kollaj eliminimin nga Tirana për Kupën e Kampioneve. Loja aq produktive e sulmuesit shtatlartë bardheblu atyre u kishte mbetur në mendje. Në vitin 1991 ata kërkojnë dhe ia arrijnë ta bëjnë të tyrin Mingën. Por sulmuesi shtatlartë nuk arrin të përshtatet me lojën e Dinamos, drejtuesit e të cilit mendojnë ta huazojnë në ekipin e Brashovës. Aty ai gjen edhe dy bashkatdhetarë, Bozhiqin dhe Canajn, duke formuar kështu "koloninë" shqiptare të Brashovës. Minga luan edhe dy sezone të tjerë në Rumani me ekipe të tjera të këtij vendi. Befas e kupton se mosha bën të vetën dhe në prag ishte koha për t'i thënë "Mjaft" futbollit. Vendos që të kthehet në atdhe, pranë ekipit të tij të zemrës, Tiranës, që e rriti dhe e burrëroi. Rikthehet te bardheblutë dhe trajner gjen shokun e tij, Sulejman Memën. Shumë prej bashkëlojtarëve të tij i kishin thënë me kohë lamtumirë futbollit. Por Arbeni ishte profesionist, kishte përvojë dhe forcat fizike nuk do t'i mungonin për të përballuar fushën e blertë. Do të luante edhe dy sezone, do të fitonte dy tituj kampioni, për t'i dhënë fund karrierës së tij të pasur sportive, me triumfin e kampionatit të 57‑të kombëtar të futbollit...
Tani, si të gjithë njerëzit, Arben Minga do t'i kushtohej jetës së përditshme, profesionit të tij të merceologut dhe jetës familjare. Aty, te Tirana, disa vite më parë, ai ishte njohur dhe kishte lidhur jetën bashkëshortore me basketbollisten e njohur Nora Goxhi, e cila i kishte dhuruar edhe një djalë, Gridin, që tani do ta ndiente më tëpër ngrohtësinë të atit, që do të kishte më tepër kohë për t'u marrë me të. Për disa vite punoi pranë pikës doganore të Rinasit, çka u kthye edhe si një pikë takimi për shokët e tij, futbollistët, që lëviznin nga njeri vend në tjetrin. Por fati e solli që pikërisht pas një dekade, familja Minga të emigronte përsëri. Në kërkim të një jete më të mirë, Arbeni, së bashku me Norën dhe Gridin, ashtu si edhe mjaft bashkatdhetarë të tij, iu drejtuan Kanadasë së largët. U vendos në qytetin e Uindsorit, fare pranë Detroitit, ku lulëzon industria e prodhimit të makinave. Kuptohet, si kudo, fillimi ishte i vështirë, por Beni arriti të akomodohet mjaft shpejt me Kanadanë, jetën e emigrantit, edhe për faktin se atje gjeti një komunitet shqiptarësh prej afro 3000 vetash, shumë prej të cilëve e njihnin këtë futbollist të shquar. Atje lindi edhe Jordi, djali i dytë i tij. Por nuk ishte thënë që kjo lumturi, kjo jetë familjare të vazhdonte gjatë. Para dy vitesh, sëmundja e rëndë i pushtoi shtatin edhe këtij kolosi. As bisturia e kirurgëve, as fjala e fundit e teknologjisë mjekësore, nuk arriti t'ia shkulte të keqen këtij njeriu kaq të paepur, të qeshur dhe miqësor.
Në orët e para të agimit të së mërkurës së 31 janarit, zemra e Arben Mingës, e këtij mjeshtri të futbollit shqiptar, pushoi së rrahuri... Tiranës, futbollit tonë kombëtar, tani do t'i mungojë në apel edhe një legjendë, Arben Minga...
"Pasaporta" sportive e Arben Mingës
Emri: Arben
Mbiemri: Minga
Datëlindja: 13.3.1959
Vendlindja: Tiranë
Shtatlartësia: 1.88 m
Debutimi si titullar: 17 Nëntori‑Shkëndija 3‑0 (20.11.77)
Goli i parë: 17 Nëntori‑Luftëtari 3‑1 (2.4.77)
Goli i fundit: 17 Nëntori‑Partizani 2‑0 (24.2.96)
Ndeshje me kombëtaren e Shqipërisë: 28, 2 gola
Tituj të fituar
Kampion i Shqipërisë: 6 herë ('82, '85, '88, '89, '95, 96')
Fitues i Kupës së Shqipërisë: 5 herë ('77, '83, '84, '86, '96)
Golashënuesi më i mirë i Shqipërisë: Në sezonin '84‑'85 (me 13 gola) së bashku me Faslli Fakjen e Vllaznisë.
Karriera sportive në vite
SezoneSkuadraNd.Gola.
1977‑7817 Nëntori91
1978‑7917 Nëntori153
1979‑8017 Nëntori121
1980‑8117 Nëntori193
1981‑8217 Nëntori133
1992‑8317 nëntori163
1983‑8417 nëntori218
1984‑8517 Nëntori2313
1985‑8617 Nëntori2616
1986‑8717 Nëntori2311
1987‑8817 Nëntori2616
1988‑8917 Nëntori329
1990‑9017 Nëntori286
1990‑9117 Nëntori383
1991‑92Aktivizohet me FC Brashov (Rumani)
1992‑93Aktivizohet me Dacia Unirea Braila (Rumani)
1993‑94Aktivizohet me Dacia Unirea Braila (Rumani)
1994‑95Tirana242
1995‑96Tirana310
ky ishte i paharuarai Arben Minga