ARBËR NË BOSNJEN MESJETARE

Hank

Valoris scriptorum
Te studimi i Stavro Skendit për Eposin, ndesha në një citat nga historiani Milan Šufflay, i cili flet për fisin Burmazi, një komunitet barinjsh në Hercegovinë në shekullin XIV, me prejardhje arbërore (në atë kohë ende nuk kishin dalë në skenë të historisë “shqiptarët” si të tillë, me këtë emër). Ndoshta në të ardhmen do të dalin të dhëna më të plota, për arbrit në Bosnjë dhe Hercegovinë; si komunitete sedentare dhe si komunitete shtegtare barinjsh. Të mos harrojmë edhe që shumë fise malësore të Veriut besojnë, sot e kësaj dite, se kanë zbritur nga Bosnja, dikur në Mesjetë; këtë e dëshmojnë edhe Nopcsa edhe Durham-i; sikurse e dëshmon gjeografia e vështirë e vendbanimeve të tyre të sotme, e cila është e tillë që mund të zgjidhet vetëm nga halli, ose në ikje e sipër nga një e keqe e madhe.
Nga ana tjetër, vetë fjala Dalmaci, si emër gjeografik dhe si truall në Ballkan, vjen me një bagazh historik dhe demografik të jashtëzakonshëm. Krahina e mori emrin nga një fis ilir, por më pas u romanizua. Disa qytete bregdetare e ruajtën elementin roman deri vonë, në kohën e re; sikurse ruajtën lidhjet me katolicizmin dhe me Venedikun, që i mbronte politikisht dhe i sundonte. Vetë Raguza, që në shekujt që na interesojnë ishte formalisht nën sovranitetin më parë venedikas dhe pastaj hungarez, kishte një popullsi të përzier, me italianë, venecianë, latinë vendas (romanë dalmatë), sllavë, arbër, grekë, bizantinë, vllehë (morllakë), hungarezë dhe hebrenj gjithfarësh.
Sot ne Dalmacinë e lidhim me sllavët, dhe pikërisht me kroatët; por në Mesjetë gjendja ka qenë më e ndërlikuar. Në qytetet dhe qytezat përgjatë bregut të Adriatikut dhe në ishujt flitej dalmatishtja, një gjuhë neolatine motër e rumanishtes, dhe më tej e gjuhëve romane perëndimore (që nuk duhet ngatërruar me ilirishten e dalmatëve ilirë); por që u zhduk si gjuhë në fund të shekullit XIX (folësi i saj i fundit jetonte diku afër Istria-s). Dalmatishtja thonë që flitej edhe nga latinët në Shkodër dhe në Drisht, ata që kanë hartuar statutet e famshme; që megjithatë nuk janë të shkruara në dalmatishte (edhe pse ndonjë gjurmë e kësaj gjuhe ka mbetur në shqipe, së paku sipas Joklit).
Nga Dalmacia, dhe pikërisht nga brendatoka e Raguzës, vjen, ndërkohë, dëshmia e parë për ekzistencën e gjuhës shqipe; e famshmja “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca”; ka shumë gjasë që të ketë pasur aty arbër, sedentarë dhe shtegtarë, të cilët bashkëjetonin me sllavët, latinët e bregut (dalmatët) dhe vllehët ose arumunët (latinët e brendatokës), që shpesh lëviznin së bashku me arbrit. Në fakt, brendatoka e Dalmacisë me siguri ruan ende sekrete për albanologjinë; dhe kushedi diçka do të ketë mbetur pa u shfletuar mirë në arkivat e Raguzës dhe të Vatikanit. Gjithsesi, sikurse para shekullit XI kur u shfaqën për herë të parë në kronikat mesjetare të Bizantit, arbrit e Dalmacisë dhe të Hercegovinës do të kenë qenë të padukshëm; pse ndryshe nga të tjerët, nuk kanë shkuar aty nëpërmjet dyndjesh masive, dramatike; as me ushtri dhe priftërinj; por me lëvizje kapilare, pothuajse të fshehta; madje mund edhe të mos kenë shkuar duke u zhvendosur ose shtegtuar, por të kenë qenë aty praktikisht që në lashtësi ose para dyndjeve sllave, duke mbijetuar pastaj nëpërmjet shtegtimeve nga kullota në kullotë, nëpër Ballkan, sikurse edhe arbrit e tjerë gjetiu më në Jug.
Nga defteret osmane të fundshekullit XV, dimë, për shembull, se Hercegovina lindore e atyre viteve, si pasojë e luftrave paraprirëse, ishte praktikisht e zbrazur nga popullsia; dhe se në këto toka të braktisura filluan të nguliten popullsi të fesë ortodokse, të identifikueshme si vllehë. Më pas, ishin po këta “vllehë” që u vendosën edhe në Bosnje, përfshi këtu edhe Bosnjen veriperëndimore; në një kohë që katolikët e Bosnjes po largoheshin, në masë, drejt territoreve të kontrolluara prej Habsburgëve.
Noel Malcolm, nga i cili i kam nxjerrë këto të dhëna (Bosnia, A Short History, Pan MacMillan 2002, f. 70-81), shpjegon se osmanët kurrsesi nuk do të lejonin që të mbeteshin të shpopulluara zona të tilla kufitare me rëndësi strategjike, prandaj sollën të tjerë vllehë nga gjetiu në Ballkan dhe i ndihmuan të vendosen në këto toka. Shembulli nuk ka ndonjë pertinencë direkte ndaj fatit të arbërve hipotetikë të këtyre zonave, edhe pse së bashku me vllehët do të ketë pasur pa tjetër edhe arbër si gjithmonë në rrethana të tilla, sikurse do të ketë pasur arbër edhe ndërmjet katolikëve që u larguan për t’i shpëtuar turkut, disa drejt trojeve të Habsburgëve, të tjerë drejt Jugut; por e dhëna ndihmon për të kuptuar se çfarë tërmetesh demografike po ndodhnin, gjatë shekujve XV dhe XVI, pikërisht në atë zonë së cilës i referohet eposi i sotëm shqiptar. Incidentalisht, vllehët i gjen të përmendur edhe në Epos, në këngën Lule Frangu (më shumë informacion këtu). Malcolm thotë edhe se, në bazë të dëshmive gjuhësore, atdheu i vllehëve të Bosnjes do kërkuar diku në Shqipërinë e sotme të Veriut; ironikisht shumë nga këta vllehë të vendosur në Bosnje, të cilët ishin në thelb ilirë të romanizuar, përfunduan të shndërruar në serbët e sotëm të Bosnjes…
Malcolm rrëfen se në 1530-ën, një zyrtar habsburgas me emrin Benedikt Kuripesic vizitoi Bosnjen dhe raportoi që kishte gjetur aty tre popuj: turqit që sundonin me tirani të madhe mbi të krishterët, boshnjakët e vjetër të fesë katolike, dhe serbët – “që e quajnë veten vllehë”. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe tre shekuj më vonë, gjithnjë sipas Malcolm-it, boshnjakët vazhdonin t’i quanin vllehë të krishterët e fesë ortodokse. Mund të pyetet se pse nuk ka raportuar Kuripesici për “arbër”, nëse ka pasur ende të tillë të shpërndarë nëpër Bosnje. Kësaj pyetjeje nuk i përgjigjemi dot; ndoshta arbër atje nuk ka pasur, ndoshta arbërit kishin zbritur ndërkohë drejt Jugut, për t’u shpëtuar përndjekjeve si katolikë që ishin dhe për t’u vendosur atje ku janë edhe sot; ndoshta edhe arbërit e djeshëm ishin konvertuar në Islam, për të sunduar më lehtë mbi popullsinë përreth. Ky përdorim oportunistik i Islamit, nga heronjtë e eposit shqip, është vënë në dukje nga më shumë se një studiues; dhe këtu ndoshta është vendi të shtojmë se, në Epos, të mirët (heronjtë, kreshnikët, etj.) quhen rregullisht “turq”, çka duhet marrë si një lloj emërtimi në bazë të fesë (në kuptimin turq vs. kaurë).
Për t’u kthyer tani te dëshmia e Šufflay-t e përmendur më lart, ky emrin e fisit enigmatik Burmazi në Hercegovinë e shpjegon me shqipen burrë + madhi; sot e kësaj dite ka një fis Burnazi në Pogradec, të krishterë ortodoksë me prejardhje nga fshati Rrëmenj, në mos gabohem; tundimi për ta parë këtë mbiemër si të vjetër, deri edhe mesjetar, është i fortë; edhe pse lidhja me Burmazët e Hercegovinës nuk është se garantohet gjë, madje edhe sikur të konfirmohet etimologjia. Por albanologjia ka nevojë për ta shqyrtuar këtë mundësi – që demografia e malësisë së sotme shqiptare të jetë rezultat i një infiltrimi të ngadalshëm nga Veriu; dhe pikërisht nga Bosnja, Hercegovina dhe Dalmacia, i popullsive arbërore, të cilat sollën me vete edhe Eposin.
Ja edhe disa dëshmi të mëtejshme dhe me vlerë për këtë hipotezë, që sjell At Zef Pllumi:

Në rininë time kam folë me shumë pleq të Malsisë së Madhe. Të gjithë pa përjashtim, më kanë thanë se kishin ardhë nga Bosnja. Tradita ka, ndoshta, ma vlerë se nji dokument arkival. Simbas traditës, Lekët e Malsisë së Madhe banojshin në Klladushë, Jutbinë e Krahinë (Krajna), tri qendra shqiptare, tre ishuj të mbetun mbrenda nji territori tashma të banuem prej sllavëve. Ishin të gjithë çobanë delesh.
[...]
Në historinë kishtare të Shqipnisë kemi edhe nji tjatër të dhanë të çuditshme që na e përforcon ndodhjen e grupeve shqiptare nalt mbi Raguzë, ndërmjet saj, Splitit e Zarës, pra shi ku ndodhen Klladusha, Jutbina e Krajna (krahina që përmënden në Rapsoditë Legjendare). Në vitin 1455 Imzot Pal Engjëlli, Ipeshkëv i Drishtit, emisari ma i randësishëm i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skandërbeut, emnohet Ipeshkëv i Krajnas. Vetë historiani, që e sjell këtë fakt, Farlati, mbetet i çuditun sepse mendonte për Krajën afër Shkodrës, e cila po aty ngjitun kishte Arqipeshkëvinë e Tivarit, Primat i Shqipnisë dhe i Serbisë, si dhe dy dioqeza të tjera, Ulqinin dhe Shasin. Megjithkëtë përkufizimet e nxjerruna nga dokumentat e Vatikanit e përcaktonin Arqipeshkëvinë e Krajnës të kufizueme me Raguzën, Splitin e Zarën, atje ku ndodhej dioqeza. Pra asht e kjartë se Imzot Pal Engjëlli, nji ndër njerëzit ma të shquem të asaj kohe, ish transferue te shqiptarët që banojshin jashtë territorit shqiptar si arqipeshkëv i tyne dhe me detyrën e Internuncit Apostolik, tue mbajtë titullin arqipeshkëv i Krajës dhe ipeshkëv i Drishtit. Kështu na e sjell Farlati, se me këtë detyrë të re u emnue nga Papa Nikolla V në vitin 1455 dhe e mbajti këtë titull derisa vdiq.​
Përndryshe, teza që Eposi shqiptar të jetë thjesht përkthim i Eposit boshnjak është tepër foshnjore, për t’u besuar; një popull nuk këndon eposin e një populli tjetër; deri edhe serbët dhe boshnjakët, që janë tek e fundit të një gjaku, kanë eposet e tyre të veçanta dhe heronjtë e tyre të ndryshëm. Në këtë kuptim, fakti që ngjarjet e përshkruara në eposin shqiptar ndodhin në një zonë diku në Veri të Shqipërisë së sotme, e cila ka qenë në kontakt me sllavët, dalmatët dhe hungarezët (maxharrët), duhet marrë jo aq dhe doemos si provë e natyrës derivative të eposit shqiptar, sesa e mundësisë që paraardhësit e bartësve të sotëm të eposit shqip të kenë zbritur njëfarësoj nga Bosnja dhe nga Kroacia, së bashku me Eposin, dikur midis shekujve XIV-XVI. Dhe nëse albanologjia e shqyrton këtë hipotezë seriozisht, ndonjë gjurmë e tërthortë e kësaj lëvizjeje demografike të rëndësishme mund të gjendet edhe në Eposin vetë.
Ardian Vehbiu
 

INIT

Forumium maestatis
Shume teori e pranushme, duke patur parasyshe qe te gjitha ato territore ku jane te vendosur popujt ish jugosllav kan qe te banuar nga iliret por me ardhjen e sllave, ajo popullsi ilire autoktone u detyruan te asimiloheshin me ta ose te tkurreshin ne territoret qe jetohen akoma nga shqiptaret.
Per sa i perket kerkimeve albanologjike, jemi shume te vonuar, biles dhe shume te pamundur (Po na bejne grek e turq dhe sllav ne kohet moderne )
Po te shkosh ne Maqedoni, dhe te kerkosh nje shqiptare ortodoks sdo gjesh as edhe nje, te gjith i thone vetes maqedon, pohojn qe jan sllav.
Kure dime shume mire qe ne manastiri ku u mbajt kongresi per alfabetin shqip kishte shume familje paterjotike ortodokse shqiptare si ajo Qirjazi etj.
Fatkeqsisht keshtu esht ..... !!! :furious:
 
Top