Re: "Anti Trust"-sigurimet
Prej disa muajsh, nga 7 kompanitë e sigurimit është krijuar një trust në sigurimin e automjeteve
Sigurimet, 7 kompanitë diktojnë çmimet në treg
Qytetarët detyrohet të paguajnë çmim fiks, pa mundur të zgjedhin kompaninë që dëshirojnë
Eltion Hoxha
TIRANË- Rruga e famshme e pranë ish-kolaudimit të automjeteve pranë shkollës “Vasil Shanto” në kryeqytet, thuajse është zbrazur. Pothuajse të gjitha kompanitë e sigurimeve kanë mbyllur dyert dhe xhamat, pothuajse i ka mbuluar pluhuri i rrugës. Prej muajsh në këto kompani nuk mund të sigurosh automjetin. Në rrugë mungojnë agjentët sigurues që të kapnin nga krahu, ata janë zëvendësuar me një kompjuter, i cili përzgjedh kompaninë tek e cila do të sigurohesh. Të gjithë ata që posedojnë një automjet duhet vetëm të paguajnë tarifën vjetore, e cila është pak më e lartë se ajo e miratuar me udhëzim të vetë ministrit të Financave. Prej pak muajsh të gjitha kompanitë e sigurimit, përjashtuar kompaninë shtetërore “Insig”, shesin policat e sigurimit të detyrueshëm nëpërmjet shoqërisë ASA, e cila është e lidhur on-line me shoqëritë e sigurimeve dhe Autoritetin Mbikëqyrës të Sigurimeve, siç është urdhëruar në vendimin e qeverisë. Shtatë kompanitë e sigurimeve aplikojnë të njëjtat tarifa për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike, për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, (TPL) për të gjitha llojet e automjeteve, duke eliminuar kështu konkurrencën me çmimet në tregun e sigurimeve të detyrueshme dhe duke krijuar një trust.
Tregu
Megjithëse fiksimi i çmimit të një produkti apo shërbimi ndalohet nga ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës”, ai aplikohet në tregun e sigurimit të detyrueshëm për mjetet motorike. Ndërkohë, kompanitë e sigurimit i ndajnë të ardhurat e tyre në bazë të përqindjes që zënë në treg. Specialistët e konsiderojnë si shtrembërim këtë fakt, pasi me shitjen në grup të këtyre policave është e pamundur të identifikosh se cilat kompani rriten apo lëshojnë terren. Tregu i sigurimeve është ndodhur në një kaos të vërtetë deri para shitjes së policave me një çmim të vetëm. Agjentët e sigurimeve në të shkuarën e shisnin policën deri me 5 mijë lekë, vetëm për të zgjeruar tregun. Kjo bënte që shumë kompani të mos përballonin dot pagimin e dëmeve për klientët e tyre. Situata e krijuar është shoqëruar me kritika të ashpra edhe nga vetë përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët shpreheshin se në këtë treg pastroheshin para. Megjithëse shitja e policave tashmë është plotësisht e kontrolluar dhe jo nën çmimet dysheme të përcaktuara nga ministri i Financave, fiksimi i tyre bie ndesh me legjislacionin në fuqi. Përfaqësues të Autoritetit të Konkurrencës kanë lëshuar herë pas here kritika dhe e kanë konsideruar si të paliberalizuar tregun e sigurimeve, për sa kohë çmimet vendosen me udhëzime të ministrit të Financave. Ndërkohë, përfaqësues të kompanive të sigurimit, të cilët kërkojnë të mos identifikohen, shprehen se konkurrenca mes tyre është përqendruar tashmë vetëm te cilësia e shërbimeve. Ata thonë se i duhej dhënë fund metodës së shitjes së TPL-ve nën tarifat e miratuara nga ministri. “Të ardhurat e grumbulluara u japin mundësinë kompanive të jenë më të afta për të përballuar dëmet e shkaktuara nga klientët e tyre”, shprehen për gazetën të njëjtat burime. Sipas tyre, vendosja e çmimeve nga qeveria aplikohet edhe në shumë vende të Evropës. E njëjta situatë ka ndodhur në të shkuarën me policat kufitare. Në prill të vitit të shkuar tetë kompanitë e sigurimit ranë dakord të vendosnin një çmim fiks për policën e sigurimit kufitar për dëmin e shkaktuar palëve të treta dhe vendosën vetëm një zyrë të vetme, e cila do të shiste ato nën një logo të vetme. Autoriteti i Konkurrencës kërkoi nga Ministria e Financës shfuqizimin e këtij vendimi, i cili kishte marrë edhe miratimin e saj.
Autoriteti i Konkurrencës: Në tregun e sigurimeve ka shtrembërime
TIRANË- Autoriteti i Konkurrencës, pas studimit që i bëri tregut të sigurimeve në fund të vitit të shkuar, identifikoi se në këtë treg ka shtrembërime. Ai e konsideroi vendimin e marrë nga tetë shoqëritë e sigurimit në prill të vitit 2005, shoqërive të sigurimit për shitjen e policës kufitare nën një logo të vetme në kundërshtim me ligjin “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”. Autoriteti i rekomandoi Byrosë Shqiptare të Sigurimeve ndërprerjen e marrëveshjes mbi Pool-in e Sigurimit Kufitar të Përgjegjësive ndaj palëve të treta të mbajtësve të mjeteve motorike”, pasi edhe kjo binte ndesh me ligjin “Për mbrojtjen e Konkurrencës”. Madje i rekomandoi edhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, që në urdhrin e majit të vitit 2005, “Mbi shitjen dhe administrimin e policave të sigurimit kufitar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit”, të shfuqizojë pikat që lidhen me prodhimin, shitjen dhe administrimin e tyre. Gjithashtu autoriteti kërkoi edhe shfuqizimin e pikës, cila parashikonte mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave, pasi sipas tyre binte në kundërshtim me ligjin. Autoriteti i Konkurrencës kërkoi që polica e sigurimit të shtypet me logon e çdo kompanie dhe të gjitha ta ofrojnë këtë shërbim nëpërmjet agjentëve të licencuar për këtë veprimtari. Ndërkohë që autoriteti nuk ka reaguar për vendimin e fundit të kompanive të sigurimit për shitjen me një çmim të vetëm të policave të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike, për përgjegjësinë ndaj palëve të treta (TPL).
“Përcaktimi i çmimeve nga qeveria, pasoja për konkurrencën”
TIRANË- Tregu i sigurimeve nuk është plotësisht i liberalizuar, pasi shteti ruan ende kontrollin mbi çmimet, por vetëm për sigurimin e detyrueshëm motorik, sikurse është edhe përgjegjësia ndaj palëve të treta (TPL) për përdoruesit e mjeteve motorike. Nga aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, në këtë fushë të ekonomisë i jepet e drejta ministrit të Financave të vendosë tarifën e primit të rrezikut për çdo kategori mjetesh motorike. Kësaj vlere i shtohen shpenzimet administrative dhe TVSH-ja dhe vlera (çmimi përfundimtar) mbikëqyret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Sigurimeve. Për sa i takon shërbimit të policës së sigurimit, ai është i përqendruar në Juridiksionin e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve dhe përcaktimi i tyre me urdhër të Ministrit të Financave mund të konsiderohet si një ndërhyrje me pasoja kufizuese për konkurrencën.
06/09/2006
KATEGORIA: Ekonomi
www.shekulli.com.al