Amaneti ose bukuria e panjohur e Ali Bukurise

alinos

Forumium maestatis
Amaneti ose bukuria e panjohur e Ali Bukurise

Botuar nga gazeta "55" dhe "Bota sot".


AMANETI OSE BUKURIA E PANJOHUR E ALI BUKURISE



-Në Shqipërinë e sotme Vlerat janë në duar të parave, por paratë nuk janë në duar të Vlerave-



1.

Sa hap faqen e parë ndodhem nën tërheqjen e një fushe magnetike të njohur: Kanga e Ali Bukurisë. E ndiej se, duke e përfshirë në këtë vëllim (“Këngë popullore trimërie nga Tropoja”, mbledhur e përgatitur për botim nga Nuredin Lushaj, Tiranë 2003) autori është shtrënguar pak, pasi më shumë se një këngë trimërie ajo është një legjendë. Por me sa duket mbledhësi i përkushtuar i saj nuk mund të duronte më gjatë pa e parë atë në duart e lexuesve, ndaj e vuri në krye të librit. Rri këtu, i tha, të takon balli.

Skenat hipnotizuese të kësaj poeme, me rrasën e bardhë të varrit që çohet ngadalë nënë hënën e hollë të maleve, me ëngjëllin që shtrihet me e ruejtë varrin deri sa të kthehet banori i tij që nuk dihet për ku niset nëpër atë terrnajë, se varri nuk duhet lënë vetëm, i kam të gjalla prej fëminisë. Po pse pikërisht ëngjëlli u shtri mbi atë dhé të zi e të lagësht, çka kish të shenjtë ringjallja e Ali Bukurisë dhe pse e ka ai këtë mbiemër kaq të zgjedhur?

Plaku i çuditshëm Isuf Bajrami nuk bënte asnjë koment. Kryeulët e me sy gjysmë të mbyllur sikur po lutej, kallëzonte e kallëzonte vargje të pafundme. Kushedi sa thesare të tilla ka marrë me vete ai burrë i përunjët, në udhëtimin e tij të përjetshëm, kam psherëti me vete vite më parë. E jo vetëm ai.

Nuredin Lushaj ia ka vjelë këngën kur ai arkiv i gjallë ishte në pleqërinë e thellë, në një moshë kur mbase nuk mbante mend si më parë: athue është ky varianti vezullues me dritëhije të rënda prej shkëmbi i balladës që dëgjoja dikur?

Zëri i përtejbotshëm i vëllezërve Bajri prej Shípshani, që i dhanë jetë Kangës së Ali Bukurisë duke e kënduar me lahutë në Kalanë e Gjirokastrës më 1988, dukej sikur edhe ai dilte diku prej shpellave të nëntokës, bashkë me kalorësin fluturues që i vinte era dhé.



2.

Eshtë e njëjta temë si te Konstandini e Garentina a Doruntina, e njohur në të gjitha trevat e Shqipërisë, përfshi arbëreshët e Italisë, në degëzime të ndryshme. Ky motiv siç dihet gjindet dhe te grekët e sllavët e Ballkanit. Por Kanga e Ali Bukurisë është e pabotuar kurrë më parë. Dhe trajtimi i fabulës në të bëhet në një vështrim tjetër, tw ndryshëm nga gjithë degëzimet e njohura deri më sot. Për risinë që sjell mund të vlerësohet si një zbulim në llojin e vet.

Përkah forma, është një poemë me rreth katërqind vargje (374), krijuar me stilin e epikës legjendare, me varg të bardhë tetërrokësh, me përthyerjen e herëpashershme të ndonjë dhjetë a dymbëdhjetërrokëshi nëpër të. Ritmi është i ngadaltë, i shtruar, i rëndë, si nëpër një vjeshtë rrafshnalte, ku njëtrajtshmërinë e thyen herë pas here shkreptima e ndonjë reje: skenat me kalorësin e vdekur.



3.

Ndryshe nga ç’jemi mësuar të dëgjojmë, te Kanga e Ali Bukurisë ajo që i zgjon energji mbinjerëzore një trupi të bërë baltë prej motesh nuk është një besë e mirëfilltë, klasike.

Eshtë një Amanet.

Ky është elementi i ri përmbajtësor i poemës.

Gjëma ka ndodhur në familjen Bukuria, nëntë vëllezërit janë paluar nën dhé, motra e martuar në tretdhé pret më kot me ardhë dikush me e marrë në tëpanë.



Po jet çika tuj britë e tuj piskatë

Mue vllaznit ç’m’i ka gjetë?

Plot tri vjet qetash janë bâ

S’asht ardhë kush në tpanë me më marrë!




Një shok i vëllait të saj që i bie rruga asajt me çetë mundohet me e qetësue. I thotë se për shkak të një gjaku vëllezërit e saj janë ngujuar, ndaj s’kanë mundur të vijnë. Vajza megjithatë i le një amanet:



Amanet ta paça lanë

Me m’i thanë Ali Bukurisë

Mos me e lanë kurrqysh pa më marrë në tpanë

Amanetin ty ta paç lanë!




Katër vargje, thelbi i lutjes që bën vajza është vetëm në dy të mesit, por rëndesa është te dy të vargjet e tjera, që në të vërtetë nuk janë veçse i njëjti varg i përsëritur. Kërkesa hapet e mbyllet me të: amanetin ty ta paça lanë!

Në këtë shkallë të zhvillimit të veprimit barra e amanetit nuk peshon mbi vëllain e vdekur. Ajo bie mbi shpatullat e një të treti që hyn rastësisht në ngjarje, mbi supet e një shoku të vëllait që e qiti rruga andej. Tepër e rëndë kjo barrë, nuk mund të mbahet. Duhet lëshuar diku.

I munduar prej ankthit të shkarkimit, njeriu që e merr këtë amanet vihet fill për udhë, ec një muaj rresht pa u ndalur dhe i bie “kah vorret”, gjithnjë me brengën që s’e mban toka: ç’të bëjë me amanetin, që është dhënë për një të gjallë e i gjalli nuk është më, kujt me ia ngarkue?



Amanetit s’po din kah me i dhanë!...



Nëse flasim me gjuhën e medias së sotme, ai ndihet si me pasë në duar një valixhe me ngarkesë bërthamore. Prej saj mund të quhesh i çliruar vetëm duke e dorëzuar në vendin e duhur, sipas të gjitha rregullave.

Në fund të fundit amaneti është për Ali Bukurinë e ai ka një banesë, anipse banesa e tij është në trajtë varri. Ajo është shtëpia e tij e njohur, aty duhet me cokatë.



Ti si je Ali Bukuria

Amanet motra të ka çue

Në tpanë motrën për me e marrë

Amanetin ty ta paça lanë!




Valixhja e tmerrshme shpërthyese, amaneti, lëshohet në vendin e caktuar, përgjegjësia tashma kalon aty dhe burri lehtësohet. Mbush mushkëritë me frymë e shkon.



4.

Pikërisht këtu rinis ngjarja me personazhin që vepron njëherësh në dy botë: në botën e të gjallëve dhe në botën e të vdekurve. Anipse në skenë janë gjithsej dy-tre vetë, jo më shumë, drama është aq marramendëse, sa për zhvillimin e saj nuk mjaftojnë më as dy botët që mendohet se i përkasin njeriut me trupin e shpirtin e tij, kjo botë që jetojmë dhe ajo e përtejme. Duhet të futet në lojë edhe një botë e tretë: bota hyjnore: pesha e amanetit mbërrika deri atje.



Punë e madhe amaneti ish kanë!



Amaneti e trazoka edhe vetë Qiellin. Qielli nis me lëvizë:



Emni i Zotit aty çka po ban

Ia shtjen (shti) shpirtin Ali Bukurisë

Me emën t’Zotit vorri â çelë

Me emën t’Zotit Alia kanka (qenka) çue!




Ndërhyrja e qenieve mitologjike ose e fuqive të mbinatyrshme është e njohur qysh te Epi i Gilgameshit; është faktor te Iliada dhe te Eposi ynë i Kreshnikëve. Veprojnë perënditë e gjysmëperënditë, orët e zanat.

Por në balladën e Ali Bukurisë është diçka tjetër. Këtu ve dorë vetë Zoti!

Prania e Tij nuk është në ndonjë shprehje rutinë, por është e drejtpërdrejtë. Ndërhyn vetë e për çështje të caktuara i ve në lëvizje ëngjëjt.



5.

Me sa kam dijeni është hera e parë që Amaneti shfaqet kështu në një vepër arti, si një institucion, fuqia e të cilit nuk njeh kufi midis jetës e përtejetës, midis qenieve të vdekshme e atyre të pavdekshme, midis njerëzores e hyjnores.

“Amanetin s’e mban toka”, kisha dëgjuar në fëmini. E përfytyroja si një masë të rëndë me të fshehta të pafundme, shpërfillja e së cilës e bën tokën me u dridhë e me u tëhumbë, duke u shndërruar në një zgafellë me shtjella vorbulluese tymi të zi. Por edhe “Amanetin s’e tret dheu”, dëgjoja një herë tjetër. Domethënë edhe po ndërrove jetë pa e përmbushur amanetin, prapë nuk shpëton prej detyrimit ndaj tij. Fantazia fëminore dilte në hapësira të reja kur më kapte veshi: “Amaneti e shterr detin!”. Me fjalë të tjera, nëqoftëse dikush duhet ta kalojë detin pikërisht se ka një amanet për ta kryer, deti shterr sa të kalojë amanetliu. Si mund të shterrë deti për një amanet të dikujt? Për shterrjen e detit flitej vetëm në kallëzimet e thjeshtësuara gojore të librave të shenjtë, që thuhen në degëzime të ndryshme, sipas feve, por gjithnjë me të njëjtin kumt.

Shihet se veprimi dramatik te Kanga e Ali Bukurisë nuk është një trill. Eshtë i lidhur me një filozofi popullore, që shprehet në balladë e në fjalë të urta, e me siguri, në se studiohet më tej, do të dëshmohet edhe në përralla, hiqaja, rrotulla...

Përmbajtja e Amanetit në kodin moral shqiptar e ka sfiduar kuptimin fillestar të fjalës (është me gurrë arabo-turke dhe atje ka kuptimin: zotim, ruajtje, besim). Veshja tingullore është mbushur me përmbajtje origjinale dhe Amaneti është shndërruar në një institucion unik, mbase i pashoq në të gjithë popujt e tjerë të Europës Juglindore, siç është i pashoq edhe institucioni i Besës në llojin e vet.



6.

I çuar dhe i veshur me fuqinë e dikurshme të të gjallit, “me emën të Zotit” Ali Bukuria ngjesh armët, i kërcen gjogut në shpinë dhe gjogu, edhe ai i pajisur me një energji të papërmbajtshme, hidhet “pup” mbi avlli me një “krismë të madhe” bubulluese, thua vrau reja diku.

Zhvillimi i ngjarjes nëpër vijat përgjithësisht të njohura është i mbushur me hollësi artistike.

Te motra prapë nuk mund të sillet ndryshe veçse si një i vdekur.



Unë nuk muj kafen me e marrë

Unë nuk muj kafen me e pi

Sa ka nisë pak dergja me m’u hjekë

Hala s’muj gja me kërkue...




I shtrojnë me fjetë “në shilte e mindere” por trupi i dêjun nuk ia duron teshat, përvidhet prej shtresave të buta e shtrihet në tokë, si në varr. Vetëm ashtu gjen pak prehje. Po prapë nuk mshel sy, “se i dekuni kurrë nuk flen”.



7.

Duke u kthyer me motrën për në shtëpi sipas amanetit që i kishte lënë kjo kalon përskaj “nandë vorreve” e ndalet tek i veti. Skenari i perëndishëm vazhdon. Çelet varri i tij që duhej të ishte bosh, por nuk është bosh: gjatë tërë kësaj kohe paskej qenë banuar. Dikush ngrihet prej aty: është “meleqi”, ëngjëlli. Ka plot dy muaj e një natë, kaq sa zgjati rruga vajtje-ardhje, që në atë varr rri shtrirë ai në vend të Ali Bukurisë. Ia ruan varrin!

Shenjtëria e varrit, domososhmëria që ai kurrë të mos mbetet si një gropë e shpluet e lëshuar prej të zot, del edhe në krijime të tjera.



Del ndoiherë për me lodrue

Bje ndër gurra me u freskue

Kërkoi majet bashkë me zana

Se ty vorrin ta ruen nana

More i miri i nanës-o!




Kështu i drejtohet Ajkuna Omerit të saj në elegjinë e pashoqe “Ajkuna qan Omerin”.

Shenjtëria e varrit, e derës së tij, shprehet edhe në një bé të moçme, të rëndë: “Pasha rrasën e vorrit!”.

Engjëlli i bën me dije Ali Bukurisë se tash e mbrapa ai është i lirë: duke e prurë motrën, amanetin e ka kryer. “Amanetin e kie la!’, i thotë. Me këtë vëllai ndihet plotësisht i lehtësuar: e përmbushi amanetin dhe për këtë nuk ka vetëm një dëshmi njerëzore, por edhe qiellore. Por ëngjëlli është deri në fund ëngjëll: e këshillon me e përcjellë motrën deri në oborr të shtëpisë dhe vetëm atëherë mund të kthehet te vetevetja, te statusi i përjetshëm si jetëndërruar:



Ti n’oborr kie me dredhë

Ti, me ardhë në vorr me hi!




Mbyllet rrasa e varrit dhe ëngjëlli gjithnjë aty: ruan varrin sa të kthehet i zoti i tij, Ali Bukuria.



8.

Ku ndryshon Amaneti prej Besës, a nuk janë shumë të ngjashëm?

Në një farë kuptimi të dy këto institucione janë pamje të njëri-tjetrit, por të vështruara nga pika të ndryshme. Në thelb si mison dhe si peshë të dy kanë detyrimin moral të pakthyeshëm.

Megjithatë nuk janë e njëjta gjë.

Ndryshimi ndërmjet Besës dhe Amanetit, si institucione, nis në strukturë.

Te Besa është një marrëdhënie dypalëshe: në njërën anë ai që e kërkon besën dhe në anën tjetër ai që e jep atë. Dhënësi i besës edhe mund të mos e japë besën, është në dëshirën e tij të japë ose të mos japë besë për çka i kërkohet. Duke e dhënë besën ai bën një zgjedhje të vetën, të lirë. Detyrimi nis më pas: kur e jep besën duhet ta mbajë me çdo çmim, edhe në qoftë i vdekur duhet të ngrihet në emër të saj.

Ndërsa te Amaneti marrëdhënia dypalëshe mund të thuhet se nuk ekziston, njëra palë fillimisht nuk ka kurrfarë roli, është vetëm objekt i një vendimi të palës tjetër. Ai që i le dikujt një amanet ia le atë në mënyrë të njëanshme, pa e pyetur në se ia merr përsipër apo jo. Aktori kryesor, ai që detyrohet me e mbajtë në shpinë amanetin, vihet para faktit të kryer. Por kodi moral është i tillë që kur dikush të thotë “amanet ta paça lanë”, gjithçka është e përfunduar: ti je i detyruar të bësh të pamundurën për ta çuar në vend, qoftë edhe duke lënë peng jetën, madje edhe vdekjen. Shpesh thuhet “me e la amanetin”, siç thuhet për një borxh.

Përse, ndryshe nga detyrimi i Besës, detyrimi i Amanetit bie në mënyrë arbitrare?

Ndodh kështu sepse si rregull amaneti është pjellë e një rrethane tragjike në të cilën ndodhet lënësi i tij. Lënësi i amanetit mund të jetë duke ndërruar jetë ose në një gjendje a skajim ku nuk ka kurrfarë daljeje a shprese tjetër, përveç një amaneti. Në mundësinë e parë që i krijohet ia le amanetin dikujt dhe ky dikush nuk gëzon asnjë të drejtë kundërshtimi. E merr përsipër dhe duhet ta lajë.

Amaneti ravijëzohet kështu si një institucion që ndihmon njeriun e pamundur në një krizë për jetë a vdekje, në një makth tejet tragjik.

Për këtë arsye kodi moral nuk le shteg me iu shmangë, Amaneti merr përmasë hyjnore. Kjo përmasë nuk është një shtresim i mëvonshëm, siç ndodh në balladat a në kështjellat e moçme. Eshtë pjesë e filozofisë mbi të cilën funksionon Amaneti. Në Bibël thuhet “Zoti i mbron të pambrojturit”. Amaneti del si një zgjatje dore për ta.

Te kjo veshje hyjnore është ndryshimi i dytë ndërmjet Amanetit e Besës, si institucione. Te Kanga e Ali Bukurisë është Zoti që ia shti prapë shpirtin e i jep jetë Aliut për të larë një amanet që ia lanë për së vdekuri mbi varr, dhe janë ëngjëjt që përfshihen në veprim: ia ruajnë varrin, i japin këshilla dhe në fund e nxjerrin të larë, “amanetin e kie la”. Aq e natyrshme është kjo përmasë, sa në të folmen e përditshme thuhet Amaneti i Zotit. Thuhet edhe Besa e Zotit, por kjo më rrallë.

Besa mund të lidhet vetëm midis njerëzve. Me amanetin ndodh ndryshe. Amaneti mund t’i lihet edhe një të vdekuri të panjohur te varri (ndërsa besa mund t’i kujtohet një të vdekuri vetëm në qoftë se ai e ka pasë dhënë besën për së gjalli); amaneti mund t’i lihet edhe një sendi, një kafshe.

Këtu qëndron ndryshimi i tretë ndërmjet Amanetit dhe Besës si institucione. Te Martesa e Halilit (Eposi i Kreshnikëve), Halili i burgosur, i nxjerrë prej Krajlit në shesh gati për t’u therur faqe gjithë Krajlisë, në pamundësi me e njoftue Mujin i le amanet një zogu që këndon në degë:



Amanet more zogu i malit

A ke flatra me fluturue?

Pashë njat degë ku rri pushue

Falëmeshndet Gjeto Basho Mujit

E atë gjumi n’e pastë xanë

Kurr kryet shndosh o mos e çoftë

Për n’kjoftë bjeshkëve kah çeton

Kurrë te shpija shndosh mos voftë

E për n’kjoftë kund ksajt tuj ndi

Kurrë ma ngushte vedin s’e di!




Në disa degëzime të balladës, mbledhur në Has e në Kukës, ku Ali Bukuria dhe e motra shfaqen me emra të tjerë (Epikë Legjendare nga rrethi i Kukësit, Tiranë 1983), amaneti i lihet sipas rastit një zogu, një korbi ose një kaçubeti. Amaneti vepron vetëm për t’ia kujtuar vëllait të vdekur besën në emër të së motrës: “Ty të vraftë besa si ma ke dhanë!” ose “Ku e kie besën si ma ke dhanë?”. Më tej vihet në lëvizje institucioni i besës, vëllai çohet prej dheut në emër të saj. Pakashumë kjo skemë është edhe te degëzimet e botuara më herët si Aliu e Fata e Halil Garria.



9.

Njësoj si në rastin e Amanetit, angazhimi sipas logjikës së faktit të kryer, pra me detyrimin me e marrë përsipër një ndore a një përgjegjësi tjetër jetike në mbrojtje të dikujt, pa pasur të drejtën me u shprehë nëse dëshiron apo jo ta bësh këtë gjë, janë pjesë thelbësore e ngrehinës morale të shqiptarit. Kjo nuk ndodh sall në mitologji, e cila krijohet mbi një kod estetik të veçantë dhe ka liri fantazie të pafundme. Ndodh edhe në të drejtën dokësore shqiptare, ku nuk vepron as emocioni, as parafytyrimet a besimet e ndryshme, po thjesht matematika e ligjit. Fillimisht duket si pa kuptim, por dhe aty, si në legjenda, në rolin e amanetliut mund të jenë jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët a sendet.

Tërheq vemendjen një shkrim i shkurtë i Gjeçovit me titull “Besa të gjâsë e të çobanit”, që kallëzon ngjarjen e mëposhtme:

Një burrë në gjak kalon nëpër një mal me drojën se mund ta vrasin në pritë, ndaj i thërret dy-tri herë një çobani që kulloste dhitë në shpat, për me i lypë ndore. Meqë çobani nuk përgjigjet, udhëtari i thotë cjapit të kumbonës: “O sqap i kumbonës, thuejmi tyt zot se po më gjeti gja pa e kalue qafën e asaj kodre ta dijë se i jam pre mik!”. Siç e kish parandier, ky njeri pas disa hapash vritet në pritë. Një bari tjetër e kish dëgjuar rastësisht fjalën që i vrari i kish lënë cjapit të kumbonës dhe ia kallëzon ndodhinë të zotit të cjapit. Ky e dëgjon, kthehet në shtëpi e armatoset mirë dhe del e e vret vrasësin e njeriut që kish lypë ndore nëpërmjet cjapit. Pleqtë me kanun i dhanë te drejtë: ka vrarë dorasin, “mik i premë e mik i marrun”. Institucioni i ndores, në mungesë të njeriut, funksionoi për mrekul li edhe nëpërmjet një kafshe. Çështja u mbyll.

Institucioni i ndores, që nuk është tjetër veçse një lloj amaneti a një lloj marrjeje në besë, sipas rastit, funksionon edhe nëpërmjet një sendi, duke e “prokuruar” kërkesën për ndore tek ai. Nëse dikush kalon gjatë një udhe të shkretë me një rremb dushk në qafë (Kanuni i Lekë Dukagjinit) ose me një rremb dushk në grykë të pushkës (Kanuni i Skanderbegut) ai është i pacenueshëm: degëza e gjelbër thotë se ai është me ndore e nuk mund të preket.



10.

Një kod moral që i krijon menjëherë mundësi institucionale mbrojtjeje cilitdo të panjohur që është i pambrojtur e në rrezik, është dëshmi e një humanizmi të pazakontë. “Zoti i mbron të pambrojturit”.

Nëse teknikisht këto vlera sot nuk mund të përcillen me të njëjtat mekanizma të tejkaluara si dikur, kumti i këtij morali vjen si një pasuri shpirtërore që e lartëson figurën e shqiptarit përballë shumë të tjerëve.

Në Shqipërinë e sotme kurrkush nuk merret përnjëmend me këto vlera. Çka është e pamoralshme, shpesh ato sulmohen në bllok. Sulmohet Kanuni në tërësi herë-herë me të njëjtën dendësi e egërsi si në kohë të diktaturës, dhe këtë e bëjnë njerëz që nuk e njohin e madje nuk e kanë lexuar kurrë Kanunin as si një roman.

Nuk mund ta fajësoj një njeri të letrave, autor i disa librave, i cili kam vënë re se i ngatërron vazhdimisht dy figura të mitologjisë shqiptare, Bajlozin me Katallanin. Mirë do të ish të mos i ngatërronte, aq më tepër një njeri i letrave; por prapë nuk mund ta fajësoj atë as atëherë kur shkruan se Gjergj Elez Alia u ndesh me Katallanin në vend se me thanë u ndesh me Bajlozin, sepse, në fund të fundit, pasojat e kësaj ngatërrese shtrihen vetëm në fushën estetike dhe nuk kanë ndonjë përftesë të drejtpërdrejtë në shoqëri. Por kur shpërthejnë breshëritë e mbushet media e afërt me qeverinë me të paqena që synojnë bjerrjen e vlerave më të mira të trashëguara, kjo nuk bie erë të mirë. Kanuni bëhet përgjegjës për vrasjet e tipit mafioz ose për larjen e hesapeve mi dis kriminelëve e trafikantëve (edhe atëherë kur, sipas njoftimeve, në to janë përfshirë segmente të policisë e të shtetit!). Çdokush me dy pare mend e di se këto lloj krimesh janë krejt e kundërta e Kanunit. Vrasjet sipas kanunit nuk bëhen në moh. Ato paralajmërohen, ato i merr hapur përsipër ai që i kryen, ai që vret e nderon trupin e viktimës, e kthen mbarë e ia rregullon armën te kryet, në iu dhashtë besë i shkon edhe në varrim.

Në anën tjetër Kanuni nuk i nxit vrasjet, siç akuzohet me zhurmë me sa duket edhe për ta zvogëluar përgjegjësinë e shtetit. Kanuni përkundrazi i frenon. Neni i prerë i Kanunit gjaku don gjak fton gjithkënd me u përmbajtë e mos me vra, ai paralajmëron se po ia derdhe gjakun dikujt të njëjtën gjë do të bëjë edhe ai me ty, prandaj matu mirë nëse e don jetën tënde e të njerëzve tu. Poashtu neni gjak për gjak nënkupton se gjakësia quhet e mbyllur sapo merret një gjak, duke mos lënë kës htu asnjë shteg për zinxhirin e vrasjeve – një përgjegjësi kjo që gjithashtu i vishet kanunit me qëllim të keq ose, në rastin më të mirë, me një padije (injorancë) të plotë.

Nëse nuk është më koha e Kanunit por është koha e shtetit ligjor, i cili nuk po duket kund në lëpen (horizont), kjo nuk ia jep kurrkujt të drejtën ta fajësojë kanunin për çka nuk është ai përgjegjës. Aq më pak për gjëra që janë e kundërta e tij.

Konica flet për levantinët, ideali i të cilëve, thotë ai, janë “berberët e Bejollit”. Levantinët janë të bindur se shqiptarët nuk dinë gjë nga “etiketa”, shkruan Konica, kurse ““etiketa” e një malësori që ka trashëguar zakonet e stërgjyshëve ka një bukuri, një hollësi, një erë të kthiellët, të cilat u kanë pëlqyer gjithë artistëve, shkrimtarëve, njerëzve prej shtëpish të mira të Perëndimit që kanë pasur rastin t’i njohin”.

Për fat të keq edhe sot shtatëdhjetë a tetëdhjetë vjetë më vonë levantinët e Konicës janë gjithandej të pranishëm, deri në pjesët palcore të institucioneve më të larta të shtetit. Kuvendoja një herë me një levantin të tillë që sa herë i bie rasti me ndonjë të huaj, për t’u shprehur me eufemizëm po them vetëm se i shpërfill vlerat kombëtare shqiptare -dhe për këtë mundohej me krijue alibi duke thënë se e ndien veten “qytetar të botës”. Ai dhe disa miq të tij që pushteti i ka “emëruar” intelektualë mendojnë se kjo shtirje, mëtimi se ata janë “qytetarë të botës’, shitet nëpër disa kancelari e qarqe intelektuale, të cilat nuk dihet nëse janë të tilla apo janë edhe ato qarq e “berberësh bejolli” të kohës sonë.

Konica na vjen sërish në ndihmë kundër keqpërdorimit të pështirë të konceptit emancipues të “qytetarit të botës”. Na thotë se ky koncept nuk është një alternativë e përgjegjësisë për vendin tënd e aq më pak përligjje e përbuzjes ndaj tij. Edhe “Sokrati e Gëtja ishin qytetarë të botës... shkruan ai; megjithatë Sokrati nuk shkoi në Suze të Persisë ose Memfis të Egjyptes për të dhënë mësimet e tija, po mbeti në Athinë; Gëtja nuk u vendos në Paris a në Romë, për të zhvilluar mendimet e tija, por qëndroi në Weimar. Ashtu edhe këta dy kozmopolitë të lartë kanë pasur një farë patriotizme...”.

Pa folë për pyetjen e natyrshme: a kanë përmasa të tilla intelektuale e njerëzore disa levantinë pushtetarë a anonimë të afërt me ta, që s’nderohen as prej grave të veta, sa të vetëshpallen “qytetarë të botës”?



11.

Po rikthehem te përmbledhja me këngë popullore e Nuredin Lushajt, që u bë shkas për këto shenime. Në parathënie mësohet se autori, mbledhës i palodhur vlerash të trashëguara që janë në hjekë, ka edhe pesë-gjashtë vëllime që presin me u botue.

Nuk është e çuditshme që mbledhësit e poashtu krijuesit e Vlerave nuk kanë lekë me i botue ato: në Shqipërinë e sotme Vlerat janë në duar të parave, por paratë nuk janë në duar të Vlerave.



Mehmet ELEZI

Tiranë, më 22 gusht 2003
 
Top