Altin Lala,refugjati qe pushtoi dhe u kthye ne ikone ne Hanover

8-maj-12-e-marte-300x219.jpg
Kur ai erdhi në kampingun e kombëtares, në Harburin e vogël pranë Hamburgut, askush nuk e njihte. Dhe nuk kishte se si. Altin Lala ishte “arratisur” fare i vogël nga Shqipëria. Kur ende nuk i kishte mbushur të 16-t, ai së bashku me tërë shokët e ekipit përfaqësues të U-16, në vitin 1991 nuk u kthyen më në Shqipëri. U shpërndanë si zogjtë e korbit nëpër Gjermani.
Shtypi i atyre viteve shkroi diçka, por më pas ngjarja u harrua… Shqipëria kishte halle dhe probleme më të mëdha ato kohë. Dhe ja tani, pas 6 vitesh, në radhët e kuqezinjve shfaqet ai i harruari dhe i arratisuri, Altin Lala. Ashtu i vogël, trup imët dhe flokëgjatë, nuk ta mbushte syrin. Madje edhe trajneri i Shpresës asokohe, Sulejman Mema, nuk dinte asgjë për vlerat e këtij futbollisti të ri.
Por edhe ai ishte thyer para këmbënguljes së të riut për t’u provuar, pa pretendime për më tepër. Djaloshi Lala e kishte kapur rastin fluturimthi. Pak kohë përpara ndeshjeve Gjermani – Shqipëri, ai i kishte telefonuar trajnerit Mema dhe i kishte kërkuar që të bënte një provë me ekipin Shpresa.
Shpenzimet i merrte përsipër vetë, donte që trajneri vetëm ta shikonte një herë dhe nëse nuk i nevojitej, ai mund të largohej. Para kokëfortësisë dhe logjikës së ftohtë të djaloshit, që fliste nga Gjermania, Mema u dorëzua dhe e grumbulloi me Shpresën. Kështu Altini u vesh kuqezi. Me këtë rast takoi shokët dhe hoqi njëfarë soji edhe mallin për Shqipërinë, ku kishte lënë familjen.
Djali “plangprishës” tani u kthye në shtëpi. Aventura e Lalës me Shpresën nuk zgjati shumë. Talenti dhe aftësitë e tij dallonin. Trajneri i Kombëtares së asaj kohe, Astrit Hafizi, e grumbulloi dhe e aktivizoi me të rriturit në turneun e Maltës, në vitin 1998.
Aty Kombëtarja fitoi mbrojtësin e saj të djathtë, inteligjent, luftarak e të kudondodhur, që quhej Altin Lala.Qysh nga ajo kohë, nga ndeshja në ndeshje, Lala rritej në moshë, por më shumë rritej edhe si një futbollist profesionist, i domosdoshëm për kuqezinjtë e Shqipërisë.
- Më është dashur mjaft punë, mund e djersë për të arritur deri këtu, – tregon Lala. – Jeta ime nuk ka qenë bahçe me lule. Nuk do t’i harroj kurrë ditët e para në Gjermani. Isha thuajse kalama. Nuk dija të flisja, nuk kisha asnjeri ku të mbështetesha, qoftë edhe tek ndonjë i afërm, apo farefis. Dija vetëm të luaja futboll dhe dëshiroja të bëhesha futbollist. Isha kapur fort pas kësaj ëndrre, aq sa isha bërë skllav i saj. Dhe tani nuk jam i zhgënjyer. Madje kur kthej kokën pas dhe shikoj se ç’kam arritur, i harroj të gjitha ato që kam hequr.

1. Pak kohë pas qëndrimit në Gjermani, Altini u sistemua në një kamp refugjatësh, në Fulda. Po fusha e futbollit e tërhiqte si magnet djaloshin nga Tirana. Ashtu me gishta, me këmbë e duar siç dinë të merren vesh vetëm shqiptarët, Altini u kërkoi gjermanëve ta linin të luante edhe atë. Ata u befasuan nga aftësitë e këtij djaloshi njeri pa njeri. Menjëherë e përfshinë në radhët e ekipit të të rinjve të Borusias së Fuldës.
Aty luajti për dy vjet, për të kaluar më pas në ekipin e të rriturve të Fuldës, që luante në kategorinë e tretë. Këtu Altini ishte një gjysmëprofesionist dhe si të thuash, jeta e tij kishte marrë udhë. Ai e kishte bërë zgjedhjen. Në vitin 1998, Altini pati dy gëzime njëherësh. Ai veshi fanellën kuqezi dhe u bë titullar i kombëtares së Shqipërisë dhe ndërkohë nënshkroi një kontratë me ekipin “Hanover 96″ në Bundesligën 2.
Tani ai nuk ishte më i panjohur. Emri i tij gjithnjë e më tepër do të mbushë faqet e shtypit sportiv gjerman. Lala, edhe në Hanovër, shpejt do të fitonte fansa. Me natyrën e tij të qetë, por hokatare, Altini do të bëhet edhe kripa e ekipit. Veç jo vetëm për natyrën dhe karakterin, por edhe për lojën dhe rendimentin në fushë.
Aty ai nuk të hap rrugë. Aftësitë e mira fizike, inteligjenca në lojë dhe talenti, e bënë Altinin ndër lojtarët kryesorë dhe më të rëndësishëm të Hanovrit që synon ngjitjen në Bundesligë. Për çudi, ndryshe nga Shpresa, nuk luan mbrojtës i djathtë, por lojtar i lirë në mesfushë, që shihet sa në mbrojtje aq dhe në ndihmë të sulmit. Ai edhe pse i huaj, u imponohet drejtuesve të klubit të Hanovrit dhe fiton besimin e trajnerit të tij, që e konsideron Lalën një perlë të “Hanovrit 96″.
Edhe për tifozët ai kthehet në simbol. Gjermanët, në pamundësi për ta shqiptuar mbiemrin e tij, sa herë ai e kapte topin, këndonin në korr “La-la-la”. Ndërkohë, në shkallët e stadiumit, ku luante Hanovri, nuk do të mungonin bashkatdhetarët e tij, nga Shqipëria, por edhe nga Kosova. Për ta, Altini është njëherësh edhe krenari dhe simboli i atdheut të tyre. Ata e shikojnë atë duke luajtur dhe krenohen me aftësitë dhe talentin e tij, i cili i bën që mendja t’u fluturonte dhe për pak orë Shqipëria t’u afrohej e të ishte me ta.

2. Kalimi nga Fulda në Hanovër, edhe pse i hapi perspektiva të reja, i krijoi një hendek Altinit. Dhe djaloshi 23-vjeçar kishte të drejtë. Ai në Fulda kishte lënë zemrën… Një vajzë e quajtur Viktoria nga një familje refugjatësh italianë, e kishte bërë rob të sajin. Ishin njohur aty në Fulda fare të rinj dhe ishin dashuruar me njëri-tjetrin.
Kështu që rruga nga Hanovri në Fulda, në kohën e lirë për Altinin do të ishte jo vetëm e shpeshtë, por edhe e dashur dhe e papërfillshme. Por do të vinte një kohë, që kësaj “aventure” i duhej dhënë fund. Altini dhe Viktoria vendosën që të shkurtojnë largësitë dhe të martohen. Dhe kështu bënë.
Dasmën nuk e bënë në Gjermani, por në Itali. Më saktë, në Melisa, në një pikë buzë detit Mesdhe, ku familja e bashkëshortes së ardhshme, ka një hotel turistik me 4 yje. “U bë një dasëm e madhe dhe e bukur, – tregon i ati i Altinit, Doda. – Ishte një dasmë italo-shqiptare, e cila nuk ndryshon thuajse asgjë nga ato tonat, për sa i përket zakoneve.
Familja e nuses i ruante me rreptësi traditat e familjes italiane. Kjo, ndoshta edhe për faktin, se pranë Melisas jetonin mjaft arbëreshë, shumë prej të cilëve ishin miq të familjes dhe të ftuar në dasmë.
Në atë dasmë të Melisas, në atë korrik të 1999-tës, krushqit nga ana e dhëndërit, ishin të paktë. Ishte familja Doda, e ëma, i ati, motra e martuar dhe i vëllai i Altinit, që shkonin nga Tirana. Me ta u bashkua edhe një shok i Altinit somalez, që vinte nga Gjermania. Këta plotësonin numrin 250 vetëve, që morën pjesë në ceremoninë e celebrimit në kishën e Melisës dhe pastaj gëzuan deri vonë duke kërcyer e kënduar nën tingujt e muzikës italiane, që shoqërohej nga zëri i tre këngëtarëve pjesëmarrës në San Remo.
Ishte një dasmë, ku kishte të ftuar nga të gjitha kontinentet. E në këtë konglomerat miqsh nuk mungoi edhe vallja ballkanase me motive shqiptare e interpretuar nga njerëzit e Altinit dhe arbëreshët e Italisë. Thënë shkurt, ishte një dasëm që do të kujtohet gjatë në Melisa për nga hareja, luksi dhe shkëlqimi.

3. Çifti Lala jeton në Hanovër. Me të mund të komunikosh lehtë nëpërmjet telefonit edhe pa qenë Altini në shtëpi. Mjafton të dish të flasësh një nga gjuhët ndërkombëtare dhe menjëherë, e shoqja, Viti, siç e thërrasin miqtë dhe në familje, do të përgjigjet me lehtësi e shkathtësi. Se Viktoria është një poliglote e vërtetë. Ajo ka studiuar për gjuhë të huaja dhe zotëron italishten, gjermanishten, spanjishten, anglishten dhe frengjishten.
Në sajë të kësaj aftësie, ajo para martesës ka punuar si përkthyese në një bankë, punë të cilën tani e ka ndërprerë, qysh kur është martuar dhe jeton në Hanovër, për t’iu përkushtuar më tepër të shoqit, që ka nevojë për përkujdesjen e saj. Por ndërsa flet me Altinin për aftësitë poliglote të së shoqes, ai thotë: “Shtoni edhe gjuhën shqipe, sepse edhe atë ka arritur ta mësojë.
Ajo tani i di disa fjalë dhe e kupton, por më ka kërkuar libra të gjuhës shqipe ngaqë dëshiron ta mësojë mirë dhe me gramatikë”. E në vazhdim të bisedës me Altinin mëson se Viti interesohet mjaft për Shqipërinë dhe ka një dëshirë të zjarrtë ta prekë vendin ku ka lindur i shoqi. Dhe ajo ka të drejtë.
Ashtu siç Altini është bërë pjesë e pandarë e saj, ajo do të bëjë të sajën edhe Shqipërinë, vendlindjen e të shoqit, i cili nuk len ditë pa i telefonuar familjes së tij në Tiranë, atij që ajo i përkushtohet me plot dashuri dhe që me talentin e tij tani është bërë simbol krenarie për tifozët e Hanovrit dhe një “ambasador” i mirë për të gjithë bashkatdhetarët e tij refugjatë në Gjermani.
 
Top