Ali Pasha, luan apo dhelpër në sarajet e Sulltanit?

Seyfert

Valoris scriptorum
Arkivat osmanë me sa duket janë ende të pazbuluar plotësisht. Akoma më shumë ata fshehin “mistere” për një figurë enigmatike si Ali Pasha, për të cilin interesi i të huajve ende nuk është shuar. Britaniku Jason Goodwin është ndër të fundit që për vite me radhë ka hulumtuar në arkivat osmanë për të zbuluar anë të panjohura të pashait shqiptar. Ai u magjeps nga Stambolli, ndërkohë që studionte histori bizantine në Cambridge University. Para pesëmbëdhjetë vjetësh, pas suksesit të librit “Kopshtet e Barutit: Udhëtime përmes Indisë dhe Kinës në kërkim të Çajit”, ai bëri një udhëtim gjashtëmujor përmes Europës Lindore, për të arritur për herë të parë në Stamboll. Këtë udhëtim e përshkroi tek libri Më këmbë deri tek Briri i Artë, me të cilin në vitin 1993 fitoi çmimin “John Llewellyn Rhys Mail”. I befasuar nga ndikimi i gjatë i Perandorisë Osmane mbi Europën Lindore, Jason filloi të bënte kërkime dhe të shkruante librin “Zotër të Horizonteve: Një Histori e Perandorisë Osmane”. Jan Morris e quajti librin një “vepër madhore” për të mbërritur në librin e tij bestseller (më të shiturin) me titull ”Pema e Jeniçerit”, që këto ditë është sjellë dhe në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Saras”. “Ky është një libër i shkruar me stil, i cili na zhyt thellë në histori, e na bën të endemi për të jetuar një aventurë të vërtetë rrugëve të Stambollit të viteve 1800, duke na ftuar të jetojmë dhe një ritakim me historinë tonë, pasi në këtë udhëtim që Jason Goodwin na bën, ne takojmë shumë shqiptarë…”, – thotë redaktorja e librit, Alda Bardhyli. Po çfarë zbuloi autori Goodwin për pashain shqiptar në librin me të cilin fitoi dhe çmimin “Edgar Allan Poe” për novelën më të mirë?…

Pashai, që me dinakëri e mizori kishte ngritur një gjysmë-shtet të pavarur

“Ali Pasha ishte një kryekomandant, i cili me dinakëri dhe mizori kishte ngritur një gjysmë shteti të pavarur në malet e Shqipërisë dhe Greqisë Veriore. Katërmbëdhjetë vjet më parë Jashimi kishte parë kokën e tij të vënë në një nga kolonat e portave të sarajeve të sulltanit
Luani. Kështu e quanin atë. Mustafa shqiptari kishte shërbyer në ushtrinë e tij. Thoshte se e bënte për vendin e tij, por Ali Pasha ishte dhelpër e vërtetë. Ai u dha paqe edhe pse Mustafa shqiptari donte luftë”, - kështu thotë autori i librit, Jason Goodwin. Në librin e tij “Pema e jeniçerëve”, një histori që nis nga një vrasje në haremin e sulltanit, një nga protagonistët kryesorë është edhe Mustafa shqiptari. Një shqiptar që dikur kish luftuar në ushtrinë e sulltanit. Përmes bashkëbisedimit të eunukut me emrin Jashim dhe Mustafa shqiptarit, autori krahas mënyrë sesi ishte ndërtuar perandoria osmane, jep dhe detaje mbi një figurë mjaft interesante të asaj periudhe, shqiptarit Ali Pashë Tepelena. “Eunukët zinin një vend të rëndësishëm në historinë e botës së Lindjes. Ata përshkruhen si “shërbëtorë të përsosur”, sepse nuk mund të kenë asnjë ambicie dinastike. Edhe personazhi im eunuk është i përkushtuar në mënyrë efektive për t’i shërbyer sulltanit”,- shpjegon autori. Për arsyen se përse zgjodhi Stambollin dhe perandorinë osmane të vitit 1830-1840 si mjedisin ku do të zhvillonte librin e tij, ai shprehet: “Unë kam qenë gjithmonë i hipnotizuar nga Stambolli dhe akoma më shumë kur fillova kërkimet për historinë e otomanëve. Këto kërkime zgjatën 6 vjet. Gjeta shumë fakte interesante për Stambollin e vitit 1830. Ishte koha e ndryshimit dhe ideve të reja kur osmanët hynë në një eksperiment radikal, që në fund të fundit rezultoi i pasuksesshëm për të rinegociuar marrëdhëniet e tyre me botën gjerë. Pra në Stambollin e 1830-ës ndihet joshja nga moderniteti dhe një lloj tërheqjeje nga tradita. Në krye të kësaj, Stambolli ishte një port i madh lidhës mes Evropës dhe Azisë. Ai nuk ishte vetëm një qytet turk: ai ishte një qytet grek, një qytet armen, shqiptar. Po ndërtohej si një kryeqytet i botës që kishte filluar të popullohej nga shumë të huaj”. Mes këtyre autori Jason Goodwin gjeti dhe njohu edhe shumë shqiptarë jeniçerë e roje në pallatin e sulltanit, si dhe gra të bukura që ishin pjesë e haremit të sulltanit.
Brenda haremit të sulltanit
“Haremi i sulltanit ishte një ambient i rrezikshëm. Një nga gratë më të bukura të tij gjendet papritmas e vrarë. Dyshohet se mund të ketë ndodhur për shkaqe nderi. Nga malet nga vinte ajo vajzë e bukur nderi i gruas ishte shumë i rëndësishëm”…Mbi këtë pistë nis hetimin e tij eunuku Jashim, teksa rrugës nis e zbulon jo vetëm misterin e kësaj vrasjeje por dhe misteret e perandorisë otomane. Romani ka dhe nota të theksuara erotike, të paktën kështu mendojnë kritikët e huaj që e kanë vlerësuar edhe me çmime ndërkombëtare. Në fakt mënyra sesi Jason Goodwin përshkruan haremin e sulltanit nxit ndenja erotike, por siç thotë autori, gjithçka e përshkruar aty është bazuar në dokumente dhe haremi i sulltanit ka qenë realisht i ndërtuar ashtu siç ai e përshkruan në këtë libër. Haremi ishte ambient i rrezikshëm. Jashimi e dinte që kështu funksiononte sistemi. Çdokush kishte idetë e veta për haremin e sulltanit, por, në thelb, gjithçka funksiononte si një makineri. Sulltani i shtonte numrin e konkubinave të tij, ishte thjesht si një piston i madh motori të ideuar për të garantuar prodhimin në seri të sulltanëve osmanë. Pastaj, të gjithë sa mbeteshin, eunukët dhe gratë, ishin si rrotat e ingranazhit. Të krishterët e shihnin haremin e sulltanëve krejt ndryshe. Perëndimorët kishin krijuar për haremin përshtypje tejet romantike dhe plot imagjinatë. Për ta ishte një vend kënaqësish të ëmbla, ku gratë më të bukura në botë kridheshin në akte dashurie, pasioni të shfrenuar apo në orgji dehëse, për të kënaqur tekat e çastit të një njeriu të vetëm. Sikur gratë të ishin qenie vetëm me gjoks dhe kofshë dhe jo me mendje apo histori të vetën. Vendi ishte vërtet si një makineri, por gratë kishin jetën, dëshirat dhe ambiciet e tyre. Sa për aludimet e tyre mbi epshin, ato ishin thjesht si tymi që nxirrnin makineritë.
Eunukë të të gjitha racave
Sa herë që flitet për haremin e sulltanit menjëherë bëhet një lidhje e shkurtër sikur bashkë me këtë oaz të qejfeve të sulltanit lindën edhe eunukët. Në fakt Goodwin shprehet se “eunukë nuk i bënte haremi, megjithëse shumë prej tyre punonin atje dhe ishin eunukët e zinj që e kontrollonin haremin si jo më mirë. “Ndryshe nga eunukët e bardhë dhe nga këngëtarët e tredhur të Vatikanit, eunukët e zinj të pallatit ishin pa gjë fare: ua kishin prerë organin gjenital me një të rënë të tehut të mprehtë. Tani secili prej tyre mbante një tub të vogël dhe elegant prej argjendi, futur në njërën prej palëve të çallmës për të kryer nevojat e tyre më të thjeshta fiziologjike. Megjithatë, edhe në kohën e Dariusit dhe Aleksandrit, burrat ishin tredhur për t’u përdorur për shërbime të ndryshme. Qëkur kishte lindur ideja e dinastive, kishte patur eunukë që kishin komanduar flotat, që kishin drejtuar ushtritë dhe që me shumë zgjuarsi kishin drejtuar politikat e shteteve. Ndonjëherë ata ishin si një vëllazëri e çuditshme, në botën e errët të rojave: njerëz të cilët prej kohësh nuk ishin përzier në punë të tjera, në mënyrë që të shërbenin dhe të ruanin më mirë. Të tillë ishin eunukët e botës së lashtë, ata të perandorit kinez në Pekin dhe të hierarkisë së kishës katolike në Evropë”. Këta pra ishin eunukët sipas autorit britanik Jason Goodwin. Kështu, as më shumë e as më pak, në librin e tij “Pema e Jeniçerit” britaniku Goodwin paraqet një tablo të gjallë të Stambollit të shekullit XIX dhe duket sikur vetë ai e shpie lexuesin nëpër qytet, ndërkohë që përshkrimet e tij mbi qytetin të ofrojnë një kënaqësi të pafund. E gjitha kjo e kombinuar me një protagonist, të cilit rrethanat e vështira i japin mundësinë që me mendjemprehtësi të zhbirojë natyrën komplekse të pushtetit dhe seksualitetit…
 
Top