Re: Aleanca Siri-Iran, sfide SHBA-s
A ËSHTË IRANI RREZIKU I VËRTETË
Një politikë që i kundërvihet proliferimit të armëve bërthamore duhet të bëjë qartë mbi çështjet e mëposhtme: Sa kohë është në dispozicion përpara se Irani të ketë një potencial atomik dhe cila është strategjia më efikase për të ndaluar një program që synon në blerjen e armëve bërthamore? Si mund të shmangim që procesi diplomatik të transformohet në një mjet për të legjitimuar proliferimin më shumë se për ta larguar? Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që një dështim do të çonte në një seri të re rreziqesh lidhur me armët bërthamore, rreziqe që do t'i vinin në hije ato që sapo i kemi kaluar.
Henry KISSINGER
Nëqoftëse mandati i parë i Presidentit George W. Bush është dominuar nga lufta kundër terrorizmit, i dyti do të dallohet nga përpjekjet për të penguar përhapjen e armëve bërthamore. Bëhet fjalë për një sfidë më ambigue dhe më komplekse se e para. I kundërvihemi proliferimit të armëve bërthamore, sepse dy shtetet më afër blerjes së këtyre të fundit, Irani dhe Koreja e Veriut, janë shtete "batakçinj"? Apo ky i yni është një kundërshtim gjenerik, që ka të bëjë edhe me shtete me regjim plotësisht demokratik? Sa jemi të gatshëm të ecim përpara në luftimin e proliferimit bërthamor? Është e mundur që një komb i vetëm, për sa i fuqishëm që është, të marrë përsipër i vetëm detyrën që të pengojë përhapjen e armëve bërthamore? Dhe nëse jo të vetëm, me çfarë kombinacioni aleatësh do të duhet të veprojnë Shtetet e Bashkuara?
Irani i paraqet me urgjencë të veçantë çështje kaq komplekse. Koreja e Veriut është një vend i izoluar, që nuk u jep kontribute të rëndësishme ekonomive të shteteve të tjera. Përkundrazi, Koreja e Veriut përbën një barrë të rëndë për çdo aleat që kërkon të mbështesë ekonominë e saj të brishtë dhe opresive. Kurse Irani është një prodhues i madh nafte, me një popullsi në rritje, të diversifikuar e kompetente, dhe me një potencial të konsiderueshëm industrial.
Parashikohet që brenda vitit 2050, popullsia e tij do ta kalojë atë ruse. Shumë prej shteteve më të rëndësishëm kanë interes në ruajtjen e raporteve të mira me Iranin, për motive ekonomike; disa i frikësohen potencialit të tij terrorist dhe pamëshirshmërisë së tij të demonstruar. Midis vendeve të afërta kufitare, ka disa që e shikojnë me sy të mirë rrezikun në rritje që një Iran i pajisur me armë bërthamore përfaqëson për vendet e tjera, në veçanti për Shtetet e Bashkuara.
Optimizmi për përmirësimet në eliminimin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut mund të varet nga shtytje të mundshme të ushtruara nga vendet kufitare prej të cilave ajo varet. Rasti i Iranit është më kompleks. Ndërsa ndërthurrja e çështjeve që ngre një situatë e tillë fiton një vend të dorës së parë në diplomacinë ndërkombëtare, është e rëndësishme të sqarohet strategjia politike për t'u adoptuar. Gjatë Luftës së Ftohtë, të gjithë protagonistët që ndoshta do të duhej të prononcoheshin mbi mundësinë e një lufte bërthamore, hasnin një dilemë të vështirë. Një vendim i tillë mund të përfshinte miliona viktima dhe megjithatë gatishmëria për ta kaluar këtë rrezik, të paktën deri në një pikë të caktuar, ishte e domosdoshme për të penguar që bota të tronditej nga totalitarizma mizorë.
Të gjitha administratave nën Luftën e Ftohtë iu është dashur të lundrojnë midis kurthesh të tilla. Frikësuesi i atomikes funksionoi, sepse ekzistonin vetëm dy protagonistë kryesorë. Të dy bënin vlerësime të ngjashme mbi rreziqet që do t'iu shkaktonte atyre përdorimi i armëve bërthamore. Megjithatë, dora -dorës, gjithnjë e më shumë shtete viheshin në zotërim armësh bërthamore, frikësuesi bërthamor bëhej gjithnjë e më i dobët dhe jo i besueshëm. Së fundi, përvoja e rrjetit privat të proliferimit bërthamor midis Pakistanit "mik" e Koresë së Veriut, Libisë e Iranit, demonstron pasojat e gjera që ka mbi rendin ndërkombëtar përhapja e armëve bërthamore, edhe kur vendi që është duke zhvilluar armatimin bërthamor, nuk futet në përkufizimin formal të "shtetit batakçi". Për të gjithë këto motive duhet t'i kundërvihesh faktit të proliferimit bërthamor në vetvete, pavarësisht nga ardhja e tij. Fakti që një regjim i hyn rrugës së proliferimit bërthamor, është i akuzueshëm e rëndon problemin, dhe e bën të ndjehet më urgjent, por nuk është faktori vendimtar i kësaj analize.
Duhet ta pengojmë proliferimin bërthamor edhe në një Iran demokratik. Ky realitet shpesh errësohet nga dy konsiderata thelbësisht dytësore. Para së gjithash, vendet që i hyjnë pashmangshmërisht proliferimit, i paraqesin përpjekjet e tyre si objektiva për të cilat kanë të gjitha arsyet të synojnë, për shembull, atë të pjesëmarrjes në përdorimet paqësore të energjisë bërthamore ose për të rritur prodhimin e elektricitetit. Në rastin e Iranit, bëhet fjalë mjaft qartë për një pretekst. Për një prodhues të madh nafte, energjia bërthamore është një shpërdorim resursesh. Në realitet, Irani do të krijojë një mburojë për të dekurajuar ndërhyrje të jashtme në politikën e tij të jashtme, e cila ka baza ideologjike.
Kjo është arsyeja kryesore për të cilën do të jetë e vështirë të krijohen subvencionime materiale, për të stimuluar çarmatimin bërthamor të Iranit. Në të njëjtën kohë, shumë aleatë europianë i konsiderojnë ambiciet bërthamore të Iranit si pjesërisht, ndoshta në pjesën më të madhe, mbrojtëse. Sipas tyre, ambicie të tilla burojnë nga pozicioni gjeografik i Iranit, i shtrënguar midis vendesh, pafundësisht kufitarë apo gjithsesi fqinjë me të, që posedojnë armë bërthamore, India, Pakistani, Rusia dhe Izraeli. Kështu që besojnë se impulsi për bërthamoren të Iranit mund të dobësohet, pse jo eliminohet, nga një diplomaci paqëtuese.
Shumë prej tyre shikojnë në negociatat me Iranin një përsëritje të çështjes që sipas tyre, është në bazë të debatit lidhur me Irakun, kundërvënia midis qëndrimit europian ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare, i bazuar në rrugë ligjore dhe tendencës së supozuar amerikane, për të bërë presion ndaj të tjerëve. Dhe në të vërtetë, konflikti i supozuar midis paqëtimit dhe ushtrimit të forcës është sa ireal, aq edhe tipik. Të jesh diplomatik, do të thotë t'i demonstrosh tjetrit si pasojat e veprimeve të tij, ashtu dhe përfitimet derivuese nga qëndrime alternative.
Diplomacia nuk ka rëndësi se me sa elegancë është formuluar, kërkon për nga natyra e saj një element force dhe aftësinë për ta ushtruar. Një prej motiveve për të cilin negociatorët europianë kanë bërë përparime të kufizuara në diskutimin e çështjes bërthamore me Iranin, është kërcënimi implicit i aksioneve që mund të ndërmarrë Amerika në rast se do të arrihej në një pikë të vdekur. Pika vendimtare e diskutimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës duhet të jetë në domosdoshmërinë ose jo të përdorimit të forcës, nëqoftëse diplomacia do të dështonte, por përkufizimi dhe caktimi kohor i një përdorimi të tillë të forcës dhe saktësimi i procesit nëpërmjet të cilit ajo duhet ta bëjë Iranin të privuar nga armët bërthamore. Është në këtë kontekst që duhet vlerësuar pohimi sipas të cilit një ndryshim regjimi është garancia më e mirë, ndoshta unike, e çarmatimit bërthamor të Iranit - dhe duhet vlerësuar edhe rëndësia e një objektivi të tillë.
Mundësia për të siguruar një ndryshim regjimi si zgjidhje ndaj proliferimit bërthamor të Iranit, kërkon që t'i përgjigjesh pyetjeve si këto që pasojnë: Cili është procesi i saktë që imagjinohet i ndryshimit të regjimit? Për sa kohë mendohet të arrihet një rezultat i tillë? Domethënë, periudha e parashikuar për të kryer një ndryshim regjimi është në përputhje me domosdoshmërinë për të zbatuar çarmatimin bërthamor të Iranit?
Nëqoftëse administrata do të vazhdojë të ndjekë politikën e saj të deklaruar të mbështetjes ndaj iniciativave europiane, në një moment të caktuar duhet të pranojë se procesi nuk mund të tejkalojë një limit të caktuar pa ndonjë formë pjesëmarrjeje nga ana e Amerikës. Për të ecur përpara, aleatët europianë duhet të jenë të gatshëm të përdorin krejtësisht një seri mjetesh për të ushtruar presion, në rast se dështojnë negociatat dhe të përpunojnë kritere të lidhura me një plan mbi bazën e të cilit mund të maten përparimet e kryera.
Me të drejtë, Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice, ka bërë të njohur sesi aspekte të caktuara të politikës iraniane pengojnë negociatat me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht mbështetjen e grupeve të bazuara mbi terrorizmin si Hamas e Hezbollah dhe aksionet në Irak, të destinuara të pengojnë konsolidimin në këtë vend të një strukture politike. Teherani duhet të tregohet i gatshëm ta modifikojë me shpejtësi këtë gjendje të rrezikshme gjërash, me qëllim që Amerika të mund të marrë pjesë në mënyrë domethënëse në proceset e negocimit, tani të kryera nga tri vende europiane.
Një hapje e tillë nga ana e Shteteve të Bashkuara nuk duhet të marrë formën e një dialogu bilateral midis Washington dhe Teheranit. Një kornizë e ngjashme me atë forumit gjashtësh të mbledhur në Pekin për të diskutuar për problemin e armatimit bërthamor të Koresë së Veriut, do të shërbentë për t'i bërë të qartë Teheranit, Londrës, Parisit dhe Berlinit gamën e opsioneve që Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin ose mbi të cilat duhet të këmbëngulin dhe të sforcohen për të siguruar një politikë të koordinuar mbi një bazë të tillë. Dëshira nga ana e Amerikës që të verifikohet një ndryshim regjimi në Iran nuk është e lidhur me një vendim të tillë taktik. Kjo dëshirë gjithsesi realizohet për motive të brendshme iraniane.
Në rastin e Iranit, mundësitë e një përparimi në diplomacinë europiane janë të pakta, por duhen eksploruar. Është e mundur - deri dhe probabël - që Irani i shikon negociatat me vendet europiane si një mënyrë për të fituar kohë, ndoshta për të gjithë mandatin e dytë të administratës Bush. Irani mund të lëvizë në mënyrë që të arrijë një pozicion nga i cili i mungon vetëm një hap i vogël final për të arritur një program bërthamor, duke inkurajuar ndërkohë të gjithë subvencionet e dobishme afatgjata për ekonominë iraniane dhe programin e tij bërthamor, që mund t'i shtyjë negociatorët europianë të ofrojnë.
Europianët duhet ta përdorin procesin e negocimit për të siguruar çarmatimin efektiv dhe të verifikueshëm bërthamor të Iranit, por, në rast dështimi, duhet të hedhin në fushë një seri të tërë mjetesh për të bërë presion. Aleatët tanë europianë duhet të kuptojnë se pozicioni skeptik i marrë nga Amerika është ndoshta shtytja kryesore për fleksibilitetin e pakët të demonstruar deri më tani nga Irani lidhur me çështjen bërthamore, por skepticizmi duhet të vihet në provë nga ngjarjet, jo nga premisa apriori.
Një politikë që i kundërvihet proliferimit të armëve bërthamore duhet të bëjë qartë mbi çështjet e mëposhtme: Sa kohë është në dispozicion përpara se Irani të ketë një potencial atomik dhe cila është strategjia më efikase për të ndaluar një program që synon në blerjen e armëve bërthamore? Si mund të shmangim që procesi diplomatik të transformohet në një mjet për të legjitimuar proliferimin më shumë se për ta larguar? Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që një dështim do të çonte në një seri të re rreziqesh lidhur me armët bërthamore, rreziqe që do t'i vinin në hije ato që sapo i kemi kaluar.
Përgatiti: ARMIN TIRANA