Ai Weiwei

Ai Weiwei

Përdor “blog”-et, rrjetin social “Twitter” dhe veprat e tij për të demaskuar gënjeshtrat e regjimit të Pekinit. Sipas tij, shpresa e vetme janë të rinjtë, të cilët mund të japin një opinion personal falë internetit

Arti i provokimit

Në Kinë është i famshëm, sepse ka marrë pjesë në dizajnimin e Folesë së Zogut, stadiumi olimpik i Pekinit. Por gjëja për të cilën Ai Weiwei ndihet më shumë krenar është lëvizja qytetare që ka filluar ta organizojë shtatë muaj më parë dhe kujdesi për shkollat që u shembën nga tërmeti i 12 majit të vitit 2008, në provincën e Sishuanit. Disa vullnetarë mbledhin emrat e fëmijëve të humbur dhe ndihmojnë prindërit e tyre për të vënë drejtësi.

Bashkëpunëtorët e Ai Weiwei luajnë kukafshehtas me policinë sekrete dhe ndonjëherë arrestohen në mes të natës. “Falë aktiviteteve tona”, tregon ai, “të rinjtë e kuptojnë se në çlloj sistemi po jetojmë”. Në grupin e tij ka shumë studentë, por edhe një zotëri rreth të tetëdhjetave. Në Sishuan, është një grup i vogël prej pesëdhjetë vetash, ndërsa në Pekin numri i grupit arrin në 200 veta. Të dhënat që mbledhin pjesëtarët e grupeve, hartohen në lagjen ku jeton artisti, në shtëpinë e tij galeri në lagjen pekineze “Caochangdi”. Apartamenti, të cilin e ka projektuar ai vetë, është i formuar nga disa paralelepipedë, me tulla të vogla gri, të vendosura në mënyrë që të formojnë shkronjën U përreth një lëndine plot me lule lejla. Në këtë lagje, Ai Weiwei ka projektuar edhe disa dhjetëra galeri, të cilat sot janë shumë në modë.

Disa vite më parë, portali Sina, një prej vendeve më të vizituara të Kinës, i kërkoi të mbante një “blog”. Ai Weiwei e kuptoi menjëherë se si mund ta shfrytëzonte këtë mundësi. Në verë të 2008-s, 28-vjeçari Yang Jia vrau me armë zjarri shtatë policë në një komisariat të Shangait. Përdoruesit e internetit u pasionuan menjëherë pas rastit, sepse Yang që ishte rrahur nga policia, konsiderohej një xhelat. Ai Weiwei shkroi 70 artikuj për çështjen në fjalë, duke kritikuar abuzimet e forcave të policisë dhe drejtësinë. “Blogu” i tij arriti menjëherë 10 milionë lexues. Që atëherë, artisti nuk lë ti shpëtojë më asgjë. Kur mori vesh se të gjithë kompjuterët e shitur në Kinë kanë një “software” për censurën, organizoi një bojkotim të madh të rrjetit. Gjithashtu, kur një udhëheqës i partisë së Henan trukoi foton zyrtare të Ai Weiwei, duke i ngjitur flokë në fytyrë dhe duke i vënë trupin e Hu Jintao, Ai Weiwei bëri të njëjtën gjë me foton e zyrtarit dhe publikoi në internet tri fotografi.

“Është mënyra më emocionueses për të bërë art”, pohon Ai Weiwei. “Nuk ia vlen të mbështetesh te mendimet e bukura. Është më mirë të punosh për raste konkrete, sepse nxisin reagime mes njerëzve. Autoritetet nuk dinë më si të reagojnë”.

Para tij asnjë personazh tjetër i famshëm nuk kishte guxuar të denonconte hapur dhe aq më tepër para një publiku kaq të gjerë, gënjeshtrat e vogla dhe të mëdha të qeverisë. “Është një pionier”, thotë për të Zhang Rui, një piktor i ri që bashkëpunon për projektet e tij. “Është një qytetar i vërtetë, që merr përgjegjësitë e veta e të qenit i famshëm”.

Aktivizimi i Ai Weiwei i irriton disa përdorues të rrjetit, që e kanë kritikuar duke e quajtur “amerikan”. Ai u është përgjigjur duke publikuar në blog një fotografi të pasaportës së tij kineze. Para disa muajsh, një prej miqve të tij piktorë të “Caochangdi”, e përshkruante, me pak sarkazëm, si një pasha që çonte në rrezik ndihmësit e tij. Por sot në fakt, çështja është më serioze dhe të gjithë miqtë e tij janë të shqetësuar kur shohin që jeta e tij është në rrezik.

Në prill të këtij viti faqet e “blog”-ut të tij u fshinë. Më pas “blog”-u u fshi i gjithi. Sina as që mori mundimin ta lajmëronte dhe tani Weiwei kërkon ta hedhë në gjyq sajtin. Në këtë pikë, Ai Weiwei hapi një blog të ri në një server të huaj. Pastaj vijuan ndërprerjet, përndjekjet dhe madje një kontroll në shtëpinë e mamasë së tij nga ana e civilëve. I tërbuar nga kjo gjë, Ai Weiwei u përball me ta, kërkoi tu shihte teserat e tyre dhe në fund lajmëroi policinë.

Incident në Chengdu

Para disa javësh, policët e Chengdu-së, qendra e Sishuanit, i kaluan limitet. Ai Weiwei gjendej në qytet për të dëshmuar në favor të Tan Zuoren, një militant që si ai, kishte filluar të merrej me listat e viktimave pas shembjes së shkollave, para se të arrestohej në vitin 2008. Më 12 gusht, ditën e gjyqit, artisti ishte në hotelin e tij me një grup dëshmitarësh, kur 30 policë hynë me dhunë në dhomë dhe filluan të rrihnin të pranishmit. Më pas nuk i lejuan të dilnin. Gjyqi u zhvillua pa dëshmitarë. Pas kthimit në Pekin, Ai Weiwei e bëri publik lajmin përmes rrjetit social “Twitter”.

Paranoja e autoriteteve kineze dhe metodat e vështira të përdorura nga shërbimet e sigurisë, e acaruan. “Refuzojnë të bëjnë një dialog të hapur, dinë të veprojnë vetëm në hije”, thotë i indinjuar. Ai Weiwei ia detyron shkëlqimin dhe aktivizimin e tij të kaluarës së vështirë të familjes së tij. Në vitet 30, i ati, poeti Ai Qing, përfundoi në burg me urdhër të Kuomintang, pasi ishte kthyer nga një fshat i Francës. Në kohërat e Kinës komuniste, Qing e arriti sërish famën përmes vjershave mbi lirinë dhe drejtësinë. Në vitin 1957, kur lindi Ai Weiwei, Ai Qing u akuza se ishte shumë i djathtë, sepse kishte publikuar disa vjersha satirike mbi kuadrot e partisë. Kështu, bashkë me gruan Gao Ying dhe fëmijët, u internua në një fermë të kolektivizuar të Xinjang, në perëndim të Kinës. Jeta, shumë e vështirë, u shndërrua në një ferr kur shpërtheu revolucioni kulturor. Për pesë vjet, nga mëngjesi deri në darkë, poeti u detyrua me forcë të pastronte kabinete dhe të merrej me çdo lloj pune. Një mbrëmje, pas asamblesë tradicionale me autokritika koti dhe fyerje, babai i Ai Weiwei u kthye në shtëpi i bërë pis nga koka te këmbët. I kishin derdhur mbi kokë një kovë me bojë shkrimi. “Nuk kishim sapun dhe mbeti palarë për javë të tëra”, tregon Ai Weiwei. “Është e pabesueshme se sa poshtë bien njerëzit. Asnjë nuk i vinte në diskutim urdhrat e partisë”.

Në vitin 1976, pas vdekjes së Maos, familja u rikthye në Pekin. “Ishte njësoj si të na kishin thënë: nuk ka ndodhur asgjë, ishte një gabim. U gjendëm sërish në mes të elitës, por e gjithë kjo më dekurajonte”. Atëherë, Ai Weiwei iu bashkua një grupi artistësh, adhurues të provokimit që thërriteshin “Xingxing” (yje), të cilëve më vonë iu ndalua të ekspozonin veprat e tyre. Ai Weiwei u regjistrua në institutin e kinemasë, por ishte i pakënaqur me regjimin dhe në vitin 1981 u transferua në Shtetet e Bashkuara. Aty zbuloi Jasper Jons dhe Andy Warhol, prej të cilëve arriti të merrte mjaft eksperiencë. Në vitin 1993, kur e ëma u sëmur, Ai Weiwei u kthye në Kinë. Shkroi libra për artin lokal underground, organizoi ekspozitën “Fuck Off” në Shangai, duke sfiduar tabutë dhe traditat me veprat e tij.

Në “blog”-un e tij dhe rrjetin social “Twitter”, Ai Weiwei flet tashmë për gjithçka: lirinë, gënjeshtrat, Tibetin, kujtesën dhe policinë sekrete. Sipas tij, shpëtimi do të vijë nga interneti dhe brezat e rinj, të rinjtë dhe të rejat që mund të japin një opinion personal. Të rinjtë i njohin vlerat e tij. Në internet e quajnë Ai Weilai, një lojë fjalësh që nënkupton “me atë që do të ardhmen”.(Shqip)

EqKomIdPhJ4

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23268. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23268

Top