Ahmet Zogu dhe Fushata propagandistike e Mbeturinave enveriste.

kastriot

Primus registratum
Ahmet Zogu dhe Fushata propagandistike e Mbeturinave enveriste.

Furi Llaka-Lakash Kunder Ahmet Zogut



Kohët e fundit në disa gazeta të Shqipërisë ka shpërthyer një tjetër furi llaka-llakash kundër ndërtuesit të shtetit modern shqiptar, Mbretit Zogu i Parë. Disa herë gjatë këtij viti rryma e mendimit politik nolisto-enverist ka vënë në lëvizje propagandsitët e saj, që drejpërsëdrejti apo tërthorazi, të denigrojnë emrin e veprën e Ahmet Zogut. Kjo propagandë u egërsua edhe më fort pasi qeveria e Fatos Nanos bëri disa veprime të arsyeshme për të ndrequr diçka nga marrëzitë antizogiste të të kaluarës për trajtimin e familjes mbetërore dhe sidmos pas pritjes së iu bë trashëgimtarit të Fronit Mbretëror , Leka Zogut , në Kosovë.

Flamurin në këtë furi llaka-llakash, të dëgjuara e të neveritura në dekada, e kanë marrë një numër veteranësh të LDB të prirë nga një ish-oficer enverist, Veli Llakaj, ndonjë pinjoll i mllefosur antizogistësh tashmë të harruar, si Hajro Cini, apo dhe ndonjë “profesor”i historiografisë enveriste si Paskal Milo. Për fat të keq nga gjykimet armiqësore komuniste për figurën e Ahmet Zogur nuk paska arritur të shkëputen as intelektualë të njohur si prof. i filozofisë Zija Xholi.

Fushatat e llaka-llakave kundër Ahmet Zogut dhe veprës së tij madhore në historinë e kombit e të shtetit shqiptar nuk kanë pushuar asnjëherë. Nuk ka asgjë të re edhe në krrokamat e tanishme të korbave të antizogizmit. Këto krrokama janë përsëritje e pështirë e atyre të kohës së sundimit eneverist dhe e disa kundërshtarëve më të hershëm politikë të Zogut, shumica e të cilëve përfunduan në grazhdin e armiqëve më të egër të kombit shqiptar, shërbimevet të spiunazhit të Italisë, Jugosllavisë, Greqisë , Kominternit e të tjera.



Ngurim i pahishëm intelektual për të pohuar të vërtetën historike për Ahmet Zogun



Aq e fuqishme është edhe tani alergjia e rrymës së mendimit politik nolisto-enverist dhe frika e saj nga çdo hap për të vënë në vend të vërtetën mbi vlerat historike të veprës së Ahmet Zogut saqë protagonistë të shquar të kësaj rryme shmangin çdo referencë ndaj emrit të Ahmet Zogut, edhe kur kjo i vë ata në pozitë qesharake në kontekste shkrimesh kur është e pamundur të shmanget emri i Mbretit të shqiptarëve.

Në prag të festës së krahinës së Matit, përkujtimit të 60 vjetorit të fillimit kryengritjes së madhe popullore me sulmin kundër ganizonit ushtarak të pushtuesve fashistë italianë në Burrel më 31 korrik të vitit 1943, gazeta “Zëri i Popullit” më 27 korrik 2003 botoi shkrimin ”Kryengritja e Matit-një shembull i lartë i patriotizmit popullor”. Kësaj here autor i shkrimit nuk ishte ndonjë propagandisst i rëndomtë, por një penë e njohur, Prof. Zija Xholi, nga Korça. Duke u nisur nga personaliteti i njohur i autorit “ZP” kishte bërë zgjedhjen më të mirë në një përpjekje të lavdërueshme që më në fund të dalin në pah vlerat e përmasat e vërteta të kësaj kryengritje të rëndësishme për historinë e Shqipërisë.

Prof. Xholi deri në njëfarë mase e ka bërë me shumë seriozitet këtë detyrë. Ai vëren se : ”Lufta e popullit të Matit në fund të korrikut 1943 meriton me plot të drejtë të marrë emrin e një kryengritjeje të madhe, që e dallon dhe e nderon me të vëtetë krahinën dhe mbarë kombin. Ishte kryengritje e vërtetë sepse ajo filloi dhe u zhvillua haptazi, në hundët e administratës dhe të garnizonit të pushtuesit, përballë mijëra ushtarëve dhe mercenarëve ku u derdh gjaku i 50 matjanëve dhe u dogjën 1028 shtëpi. Ajo ishte kryengritje e vërtetë ku morën pjesë 3000 luftëtarë të lirisë...Kryengritja e Matit që dëshmi e vërtetë e trimërisë, heroizmit, shpirtit të sakrificës, qëndrimit burrëror të partizanëve dhe fshatarëve të armatosur të krahinës...Ajo qe unikale për nga pjesëmarrja dhe mënyra e organizmit”. Më në fund, pra dhe në gazetën “ZP” botohet një shkrim që dëshmon se luftën për çlirimin e Shqipërisë në vitet e LDB nuk e paskan bërë vetëm lebërit dhe Zona e Parë Opereatvive Vlorë-Gjirokastër, por edhe të trjerë, edhe Mati ku ndikimet e komunistëve dhe të komunizmit në atë kohë ishin shumë më të dobëta e më të kufizuara së në Zonën e Parë Operative.

Pasi ka vlerësuar lart kryengritjen e Matit kundër psuhtuessve fashistë italianë profesori i filozofisë dhe marksizëm-leninizmit, Zija Xholi, është marrë me zbulimi e rrënjëve historike të këtij patriotizmi në Mat. Ai përmend se Mati ka qenë “qendra e familjes së madhe të Kastriotëve dhe kujtimi i luftrave të Skëndërbeut është i pandarë nga krahina e Matit”, sekjo krahinë veçohert nga të tjerat se këtu lindi “Formula e pagëzimit” që ende mbahet nga shumica e studiuesve si dokumenti i parë në gjuhën shqipe, që nga vitit 1462, se nga Mati ( fshati Gur i Bardhë) ishte Pjetër Budi që “në fillimet e shekullit XVII u bë njëri nga pionierët e shquar të kulturës dhe të çështjes sonë kombëtare”. Por, për çudi dhe memungesë serioziteteti intelektual këtu ndalet prof. Xholi me historinë e shkëlqyer të Matit dhe bën një kapërcim gjigand në kohë tek dalja në skenën e ngjarjeve dy komunistëvet matjanë, Beqir Minxhozi e Haki Fejzo, në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Kështu. Prof. Xholi mbetet përsëri i gozhduar në stilin enverist të shpjegimit të ngjarjeve sepse nuk përpiqet të pranojë e të sqarojë se forca kryesore në kryengritjen e Matit nuk ishin e nuk mund të ishin komunistët e pakët, por ishin nacionalizmi e nacionalistët, ishin përkrahësit e Ahmet Zogut.

Të bësh një kapërcim në historinë e Matit nga Pjetër Budi i gjysmës së parë të shekullit tëXVII deri tek disa të pakët të rinj komunistë në Mat në vitet e LDB është spekulim i papranueshëm me historinë e Matit, pavarësisht nga emri i nderuar atij që e bën këtë. Në Mat ka pasur histori të shkëlqyer edhe në atë periudhë që Prof.Xholi e lë hapësirë të errët. Mati dhe sidomos dera e madhe e Zogollëvë janë dalluar në shumë etapa të tjera të historisë së Shqipërisë, pas vdekjes së Pjetër Budit e para fillimeve të komunizmit në Mat. Janë dalluar edhe në organizmin e kuvendeve e kryengritjeve anti-osmane, edhe në kohën e Lidhjes së Prizrenit, edhe në Kuvendin e Dibrës edhe në përgatitjen e shpalljes së pavarësisë.

Tri figura qendrore shquhen midis të tjerave në kohën e hedhjes së hapave praktikë për sendërtimin e pavarësisë së Shqipërisë: Ismail Qemali nga Vlora si diplomat, Rexhep Pashë Mati nga Mati si ushtarak që do të jepte krahun e armatosur të luftës për pavarësi dhe Hasan Prishtina nga Kosova si politikan i stilit revolucionar që do të ishte pishtari i kryengritjes popullore. Prof. Xholit nuk i ka hije ta kalojë pa e përmendur Rexhep Pashë Matin kur shkruan për traditën atdhetare të Matit. Rexhep Pashën e helmuan osmanët ditën që mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes në Satmboll, sepse kishin frikë që do të përdorte forcat ushtarake, veçanërisht ato që kishte komanduar në Tarabulluz ( Libi) për të mbështetur pavarësinë e Shqipërisë. Mbetet dyshimi real se osmanët vepruan me pabesi kundër Rexhep Pashës pasi u vunë në dijeni nga grekët se ky kishte kërkuar anije për të transportuar ushtarët e tij nga Tarabulluzi në Ballkan. Grekët nuk donin në ansjë mënyrë shtet të pavarur shqiptar që, përmë tepër, të kishte forca ushtarake në dispozicion qysh në hapat e parë. Prof. Xholi duhet të jetë në dijeni të kontakteve të Ismail Qemalit më Rexhep Pashën dhe të vargjevet të poetit zagorit Anton Zako Çajupit që i drejtohej pikërisht Rexhep Pashë Matit me thirrjen për ta përdorur sa më parë ushtrinë e tij për pavarësimin e Shqipërisë.

Por mbi të gjitha nuk është e hishme të shkruash për traditat atdhetare të Matit që përgatitën psikologjinë e trimërisë së vitit 1943 dhe të kalosh në heshtje veprimtarinë e shquar prej disa dekadassh të Ahmet Zogut në Mat dhe në emër të Matit. Si mund të kalohen në heshtje luftrat e matjanëve nën drejtimin e djaloshit Ahmet Zogu për të mbrojtur Shkodrën nga malazezët, për të përballuar serbët

në kufinjtë e Matit e pastaj me radhë ato që bëri Ahmet Zogu për Shqipërinë, për ngritjen për herë të parë të shtetit modern shqiptar, të atij shteti që e kishte pushtuar ushtarakisht Italia fashiste, për çlirimin e të cilit bënë kryengritjen e madhe matjanët?!. Të tentosh t’i heqësh Matit e Shqipërisë këto pjesë të lavdishme të historisë është e turpshme.

Nëse Prof.Xholi e kishte të pamundur të shprehej për Ahmet Zogun më mirë të mos e merrte përsipër të shkruante për Matin, ose të paktën shkrimin e tij për kryengritjen e vitit 1943 të mos e lidhte fare me historinë e mëparshme, sepse edhe në shpërthimin e kësaj kryengritje ka qenë në radhë të parë figura e Ahmet Zogut që i ka frymëzuar e mobilizuar njerëzit. Për kryengritjen e Matit më 31 korrik 1943 tek matjanët kanë ndikuar më shumë figura dhe shembulli i Ashmet Zogut se betejat e largëta të Skënderbeut kundër osmanëe, më shumë fryma nacionaliste atdhetare që u kultivua në kohën e qeverisjes e të mbretërimit të Zogut se poezitë e veprimet gati të panjohura më të Pjetër Budit. Kanë ndikuar më shumë prijësit popullorë të Matit se legjendat e hershme.Edhe komunistët patën vendin e rolin e tyre. Por ky shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të nacionalizmit shqiptar me komunizmin intenacionalist shqiptar që u realizuar në Mat në korrik të vitit 1943 u tradhtua shumë shpejt dhe u zëvendësua me lufyën civile që e filloi labokomunizmi në Zonë e Parë Operative dhe pastaj e shtriu gradualisht drejt veriut të Shqipërisë.

Shembullin më të mirë se si duhej luftuar kundër pushtimit italo-fashist për çlirim komëbtar e paskemi pasur, pra, në Mat. Por edhe tani pas 60 vitesh me flamurin e antifashizmit shqiptar duan të spekulojnë përfaqësues të labokomunizmit nga Zona e Parë Operative, madje këta në emër të këtij anti-fashizmi duan të sulmojë më tërbim krenarinë e Matit e të mbarë shqiptarëve, Ahmet Zogun. Këta mbase kanë harruar, mbase nuk e kanë ditur asnjëherë, se pushtimin e Shqipërisë fashizmi italian u përpoq ta maskonte me parrullat se po shpëtonte popullin shqiptar nga sudimi i mbretit satrap dhe jo me premtime se po shpëtonte popullin shqiptar nga rreziku i komunizmit. Kështu që edhe pse dalin në emër të “antifashizmit” këta zëdhënës të labokomunizmit me armiqësinë e tyre për Ahmet Zogun bashkohen pikërisht me politikën e propagandën e fashizmit italian që pushtoi Shqipërinë më 1939 gjoja për ta shpëtuar nga Ahmet Zogu.



Ofensivë qesharake e “Ushtrisë antizogiste” të Veli Llakajt



Në këtë furi më të fundit llaka-llakash shquhet një person me emrin Veli Llakaj, i cili vepron me cilësinë e kryetarit të shoqatës mbarëkombëtare të “Bashkimit Anti-fashist të Shqipërisë” dhe të veqilit të 32 shoqatash të tjera “nga gjithë anët e Shqipërisë” dhe të 180 veteranëve të luftës. Këta u paskan drejtuar auoriteteve më të larta shtetërore dhe botuar në gazetën “Sot” më 22 Gusht 2003 një akt-akuzë politike, historike, morale e juridike me titullin “Ahmet Zogu është vetëm tradhtar i Atdheut”. Veli Llakaj që qenka vënë në krye të kësaj ushtrie antizogiste me 180 oficerë, nënoficerë e ushtarë të vjetër ka qenë dikur shef shtabi i ushtrisë shqiptare në kohën e diktaturës enveriste, por edhe përndoq nga pushteti që e kishte ngritur aq lart. Ai njeh mirë edhe historitë e dhimshme të shumë krerëve të ushtrisë shqiptare që përfunduan në burg, internim ose u pushkatuan për komplote imagjinare apo intriga të pavlera kundër Partisë e Enverit. Ai duhet të ketë njëfarë dijenie edhe nga historirat me ushtarakë shqiptarë në kohën e Zogut. Veli Llakaj duhej ta kishte më për turp se të tjerët që nuk e kanë pësuar si ai të fyente Ahmet Zogun, kur të kujtonte se si Ahmet Zogu i trajtonte me plot respekt ushtarakët e lartë edhe kur ishin gjykuar nga drejtësia pas zbulimit e shtypjes së komploteve e kryengritjeve reale.

Në “Gazetën Shqiptare” në rubrikën “Dosier për familjet e mëdha” sapo janë botuar rrëfimet e Prof. Dëfrim Shkupit për xhaxhain e tij, kolonel Ali Shefqet Shkupin ( babai i fizikanit-diplomat e publicit Skënder Shkupi) dhe babain e tij ( të Dëfrimit) kapiten Naxhiun, që ishin të dy ushtarakë të lartë qysh në kohën e Turqisë. Madje kolonel Ali Shefqeti u bë i pari shef shtabi i ushtrisë së shtetit të pavarur shqiptar dhe mbeti në ofiqe të larta ushtarake për shumë kohë. Ndër të tjera Prof. Dëfrim Shkupi ia rrëfen lexuesit historinë familjare duke numruar edhe rastet kur Ali Shefqeti ka marrë pjesë në veprime komplotuese e kryengritëse kundër Ahmet Zogut, qysh nga kryengritja e Elez Isufit në vitin 1922, kryengritja me armë e nolistëve në vitin 19924 e deri në kryengritjen e armatosur të Fierit në vitin 1935, që e organizuan organizata e fshetë e ushtarakëve komplotistë e krijuar nga vet Ali Shefqeti, komunistët e agjentët e Kominternit dhe një numër bejlerësh e aventurierësh të tjerë shqiptarë.

Nga rrëfimet e Dëfrimit del qartë se Ali Shefqetit dënimi me vdekje iu kthye në ndëshkim simbolik dhe në vitin 1938 u lirua nga burgu. Kështu ndodhte me shefin e shtabit të ushtrisë shqiptare që bënte tradhti të mirëfilltë në kohën e mbretërimit të Zogut. Krejt ndryshe e ka pësuar një shef i shtabit të ushtrisë shqiptare të kohës së Enverit, që nuk ishte implikuar në ndonjë kryengritje të vërtetuar. Por, mëgjithatë ky Veli Llakaj edhe tani zien e buçet nga mllefet pse erdhi koha pas shembjes së diktaturës enveriste të bëhen nderime për Ahmet Zogun.



Kur madhështinë e Zogut përpiqen ta ulin për një vonesë pensioni



Para se këta 180 veteranët e grumbulluar në 32 shoqata fshatrash e veprimtarish allasojçe të nisnin sulmin me llaka-llaka nën drejtimin e shef Llakajt në gazetën “55” kemi ndjekur një debat midis studiuesit shumë të apasionuar dhe objektiv të ngjarjeve e personaliteteve historike të Shqipërisë, Kastriot Dervishi dhe njëfarë Hajro Cini që jetuaka në Kanada e punuaka në një bankë, por që i bie më qafë historisë e historiografisë ngaqë qenka shumë i mllefosur kundër Ahmet Zogut se ky i paska vonuar 5 vite pensionin familjes së gjyshit të tij, Sali Çekës, që sipas Hajros, por jo sipas Kastriotit, e paska pas vrarë në vitet 1920 Ahmet Zogu si kundërshtar politik.

Hajro Cinit ia ka rregulluar mirë samarin Kastriot Dervishi dhe nuk kemi përse të merremi me llaka-llakat e tij të mllefosura ( shih polemikat Dervishi-Cini në gazetën “55” në korrik-gusht të këtij viti sidomos shkrimet e Dervishit “Hajro kalon nga gabimi në gabim” më 26 korrik dhe “Gabimet e shtuara të Hajros” më 26 gusht). Por në kontekstin e këtij shkrimi duhet vënë në dukje se Hajro Cini kërkon që Ahmet Zogu edhe pas tre çerekë shekulli të urrehet e të shahet nga shqiptarët sepse paska bërë “krimin e rëndë” që familjes së një kundërshtari politik ia paska vonuar për inat pensionin (kuptohet aq sa e vononte rregullimi ligjor dhe formalitetet administrative).

Kurse ata të ushtrisë veteranse dhe përfaqësuesit e shoqatave që komandon Veli Llakaj bëjnë një pretencë të egër kundër Ahmet Zogut në vitin 2003 sepse nuk u shkulen nga trutë gozhdat e ndryshkura të akuzave, të të pavërtetave dhe të interpretimevet marroqe për veprimtarinë atdhetare të Ahmet Zogut që janë bërë qesharake me kohë.



Një parantezë edhe për Kastriot Dervishin



Detyrohem të shënoj me keqardhje se Kastrioti në shkrimet dërrmuese kundër Hajro Cinit nuk kishte nevojë që pikëpamjet tij vlerësuese për Ahmet Zogun t’i mbështeste me një citat nga një fjalim i Sali Berishës :” Unë si demokrat dhe si kryetar i PD-së e vlerësoj figurën e Naltmadhnisë së Tij Zogu i Parë se për atë kohë bëri shumë të mira për popullin tonë, formoi shtetin shqiptar, miratoi ligjet me parime perëndimore, ndërtoi institucionet që ekzistojnë edhe sot, shkolla rrugë të asfaltuara dhe ura dhe mbi të gjitha në atë kohë nuk ekzistonte asnjë lloj korrupsioni. Në atë kohë kishe të drejtën e fjalës së lirë dhe të udhëtoje në të gjithë botën (“Rilindja Demokratike” 25 qershor 2000)”. Këto i ka përmendur Dervishi në gazetën “55” të datës 26 gusht 2003. Berisha u kujtua shumë vonë të shqiptonte fjalë të tilla, që sado me sinqeritet e vrasje ndërgjegje t’i ketë thënë tingëllojnë si hiprokrizi.

Citimi i fjalëve të mësipërme të Berishës sot tingëllon keq, sidomos kur studiues që nuk kanë dalë nga farka enveriste si Dervishi, kërkojnë të bëhen të besueshëm duke cituar pushtetarë e kryetarë partishë për të mbështetur një pikëpamje që ata e argumentojnë më mirë vet. Nga ana tjetër Kastriot Dervishit nuk duhet t’i kishte shpëtuar se Sali Berisha ishte “demokrat e kryetar i PD-së” edhe në vitin 1991 kur në një intevsitë në revistën “Ora”, organ i LD të Kosovës bënte sulme nga më të ultat e më shpifëset kundër Ahmet Zogut, si “vegël e Serbisë” në Shqipëri dhe kundër Leka Zogut, si njeriu i përzgjedhur nga Beogradi për të vendosur në Shqiëpri diktaturën e djathë për llogari të Serbisë. Berisha madje deklaronte se kishte marrë fund në vitin 1991 rreziku i vendosjes së diktaturës së majtë në Shqipëri dhe ekzistonte vetëmn rrëziku i vendosjes së diktaturës së djathtë nëpërmjet Leka Zogut. Viti 1997 e përgënjeshtroi vajtueshëm Berishën sepse ky u detyrua t’i drejtohej për mbëbshtetje shpëtimtare Leka Zogut para revanshit të diktaturës së majtë.

Dervishi duhet ta dijë se Berisha ka qenë “demokrat e kryetar i shtetit shqiptar” dhe padron i PD-së në nëntor të vitit 1993 kur e dëboi Leka Zogun nga trualli shqiptar sapo kishte shkelur pas 58 vite mërgimi duke bërë kështu një gjest edhe më të shëmtuar se fashistët e Musolinit në prill të vitit 1939 ndaj familjes mbretërore të Shqipërisë. Berisha ishte në kulmin e pushtetit kur Pjetër Arbnori në gusht të vitit 1994 akuzonte Leka Zogun se që nga Johanesburgu kishte organizuar grevën e urisë të të përndjekurve politikë për të rrëzuar pushtetin e PD-së. Berisha ishte “demokrat i madh” dhe kryetar i Shqipërisë edhe në qershor të vitit 1994 kur u organizuan ceremonitë e zhurshme në stil krejt enverist për të kremtuar triumfin e Revolucioni Demokratik të Fan Nolit. Berisha ka shqiptuar fjalë ditirambike për Nolin e kryengritjen e tij dhe ka denigruar rolin e e figurën e Ahmet Zogut. Historiani që shpreh më me besnikëri pikëpamjet e Berishës, Luan Malltezi, bëri kundër Zogut dhe kundër atyre që u ngritën për ndriçimin objektiv të figurës së Zogut sulmet e fyerjet më të rënda. Vetëm 3 vite më vonë Berisha rrëzohej turpshëm nga pushteti nëpërmjet një i imitimi të revolucionit nolist që e kishte lavdëruar aq shumë.

Berisha ishte “demokrat i madh” dhe kryetar shteti edhe kur dy vite më pas ndërhynte brutalisht në punët e Kongresit të PLL për të rizgjdhur shegertin e tij Guri Durollari. Në këtë rast Berisha i dërgoi Kongresit të PLL një telegram që përmbante fyerje të rënda për Ahmet Zogun, si ato që përmban edhe pretenca e nënshkruar nga Veli Llakaj dhe u kërkonte legalistëve të binin dakord me Berishën e të njollosnin figurën e idhullit të tyre, Mbretit Zog. Aq fyes ishte ky telegram sa Guri Durollari e fshehu nga delegatët pjesën më të ligë të tij dhe kur u mor vesh përmbajtja legalisti i njohur e figurë e PLL në mërgin, Fuad Myftija, ia ktheu Sali Berishës në shenjë proteste një dekoratë që i kishte pas dhënë.

Berisha e Meksi kanë edhe fajin që nuk bënë asgjë për të rregulluar statusin e familjes mbretërore dhe pasurinë e saj dhe ia lanë pushtetit socialist zgjidhjen e këtyre. Socialistët sot gjejnë rastin të përdorin në interes të tyre edhe rregullimin e këtyre problemeve që nuk i vuri fare në hesap pushteti i së djathtës. Kurse të majtët ekstremistë bëjën llaka-llaka që gjithsesi psikoza antizogiste të mos fashitet.

Prandaj qëndrimet Berishës, Meksit, Arbnorit,PD-së ndaj familjes mbretërore dhe emrit e veprës së Ahmet Zogut nuk mund të shfajsohen me ndonjë citat si ai që ka sjellë Kastriot Dervishi.



Antizogistët kanë koncepte të përmbysua për tradhtinë ndaj Atdheut



Nëse falangistët që komandon Llakaj i çmojnë si tradhtira ato shërbime të shkëlqyera që i ka bërë Ahmet Zogu Shqipërisë, atë rezistencë dinjitoze që i bëri Ahmet Zogu në kushte tejet të vështira presionit serb, grek italian, apo veprimin e vetëm të arsyeshëm e dinjitoz që mund të bënte Ahmet Zogu kur u pushtua Shqipëria ushtarakish në prill të vitit 1939, atëherë ata vetëm japin provën se kanë pikëpamje të përçudnuara për të gjjtha këto, kanë shpirtin e keq, kanë mendjen çyryk për të gjykuar dukuri të tilla dhe janë krejtësisht të padenjë për të formuluar akuza për veprën e Ahmet Zogut. Në qoftëse se këta falangistë i ka zënë dalldia të hiqen trima mbi trima duke sharë Ahmet Zogun pse nuk shpartalloi Italinë më 7 prill 1939, apo pse ndërtoi atë taktikë që ndërtoi për përfaqësimin e rezistencës shqiptare në mërgim u duhet thënë se këtë trimëri kishin rast ta bënin vet në pranverën e vitit 1997 që të ndalonin invazionin grek të Shqipërisë dhe rrënimin e shtetit shqiptar. Ose të paktën të dilnin kundër projekteve për shkëputjen e Jugut të Shqipërisë me kryeqendër Vlorën.

Për të gjitha sa janë rreshtuar në dokumentin e falangistëve antizogistë të komanduar nga Llakaj mund të bëhen plot komente. Por pse të zgjatenmi shumë. Ahmet Zogun nuk e zhvleftësuan dot labokomunsitët as kur kishin pushtetin absolut mbi gjithçka në Shqipëri. Përsa i përket diskutimit se cilët janë tradhtarët e Atdheut është e qartë se me falangistët e Llakajt nuk mund të arrihet në një kuptim të njëjtë, çfardo debati që të bëjmë.



Ata që duan më shumë kishëzën e Shën Naumit se gjysmën e trojeve etnike shqiptare



Në letrën e dërguar në “SOT” veteranët e 32 shoqatave si argument më të “fort” kundër Ahmet Zogut përdorin atë që me kohë është bërë më bajati. Ata kanë shkruar :”Në vitin 1925 për interesat e tij personale i ka dhënë mbretërisë së Jugosllavisë një pjesë të territorit shqiptar si Shën Naumin dhe Vermoshin.”

Po e veçojmë këtë “argument” qesharak sepse rreth tij “Gazeta Shqiptare” kurdisi një debat të tërë.Më 29 Gusht 2003 “Gazeta Shqiptare” nën okelion “Flet historiani Paskal Milo” gjoja u shpjegon lexuesve “Ja si e humbëm Shën Naumin. Pse u fal një nga pikat më të bukura turistike”. Sipas “Gazetës Shqiptare” Paskali i paska deklaruar asaj një ditë më parë se :”E vërteta është që Zogu i ktheu Serbisë nderin që ata i bënë duke e sjellë në pushtet” . Paskali sëpari ka vërtetuar, nëse i beson vet fjalët e tij, se nuk ka shumë haber nga historia e vërtetë se kush e ndihmoi Ahmet Zogun të vinte në pushtet.

Paskali e ka gënjyer pa pikë turpi “Gazetën Shqiptare” dhe opinionin publik se “Konferenca e Londrës (e vitit 1913) e njohu Shën Naumin si tokë shqiptare”. Paskali me sharlatanizmin e një provokuesi politik ordiner dhe jo me seriozitetin e një studiuesi të historisë e të praktikave ndërkombëtare në punët e përcaktimit të kufinjëve ka thënë se: “Zakonisht nuk është praktikë dhurimi i tokave të një shteti dhe ky është një veprim i gabuar dhe i dënueshëm”. Paskali është përpjekur të fshehë faktet ( në qoftë se i di edhe vet) se Konferenca e Londrës e vitit 1913 i caktoi kufinjtë e padrejtë të shtetit shqiptar vetëm në parim, në vija të përgjithëshme, pra kreu vetëm atë fazë që në të drejtën ndërkombëtare quhet “delimitacion”. Pastaj vjen faza e dytë që quhet “demarkacion”, përcaktimi i vijës së kufirit në terren, shënimi i saj në harta të hollësishme topografike.

Në vitin 1925 midis Shqipërisë e Serbisë (Mbretërisë SKS) bëhej demarkacioni e jo delimitacioni i kufirit dhe në atë kohë Konferenca e Londrës kishte marrë fund. Nuk e dimë a do t’i ketë ardhur turp Paskalit të nesërmën e “pronocimit” të tij kur në të njëjtën faqe të “Gazetës Shqiptare” ka lexuar një shpjegim nga akademiku Arben Puto se: “ nga pikëpamja juridike marrëveshja mes Zogut dhe Pashiçit që i dha Serbisë Shën Naumin është e pakontestueshme” dhe se kjo ishte miratuar edhe nga parlamentet përkatëse! Sipas “Gazetës Shqiptare” : “Akademiku Puto nuk dha opinion personal lidhur me këtë akt”. Pse vallë? Sepse nuk ka opinion apo se ndruhej ta jepte? Unë e di faremirë se isht profesori im i së drejtës ndërkombëtare dhe koleg shumë vite më pas në Fakultetin e Drejtësisë e ka opinionin e vet. Ai si fanaolist dhe antizogist i njohur politikisht do të ishte i një mendje me Paskalin, por natyrisht serioziteti profesional e pengon të bëjë veprime bajate si të Paskalit.

Megjithaë edhe akademiku ka gabuar kur ka përdorur temin “marrëveshja ia dha Shën Naumin Serbisë”. Para se të bëhej marrëveshja ende nuk kishte marrë fund ligjërisht faza e demarkacionit të kufirit dhe serbët e mbanin të pushtuar me ushtri Shën Naumin. Megjithë debatet e kundërta që janë bërë nuk ka asnjë provë të pakundërshtueshme se ishte fiksuar përfundimisht që Shën Naumi i mbetej Shqipërisë. Më 30 Gusht 2003 “Gazeta Shqiptare” nën titullin “Mehdi Beu: pse ia dhashë Shën Naumin Serbisë” ka botuar një sqarim të bërë nga Mehdi Frashëri, diplomati e politikani i shquar shqiptar që ka qenë i ngarkuar të bënte bisedimet për zgjidhjen e çështjes së Shën Naumit Mehdi Frshëri duke përdorur edhe termat frëngjisht të marrëveshjes së Londrës, që nuk kishte bërë “hartë topografike për përcaktimin e kufirit Shqipëri -Serbi” ka sqaruar se teksti thoshte që kufiri nëpër liqenin e Ohrit shkon “nga një pikë midis fshatrave Rodohozhdë e Lin deri në Shën Naum, pra nuk thotë përfshi Shën Naumin”. Vetëm një interpretim austriak e linte Shën Naumin për Shqipërinë. Pra, deri në këtë pikë nuk shtrohej

çështja për të marrë e për të dhënë, por për të saktësuar vijën e kufirit në terren.

Marrëveshja u bë sipas të gjitha rregullave të praktikës e të drejtës ndërkomëbatre, midis shtetit shqiptare atij SKS, dhe nuk ka qenë “marrëveshje midis Zogut e Pashiçit”, sikurse shprehet gabimisht edhe akademiku Arben Puto. Milo është tejet i pandershëm e provokues kur një marrëveshje për saktësimin e vijës së kufirit në një pikë të caktuar nëpërmjet edhe një shkëmbimi territoresh përpiqet ta paraqesë si një “dhurim të territorit shqiptar nga Ahmet Zogu për Serbinë”. Mehi Frashëri në relacionin e tij për Zogun ka sqaruar se duke lënë kishën e manastirin e Shë Naumit majë një kodre brenda territorit jugosllav u arrit që të përfshiheshin brenda territorit shqiptar kullotat në Vermosh, fshati shqiptar ortodoks Peshkëpi pranë Shën Naumit dhe fusha e fshatit Çërravë dhe u shty vija e kufirit shumë më larg nga rruga automobilistike që lidh Pogradecin me Korçën.

Të gjithë ata që kanë sulmuar Ahmet Zogun qëllimisht i lënë mënjanë këto fakte dhe e paraqesin punën sikur me lënien e një kishe ortodokse, që për më tepër nuk lidhet aq shumë me historinë e shqiptarëve, por të sllavëve, qenka bërë hataja, qenka dëmtuar aq rëndë sa nuk ka Shqipëria.”Gazeta Shqiptare” e ndonjë tjetër, sikurse edhe veteranët e Llakajt përsri kanë gjetur burime të pashtershme lotësh për t’i derdhur rrëke që Zogu i humbi Shqipërisë një “perlë turistike”. Sa rrëke lotësh kanë derdhur gjatë shumë dekadave antizogistët shqiptarë për këtë kishë të vogël ortodokse majë një shkëmbi, a thua se vetëm ajo ishte fati, shpëtimi, shërimi e bekimi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve! Sikur gjysmën e këtyre rrëkeve lotësh për Shën Naumin këta vajtues e vajtojca ta kishin derdhur për trojet shqiptare që mbetën nën Jugosllavi, për monumentet e vërteta historike e kulturore shqiptare në Manastir, Shkup Kosovë e deri në Nish, për perlat historike, kulturore, ekonomike e turistike të Çamërisë që mbetën nën Greqinë do tëkishin bërë një gjë të mirë për vendin e tyre. Por jo, ata qajnë e vajtojnë me kuje, mallkojnë e shajnë Ahmet Zogun vetëm për Shën Naumin, nuk thonë një fjalë të vetme pëe Kosovën e bukur e Çamërinë e mrekullueshme, as nuk fajsojnë ndonjë politikan shqiptar që fliste në emër të kombit kur u copëtua Shqipëria.



A duhej të shpallte luftë Ahmet Zogu në vitin 1925 për Shën Naumin?!



Këta as duan të dinë se është gjë krejt normale që midis shteteve të bëhen shkëmbime të vogla në kufi për të rregulluar edhe më mirë marrëdhëniet e punët. Për këta shqiptarët duhej të sakrifikonin çdo gjë vetëm të kishin kishëzën ortodokse majë kodrës në Shën Naum, e ndërtuar dhe emërtuar për nder të një dishepulli të Klementit e Metodit që janë tërësisht të lidhur me histrorinë e sllavëve.

Ishte i panevojshëm ai sqarim, ose të paktën në atë formë si e ka njoftuar ”Gazeta Shqiptare” më 31 Gusht, nga Oborri mbretëror se “Shën Naumin nuk e fali Zogu”, por u bë marrëveshje sipas propozimit të Mehdi Frashërit dhe Myfit bej Libohovës. Nuk ka patur as faje, as dhurim, as shitje, por thjesht një rregullim fare të pjesëshëm në vijën e kufirit duke lënë një kishëz që për më tepër serbët e kishin të pushtuar ushtarakisht e dihej se nuk do ta lëshonin për hir të simbolikës që përfaqësonte për sllavët në shkëmbin të kullotave e fshatrave në Vermosh dhe të një fshati e një fushe në Pogradec.

Si mendojnë “diplomati” e historiani Paskal Milo dhe ish ushtaraku e veterani Veli Llakaj me 180 pasuesit e tij se çfarë tjetër duhej të bënte diplomacia shqiptare në atë kohë që e drejtonin me mjeshtri Ahmet Zogu, Mehdi Frashëri, Myfit bej Libohova? Mos vallë duhej të nisnin luftën kundër Serbisë për kishëzën e Shën Naumit”?!

Paskal Milo kur ishte në postin e minsitrit të jashtëm vazhdimisht ka bërë thirrje që shqiptarët të mos përgatiten e as të mos mendojnë për luftë mbrojtëse kur Serbia masakronte Kosovën e bombardonte dhe territorin e Shqipërisë. Paskal Milo vazhdimisht bën deklarata se as duhet menduar për bashkim trojesh shqiptare ku jetojnë mbi 3 milionë shqiptarë me Shqipërinë. Kurse për ngjarjet e vitit 1925 mallkon Zogun nga inati që e zgjidhi problemin e Shën Naumit në mënyrën më të mirë. Kaq shumë lot të derdhura për kishëzën majë kodrës mund të quhen vetëm gomarllëqe që nuk honepsen, pavarësisht se kujt i pëlqen t’i reklamojë, apo të kërkojë shpëblimin për to. Gomarllëqet mbeten të tilla edhe po të lëvizin Pas Kalit të Milos, edhe po të ngrihen mbi majat e bajonetave të antifashizmit anakronik që na qenka organizuar në Shqipërinë e sotme, kur fashizmit klasik hitlerian e musolinian i ka humbur nami e nishani dhe punën e fashizmit tani po e bëjnë “komunistët e rinovuar” në Shqipëri, apo edhe liberal-demokracia në shumë vende të zhvilluara.



Fushatat anti-zogiste janë edhe shpëthime atavizmash krahiniste



Në polemikën me shkrimtarin Naum Prifti para tri vitesh kam shtjelluar edhe pikëpamjen time se nolizmi është përdorur e përdoret si justifikim i krahinizmit politik jugor që për fat të keq ka qenë dhe është mjaft i përhapur ende në shumë mjedise e shtresa pavarësisht nga përkatësitë partiake e politike. Nolin si personifikim të një krahinizmi politik jugor në Shqipëri e ka përshkruar edhe një studiuesi i tij kanadez. Por, ashtu siç ngre ky krye ky krahinizëm në lëvdatat për Nolin, ngre krye edhe në çdo fushatë denigruese për Ahmet Zogun. Po të vështrohet me kujdes lista e atyre shoqatave që kanë pasuar Veli Llakajn nuk është zor të shihet se e mbizotërojnë shoqatat e fshatrave të Labërisë plus disa të tjera si shoqata Avni Rustemi, pra me prirje aprioriste armiqësore ndaj Ahmet Zogut.

Më 16 Gusht 2003 në gazetën “55” është botuar një shkrim i Kapllan Libohovës me titull “Në shërbim të historisë” me rastin e 76 vjetorit të vdekjes së Mufid Bej Libohovës. Ka bërë mirë autori që ka shkruar për këtë figurë të rëndësishme dhe inteletual të mirëfilltë në historinë e Shqipërisë. Por të çudit shumë sqarimi që ai jep për shkëputjen e Mufid Beut nga bashkëpunimi me Ahmet Zogun. Ja si shkruan Kapllani : “‘Kjo qeveri mbeti në fuqi deri nga fundi i vitit 1925, por gjatë kësaj kohe divergjencat midis Mufid Beut dhe kryetarit të Republikës ( d.m.th. Zogut) u bën me kohë gjithnjë e më të thella mbasi i pari nuk mund të pranonte disa veprime të Presidentit në lidhje veçanërisht me drejtimin e punëve të shtetit, sidomos përsa i përkiste politikës së tij tepër krahinore, zvogëlimit të rolit të të Parlamentit dhe hyrja në sferën drejtuese qeveritare të disa elementave të papërshtatshëm”.

Del sikur inatin më të madh Mufid Beu e paska pasur në radhë të parë për “politikën krahinore të Zogut”. Kapllan Libohova mbase na sqaron një herë tjetër se çfarë mendimesh kishte Mufid Beu për shprehjet konkrete të kësaj “politike krahinore të Zogut”. Me sa dimë nga burime të tjera Zogu ka bërë të kundërtën, është mbështeur shumë pikërisht në elementin jugor gjatë gjithë kohës që ka drejtuar punët e Shqipërisë. Këtë mund ta dëshmojë fare mirë libri i Teki Selenicës, të paktën për kohën deri në vitin 1927, që përfshin edhe periudhën e pakënaqësisë së Mufidit.

Këtij rasti i referohem vetëm për të ilustruar sesa e rrënjosur paska qenë qysh herët kjo puna e krahinizmit në mjediset politike të Shqipërsië së Jugut. I referohem edhe për faktin se pas LDB krahinizmi jugor i labo-komunizmit mori përëmasa të llahtarshme. I referohem dhe për faktin se rebelimi për përmbysjen e pushtetit të PD-së u bë nën parrullën “të përmbysim pushtetin e malokëve”, kur ky pushtet nuk ishte i malokëve.Të paktën kryeminstri Aleksandër Meksi nuk ishte “malok”, por nga Gjirokastra, ose siç e cilësoi gazetar i “ZP-së”, Pavllo Gjidede, kur u bëMeksi kryeministër nga “lugina e kryeministrave” të Shqipërisë. I referohem sepse pas revanzhizmit labokomunist pushteti është krahinarizuar shumë më tepër se në të kaluarën. Provën më të mirë na e kanë dhënë vet Fatos Nano e Ilir Meta që kanë akuzuar njëri tjetrin se kanë bërë pushtet krahinist e nepotist. ( domethënë skaparli, ose labo-gjirokastrit).

Më 17 korrik 2003 publicisti Fatos Baxhaku në shkrimin “Veriu dhe Jugu”, botuar në gazetën “Panorama” ka vërejtur se :” Në kohën e Zogut bashkësia mes të dyjave krahinave, Veriut e Jugut, erdhi dhe më duke u thelluar, falë interesit të përbashkët, në të parin shtet të vërtetë shqiptar”. Ky konstatim e nxjerr shumë të njëanshëm dhe subjektiv inatin e Mufid Libohovës në vitin 1925. Baxhaku më tej ka vërejtur : “Një njohës i mirë por tinzar, i historisë dhe i mentalitetit të shqiptarëve, Enver Hoxha, përdori të tjera mjete për të realizuar atë që nuk e kishin bërë paraardhësit e tij : dhunën. Veriu kryesisht katolik dhe anti-komunist u mbyt në gjak. Kanuni i Lekës, ligji kryesor i këtyre anëve nuk funksionoi më”.

Nëkëtë thënie Baxhakut i ka shkarë një gabin sepse Veriu është më shumë mysliman se katolik, nëse e kuptojmë sipas ndarjes së dialekteve përgjatë lumit Shkumbin. Baxhaku gabon përsëri nëse Veriun e identifikon vetëm me zonat ku ka vepruar Kanuni i Lekë Dukagjinit. Baxhaku gabon edhe më rëndë nëse e quan si të keqe enveriste se gati pushoi veprimi i Kanunit të Lekës. Kjo ishte përparim i madh, sepse Kanuni pavarëisht nga anët shumë pozitve dhe vlerat e mëdha morale që ruan nuk mund të jetë rregullatori juridik i shoqërisë moderne. Por, në thënien e mëispërme të Baxhakut del qartë që diskrminimin e dhunshëm krahinor e u futi komunizmi i Enver Hoxhës. Enveri ishte nga Gjirokastra, nga i njëjti qytet si Mufid Beu. Kështu që edhe ky zhvillim dëshmon dështimin e arsyes së Mufid Beu për ndarjen e tij nga Zogu. Duket që as Mufid Beun nuk e linte ambicia karriersite dhe mentaliteti krahinist të bashkëpunonte me Ahmet Zogun, siç ka penguar edhe shumë të tjerë.

Nolizmi dhe enverizmi vazhdojnë të qëndrojnë si themele ideore të krahinizmit jugor në Shqipëri dhe kjo duket edhe në episodet më të fundit të egërsimit të anti-zogizmit që u trajtuan nëkëtë shkrim.



Antifashistët e Shqipërisë flasin me gjuhën e Çianos kundër Ahmet Zogut



Për të kënaqur pakëz këta anti-fashistët e sotëm nga Labëria që e urrejnë kaq shumë Ahmet Zogun po u citoj diçka që dëshmon se edhe fashistët italianë kanë qenë shumë më objektëivë se këta në fillim të marrëdhënieve të tyre me Zogun.

Është një libër me titull “Italia dhe Shqipëria: marrërdhëniet financiare gjatë 20 vjeçarit fashist”, shkruar nga Alesandro Rozeli dhe botuar në italisht në vitin 1986. Kapitulli VII i librit titullohet “Pushtimi i Shqipërisë dhe bashkimi midis Italisë e Shqipërisë”. Autori e fillon kështu këtë kapitull : “Nga fundi i viteve njëzet në Italinë fashiste kishin këtë vizion për Shqipërinë : Mbreti Zog e ka treguar veten jo vetëm si një patriot i flakët, por një shërbyes i përkushtuar i tokës së tij, një temperament i ndiçuar në qeverisje, një i denjë për të mbajtur kurorën..” Rozeli shënon se këto fjalë i ka nxjerrë nga parathënia e shkruar prej Arnaldo Musolinit për librin e S. Xhulianit “Vendosja e rendit dhe rilindja e Shqipërisë” botuar në vitin 1929. Përveç të tjerash Rozeli citon edhe fjali të Xhulianit ku theksohet se klasa drejtuese e Shqipërisë kishte mbështetjen e mekanizmave italiane, se kombi shqiptar po përparonte etj. Pastaj Rozeli shkruan :”Pa kaluar as 10 vite pikëpamja ( italiane) kishte ndryshuar rrënjësisht”. Këtë ndryshim Rozeli e ilustron duke cituar nga raporti që i bëri Çiano Musolinit në maj të vitit 1938 : “Populli, mjerimi i të cilit është i tillë sa të kujton fshatrat kineze përgjatë lumit Jangce nuk e duron dot ekzistencën, veprimin dhe kryeneçësinë e një Oborri mbretëror qesharak për nga tipi dhe huqet e atyre që e përbëjnë por që rëndon në mënyrë të paduruesshme mbi finanncat publike...”.

Anti-fashistët e sotëm në Shqipëri flasin kundër Ahmet Zogut me gjuhën që i raportonte Çiano Musolinit për të përgatitur pushtimin ushtarak të Shqipërisë. Kënaquni, o anti-fashistë të vitit 2003, se keni kujt t’i ngjani në antizogizmin tuaj!



3 Shtator 2003 Abdi Baleta
 
Top