Absurdi Eshte i Vdekur

Absurdi Eshte i Vdekur

http://www.shekulli.com.al/2010/08/13/absurdi-eshte-i-vdekur.html
<span style="font-weight: bold">
ABSURDI ESHTE I VDEKUR</span>
Nga Joni Shanaj

Është tragjike kur shikon se sa shumë nuk e kupton shqiptari shqiptarin. Këtu nuk e kam për elitën politike, mos më keqkuptojë njeri, pasi elita politike historikisht e ka njohur shumë mirë popullin e saj: për të abuzuar mbi të, për ta shtypur, për ta terrorizuar e për më tepër, edhe korruptuar.
Ky është një shkrim për një pjesë tjetër të elitës së një vendi, për atë pjesë e cila, ndonëse nuk ka ndonjë kapital ekonomik të konsiderueshëm, pretendon dhe beson se është mbartëse e një kapitali kulturor.
Kudo në vendet moderne, si ky i yni, ka një elitë të tillë e cila vetëvendoset në një pozicion diku, nën atë elitën e madhe ekonomiko-politike, por që luan rolin e ndërmjetësit dhe katalizatorit midis popullit, të ashtuquajtur të thjeshtë, dhe shtresave të larta.
Për ta thënë më troç, kjo është ajo pjesë e shoqërisë e cila mbart atë kapitalin e caktuar kulturor, por në tërësinë e saj, për mbijetesë, është e varur drejtpërdrejt nga elita e madhe e fuqishme, dhe të dyja bashkë, në negociatë të vazhdueshme dhe flirtim më njëra-tjetrën, thënë shqip, &quot;bëjnë ligjin&quot;.
Është e dhimbshme dhe bezdisëse kur shikon këtë pjesë të shoqërisë e cila në vetvete duhet të luante rolin e lokomotivës së alternativave, të ketë marrë rolin e një vetëfshikullueseje, këtë radhë jo më si murgjit mesjetarë për mëkatet e veta, pasi nuk ia kërkon njeri këtë, por për ato që shihen, anatemohen dhe përqeshen, si defektet e të tjerëve, që në ketë rast është populli ynë i varfër.
Nuk do shumë të kuptosh e të shohësh këtë mori përbuzjeje, përbaltjeje dhe gjykimi që kjo elitë kulturore konfuze i bën popullit të saj përditë, kudo, në media të shkruara, në televizione, apo gjithnjë e më tepër nëpër blogje të panumërta interneti.
Një elitë e kthyer në çhelat morali dhe etike, duke vërshuar pareshtur me një frenetizëm titanik për t'u mbivendosur mbi këtë popull, duke anatemuar çdo bëmë të tijën, çdo shije të tijën, qoftë kjo edhe mënyrën e tij për të pushuar, për të vdekur, për të festuar apo për të bërë pazarin e përditshëm tek tregu i perimeve.
Ështe normale dhe kjo ndodh kudo që elita të caktuara, ose aspirantë të ngjitjes së shkallëve të vështira sociale, të përpiqen në mënyrë të vazhdueshme të distancohen dhe diferencohen nga 'populli poshtë', por ne vendin tone kjo rendje për diferencim ka marre përmasa qesharake dhe deri diku poshtëruese për këtë popull, prej një majmunërie veteimituese të gjeneruar nga një perceptim social-darvinist apo edhe herë herë anti-globalist i realiteteve perëndimore apo lindore.
Ështe një luftë e përditshme vetëmohimi, fyerjesh dhe gjykimi që këta myftinj, zaimë, hoçhallarë apo priftërinj të rinj të këtij rendi shumë të sofistikuar strategjish mbijetese, i bëjnë këtij realitetit tonë, duke e shpallur dhe shpartalluar atë shpesh herë si absurd, si të paktupueshem, të pa civilizuar, idiot apo thjeshtë dhe saktë shqiptar.
Kjo fjalë është sjellë tashmë në diskursin e përditshëm të kumbojë në mënyrën më pezhorative të mundshme nga këta Nastradinë me aureole perëndimore të mirëpërshtatur estetikish, pa kuptuar se janë duke mbartur në vete atë rrjedhë nga lart poshtë që në vazhdimesi kontaminon dhe infekton të gjithë shoqërinë e këtij vëndi.
Në anën tjetër kemi 'ata', ata të tjërët e shpallur si të tillë, ata të tjetërsuarit brënda tokës së tyre, ata që historikisht e gjejnë veten poshtë, shtresën e varfër, gjithnjë e në mundim të vazhdueshëm të marrë dhë të imitoje atributet e pjesës dhe shtresave të mësiperme, ajo përthith dhe shpërndan me tej, trende dhe idioma, të cilat vijnë dhe perceptohen si atribute të pandara të elitave përkatese. Kjo në rastin më efemer, tek ne përkufizohet në disa shprehje tashmë të teknikës ready-made, që mund t'i degjosh nga të gjithë të shprehen në kor, duke filluar nga lypësi i rrugës, fatorinoja i autobusit, polici i trafikut, e deri tek njerëzit më të kualifikuar të mundshëm:
Konstatimi retorik: &quot;Nuk bëhet ky vënd&quot;; pyetjes si je, mund t'u kthejnë përgjigjen. &quot;Ça të bësh jetojmë në Shqipëri&quot;, ose më lakonike akoma: &quot;Si në Shqipëri&quot;. Nëse vë në pyetje dicka të përgjigjen me pyetje: &quot;Po ti nuk jeton ne Shqipëri?&quot;, që nënkupton pra se 'Nuk ka zgjidhje ajo punë'. Ndërsa për të epitomizuar të gjithe të zezat e botes të dikujt mjafton të thuhet: &quot;Shqiptar hesapi&quot;. Kjo është gjithmonë për të justifikuar diçka që nuk shkon, një punë që nuk bëhet mirë, apo një incident çfarëdo në jetën e përditshme. Funksioni i këtyre shprehjeve shtrihet deri edhe në një mënyrë të gjetur për të qarë një hall të veçantë, pa dashur të hysh shumë në detaje me një njeri te panjohur.
Të gjitha këto bashkohen në një idomë të vetme tashmë të kthyer në himn kombëtar: &quot;Shqipëria është absurde! Nuk ka zot që ta kuptoje këtë vënd!&quot;
Këto janë, mund të themi, interpretimet e lira dhe tashmë të institucionalizuara në leksikun e rrugës, te atyre psherëtimave me zë apo pa zë, por shumë kuptimplotë e gjithnjë e më të pa artikuluara dhe eluzive, që personazhet e suksesshëm mediatikë të vëndit lëshojnë sa herë që fjala bie për vendin ku të gjithë jetojmë.
Ky është momenti më sublim kolektiv që ndajmë dhe vijmë në stadin më të hollë të këtij realiteti të ri: distancimi ndaj budallallekut të të tjerëve, i cili mbetet vazhdimësisht i pa artikuluar por shumë i nënkuptuar me pakënaqësinë e përgjithshme dhe totale ndaj tij. Por a është vërtet ky realitet kaq budalla dhe i padashur nga kalorësit e suksesit publik?
E gjithe kjo vorbull, ky vorteks pakënaqësie kolektive me dicka dhe gjithcka eluzive dhe të paartikuluar është shndërruar tashmë në nje mantra për shqiptarin e gjunjëzuar nën rrotën e historike që i ka zënë &quot;bishtin&quot;, të vënë në rradhë të parë nga elita e tij : Urre veten!
Rrjedha e këtij vetë përcmimi nga lart poshtë ka nje origjinë dhe një gjeneze, që është ajo lëvizje masive që buron natyrshëm nga vullneti i pashtershëm i elitës kulturore për t'u distancuar nga unë, nga ti dhe nga vetja; nga ajo që në perceptimin e saj është pjesa e shëmtuar e qënies shqiptare: shqiptari vetë pra ky njeri &quot;i pa qytetëruar&quot;. Luhet kështu një lojë kukullash me identitetin, lojë kjo sa e vjetër aq edhe e njohur per të gjithë ata që synojnë te ngjisin shkallët e hierarkisë shoqërore.
Megjithate në kushtet e një përshtatjeje të identitetit të ri të vetëvendosur, çfare ndodh në këtë proces është se rrugëtimi i këtij vrulli të afishuar në ligjërim koketues nga elitat kulturore në vecanti, e deri poshtë tek 'populli i thjeshtë', tashmë gjithnjë e më i poshtëruar, katalizohet një trend masiv salto mortalesh identiteti, të cilat janë nisur të përfundojnë të gjitha në poshtërim të vetes dhe në mbjelljen e një fryme disfatiste, vasaliteti dhe mungese respekti për tjetrin dhe veten.
Në këtë frymë të vazhdueshme të kthyer tashmë në proces poshtërimi, elita kulturore gjen formën e saj për t'u përshtatur me një perceptim tjëtër-për-tjetër që ajo ka për mënyrën se si, atë, pra elitën kulturore, e sheh Ai, tjetri i vërtetë. Ai tjetri autentik, që në vizionin e kësaj elite është i Huaji per se.
Mbi këtë marramëndje dhe marrje me mënd të mëndjes së Tjetrit është ngritur një marrdhënie e heshtur e supozuar më këtë Tjetër që ëshëe tjetër Tjetër nga ai tjetri i brendshëm, qe mbetet pra shqiptari i alienuar. Ketu ne këtë mësymje për 'lart' krijohet kjo farsë identitetesh me apoteozë një legenosje totale që zëvendëson pagëzimin e vjetër të munguar, në një identitet të supozuar të ri, kuturu me gjithçka, gjithkënd dhe gjithkund. Këtu në këto zig-zage na kthehet mbrapsht dhe na përplaset në fytyrë dhe në mëndje një histori tjëtërsimi e cila tashmë është inkorporuar brënda nesh dhe funksionon në mënyre taksative në bërjen dhe ç'berjen njeri të njëri-tjetrit.
Ky mekanizëm mendor, vesh në mënyrë automatike mbi vete sjelljen e policit të vëndit më të afërt kufitar. Në këtë kurth, pra në këtë identifikim te pavullnetshëm të vetes me standardin e rojes së kufirit të huaj, tashmë të internalizuar, shqiptari elitar pozicionohet ne imagjinatën e vet, ndaj atij shqiptarit tjeter. Duke synuar tashmë te tejkaljë në mënyrë imagjinare ndarjen dhe diferencën me Tjetrin autentik, të huajin, duket sikur elita kulturore e sotme ka marre iniciativën e saj historike, të vendosë vetë virtualisht një kufi ndarës mes popullit të saj. Në njërën anë është vetja fiktive e re dhe ne anen tjeter është tjetri fiktiv, pra shqiptari i thjeshtë, ne distancim me te cilin presupozohet se bëhet afrimi me 'Tjetrin e Madh' atje ne qëndër, te Huajin autentik.
Ky proçes mendoj po kalon pa u artikuluar, gradualisht, duke pësuar një shtrirje gjithnje e me poshtë në hierarkinë sociale. Risku është se kjo tendencë mund të prekë ne të ardhmen më tej, siç edhe e ka prekur në te shkuarën, idenë e vetë bashkëjetesës së shqiptarit me veten. Elita ka marrë kështu përsipër pa dashje të japë ose jo, tashmë, lejekalimin e qënies së thjeshtë humane nga një dimension social-kulturor në tjetrin. Ky është, mendoj, një reflektim dhe intrepetim i kthyer pasqyrë përkah vetes, i diskriminimit te padrejtë që shqiptari ne tërësi këto vite ka hasur kudo ku ka shkelur, në raport me perëndimin. Kam bindjen se, fatkeqësisht, kjo ka filluar të ndodhë në relata të ndërsjellta në të gjithë hapsirën e banuar nga populli yne. Këtu dua te evokoj trendet ne marrdhënie që në kanë filluar te instalohen në sejcilën anë te kufirit dy shtetëror me njëri-tjetrin. Kjo mendoj në vetvete riskon të ketë përmasa te pa parashikushme për të ardhmen, por nuk është vendi këtu t'i hyjmë këtij diskutimi.
Nëse lëmë elitën kulturore një moment, dhe kthehemi tek 'populli i thjeshtë', atje poshtë dhe i poshtëruar, do të shohim se ai e pershtat në mënyrën e tij këtë ndjesi dhe performacë të sjellë nga njerëzit e sipërm, si një instrument diferncimi ndaj ambientit human që e rrethon. Sa me shumë t'i mëshohet kësaj vale, aq më të forta perceptohen shanset për t'u pranuar, pra integruar në këtë vëllazeri snobësh sipërfaqsorë të cilët mendojnë se ushqehen duke pështyre mbi popullin e tyre. Ky vetëtjtërsim kthehet me ngadalë në metodë efektive për të përfituar dicka çfaredo qofte, në një rend shoqëror tashmë pothuaj krejtësisht virtual.
Në terren, në dukje, nuk ka rruge tjëtër, pasi kjo performace historike dhe ky virtualitet tepër prezent, bën të mundur diferencimin e perceptuar si jetik për elitën kulturore dhe mbijetesën e saj. Elita kulturore shqiptare në këtë proçes i lejohet gjithçka. Motoja e re është: 'Gjithçka përtej çdo mase!' Kulmin këtu, për mendimin tim, e arrin ndonjë moment shumë pikant kur, këta njerëz që përbëjnë këtë strukturë sociale, nisin e tallen me popullin e tyre dhe aq me keq, me mënyrën se si këta te tjerë mundohen të realizojnë dëshrat e veta.
Këta njerëzit e thjeshtë, i bie, që edhe ëndrrat t'i kenë jo aq të pranueshme dhe përgjithësisht gabim!
U kujtoj se sa me virtualë të bëhen rendet shoqërore dhe sa më te kontrolluara ëe jeëe ato, armiku ëe i madh mbeten ëndrrat e të tjërëve. Nuk ka gjë më destabilizuese për një rend virtual sesa aspiratat që njerzit kanë për jetët e tyre. Ëndrrat e popullit bëhen shqetësuese. Ato befas interferojne me një realitet simulakre dhe simulimi në një rend shoqëror ëe bëhet gjithnjë e më i mbyllur. Mënyra më e mirë për t'i kontrolluar, është të tallesh me to.
Më shqetësuese bëhen largqoftë alternativat dhe mekanizmat për të realizuar ato. Çdo tentativë e shqiptarit për të realizuar një ëndërr të tij kthehet në irritim për eliten kulturore. Çucitërisht këtu elita politike dhe ekonomike është shumë më zemërgjerë. Kjo elitë politike dhe ekonomike herë herë vendoset edhe ne krye të kësaj lufte por ç'eshte e dukshme ështe se këtu elita kulturore nuk duron dot më. Ajo merr flamurin te luaje rolin më konservator. Ne dukje i trembet çdo ndryshimi real. Del me peticione, rreshtohet në neveri.
Kjo sidomos këtë vit, vihet re, sa vjen e bëhet më e modës, ku këta mendimtarë të kualifikuar shpesh herë me diploma të bukura dhe me CV të pasura në çhep, i japin të drejtë vetes të mos i pëlqejë menyra si shqiptaret luftojnë për jetën dhe familjet e tyre.
Këtyre tipave nuk i pëlqen mënyra si shqiptaëet ndërtojëe shëepiëe, me sa kate i ndertojnë, çfarë ngjyre i lyejnë, nga i kthejnë dritaret, si i ngrejnë ballkonet. Këtyre nuk i pëlqen si i mbajnë flokët njerëzit, si vishen vajzat, si rrine ulur burrat apo si zbukurohen gratë. Këtyre nuk u pëlqen si bëhet politika, si luhet muzika, çfarë dëgjon shoferi i furgonit, çfarë filmash shohin gratë shtëpiake, çfarë shfaqjesh kanë më shumë publik në teatër, sa herë lahen njerëzit në dite apo në javë, për kë votojne shqiptarët, si bëjnë njerëzit tifozllëk në stadium, si njerëzia shkollohet, si njerëzit duan të cojnë fëmijët në shkolla jashtë apo brënda, pse njerëzit zgjedhin filan profesion por jo një tjetër, e gjera të tilla në peëgjithësi. Ketyre nuk i peëqejnë veçanërisht dialektet e të tjerëve, dhe averzion special kanë me emrin ekzotik që dikujt i kanë venë prindërit.
Njerëzit tanë të iluminuar nuk i zë gjumi natën nga pakënaqësi shumë irrituese dhe të acaruar nuk mund te rrijnë pa u shprehur. Sejcilit mjafton t'i japësh një mikrofon dhe nuk nguron asnjë sekondë të shprehë shqetësimin e tij shumë qytetar për gjithë mënyren se si jeton shqiptari i zakonshëm.
Hapësira publike mediatike është e hipertrofizuar me këtë lament të përgjithshëm prej fletërrufesh imanente ku sejcili elitar kulturor i afirmuar, apo thjeshtë aspirues, është një Zeus i vogël në majë të kullës së fildishtë ku ka pozicionuar veten, apo edhe shoqërinë e tij të ngushtë, natyrisht shumë të zgjedhur. Është kthyer në një shaka praktike fakti që mjafton t'i japësh dikujt 15 minutat e tij të famës dhe nis menjëhere këngën e vuajtjes për zgjedhjet dhe zgjidhjet e gabuara që bëjnë gjithmonë ata të tjerët qe kemi fatkeqësine t'i kemi kaq pranë.
Shqiptarët shpallen vazhdimisht në mënyrë shumë konkrete dhe të detajuar si primitive, tuhafë, pisanjosë, të trashë, kriminelë, kokepalarë, imoralë dhe imorale, etj bukurira si këto.
Për më keq akoma, ata më të guçimshmit dhe ndoshta më të papërmbajtshmit, arrijnë edhe t'a reduktojnë popullin e tyre, verbalisht, fare thjeshte ne kafshë.
Këtu në këtë dehumanizim të hapësirës jetësore të gjithë marrin pak te drejtën të ndjehen Nietzsche të veckël. Superiorë, supernjerëz, njerëz të vecantë, pse jo Elitë e Kombit.
Neveria me realitetin shqiptar arrin kulmin, kur ajka e njerëzve të kulturuar nuk denjon të ndyjë duart duke marrë pjesë në zgjedhje, e aq më keq pastaj të shprehin largqoftë ndonjë simpati politike në publik. Kjo është ajo paanshmëria e intelektualëve të shquar që kopjohet sa vjen e zbret më poshtë në hierarkinë e aspirantëve të intelektit. Të qëndrosh mbi realitetin është punë mode, pasi çështja nuk është se kemi te bëjmë me stoikë. Çështja mbetet ngahera të diskutojmë për cilin realitet bëhet fjalë. Në këtë pike çdo gjë barazohet në një reductio ad absurdum ku refreni në sinkron është: &quot;Të gjithë janë njësoj.&quot;
Totaliteti i kësaj gjithësie te Tjerësh, të barazuar në një distancim identifikues, e orienton kështu të drejtën për të ekzistuar te këtyre të gjithëve vetem duke i futur ata në një rezervat kulturor mbireal. Këtu në këtë rezervat mendor, ndodh një barazim reduktiv i gjithkujt ne nje hiç. Një mohim total i çdo përpjekje të çdokujt për cfarëdo lloj gjëje qoftë ajo mbi dhé. Kemi të bëjmë këtu pra me një proces post-moderno kripto-fashist, i cili tjetërson çdo përkatësi bashkënjerëzore.
Rrezikshmëria e këtij fenomeni tipik të një elite kulturore provinciale, është se po ndikon në një shkërmoqje tragjike të organizimit të alternativave dhe bashkërendimit të veprimit në realitetin shoqëror. Është katastrofale për kohezionin e një shoqërie kjo përhapje masive e një fryme mosbesimi, intrigash dhe konspiracionesh alá bestseller, e cila sjell gjithnjë e më shumë një pacifizim dhe dekurajim të çdo ëndrre të mbetur pezull, pa një nisëm apo angazhim shoqëror real, të vërtetë dhe të bazuar mbi bashkërendim interesash dhe alternativash të hapura e të artikuluara qartë.
Fryma mbytet që pa dalë dhe gjithcka që mbetet është psherëtima emblematike, edhe ajo e mbetur në në tentative, e nënkuptuar dhe e mbytur brënda trupit. Kështu kjo superstrukiturë mbart në vetvete alienimin e kujtdo duke sjelle rrjedhimisht bindjen e patundur se realiteti yne është absurd. 'Kete realitet', thuhet, 'nuk ka zot që e kupton'.
Fatkeqësisht shkaktarë të kësaj përmbytjeje strukturore zhgënjimi janë edhe disa njerëz shumë të mirë, te cilët gëzojnë prestigj e respekt, te cilët ne publik janë të detyruar të thonë vetëm gjysëm të vërteta, të nisur nga dëshira e mirë sigurisht, pasi është shumë e vështirë të jesh shumë i sinqertë në qëndrimet e tua, me tjetrin dhe me veten, kur paguhesh si rrogëtar në sisteme të ndërlikuara pushteti.
Përgjithësisht këta miqtë e të gjithë shqiptarëve, ndjehen gjithmonë shumë të zhgënjyer nga realiteti. A thua se realiteti i ka përjetësisht një borçh që nuk ua ka kthyer kurrë.
Kjo lloj psikologjie e të parit të vendit si një territor tokësor që i ka vetem borçhe supermenit postmodern, është një nga gjeneratorët kryesorë të një fryme permanente mosbesimi ndaj gjithkujt tjeter; gjë kjo që paralizon të ardhmen e vendit ne mënyrë të vazhdueshme.
Në një shtresë tjetër mbijetese, kush ka mbetur pa rrëmbyer diçka ga ky realitet, krijon nje tym atmosfere të pashpresë që këta mercenare mediatikë tashmë mëkojnë. Ky dorëzim ndaj absurdit te vetëshpallur, tejzgjatet dhe emanon duke u bere gjithnje e me evident në shtresat më të gjëra sociale, ku mbizoteron një moskoshiencë absolute për mënyrën se si funksionon një shoqëri moderne, përfshi këtu sidomos elementet më jetikë dhe bazat e koordinimit të aksionit social.
Këto fenomene kanë një dozë pafajësie brënda, por sido që të jenë dua te theksoj se mbeten dhe janë pjellë e atij proçesi të tejzgjatur vetëpërcmimi, që u përmënd më lart, një proçes i mbyllur, i cili dëshmon një papërgjegjshmëri të plotë historike të elites kulturore të sotme.
Një papërgjegjshmëri, do të thoja, që ia kalon njëqindfish asaj të elitës politike në përgjithësi. Pa e kuptuar as vetë, dhe për këtë jam i bindur, kjo elitë kulturore po kontribon duke vendosur gozhdët e fundit në përligjen, ruajtjen dhe me keq akoma, asgjesimin e mundësive të ndryshimit të kësaj shoqërie.
Ju siguroj, të gjithë në thelb janë shumë te kenaqur.
Por sidoqoftë këtu nuk jemi vetëm. Keto janë proçese karakteristike për elitat kulturore të vendëve në zhvillim, ose thenë ndryshe botën e trete, të cilat e kanë vendosur veten në balona virtuale lundruese në ajër mbi kokat e popujve përkates të stërmunduar dhe të lodhur.
Rrugë të mbarë miqtë e mi, por përpara se të ndahemi dua të shtroj këto pyetje:
Si ka mundësi që kjo elite kulturore e kupton kaq pak popullin e saj? Si ka mundësi që në vazhdimësi, vit pas viti, kuptohet kaq keq dhe me kaq vonesë konteksti ku ndodhet populli yne?
Si ka mundësi që këta njërëz, të vetëkënaqur dhe të verbër, nuk e kuptojnë se me sjelljen e tyre, janë thjeshtë një mekanizëm dhe instrument i lirë në dorën e një sistemi të cilin e krijojmë vetë dhe është në dorën tonë ta ngremë e ta dretojmë si të duam?
Kjo shtresë shoqërore, jo vetëm që mund të mos e kishte braktisur popullin e saj, por mundej edhe të merrte në ndërgjegje dhe në duar hartat dhe alternativat e mundshme dhe të hapura për këtë vënd, të cilat kurrë nuk janë artikuluar. Në të kundërt, realiteti shoqëror është braktisur.
Përpjetë është ngritur lapidar apoteoza e budallallëkut, në formën e një tymnaje paaftësie për të prodhuar qoftë edhe një ide të vetme, lidhur me kontekstin tonë lokal dhe global. Më e rrezikshme në këtë gurore mbarëkombëtare janë disa tendenca të fundit për të kthyer dhe futur ne Shqipëri, njëzet vjet me vonesë, disa trende apo sindroma ish-Jugosllave, të huazuara me citate të marra borçh pa të drejtë autorësie e të drejtuara në kontekste të tjera, të cilat mund të kthehen në meteorë kataklizmikë për Shqipërinë.
Situata ku ndodhemi dhe kjo elitë kulturore pubertale që kemi, po mbjell një sistem hipokrizie dhe paditurie publike, i cili mund të sjellë vrulle të pallogartishme energjish destruktive nga poshte lart në të ardhmen, ashtu sic është provuar mjaft herë edhe në të shkuarën e këtij vëndi. Kjo thjeshtë sepse graduliasht, përvec kafepirjes së pafund, po kthehet në virtyt paaftësia për të interpretuar dhe kuptuar drejtë dhe thelbësisht Shqipërine.
Ky është ndoshta një nga shkaqet se pse kjo elite kulturore është kthyer në një mbartëse të drejtpërdrejtë dhe efikase të kontributit fatkeq historik të alienimit të cdokujt në vëndin e tij, natyrisht duke rrezatuar me elegance, sidomos se fundmi, një të mësuar mekanik, sofist e frazollog të një informacioni kaotik, i cili tashmë ka nderin të quhet postmodern.
Kjo lloj simulakre intelektuale po ngre një rend shoqëror që në vetvete mbart tendencën të kryejë një pastrim të ri etnik të trojeve tona, nga çdo njeri që ka si nevojë jetike të respektojë veten e tij. Jeta e gjithkujt tjetër që nuk përfshihet në të nuk ka më asnjë kuptim. Pjesa më pikante ekzistenciale e këtij diskursi arrin madje të artikulohet bindshëm, se pjesa më e madhe e njerëzve në këtë vënd, jetojnë kot.
E pra kjo kotësi e projektuar mbi të tjerët, e koketuar në nje asimilim të supozuar të brendshem të kukullave pastiço, siç ka dale në modë, mund të jetë tashmë duke instaluar një model humnere historike hendeqesh artificialë, midis atyre që shpesh herë emertohen si njerëzit e thjeshte dhe këtyre te Tjereve, që pas shume sakrificash vetëmohuese dhe përshtatjesh nga më deformueset, kanë arritur të gjenden në majat më te larta të fluturimit mes të qiejve së të mos kuptuarit, të një asgjëje kozmike, pjesë e së cilës mund të jetë edhe thjeshtë reflektimi i vetes së tyre.
Nuk kisha ndermend këtu të merrja përsipër të bëja historinë e popullit tonë të varfër, shumë të bukur, të mirë dhe fatkeqësisht të vuajtur. Kjo jo vetem që nuk me takon, por mbetet mendoj, pjesë e proçesit të brendshëm dhe formimit të sejcilit prej nesh, aq sa vetë e ndjejme te nevojshme dhe të arsyeshme. Megjithate, dua ta mbyll duke u kujtuar se nuk ka asgjë absurde dhe të pakuptueshme mbi dhé. Ajo çfarë mungon është urtësia, përkushtimi, integriteti, personaliteti dhe vullneti i mire; si instrumenti i vetëm, por gjithmonë i mundshëm universal. Realiteti nuk është absurd, as i yni, as i huaji, as i juaji dhe pa një reflektim më të gjerë në këto procese indentifikimi dhe ri vleresimi të vetes, rrezikojmë të mbetemi perjetësisht një vënd qesharak; të ruajtur përfundimisht nga këta Kerberose në Hades.

*Autori eshte regjisor, antropolog social
 
Top