Valbona Nathanaili: Në “vrimën e zezë” të botimeve letrare në gjuhën shqip
Sa “letërsi” botojmë në një vit? Përgjigja më e zakonshme është shumë, një përgjigje që formulohet mbi bazën e vlerësimeve të përditshme, nga të cilat po rendis vetëm dy (gjithsesi, jo më të rëndësishmet): libra stok në librari dhe jashtëzakonisht shumë shtëpi botuese, në raport me popullsinë. Por situata bëhet vërtet dramatike nëse konsultohesh me faqen ueb të Bibliotekës Kombëtare (fjala çelës: letërsi). Nëse deri në vitin 1989 botonim, mesatarisht, 122.5 letërsi /vit (shih tabelën më poshtë se cilat vite janë marrë në shqyrtim), dëshira jonë për të qenë shkrimtarë e botues, mbas këtij viti, njeh rritje pothuaj eksponenciale. Kështu, gjatë periudhës 1990-1999, mesatarja është 413.9 letërsi /vit, ndërsa gjatë periudhës 2000-2009 kemi më shumë se dyfishin, 1087.4 letërsi/vit. Për periudhën e mbetur, 2010-2014, mesatarja është 574.6 letërsi /vit, por trendi është pothuaj i njëjtë, po të marrim në konsideratë faktin që kohëzgjatja është për gjysmë, pra, po të ecim me këto ritme, në fund të këtij dhjetëvjeçari mesatarja do shkojë në 1149.2 letërsi /vit. Këtu po theksoj se termi “letërsi”, përfshin të gjithë librat e kataloguar në Bibliotekën Kombëtare sipas fjalës “letërsi” – tabela më poshtë jep një situatë më të detajuar, sipas viteve, të botimeve të hyra në këtë kategori. Vitet më “të begatë” në botime letrare janë 2007-2011.
Gjendja ndryshon disi nëse fjalët kyç të kërkimit bëhen më specifikë, si “romane” dhe “tregime”. Grafiku (tabela me numrin e botimeve romane e tregime për vit nuk është paraqitur) jep një pamje të përgjithshme të botimeve letërsi, krahasuar me romane (shqip) + tregime (shqip), por trendi është po ai. Nga ana tjetër, në Bibliotekën Kombëtare hyn një numër pothuaj i papërfillshëm letërsi në gjuhë të huaj, në krahasim me numrin e përgjithshëm.
Pak më lart përdora shprehjen “situatë dramatike”. Dramaticiteti shtohet edhe më shumë po të kemi parasysh faktin se kushdo mund të hapë një Shtëpi Botuese, kushtet janë pothuaj ato për çdo biznes tjetër. Rrallë gjen Shtëpi Botuese që kanë të punësuar, me kohë të plotë, një redaktor e korrektor. Pra, i vetmi që e kalon librin nëpër duar është autori, i cili për të zvogëluar sa më shumë shpenzimet e botimit, luan shpesh edhe rolin e faqosësit, përpos të redaktorit e korrektorit.
Në fizikë ekziston një parim shumë i rëndësishëm, i quajtur “Parimi i Papërcaktueshmërisë së Heisenberg-ut”, sipas të cilit është e pamundur të përcaktojmë, në të njëjtën kohë, me saktësi, edhe vendndodhjen, edhe shpejtësinë e një grimce. Parimi mund të shprehet ndryshe “ose, ose”, pra, ose vendndodhje e saktë, ose shpejtësi e saktë. Çdo përpjekje për të përcaktuar njërën, e bën të papërcaktueshme tjetrën. Duke huazuar këtë parim, ne jemi në gjendje të përcaktojmë me shumë saktësi numrin e botimeve në fushën e letërsisë, por të paaftë të përcaktojmë cilësinë e tyre, pra “ose, ose”. U ofrojmë lexuesve romane e tregime në një sasi të matshme, por cilësia është shumë e pamatshme. Duke mbetur te fizika, i gjithë tregu i letërsisë është si një lloj “vrime e zezë”, ku vetëm bien e bien romane e tregime, masën e së cilës po e rrisim nga viti në vit dhe gjithmonë e më pak dalin prej saj. Dhe jo detyrimisht letërsia më cilësore. Sepse brenda një vrime të zezë, thotë Stephen Hawkings, gjërat janë pak të çuditshme. Duke perifrazuar, së pari, sepse duke qenë jashtë, nuk jemi në gjendje të themi me saktësi çfarë ndodh brenda: kush ka kohë fizike t’i lexoj të gjithë këta libra dhe në fund të na thotë se cilët janë më të mirët? Për më tepër, kemi kaq pak kritikë letrarë dhe, akoma më pak, lexues të mirë. Së dyti, rreziku i rënies në këtë vrimë të zezë ka një fund të pashmangshëm, atë të humbjes përgjithmonë nga vija e horizontit. Sa libra janë botuar, lavdia e të cilëve ka zgjatur vetëm gjatë rrugës nga shtypshkronja në librari? I vetmi lajm i mirë është se duke qenë në atë vrimë me masë të pafundme, ndoshta një ditë, për shkak të rastësisë, i bie në dorë Agim Baçit, i cili gjen aq vlera sa të na thotë: duhet lexuar. Por sigurisht, jo në një kohë të afërt.